Biseda | Politika

QËNDRON KASTRATI: Kamenica është një vend model se si ekziston bashkëjetesa në mes të komuniteteve të ndryshme.

Nga - 16.12.2018

Kryetari më i ri në Kosovë diskuton për sfidat e qeverisjes njëvjeçare në komunën me territor shumë, por me pak buxhet dhe banorë.

Ishte vetëm 29 vjeç kur para një viti Qëndron Kastrati fitoi mandatin e kryetarit të komunës së Kamenicës. Fitorja e tij, asokohe anëtar i Lëvizjes Vetëvendosje, po ashtu i dha fund dominimit 17 vjeçar të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK-së) dhe Partisë Demokratike të Kosovës (PDK-së) në këtë komunë.

Kamenica është me shumicë shqiptare por edhe me më së shumti banorë serb, që përbëjnë rreth 16 për qind të popullatës së komunës. Gjatë garës së tij për kryetar komune, Kastrati premtoi se do të investonte në ruajtjen e harmonisë etnike dhe hapi që ndërmorri në këtë drejtim është emërimi i nënkryetarit të komunës nga komuniteti serb. Megjithatë ai thotë se për vazhdimin e kësaj harmonie duhet ndihmë nga niveli qendror dhe BE-ja që, sipas Kastratit, deri më tani i ka përkrahur vetëm moralisht.

Për Kastratin ndryshimi më i madh që ka ndodhur në këtë vit të qeverisjes së tij është qasja dhe llogaridhënia e shërbyesve të komunës. Por, prioritet kryesor i tij mbetet fusha e arsimit dhe planet e tij që shkollat në Kamenicë të mos ndahen në baza etnike.

Ndërkohë, Kastrati thotë se ndër problemet kryesore që po ballafaqohet Kamenica është trendi i vazhdimit të shpërnguljes së qytetarëve.

Në një intervistë për K2.0, Kastrati flet për njëvjeçarin e tij qeverisës, për problemet e trashëguara dhe buxhetin, për bashkëjetesën shqiptaro-serbe, për sfidat që e presin në tri vitet e ardhshme, si dhe për largimin e tij nga Lëvizja Vetëvendosje dhe marrëdhëniet mes tyre në komunë.

Qëndron Kastrati. Foto nga Komuna e Kamenicës.

K2.0: Sot (19 nëntor) janë bërë saktësisht një vjet që kur ju jeni shpallur fitues në zgjedhjet lokale në Kamenicë. Çka ka ndryshuar në këtë vit të qeverisjes suaj në ketë komunë?

Qëndron Kastrati: Unë mendoj që më së shumti ka ndryshuar qasja. Mendoj që për herë të parë në Komunën e Kamenicës iu kemi kërkuar llogari punëtorëve për punën ose mospunën që e bëjnë. Vitin e parë kam qenë pak më i ashpër në raport me mospunën, me mospërgjegjësinë. Janë një numër i madh i vërejtjeve ndaj zyrtarëve që nuk e kanë kryer detyrën për të cilën janë thirrur. Por mendoj që tash e tutje edhe ata kanë për të më kuptuar më mirë që sinqerisht nuk lëshoj pe në këtë aspekt dhe se detyrën për të cilën je i thirrur duhet ta kryesh.

Cilat janë problemet më të theksuara që i keni trashëguar?

Problemi më i theksuar është buxheti. Ne si Komunë e Kamenicës në aspektin e buxhetit të  investimeve kapitale jemi në gjendjen më të keqe. Problemi është se buxheti ndahet në bazë të numrit të banorëve dhe mbi 89 për qind të formulës se si shpërndahet buxheti e dominon numri i banorëve; ne jemi komunë shumë e madhe territorialisht por jo me numër të banorëve. Për shembull, nëse krahasohemi me Prishtinën, jemi me sipërfaqe sa 80 për qind e saj, ndërsa me numër të banorëve sa 15 për qind e Prishtinës; ose Fushë Kosova ka më shumë banorë dhe buxhet, por ne jemi mbi katër herë më e madhe se Fushë Kosova.

