Për t’u regjistruar në punëtori, ju lutem KLIKONI KËTU jo më vonë se më 9 tetor.
K2.0 ju fton të regjistroheni në punëtorinë për Teatrin Edukativ dhe ‘Trashëgiminë e Heshtjes’ në kuadër të programit Lokomotiva 2.0 që përkrahet nga Fondi Prince Claus.
Punëtoria do të mbahet në Kosovo 2.0 më 14 dhe 15 tetor prej orës 10:00 deri në 15:00 (me 1 orë pauzë) dhe do të udhëhiqet nga aktori dhe magjistri i teatrit edukativ Lulzim Bucolli, si dhe nga artisti Driton Selmani.
Teatri edukativ
Në pjesën për Teatrin Edukativ, që do të udhëhiqet nga Lulzim Bucolli, pjesëmarrësit do të mësojnë për teatrin e forumit, çështje sociale që mund të trajtohen përmes teatrit, metodat e ngrohjes së zërit dhe trupit, teatrin e imazhit dhe skena të shkurtëra të improvizuara.
Teatri i forumit i angazhon shikuesit që të ndikojnë në performancë si shikues dhe si aktorë. Në këtë lloj të teatrit, audienca ka fuqinë për ta ndalur apo ndryshuar performancën. Çështjet që trajtohen në teatrin e forumit shpeshherë lidhen me çështje të drejtësisë sociale dhe kanë synim gjetjen e zgjidhjeve për shtypjen që paraqitet në performancë. Gjatë punëtorisë, pjesëmarrësit do të kenë mundësi ta bëjnë një provë të forumit.
Ndërsa teatri i imazhit është një teknikë e performimit në të cilën një person që vepron si skulptor/e u jep formë një apo më shumë njerëzve që aktrojnë si statuja, duke përdorur vetëm prekjen. Imazhet e prezantuara në këtë formë të teatrit ngjallen nëpërmjet disa mënyrave. Aktorët i përdorin duart e veta për të krijuar imazhe nga trupat e aktorëve të tjerë për ta komunikuar një ide, një ngjarje apo një emocion.
‘Trashëgimia e heshtjes’
Pikënisja e punëtorisë “Trashëgimia e heshtjes”, udhëhequr nga Driton Selmani do të jetë hulumtimi dhe nxjerrja në pah e tensionit midis të thënave dhe të pathënave, midis heshtjes dhe të harruarve, individit dhe kolektives, “atyre” dhe “neve”.
Fuqia e ruajtjes së përvojave dhe kujtimeve ngre pyetje në lidhje me format e rrëfimit, njëra prej tyre është: kush është folësi dhe kush është dëgjuesi?
Sa kohë – dhe heshtje – duhet që i panjohuri të bëhet një folës dhe sa duhet që dëgjuesi të jetë në gjendje të dëgjojë plotësisht dëshminë e padëshirueshme?
Punëtoria do të përqendrohet në të heshturit dhe fuqinë e të pathënave. Duke nxitë pjesëmarrjen aktive, punëtoria synon të çmontojë murin e dyfishtë mes atyre që nuk flasin dhe atyre që nuk dëgjojnë përmes prodhimit të një pune kolektive (skulpturë pjesëmarrëse / participatory sculpture). E gjithë kjo si formë rezistence ndaj zakoneve estetike kulturore dhe politike.
I ftojmë të aplikojnë në këtë punëtori artistët, aktivistët dhe individët e tjerë të interesuar ta shprehin veten përmes teatrit edukativ dhe artit kontemporan.
Punëtoria do të mbahet në Kosovo 2.0. Për ata që kanë nevojë do të sigurohet përkthim në gjuhët angleze dhe serbe.
Për t’u regjistruar në punëtori, ju lutem klikoni këtu.
Të gjithë aplikuesit do të njoftohen për statusin e aplikimit të tyre. Afati i fundit për regjistrim është 9 tetor.
Imazhi i ballinës: Arrita Katona / K2.0 .
Te jemi ne kontakte permes emailit dhe te njaftoni se sa persona munden te marron pjesë dhe cilat janë kushtet per pjesmarrje te vullnetareve