Në një vend me papunësi të lartë, kushtet e punës për ata/o që kanë fatin të sigurojnë një vend pune, shpesh lihen anash. Në Kosovë, shumë njerëz ballafaqohen me kushte të pasigurta e të paqëndrueshme pune, teksa përpiqen të gjejnë udhën në një treg të punës ku ka informalitet të lartë, mosaplikim të ligjeve, diskriminim dhe ku nuk ka një vizion të guximshëm brenda institucioneve dhe bizneseve që të sigurohen që puna të bëhet një mjet emancipimi për punëtorët/et e jo mjet eksploatimi.
Në K2.0 e shohim si qenësore ta kthejmë vëmendjen tek kushtet e përditshme të punës, me të cilat përballen punëtorët/et në tregun e punës në Kosovë. Në vitin 2022, ia kushtuam karnivalin tonë vjetor djersës së punëtorëve/eve. Këtë vit, kemi botuar një seri me tre artikuj gjerë e gjatë, ku janë hulumtuar sfidat me të cilat përballen grupet e punëtorëve/eve, të cilët, pavarësisht punës së tyre të palodhur, ende e kanë zor t’ia dalin deri në fund të muajit, rrezikojnë shëndetin e tyre ose u duhet t’i lënë anash aspiratat e tyre jetësore. Artikujt përfshijnë hulumtime ndër sektorë të ndryshëm, siç janë shpërndarja e ushqimit dhe bujqësia — sektorë që kryesisht dominohen nga burrat — dhe trajtojnë dinamikat e punësimit të punëtorëve romë, ashkali dhe egjiptianë.
Bashkohuni me ne, në Hub 2.0, më 20 nëntor, ora 17:30. Do të provojmë të gërmojmë më thellë në artikujt tanë hulumtues dhe do të diskutojmë se si duhet të zhvillohet debati për të drejtat e punëtorëve/eve.
Në diskutim do të na bashkohen:
- Rexhep Maloku, autor i artikullit “Të gjesh vend në një treg përjashtues të punës”.
- Halim Kafexholli, autor i artikullit “Duhet me punu, t’del ku t’del“.
- Uran Haxha, autor i artikullit ‘Djersa e përçmuar e bujqve”.
Biseda do të moderohet nga Aulonë Kadriu, redaktore e lartë në Kosovo 2.0.
Do të ketë përkthim në gjuhët angleze dhe serbe.