Por në investime – për shembull në infrastrukturë – është kosto e njëjtë, pa marrë parasysh a është në Prishtinë a në Fushë Kosovë a në Kamenicë. Pastaj shumica e buxhetit shkon në paga shtesë për mësimdhënësit dhe për arsimin. Domethënë kemi një të tretën e shkollave – ose 13 shkolla – me më pak se 25 nxënës dhe diku 1 milion e 600 mijë euro që është dashur të jenë investime kapitale [tani] shkojnë në paga në mbështetje të arsimit. Ky është problemi më i madh, pra afër 80 përqind e buxhetit shkon për paga dhe mëditje për zyrtarë.

Si ia bëni me 20 përqindëshin tjetër?

Por jo, edhe 10 përqind tjera janë shpenzime operative – janë shpenzime të objekteve, energjisë e shpenzime tjera – dhe janë vetëm 10 përqind që janë investime kapitale. Në vitin e kaluar kanë qenë 124 mijë euro investime kapitale, ndërsa këtë vit dhe vitin tjetër do të jenë rreth 900 mijë euro. Ne po mundohemi që 50 përqind të kohës dhe të energjisë ta shpenzojmë për të thithur donacione dhe fonde.

Po ndalemi tek çështja e arsimit të cilën ju e keni përmendur si prioritetin kryesor – edhe gjatë fushatës, por edhe pas saj. Çka ka ndërruar konkretisht për një vjet në arsim në Kamenicë dhe si ka qenë praktika e emërimit të drejtorëve të shkollave?

Realisht shumica e drejtorëve e kanë mandatin edhe pas meje. Domethënë në atë periudhën kur unë jam zgjedhur, por ende nuk e kisha bërë betimin, shumicës së drejtorëve iu ka vazhduar mandati dhe ata e kanë mandatin katërvjeçar. Janë dy vende të lira dhe ne jemi duke u munduar që [konkursin] ta menaxhojmë me ekip të ekspertëve – jo që janë punëtorë të komunës por që angazhohen prej jashtë, të cilët do të intervistojnë dhe vlerësojnë. Por gjithashtu jemi duke e shikuar edhe aspektin e transparencës që të jemi sa më transparent, madje nëse është e mundshme të shkojmë edhe pak më shumë se sa [komuna e] Prishtinës për këtë aspekt.

Si po mendoni më shumë se komuna e Prishtinës?

Për shembull një prej ideve është që intervistat t’i paraqesim me video në internet ku njerëzit do të kishin qasje dhe do t’i shihnin [ato]. Por kjo e krijon një problem ku edhe kandidatët të cilët intervistohen duhet të pajtohen ose [duhet parë] si ndikon gjendja e tyre emocionale para kamerave. Por, jemi duke e analizuar.

Por konkretisht, çka është ndërmarrë deri tash?

Më së shumti kemi ndalur keqpërdorime. Për shembull, shkollat e Komunës së Kamenicës furnizohen me drunj dhe tash i kemi bërë dy komisione që shkojnë i vlerësojnë shkollat. Dhe po iu them sinqerisht kemi raste që sasinë e drunjve që e ka porositur një shkollë më herët nuk e ka mbuluar krejt hapësirën e deposë, ndërsa këtë vit, kur ne kemi kërkuar dhe ka ardhur sasia aq sa ka qenë e paraparë, nuk i ka zënë krejt në depo.

Më herët nuk ka pasur konkurse publike në arsim, nuk ka pasur vlerësim me shkrim, etj. Gjithashtu në ato shkolla që ka më pak nxënës nuk ka qenë mësimi i rregullt dhe ka raste kur edhe unë, pa paralajmërim, kam shkuar, i kam vizituar dhe kam hasur në shkollën që ka qenë e mbyllur. Ka raste kur ngrohjen e kanë përdorur vetëm në sallën e arsimtarëve dhe në zyrën e drejtorëve, ndërsa në klasë jo. Arsyetoheshin se punojnë vetëm dy stufa, por atëherë pse duhet te drejtori dhe te mësimdhënësi të ketë stufë, por jo te nxënësit? Unë jam shumë i interesuar që të marrë vendim të guximshëm në këtë aspekt – për ta zvogëluar edhe numrin e shkollave e, ndoshta, edhe numrin e mësimdhënësve.

Si gjatë fushatës dhe mandatit të deritanishëm njëvjeçar, Kastrati ka premtuar që arsimi do të jetë prioritet. Foto nga Komuna e Kamenicës.

