S`fundmi | Lokomotiva

Punëtori: Teatri edukativ & ndërhyrjet artistike në komunitet

Nga - 26.03.2021

K2.0 ju fton të regjistroheni në punëtorinë për teatrin edukativ dhe ndërhyrjet artistike në komunitet në kuadër të programit Lokomotiva 2.0 që përkrahet nga Fondi Prince Claus.

Punëtoria do të mbahet online më 15 dhe 16 prill prej orës 10:00 deri në 15:00 (me 1 orë pauzë) dhe do të udhëhiqet nga aktori dhe magjistri i teatrit edukativ Lulzim Bucolli, si dhe nga artistet nga grupi protestues/performues HaveIt, Alketë Sylaj dhe Arbërore Sylaj.

Pjesëmarrësit do të mësojnë për teatrin e forumit, çështjet sociale që mund të trajtohen përmes teatrit, metodat e ngrohjes së zërit dhe trupit, teatrin e imazhit, skena të shkurtëra të improvizuara, përdorimin e hapësirës publike me anë të ndërhyrjeve artistike, intervenimet artistike në epokën e rrjeteve sociale dhe rëndësinë e plasimit të mesazheve pa ndërhyrjen e politikave redaksionale në mediat tradicionale. 

Teatri i forumit i angazhon shikuesit që të ndikojnë në performancë si shikues dhe si aktorë. Në këtë lloj të teatrit, audienca ka fuqinë për ta ndalur apo ndryshuar performancën. Çështjet që trajtohen në teatrin e forumit shpeshherë lidhen me çështje të drejtësisë sociale dhe kanë synim gjetjen e zgjidhjeve për shtypjen që paraqitet në performancë. 

Ndërsa teatri i imazhit është një teknikë e performimit në të cilën një person që vepron si skulptor/e u jep formë një apo më shumë njerëzve që aktrojnë si statuja, duke përdorur vetëm prekjen. Imazhet e prezantuara në këtë formë të teatrit ngjallen nëpërmjet disa mënyrave. Aktorët i përdorin duart e veta për të krijuar imazhe nga trupat e aktorëve të tjerë për ta komunikuar një ide, një ngjarje apo një emocion.

Gjatë punëtorisë, pjesëmarrësit do të kenë mundësi ta bëjnë një provë të forumit. Gjithashtu do t’u kërkohet të marrin shembull një punë artistike në hapësirat publike — punim i tyre apo i ndonjë artisti/eje tjetër, qoftë vendor/e apo ndërkombëtar/e — dhe më pas do të diskutohet për to në grup, së bashku me trajnueset. 

I ftojmë të aplikojnë në këtë punëtori artistët, aktivistët dhe individët e tjerë të interesuar ta shprehin veten përmes teatrit edukativ dhe ndërhyrjeve artistike në komunitet.

Për të siguruar distancimin fizik, punëtoria do të organizohet online përmes platformës Zoom. Për ata që kanë nevojë do të sigurohet përkthim në gjuhët angleze dhe serbe përmes kanaleve të përkthimit në Zoom.

Të gjithë aplikuesit do të njoftohen për statusin e aplikimit të tyre. Afati i fundit për regjistrim është 9 prill.K

Imazhi i ballinës: Arrita Katona / K2.0.

  • 05 Apr 2021 - 14:18 | Arjeta Shala:

    Duke qene e diplomuar ne drejtimin’Leteersi Shqipe’, puna artistike dhe teatrore gjithmone qene ne kuader te interesimit tim. Si nje person I perkushtuar ndaj ceshtjeve kundrejt komunitetit me interesojne te gjitha ceshtjet qe ne nje forme ose tjetren ndikojne ne kete fuknsion. Keto jane disa nga arsyet pse dua te jem pjesemarrese ne kete puntori me shpresen qe do te mund te jem pjesemarrese. Faleminderit!

KOMENTO