Kalimi nga mediat e shtypura në ato online ka ndryshuar modelet e financimit dhe mënyrën e punës duke i dhënë shumë rëndësi shpejtësisë dhe shumësisë së lajmeve. Kjo e ka deformuar në masë të madhe cilësinë e mbulimit gazetaresk.
Në Kosovë ekzistojnë shumë media online, por ka më pak përmbajtje origjinale dhe në interes të publikut. Fokusi është më shumë te mbiprodhimi i lajmeve e më pak te cilësia dhe arsyeshmëria se pse shkruhen ato lajme. Kjo ka ndikuar në masë të madhe që shumë sektorë jetikë të mbesin të pambuluar, ose vetëm sipërfaqësisht të mbuluar, nga mediat në Kosovë.
Ndarja e rubrikave brenda redaksive sot është më shumë “sa për sy e faqe”. Ta zëmë, rubrikat e ekonomisë në shumë media online nuk kanë përmbajtje të prodhuar nga vetë mediumi, por kryesisht janë të mbushura me artikuj të kopjuar ose të përkthyer nga media të huaja. Në kohën kur kishte gazeta të shtypit tradicional, secila prej tyre kishte rubrikë të veçantë të ekonomisë dhe gazetarë/e të specializuar/a, që shkruanin vetëm për atë sektorë. Në këtë mënyrë, gazetarët/et specializoheshin për atë fushë dhe kështu rritej cilësia i raportimit.
Sot kemi fare pak gazetarë/e të profilizuar/a, që përcjellin sektorë të caktuar dhe që specializohen në ta. Mungesa e gazetarëve të specializuar vjen nga fakti që sot gazetarëve/eve u kërkohet të kenë aftësi për të mbuluar një grumbull sektorësh, por objektivisht kjo gjë është pak e mundur dhe në këtë mënyrë, sektorë të ndryshëm mbesin të mbuluar sipërfaqësisht.
Në vitin 2018, si reagim ndaj kësaj qasjeje të të bërit gazetari, bashkë me disa kolegë/e gazetarë/e të ekonomisë, themeluam Buletinin Ekonomik, një medium i profilizuar vetëm në fushën e ekonomisë.
Dilemat fillestare kanë qenë se si mund të pranohet nga publiku një medium që shkruan vetëm për ekonomi. Përgjithësisht ekziston një keqkuptim se lajmet ekonomike janë të mërzitshme, vështirë të kuptueshme dhe që mund të shkaktojnë kokëçarje te lexuesit/et. Por, ajo që ndodhi me Buletinin Ekonomik, e ka thyer këtë mit. Mediumi është pritur jashtëzakonisht mirë nga publiku, duke na dhënë vetëbesimin se gazetaria old school nuk ka vdekur.
Qasja jonë nga fillimi ka qenë trajtimi i lajmeve ekonomike, temave, analizave e hulumtimeve, pa presionin e kohës e presioneve të tjera që iu nënshtrohen mediave. Kemi funksionuar thjesht sikur të ishim medium në versionin e shtypur. Lexueshmëria e lartë nuk ka qenë asnjëherë çështje brenda redaksisë sonë. Duke u fokusuar në përmbajtje cilësore, lexueshmëria ka ardhur natyrshëm.
Pse na duhen mediat e profilizuara?
Në një kontekst ku mediat e kanë humbur fokusin dhe kanë ulur nivelin e raportimit, për shkak të arsyeve të përmendura më lartë, mediat e profilizuara janë bërë edhe më të nevojshme. Sektorë të tërë kanë mbetur pa mbulueshmëri mediale, sidomos ekonomia. Si pasojë e kësaj mënyre të të bërit gazetari, rreziku është se gazetarët do të përfundojnë duke bërë “gjithçka dhe asgjë”.
Mediat e profilizuara, veçanërisht në ekonomi, nuk janë vetëm përgjigje ndaj kësaj mënyre të përçudnuar të të bërit gazetari, por janë edhe nevojë e kohës për të mbuluar boshllëkun që e po e lënë mediat që janë të fokusuara te fitimet përmes klikimeve. Janë domosdoshmëri për të sjellë në pah e për të kontekstualizuar realitetin ekonomik në Kosovë dhe mjerimin nga shkeljet flagrante në këtë sektor të të drejtave të punëtorëve, rrjedhimisht të drejtave të njeriut.