Kur përmendët zvogëlimin e numrit të shkollave, a e krijon pastaj kjo problemin e distancës për ata nxënës që janë në numër të vogël me një shkollë?

Nëse e rregullojmë transportin dhe arrijmë t’ua sigurojmë disa çështje të tjera gjatë transportit, nuk do të jetë problem. Problemi më i madh është që edhe nëse supozojmë se e zvogëlojmë numrin e mësimdhënësve për 100 ose 200, ata mbesin pa të hyra dhe Kamenica është një vend më papunësi shumë të madhe – 2/3 janë të papunë. Pastaj, ata a do të shpërngulen nga Kamenica? A do t’i marrin edhe fëmijët e tyre që një pjesë i kanë nëpër shkolla? Ky është problem.

Prej pasluftës numri i mësimdhënësve është pothuajse i njëjtë, ndërsa numri i nxënësve në vitin 2006-2007 ka qenë 8,200 ndërsa tani janë më pak se 4,400 nxënës. Pra për 47 për qind është zvogëluar numri i nxënësve.

Po mbesim edhe pak tek çështja e arsimit. Një prej problematikave që ka ngjallur shumë diskutime ne komunën tuaj është edhe shkarkimi i Drejtoreshës së Arsimit, Ismete Thaçit. Çka ka ndodhur konkretisht? Pse është shkarkuar drejtoresha Thaçi, e cila është pjesë e Vetëvendosjes (VV)?

Realisht, në mandatin e saj [Thaçit] nuk janë arritur pritshmëritë që i kemi dhe e kam krijuar bindjen që nuk është e mundshme të vazhdojmë ta bëjmë reformën. Personalisht e kam përshtypjen që ish-drejtoresha ka qenë person pak i butë e i ndjeshëm dhe kjo e ka penguar në aspektin e të gjykuarit se cila është e mira e përgjithshme, e mira e nxënësve në raport me një mësimdhënës.

Për mua është e rëndësishme dhe unë e thërras në përgjegjësi drejtorin për atë se si funksionin drejtoria. Asaj i kam kërkuar ta lirojë vendin e punës. Ajo tha “ nuk jam ashtu VV ”. Jo, i thashë, përkundrazi – nuk është problemi që je në VV, por është mënyra se si po funksionon dhe ne u morëm vesh se [ajo] do të jap dorëheqje. Por, ndërkohë, kur ka biseduar me disa anëtarë të subjektit [të saj] në qendër, [ajo] është munduar ta shfrytëzojë aspektin publik për përfitim të subjektit.

Po thoni që ka qenë person i ndjeshëm dhe i butë në aspektin e karakterit. A e ka bërë kjo gjë jokredibile në punë?

Nuk po e them këtë. Unë vetëm po them që ka krijuar probleme në raport me reformën e përgjithshme dhe me krijimin e raportit më të mirë me nxënësit.

Ajo thotë që për shkarkimin e saj kanë qenë urdhrat prej lart dhe në një letër që ju ia keni dërguar keni thënë se ajo nuk e njeh mirë problematikën e arsimit lokal në Kamenicë. Pse atëherë është dashur të emërohet një drejtor i cili nuk e njeh problematikën e arsimit?

Jo, kjo është dilema edhe te drejtori i ardhshëm. Unë personalisht mendoj që nëse punon me vite të tëra në arsim dhe je mësimdhënës, krijohen grupacione të ndryshme dhe mund të jesh subjektiv në vendimmarrje. Është sfidë të jesh pak më objektiv.

"Për ta avancuar bashkëjetesën, kemi menduar që shkollat mos të ndahen në baza etnike, por të drejtimeve ose nivelit të studimeve që e kanë".

Në raport me reformën të cilën e synoj unë, prej fillimit kam menduar që është më mirë të jetë dikush që është shumë i shkathët në aspektin e menaxhimit dhe reformës, si dhe që nuk është prej sektorit të arsimit, nga aty brenda. Po flasim për komunë të vogël dhe është shumë e vështirë që një mësimdhënës të jetë i gatshëm të marrë vendime të vështira, si për shembull për kolegët me të cilët ka punuar me vite të tëra.

