Më 7-8 dhe 15-16 shkurt, Kosovo 2.0 dhe Instituti GAP ju ftojnë t’u bashkoheni serive të punëtorive me qëllim të përmirësimit të aftësive tuaja në hulumtim dhe shkrim për komunitetet e margjinalizuara — me fokus të veçantë tek gratë, komuniteti LGBTI+ dhe minoritetet etnike. Këto punëtori janë pjesë e serisë më të gjerë të organizuar në kuadër të projektit “Inovacioni për media të qëndrueshme dhe angazhim qytetar” që financohet nga Bashkimi Evropian.
Pse komunitetet e margjinalizuara?
Media luan rol thelbësor në formësimin e perceptimeve publike rreth grupeve të ndjeshme si gratë, personat LGBTI+ dhe minoritetet etnike. Si rezultat, është e rëndësishme që raportimi t’i shmangë stereotipet që i banalizojnë këto tema dhe ato që prezantojnë pamje të pasaktë të jetës, trupave dhe përvojave të atyre që diskriminohen. Narrativat sipërfaqësore fillimisht formësojnë besimet dhe më vonë politikat publike.
Shpesh thuhet se dija është fuqi. Kur kemi të bëjmë me jetët e të shtypurve, të qenit në gjendje të kryejmë hulumtime dhe raportime të sakta, të respektueshme dhe me përgjegjësi shoqërore është thelbësore — për t’i fuqizuar ata në disavantazh dhe për të sjellë ndryshim. Dështimi për ta bërë këtë do të thotë vazhdim i strukturave ekzistuese të diskriminimit.
Rreth punëtorive
Ftojmë gazetarë të rinj aspirantë, hulumtues, aktivistë dhe individë të interesuar të cilët dëshirojnë t’i zhvillojnë apo përmirësojnë aftësitë e tyre hulumtuese dhe të shkruarit për komunitetet e margjinalizuara që të marrin pjesë në punëtori.
Seria e punëtorive do të ndahet në dy komponentë:
- Punëtoria e parë, e hënë më 7 dhe e martë më 8 shkurt 2022, nga ora 12.00 deri në 18.00 — Si ta tregojmë rrëfimin e atyre që diskriminohen: gratë dhe individët LGBTI+
- Punëtoria e dytë, e martë 15 dhe e mërkurë 16 shkurt 2022, nga ora 12.00 deri në 18.00 — Si ta tregojmë rrëfimin e atyre që diskriminohen: minoritetet etnike
Mund të zgjedhni të merrni pjesë në të dy punëtoritë apo vetëm në njërën.
Dita e parë e çdo punëtorie do të fokusohet në qasjet teorike rreth hulumtimit dhe mbledhjes së të dhënave. Do të drejtohet nga:
- Punëtoria e parë: Adelina Berisha, Menaxhere e Programit për Parandalimin e Dhunës me Bazë Gjinore nga Rrjeti i Grave të Kosovës
- Punëtoria e dytë: Armend Behluli, Kryesues i Zyrës Komunale për Komunitete dhe Kthim në Komunën e Gjakovës
Dita e dytë e të dy punëtorive do t’ju mësojë se si ta transformoni hulumtimin dhe njohuritë në një artikull gazetaresk që tregon një histori bindëse. Do të drejtohet nga:
- Dafina Halili, Redaktore Kontribuese në K2.0
Përkthimi në anglisht dhe serbisht do t’u sigurohet atyre që kanë nevojë. Punëtoritë do të mbahen në Hub 2.0 (adresa: Rruga Ferat Dragaj nr 25, Bregu i Diellit, Prishtinë).
Procesi i regjistrimit
Ju lutemi klikoni këtu për t’u regjistruar në punëtori.
Gjithsej 25 persona do të përzgjidhen për të marrë pjesë në punëtori. Do t’ju njoftojmë të gjithëve për statusin e aplikimit përmes emailit. Afati i fundit për regjistrim është 2 shkurt 2022.
Imazhi i ballinës: Ferdi Limani / K2.0
Kjo punëtori është pjesë e projektit “Inovacioni për media të qëndrueshme dhe angazhim qytetar” financuar nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, dhe i implementuar nga Kosovo 2.0 në partneritet me Institutin GAP.