Në thelb | COVID-19

Qeveria malazeze e mbingarkuar nga akuzat

Paditë e ngritura për shkelje të privatësisë gjatë pandemisë COVID-19.

Publikimi i emrave të më se 10,000 njerëzve të cilëve u është kërkuar të vetizolohen gjatë fazës së parë të COVID-19 mund t’i kushtojë shtetit të Malit të Zi një sasi të konsiderueshme të fondeve publike. Një numër i aktakuzave janë ngritur tashmë, ndërsa pritet të pasojnë edhe të tjera. 

Vendimi për t’i publikuar këto të dhëna u është dukur i arsyeshëm dhe i domosdoshëm institucioneve që e kanë marrë atë — qeverisë (në largim) dhe Trupit Koordinues Kombëtar për Sëmundje Infektive — edhe pse shumë persona kanë paralajmëruar se një vendim i tillë do të konsiderohej sulm i drejtpërdrejtë ndaj privatësisë. 

Të dhënat personale të personave që kishin pranuar paralajmërim të shkruar për t’u vetizoluar për 14 ditë janë publikuar duke filluar me 21 mars. Kryeministri në largim, Duško Marković, tha se lista e personave të karantinuar po publikohej “për shkak që e drejta për shëndet dhe jetë është mbi të drejtën e pakushtëzuar për mbrojtjen e të dhënave personale”. 

Sidoqoftë, Gjykata Kushtetuese anuloi vendimin e qeverisë më 27 korrik. Ata konkluduan se publikimi i të dhënave personale të personave të detyruar të vetizolohen “ka krijuar parakushte për stigmatizimin e tyre” dhe se në këto të dhëna mund të kenë qasje një numër i palimituar i qytetarëve, gjë e cila është konsideruar si gabim. 

Pas këtij vendimi, akuzat e para janë ngritur në shtator dhe qeveria është detyruar të dalë me kërkimfalje.

Kosta Mijušković, një ndër personat që u është publikuar emri, tash është duke ngritur akuzë kundër qeverisë. “Mendoj se është koha që shteti t’i korrigjojë gabimet e veta”, thotë ai për K2.0. 

Stigmatizim i thellë

Në mes të tetorit — nën trysninë e akuzave në ngritje — qeveria ka nxjerrë një kërkimfalje për të gjithë ata të cilëve u janë cenuar të drejtat. Ata njoftuan që kishin mbërritur në përfundimin se Trupi Koordinues ka vendosur t’i publikojë emrat gjatë valës së parë të pandemisë me bindje të plotë se veprimi i tyre ishte në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e tjera, si dhe me Konventën Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Thelbësore.

Si pjesë e masave të lidhura me COVID-19, qeveria e Malit të Zi ka publikuar emrat e më se 10,000 personave të cilëve u është kërkuar të vetizolohen në pranverë. Foto: Boris Pejović.

“Masa është konsideruar e domosdoshme dhe proporcionale me qëllimin legjitim për të mbrojtur jetët dhe shëndetin e të gjithë qytetarëve. Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese në Mal të Zi, Trupi Koordinues pendohet thellësisht për ndjenjën e parehatisë potenciale të shkaktuar nga vendimi për të publikuar emrat e personave në vetizolim të detyruar”. 

Në anën tjetër, avokatja e bazuar në Podgoricë Vesna Cimbaljević nuk e aprovon terminologjinë e përdorur nga zyrtarët qeveritarë. Ajo thotë që nuk është “ndjenjë e parehatisë” por “stigmatizim i thellë të cilin disa njerëz e kanë përjetuar shumë keq”.

Ajo përfaqëson ligjërisht një numër të qytetarëve të cilët kanë vendosur të kërkojnë dëmshpërblim në gjykatë për gjithçka që kanë përjetuar. 

“Kur e drejta e dikujt është shkelur — sidomos nëse ajo e drejtë është e mbrojtur me Kushtetutë — në asnjë mënyrë nuk mund të flasim për ndjenjë të parehatisë”, thotë ajo, duke shtuar që qeveria ka bërë një lëshim të madh. Megjithatë, ajo mirëpret njoftimin dhe kërkimfaljen publike.

“Unë besoj që është mënyrë e mirë për të ndihmuar personat të cilët janë përballur me ndonjë lloj të stigmatizimit”, thotë avokatja. Sipas saj, në nivel emocional, askush nuk mundet ta gjykojë intensitetin e ndjenjave negative të cilat ata i kanë përjetuar. 

Kthimi traumatik në shtëpi

Kosta Mijušković e ka gjetur emrin e tij në listën e personave të cilëve u ishte kërkuar të vetizolohen për shkak të mundësisë së infektimit. Si shumë banorë të tjerë të Malit të Zi, ai ishte jashtë vendit në fillim të pandemisë. 

“Shteti ka premtuar ose të na kthejë të gjithëve në shtëpi nga jashtë vendit me shpenzimet e veta ose të na rikompensojë për biletat e aeroplanit shumë të shtrenjta të cilat i kemi blerë të këshilluar nga ata”, thotë Miljušković, duke i rikujtuar problemet nga pranvera që shkoi.