Po kalojmë tek një çështje tjetër me të cilën edhe jeni afirmuar shumë në media të huaja, pra tek çështja e bashkëjetesës shqiptaro-serbe. Ju iu keni drejtuar me kërkesë edhe Zyrës së BE-së në Kosovë që t’iu ndihmojë me financim për këtë aspekt. Çka po synoni konkretisht me këtë dhe a keni marrë ndihmë nga Zyra e BE-së?

Realisht Kamenica është – jo vetëm në Kosovë, por edhe në rajon – një vend model se si ekziston bashkëjetesa në mes të komuniteteve të ndryshme. Thënë të drejtën, me komunitetin rom duhet të bëhet më shumë punë, por komuniteti serb dhe komuniteti shqiptar janë në një nivel pak më të mirë.

Sa i përket komunitetit rom, e kam fjalën tek aspekti i gjendjes ekonomike dhe veçanërisht i arsimimit universitar. Unë kam pasur shumë dëshirë që të jetë në kabinet edhe një prej komunitetit rom. Ne jemi angazhuar, kemi dalur në terren që të njoftohemi, por pothuajse asnjë prej tyre nuk ka pasur fakultet të përfunduar dhe e kam kuptuar se arsyet kryesore [për këtë] janë financiare. Por, nuk do të thotë kjo që vetëm si e tillë do të vazhdojë bashkëjetesa e mirë e komuniteteve.

Gjenerata më të vjetra e njohin gjuhën e njëri-tjetrit dhe kanë arritur të komunikojnë. Tregun e kemi të përbashkët, lokalet e shqiptarëve frekuentohen prej serbëve e prej romëve dhe anasjelltas. Por, nëse e lejojmë që vetëm kështu të vazhdohet, e kam përshtypjen që do të dëmtohet aspekti i bashkëjetesës, sepse tash gjeneratat e reja që shkollohen janë [në] sisteme krejt të ndara dhe ne kemi nevojë që të arrijmë që secilit të ri t’ia krijojmë një ambient ku ata do të bashkëpunojnë dhe bashkëbisedojnë mes vete.

Tani ata funksionojnë me planprogram të arsimit vetëm në serbisht, kurse ne vetëm në shqip. E, për ta avancuar më shumë aspektin e bashkëjetesës, kemi menduar që është shumë me rëndësi që tash e tutje shkollat mos të ndahen në baza etnike, por të ndahen duke u bazuar në bazë të drejtimeve ose nivelit të studimeve që e kanë.

Ne nuk mundemi që si komunë t’ua ndryshojmë planprogramin, por mund të tentojmë që në disa lëndë ose në disa fusha t’i nxisim që t’i kenë së bashku, si për shembull, edukatën fizike ose teknologjinë informative. Pra, kjo është një mënyrë se si ata do të mund të komunikonin. Normalisht, e di që tash është sfidë për lëndët që [ne] i shohim prej perspektivave të ndryshme. Por është shumë e rëndësishme të fillojmë prej fëmijëve në shkollë që ata të fillojnë të komunikojnë mes vete.

Kastrati synon që nxënësit e komuniteteve të ndryshme t’i bëjë bashku nëpër shkolla në lendë sikur edukata fizike. Foto nga Komuna e Kamenicës.

A ka filluar të ndërmerret diçka konkrete?

Ne i kemi bërë kërkesë BE-së, por unë jam i befasuar që ende nuk na është dhënë një përgjigje [më shumë] se “po, jemi të interesuar të vazhdojmë në këtë aspekt”. Vetëm po na thonë që është ide shumë e mirë. Unë pak jam kritik edhe në BE-në edhe në organizatat tjera në Kosovë që projektet ose fondet i orientojnë vetëm aty ku ka kriza ose konflikte e nuk mundohen t’i promovojnë rastet ose shembujt e mirë, siç është Kamenica, e që mendoj që do t’i bënte mirë edhe atyre vendeve ku ka probleme.

E keni përmendur si problematike edhe mosnjohjen tek gjeneratat e reja të gjuhës serbe dhe anasjelltas. Ju a e njihni gjuhën serbe?

Jo, nuk e njoh. Unë jam i lindur në vitin 1988. Unë shkollimin e kam filluar para lufte në sistemin paralel që ka qenë vetëm në gjuhën shqipe, si edhe pas luftës me planprogramin e Kosovës.

