Të martën (më 28 korrik), Qeveria e Kosovsës ka miratuar një varg të ri masash që lehtësojnë kufizimet kundër COVID-19, pavarësisht nga përhapja e përshpejtuar e virusit në javët e fundit. Vendimi i qeverisë vjen pas një rritjeje të madhe të rasteve në Kosovë, të cilat vazhdojnë të shtohen rregullisht, sadoqë janë vendosur një numër masash kufizuese më herët gjatë muajit korrik.
Tash shënohen rregullisht më se 200 raste të konfirmuara me COVID-19 çdo ditë, edhe pse kufizimi i kapaciteteve të testimit do të thotë se shumë njerëz që dyshojnë se mund të jenë të infektuar e kanë të pamundur të testohen. Shifra e konfirmuar e vdekjeve të lidhura me COVID-19 në Kosovë tash është 196, nga 54 që ishin në fillim të korrikut, dhe ka raportime se sistemi shëndetësor anekënd vendit është nën trysni të lartë nga shtrirjet e shumta të pacientëve.
Më 25 korrik, Kryeministri Avdullah Hoti ka thënë në një konferencë për shtyp se 570 prej 700 shtretërve në spitalet e Kosovës janë të zënë.
Me rritjen e shqetësimeve për këtë emergjencë të shëndetit publik, qeveria ka shpallur të martën mbrëma se do t’i lironte kufizimet për baret, kafenetë, restorantet dhe klubet e natës që më parë detyroheshin të mbylleshin në orën 9 të mbrëmjes. Tash kanë të drejtë të rrinë hapur deri në orën 10:30 të mbrëmjes.
Këto biznese ende lejohen të punojnë vetëm në hapësira të jashtme, ndërsa distanca më e vogël që kërkohet mes tavolinave është vendosur qartazi në 2 metra. Ky është një zmadhim i vogël prej kërkesës për distancë prej 1.5 metrash që parashihej në vendimin e qeverisë të datës 5 korrik, paçka se një vendim i marrë më 13 korrik tashmë u kërkonte qytetarëve të mbajnë distancë prej 2 metrash në hapësira publike.
Vendimi për lehtësimin e kufizimeve në këto lokale erdhi pas një proteste nga pronarët e bizneseve të gastronomisë në Prishtinë të hënën.
Kufizimet janë lehtësuar edhe për çerdhet e fëmijëve , të cilat tash lejohen të hapen “pas vlerësimit dhe mbikëqyrjes nga autoritetet komunale”. Vendimi paraprak qeveritar më 13 korrik pezullonte punën e tyre.
Ka pasur po ashtu lehtësim të kufizimeve për aktivitetet sportive, përmes së cilave tash lejohet rihapja e palestrave dhe e pishinave të mbyllura; qeveria më parë kishte pezulluar të gjitha aktivitetet sportive në hapësirat e brendshme më 13 korrik. “Sportet individuale” tash lejohen gjithashtu.
Sidoqoftë, kufizimet e tjera që lidhen me aktivitetet sportive njëkohësisht janë shtrënguar nga vendimi i fundit, i cili ndalon “aktivitetet rekreative, kuturore dhe sportive në hapësirat e brendshme dhe të jashtme”.
K2.0 ka kontaktuar qeverinë për të kërkuar sqarim mbi arsyetimet e vendimit, por nuk ka marrë përgjigje deri në kohën e botimit.
Pak kufizime të reja
Njoftimi i qeverisë për vendimin e fundit të martën përfshin një sërë informatash për kufizimet. Megjithatë, shumica e këtyre masave kufizuese nuk janë të reja, por ishin vendosur më herët në korrik.
Kufizimet aktive përfshijnë ndalimin e tubimit të më shumë se pesë personave në hapësirat publike, ndërsa njoftimi i ri thekson se kjo po ashtu nënkupton “mbledhjet private familjare”. Të gjithë akoma detyrohen të mbajnë maska jashtë shtëpisë dhe ta ruajnë distancën prej 2 metrash.
Në fuqi mbetet edhe një orë policore e veçantë për të moshuarit dhe për ata me probleme kronike shëndetësore. Ata lejohen të lëvizin jashtë shtëpive vetëm për pesë orë në mëngjes (mes orës 5 dhe 10) dhe për tri orë në mbrëmje (mes orës 6 dhe 9).
Ora policore mes orës 10:30 të mbrëmjes deri në 5 të mëngjesit tash zbatohet për të gjithë qytetarët e 13 komunave: Prishtinë, Fushë Kosovë, Pejë, Prizren, Podujevë, Mitrovicë e Jugut, Gjakovë, Lipjan, Shtërpcë, Ferizaj, Drenas, Vushtrri dhe Gjilan.
Masat për transportin publik mbesin të njëjtat: autobusët, furgonët dhe taksitë ende lejohen të veprojnë vetëm me kapacitet të përgjysmuar sa u përket pasagjerëve që mund të jenë brenda.
Qytetarët e Maqedonisë së Veriut, të Malit të Zi dhe të Bosnjës e Hercegovinës ende kërkohen të paraqesin testin negativ për COVID-19, jo më të vjetër se 72 orë, për të hyrë në Kosovë sipas vendimit të qeverisë në fillim të korrikut.
Vendimi i mbrëmshëm i shton qytetarët e Shqipërisë dhe të Serbisë në këtë listë, duke deklaruar se kjo është “në pajtim me parimin e reciprocitetit”. Sidoqoftë, qytetarët e Kosovës nuk kërkohen të paraqesin test negativ kur hyjnë në Shqipëri ose në Serbi, pra është e paqartë se çfarë do të thotë kjo.
Ka përjashtime në këtë rregull për udhëtarët që kalojnë tranzit (në qoftë se dalin brenda një afati prej 3 deri në 5 orë, varësisht nga lloji i transportit), vozitësit profesionalë, diplomatët me familjet e tyre dhe njerëzit që vijnë në Kosovë për trajtim mjekësor.
Me festën myslimane të Bajramit të Vogël që bie të premtën më 31 korrik, masat që lidhen me ritualet dhe ceremonitë fetare mbesin në fuqi. Qytetarët nuk lejohen të marrin pjesë fizikisht në ceremonitë dhe aktivitetet fetare, ndërsa vendimi i fundit ndalon therjen e kafshëve në çfarëdo hapësire (të jashtme apo të brendshme) përveç atyre që janë të autorizuara.
Qeveria më parë kishte paralajmëruar se do të vendoste masën e vetizolimit njëjavor për qytetarët e Kosovës që kthehen nga vendet fqinje nëse nuk kanë me vete test negativ për COVID-19. Sidoqoftë, kjo ka nxitur opinione kundërshtuese brenda koalicionit qeveritar dhe nuk është përfshirë në vendimin e fundit.K
Imazhi i ballinës: Atdhe Mulla / K2.0