Përfundimisht, mediat profesionale e të profilizuara në këtë sektor janë një domosdoshmëri e kohës edhe për rritjen dhe mirëmbajtjen e kapaciteteve gazetareske në fushën e ekonomisë, duke krijuar individë që vëzhgojnë, përcjellin, analizojnë e shkruajnë për çështje të veçanta ekonomike, ruajnë profesionalizmin dhe kompetencën. Kështu, konsolidohen si një arkivë e gjallë për të ushqyer debatin për çështjet që kanë rëndësi, jashtë toksicitetit ditor në të cilën pashmangshëm është zhytur gazetaria në vend.
Prej kur e hapëm Buletinin Ekonomik, kemi parë se lexuesit kanë kërshëri të lartë për zhvillimet në ekonomi. Sfida jonë kryesore ka qenë thjeshtëzimi i lajmeve për t’i bërë sa më të kuptueshme për publikun. Kemi zhvilluar një qasje që shkon përtej raportimit klasik, duke i kontekstualizuar shkrimet me aspekte të lirive dhe të drejtave të njeriut dhe duke shpërfaqur abuzimet e të drejtave socio-ekonomike të qytetarëve.
Pas gjashtë vitesh në tregun medial, sot Buletini Ekonomik e ka gjetur vendin e vet si medium i besueshëm dhe referencë për gazetarinë për ekonomi në Kosovë. Financierë/e, bankierë/e, studiues/e e studentë/e të ekonomisë, politikëbërës/e e njerëz që analizojnë politikat në ekonomi, e kanë gjetur Buletinin si një dritare ku janë informuar përmes lajmeve, analizave nga zhvillimet e fundit nga fusha e ekonomisë në Kosovë.
Pra, me Buletinin Ekonomik, e kemi thyer mitin sipas së cilit të shkruash për ekonominë është të shkruash për statistika, aritmetikë e numra të mërzitshëm. Përtej tyre, ne kemi sjellë një raportim që flet për të drejtat e njeriut, të drejtat e punëtorëve dhe për pasojat e shkeljeve dhe cenimit të të drejtave ekonomike.
Megjithatë, funksionimi si media e profilizuar i bart me vete edhe vështirësitë e veta.
Buletini Ekonomik nuk ka qenë imun ndaj ndryshimeve në mënyrën se si funksionojnë mediat. Një ndër pengesat kryesore ka qenë paqëndrueshmëria financiare. Duke qenë se fokusin nuk e kemi pasur tek fitimet online, e as tek përshtatja me lajmet “që dhezin”, e vetmja mundësi për të mbijetuar kanë qenë grantet nga donatorët. Si koncept, Buletini Ekonomik është pritur mirë nga donatorët, disa prej të cilëve na kanë mbështetur në këtë rrugëtim.
Në këtë kuadër, e shohim edhe bashkëpunimin me Kosovo 2.0 në thirrjen për mbështetje të mediave të vogla për vitin 2024, financuar nga Bashkimi Evropian, ku Buletini Ekonomik është njëri prej grantistëve.
Projekti ynë ka qenë pikërisht promovimi i gazetarisë për ekonomi. Kemi shtjelluar shtatë artikuj hulumtues, kryesisht për të ekspozuar shkeljet dhe abuzimet ndaj punëtorëve, nga sektorë të caktuar ekonomik. Përveç shkrimeve, projekti na ka ndihmuar edhe në fuqizim të personelit dhe përgatitje më të mirë për menaxhim të projekteve në të ardhmen.
Kështu, kjo mbështetje na ka ndihmuar ta mirëmbajmë gazetarinë, të cilën e shohim para së gjithash si mision në shërbim të publikut dhe ruajtjes së përqendrimit te temat që kanë rëndësi jetike për qytetarët e Kosovës, jashtë sensacionalizmit.

Ky artikull u botua me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian në kuadër të projektit “Diversifikimi i zërave në gazetari”. Përmbajtja e artikullit është përgjegjësi vetëm e Kosovo 2.0 dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Bashkimit Evropian.