Pra synimi i mësimit të gjuhës synohet të arrihet përmes bashkëpunimit të shkollave, apo jo?

Po, ashtu është. Ne jemi duke e diskutuar një model sikurse në Irlandë ku, për shkak të religjioneve të ndryshme që i ka popullata atje, kanë arritur që përmes shkollës, nxënësve dhe mësimdhënësve të ofrojnë sa më shumë harmoni dhe bashkëpunim. Në muajin e ardhshëm unë do të shkoj për vizitë në Irlandë dhe jemi të interesuar të binjakëzohemi me një prej shkollave atje.

Një problem tjetër që po vazhdon në Kamenicë është ai i shpërnguljes së qytetarëve  

që po e braktisin këtë komunë. Këtë çështje e keni përmendur edhe ju si një shqetësim serioz. A keni ndërmarrë diçka apo a do të ndërmerrni diçka për parandalimin e këtij fenomeni?

Po, e vërtetë. Por fillimisht duhet ta bëjmë të qartë se niveli lokal në Kosovë nuk ka shumë kompetenca në aspektin e zhvillimit ekonomik. Janë disa mundësi, si për shembull lëshimi i pronës së komunës në shfrytëzim me ofertë sa më të leverdishme. Por jemi duke u angazhuar shumë. Sidomos me diasporën shqiptare po mundohemi të bëjmë zgjidhje që ata të investojnë dhe po mundohemi të identifikojmë se çfarë konsiderojnë ata si problem. Për shembull, një prej problemeve të mëdha për investime është korrupsioni dhe perceptimi që ekziston për të në Kosovë. Një investitor vetëm hyn dhe e lexon raportin e “Transparency International” dhe e sheh se ku renditet Kosova.

Qëndron Kastrati. Foto nga Komuna e Kamenicës.

Problem tjetër është edhe burokracia. Kemi jashtëzakonisht shumë burokraci. Një problem i tretë është që e kanë krijuar përshtypjen se sistemi i arsimit në Kosovë nuk është i atij niveli që të krahasohet me tregun evropian dhe gjithashtu e kanë edhe përshtypjen që ne nuk jemi punëtorë të përkushtuar dhe të disiplinuar.

Ne gjatë gjithë kohës po mundohemi t’iu tregojmë diasporës që veçanërisht nëse orari u respektohet qytetarëve, por edhe sikur një pagë të dinjitetshme ta kenë, asnjëherë nuk do të kenë problem [me investime]. Ne kemi biznese ne Kamenicë që nuk kanë asnjëherë probleme me punëtorë dhe i kanë punëtorët e njëjtë me dhjetëra vite. Por nëse i kërkon dikujt të punojë gjashtë ditë në javë nga 12 orë, normalisht që ata nuk mund ta përballojnë atë vend pune.

Por, janë edhe disa çështje tjera ku po mundohemi t’i kuptojmë përparësitë e Kamenicës. Ne jemi në kufi me Bujanocin, jemi shumë afër korridorit Greqi-Maqedoni-Serbi që shkon në tregun evropian. Tash së bashku me Komunën e Ranillugut po shikojmë mundësinë që ta bëjmë një zonë të përbashkët ekonomike ku synim do të jenë vetëm ato biznese që janë të interesuara për të prodhuar dhe atë veçanërisht për tregun e Evropës. Ne e dimë që në vitin 2016 është bërë Marrëveshja e Stabilizim-Asocimit [MSA-ja] për Kosovën dhe duhet të mundohemi që t’i shfrytëzojmë ato mundësi që do të na jap [MSA-ja].

Po ndalemi pak tek çështja e përkrahjes së bizneseve. Së fundmi në shkollat e Kamenicës ka filluar furnizimi i nxënësve të ciklit të ulët me kifle dhe qumësht. Cila kompani po e kryen këtë furnizim dhe a është ajo kompani nga Komuna e Kamenicës apo është kontraktuar ndonjë jashtë saj?