Sipas Cimbaljević-it, disa nga personat që i janë drejtuar zyrës së saj e kanë marrë me shumë vështirësi publikimin e emrave dhe proceset gjyqësore të lidhura me të, dhe kjo i ka ndikuar rëndë.

“Nëse të thërrasin nga ambasada dhe të thonë se duhet të blesh biletën për një fluturim të planifikuar të niset nesër — i cili kushton më shumë se 1,500 euro — ti i dëgjon, përndryshe mbetesh i ngujuar në një vend të huaj. Shumë studentë dhe persona të cilët kanë jetuar jashtë kanë shpenzuar të gjitha kursimet e tyre jetësore për t’u kthyer në shtëpi; çmimet shkonin deri në disa mijëra euro nëse ishte fluturim lidhës. Ashtu që kthehesh pa paratë të cilat i ke fituar, nuk mund të gjesh punë, të thonë se e ke sjellur virusin…”

Pas një sërë komplikimesh, Miljušković arriti të kthehet në shtëpi dhe të vetizolohet para se familja dhe miqtë t’i tregonin se emri i tij ishte në një listë publike.

Sipas Cimbaljević-it, e cila përfaqëson edhe Miljušković-in, disa nga personat që i janë drejtuar zyrës së saj e kanë marrë me shumë vështirësi publikimin e emrave dhe proceset gjyqësore të lidhura me të, dhe kjo i ka ndikuar rëndë. Ajo e interpreton gjithë këtë si shkaktim të dëmeve jomateriale, ku vendimi i qeverisë i ka ndikuar rëndë jetët private të personave të përfshirë në listë. 

“Unë e kam marrë vesh që jam aty për shkak që persona të njohur më kanë kontaktuar,” thotë Mijušković. “Në atë kohë jam ndier i burgosur dhe i pasigurt. Familja ime dhe unë kemi kaluar mbylljen dhe izolimin së bashku dhe ky ishte lehtësimi im i vetëm në atë kohë. Publikimi i emrit tim na ka ndikuar të gjithëve; ka shkaktuar stres shtesë dhe na ka bërë më të kujdesshëm, por mbështetja që i kemi dhënë njëri-tjetrit është rritur me kohë”, rrëfen Mijušković-i për K2.0.

Regjistrimi i më se 24,000 pacientëve të testuar pozitivë me COVID çoi në masa të reja në Mal të Zi, këtë herë pa asnjë emër të publikuar. Foto: Boris Pejović.

“Së pari — kur bëhet fjalë për baza e këtyre padive — dua të theksoj faktin që është shkelur e drejta për privatësi. Mbajeni në mend që vendimi i qeverisë ka shkelur drejtpërdrejt të drejtën kushtetuese për mbrojtjen e të dhënave personale si dhe Ligjin për të Drejtat e Pacientëve, i cili garanton të drejtën për privatësi dhe konfidencialitet të të dhënave personale për të gjithë pacientët”, shpjegon Cimbaljević-i. 

Duke mposhtur frikën

Një tjetër problem është pamundësia për të përcaktuar saktësisht se sa emra janë publikuar pasi lista është përditësuar vazhdimisht përgjatë marsit dhe prillit. Sipas vlerësimeve të Cimbaljević-it, numri i tyre është rreth 10,000. 

“Emra të rinj të personave në karantinë janë shtuar në baza ditore, përderisa të tjerë janë hequr nga lista pas 14 ditëve të vetizolimit të obliguar”, shpjegon ajo.

"Kam dëgjuar dhe lexuar të gjitha llojet e komenteve: se ne që ishim në vetizolim jemi fajtorë për situatën epidemologjike."

Kosta Mijušković

Zyra e saj ligjore është në kontakt me personat e pakënaqur të cilëve u është kërkuar të vetizolohen dhe që tani janë gati të ngrisin padi pasi identitetet e tyre janë bërë publike. Disa nga paditë tashmë janë ngritur në gjykata komunale dhe priten veprime të mëtutjeshme. 

Një nga këto padi është rasti i Kosta Mijušković-it. Sa i përket parehatisë dhe stigmatizimit, ai thotë që ishin të pranishme gjatë dhe pas karantinimit. 

“Kam dëgjuar dhe lexuar të gjitha llojet e komenteve: se ne që ishim në vetizolim jemi fajtorë për situatën epidemologjike dhe numrin e rasteve të regjistruara, apo që nëse kushtet që kishim në karantinë ishin të këqija, ato duhet të kishin mbetur ashtu”, rrëfen Miljušković, duke shtuar që njerëzit nuk duhet ta lënë frikën të kontrollojë një situatë të tillë si ajo me të cilën është dashur të përballet ai dhe familja e tij. 

Sa do ta ngarkojë shtetin korrigjimi — apo më saktë qytetarët të cilët e financojnë buxhetin kombëtar — ende nuk dihet, pasi ende nuk dihet sa njerëz janë duke ngritur padi apo çfarë shuma janë duke kërkuar për kompensim. Sigurisht, kërkesat e tyre nuk e obligojnë sistemin gjyqësor të marrë vendime duke u bazuar në to e as nuk i përcaktojnë shumat, por disa avokatë kanë raportuar se klientët e tyre janë duke i kërkuar nga disa mijëra euro dëmshpërblim.

Imazhi i ballinës: Boris Pejović.