Në një intervistë me Geoffrey Hinton, i cili quhet “babai” i Inteligjencës Artificiale (AI), kur e pyesin se çfarë këshille do t’u jepte të rinjve për drejtimin profesional dhe ku duhet të përqendrohen, ai thotë: “Trajnohu për t’u bërë hidraulik”. Geoffrey tërë jetën e kaloi duke zhvilluar rrjete neurale artificiale të frymëzuara nga truri i njeriut dhe algoritmet e tij ndërtuan bazën e AI që përdoret sot. Sipas tij, zanati i hidraulikut mbetet profesion i sigurt, sepse AI ende ka vështirësi në profesionet që kërkojnë shkathtësi fizike. Ndërkohë që shumë punë të nivelit të mesëm po zhduken, për një kohë të gjatë ky profesion do të mbetet i qëndrueshëm.
Në raportin e fundit të Forumit Ekonomik Botëror mbi 40% e punëdhënësve planifikojnë të zvogëlojnë fuqinë punëtore deri në vitin 2030 për shkak të automatizimit me AI. Në mesin e profesioneve që ky raport parasheh që të zëvendësohen më së shpejti nga AI, i 11-ti me radhë renditet edhe profesioni im, dizajni grafik.
Pas përfundimit të shkollës së mesme me lehtësi vendosa të studioja dizajn grafik, sepse ishte i vetmi profesion që më tërhiqte. Më kujtohet që po përgatitesha për një botë ku notat e shkëlqyera dhe puna e palodhshme vlerësoheshin dhe ishin të pazëvendësueshme.
Mirëpo sot, në fushën e dizajnit grafik, asnjëra prej këtyre nuk ka më peshën që kishte. Projekti që mua më merr dy ditë kohë, mund të krijohet nga AI në dy minuta dhe kjo më bën të mendoj se ku do të përfundoj në të ardhmen. Tani, vetëm ideja që në të ardhmen do të më duhet të gjej diçka tjetër më frikëson.
Por, çfarë më shqetëson e më frikëson më të vërtetë?
Kreativiteti përballë AI?
Zakonisht argumentet që dëgjoj kundër shqetësimit tim rreth AI janë se AI nuk është kreativ dhe krijon vetëm atë që tashmë ekziston; se njerëzit duan të konsumojnë diçka që është krijuar nga dora e njeriut dhe ndryshime të tilla kanë ndodhur edhe më herët, ndërkaq, bashkë me të, do të krijohen edhe mundësi të reja.
Megjithatë, nuk pajtohem me rehatinë që ofrojnë këto argumente.
Së pari, jo çdo punë kreative është çdoherë plotësisht kreative. Ka punë që bëhen nga persona kreativë, por që janë më teknike dhe nuk kërkojnë kreativitet të vazhdueshëm. Janë pikërisht këto që do të zëvendësohen së pari nga AI, punë që sot kryhen nga njerëzit. AI do të zëvendësojë dizajnerët grafikë në krijimin e logove të thjeshta, postimeve informuese për rrjete sociale apo prekjet e thjeshta nëpër fotografi e video. Por, besoj se edhe punët që kërkojnë më shumë kreativitet dhe ide të reja nga zero do të zëvendësohen.
Sot, një artist kreativ frymëzohet kryesisht nga paraardhësit e tij. Jo të gjithë njerëzit janë revolucionarë që të ndryshojnë historinë me idetë e tyre. Në kohën që po jetojmë, shumica e gjërave tashmë janë zbuluar dhe e vetmja gjë që ka mbetur është rikonceptimi i një ideje, diçka që AI e bën pa problem dhe shumë më shpejt, sepse posedon më shumë njohuri për historinë, ekonominë, politikën apo çfarëdo fushe tjetër, në bazë të së cilës është në gjendje të ndërthurë ide të reja nga të gjitha këto fusha.