Thënë të drejtën, nuk e di emrin e kompanisë… Janë katër komuna në Kosovë që janë munduar ta realizojnë çështjen e kifleve dhe deri tash të suksesshme janë vetëm komunat e Prishtinës dhe Kamenicës. Arsyeja është që ne e kemi një prodhues të produkteve të miellit që ka kapacitet jashtëzakonisht të madh për të prodhuar. Janë Mitrovica dhe Ferizaj që janë munduar t’i furnizojnë shkollat me furra lokale, por nuk ia kanë dalur. Është makineri shumë e madhe, investim i madh dhe fatkeqësisht në Kamenicë nuk kemi ndonjë furrë e cila do ta përballonte kapacitetin e prodhimit të kifleve brenda ditës.

Pra kemi filluar me kompaninë e njëjtë si në Prishtinë. Por, në të ardhmen po mundohemi t’i nxisim edhe furrtarët tonë që të bëhen bashkë dhe ta shohim se çfarë produkte prodhojnë.

Por, edhe një gjë ta kemi të qartë: prokurimi në Kosovë nuk të lejon t’i japësh përparësi një furre lokale të një komune, por krejt Kosova shihet si tërësi. Poashtu edhe çmimi e rregullon atë se kush e fiton të drejtën që t’i shes këto produkte.

Për emërimin e Bojan Stamenković-it në pozitën e nënkryetarit të komunës ka pasur reagime nga partitë opozitare. LDK dhe Aleanca Kosova e Re (AKR) kanë thënë se ai është anëtar i Listës Serbe ose punon me agjenda të tyre, por Stamenković-i e ka mohuar një gjë të tillë.  Ju, a mund të na tregoni se kush është Bojan Stamenkovići?

Po, ai e ka mohuar që është pjesë e Listës Serbe. Tash nuk e di çka me iu bë këtyre? Dikush thotë: “nuk jam me ata” dhe ata thonë:  “jo, je, je!” [qesh]. Unë kam qenë shumë i interesuar ngase – qyshse edhe vet nuk e njoh gjuhën serbe dhe shkaku që kam jetuar pjesën më të madhe në Prishtinë – e kam pasur më të vështirë të qasem tek komuniteti serb dhe e kam kërkuar dikë i cili arrin të qaset sa më mirë tek ata.

Bojani nuk i takon asnjë subjekti dhe kjo ka qenë një kërkesë e imja, sepse kam dashur që nënkryetari nga komunitetit serb mos të jetë me baza partiake sepse kam supozuar që vetëm votuesit e asaj partie do të ishin të gatshëm të bashkëpunojnë. Kam dashur të jetë dikush i cili e përfaqëson si tërësi komunitetin serb dhe komunitetin rom, të cilët janë shkolluar vetëm në shkollat serbe, t’i afrojë dhe t’i përfshijë sa më shumë. E, kjo është e vërteta.

Bojani ka përvojë prej pasluftës, duke ka punuar në institucionet e Kosovës, në Doganën e Kosovës, e njeh shumë mirë gjuhën shqipe, e njeh goxha mirë edhe gjuhën angleze, por edhe është një punëtor i jashtëzakonshëm dhe e ka një qasje shumë të mirë me qytetarët, të cilët ia del që t’i përfshijë sa më shumë.

Po kalojmë tek një pyetje që vështirë është t’i shmangemi. Ju nuk e keni thyer aq shumë heshtjen sa i përket largimit nga VV-ja. Po provoj t’ua thej heshtjen, por kësaj radhe po e lokalizojmë problemin. Si janë raportet VV-Partia Socialdemokrate (PSD) në Komunën e Kamenicës?

Varet se me kë. Për shembull, kryetari i [degës së] VV-së në Kamenicë është munduar ta shfrytëzojë komunën për të bërë premtime ose vende pune. Problemi më i madh ka qenë në arsim. Kemi rast ku një nxënës nuk i ka plotësuar kriteret për t’u pranuar në gjimnaz dhe ai i kishte premtuar që do të pranohej në gjimnaz. Nxënësi e ka vijuar për dy muaj shkollimin aty dhe në momentin që është larguar drejtoresha e arsimit, vjen familja e nxënësit dhe thonë: “Çka me bo? Ne po dëshirojmë fëmija ynë me shku’ në gjimnaz sepse ai na ka premtuar.”

"Aktualisht janë katër drejtori që udhëheqen prej anëtarëve të VV-së, me të cilët jam duke kaluar jashtëzakonisht mirë".

 

Poashtu, të tjerëve iu ka premtuar punësim. Unë edhe njëherë po e them: në momentin që bëhesh drejtor nuk duhet ta shfrytëzosh pozitën ose pushtetin për të përfituar subjekti. Unë asnjë prej drejtorëve ose prej zyrtarëve që kanë pozita nuk i shoh më nën petkun e subjektit dhe iu siguroj se për cilindo që marr vesh që është duke e keqpërdorur pozitën, ai do të largohet.

Po, janë një pjesë tjetër – aktivistë më të vjetër të VV-së – me të cilët jemi duke kaluar jashtëzakonisht mirë. Do të thotë aktualisht janë katër drejtori që udhëheqen prej anëtarëve të VV-së, me të cilët jam duke kaluar jashtëzakonisht mirë.

Në Kuvendin Komunal të Prishtinës ka ndikuar goxha shumë ky raporti PSD-VV. Për shembull kur PSD-ja ka pasur nevojë edhe për votën e VV-së në votimet e vendimeve në Asamble, kjo e fundit ka qenë shumë opozitare ndaj propozimeve të PSD-së. Por Kamenica ka më pak vëmendje mediatike dhe publiku nuk është i informuar aq shumë. A po ndodh e njëjta gjë edhe atje si në Prishtinë?

Deri tash nuk ka ndodhur. Tash pas shkarkimit të Kryesuesit të Kuvendit Komunal [Bajram Mavriqit] ta shohim se si do të rrjedhë situata [Mavriqi është shkarkuar në tetor 2018, përmes një mocioni mosbesimi të iniciuar nga PSD-ja, AAK-ja, AKR-ja dhe Nisma Socialdemokrate]. Por dallimi mendoj se është pak te vëmendja e medieve dhe e publikut. Për Kuvendin Komunal në Prishtinë ka shumë vëmendje, ndërsa për komunat e vogla ka më pak vëmendje dhe nuk mundohen që ta përdorin ulësen e Kuvendit për të bërë show. Por unë e kam përshtypjen se edhe aty ka dallime mes individëve se si i shohin çështjet e caktuara.

Kastrati është një nga ish-anëtarët e Lëvizjes Vetëvendosje që iu bashkëngjit Partisë Social Demokrate në maj 2018.

A mendoni që do të ishte e mundshme fitorja juaj pa përkrahjen e VV-së?

Jo, e kam thënë edhe një herë që pa një subjekt si VV-ja nuk do të ishte e mundur për të fituar. Është shumë e rëndësishme t’i kesh strukturat në terren që ndihmojnë për të arritur që të fitosh. Por është shumë me rëndësi që të arrish ta kuptosh që ky është kombinim [ndërmjet kandidatit dhe subjektit] sepse VV-ja ka pasur kandidatë në secilën komunë të Kosovës me shumicë shqiptare dhe ka arritur që vetëm tri prej tyre t’i fitojë. Nëse e shohim më saktësisht, në Kuvendin Komunal në Kamenicë VV-ja është e dyta me numër të asamblistëve, gjersa e para është LDK-ja.

Ne nuk guxojmë ta injorojmë vlerësimin e qytetarëve ku për ta ka rëndësi edhe subjekti por edhe individi me programin që paraqitet dhe prezantohet. Poashtu është ofendim ndaj qytetarëve nëse iu thua që Qëndron Kastrati ka fituar vetëm në emër të VV-së sepse ne fatmirësisht në Kosovë i kemi listat e hapura dhe qytetarët përveç subjektit votojnë edhe për emra të përvetshëm.

A besoni se do ta vazhdoni mandatin tuaj duke mos qenë më në VV?

Unë besoj që kemi mundësi ta fitojmë edhe mandatin tjetër, por është çështje që as unë nuk e kam ndarë mendjen për këtë punë. Varet se si do të shkojnë projektet dhe punët për të cilat po angazhohemi. Por nëse e jap për katër vite atë që kam për ta dhënë, pse të vazhdoj edhe për një mandat tjetër? Prandaj, duhet ta mendoj edhe këtë çështje. Mirëpo, duke e parë se si jemi duke punuar deri tash, jam i bindur që kemi për të fituar.

Sidoqoftë, unë uroj dhe kam shumë dëshirë që kreu i Komunës së Kamenicës në mandatin e ardhshëm ose në të tjera mandate të jetë grua.K