Samiti i dytë rajonal për përfshirjen e romëve në Ballkanin Perendimor mblodhi aktivistë, përfaqësues dhe individë që merren me të drejtat e romëve, prej 14 shteteve të ndryshme. Samiti “Perspektiva bazike: Mundësi për përfshirjen e romëve në Ballkanin Perendimor”, u organizua nga Civil Rights Defenders, organizatë jofitimprurëse që i përkushtohet të drejtave të njeriut.
Zëvendës presidentja e Parlamentit Evropian, Ulrike Lunacek, e hapi këtë eveniment në Sirius Hotel në Prishtinë me 23 nëntor, me një fjalim me të cilin ajo argumentoi se çështjet më urgjente janë zbatimi i ligjeve që janë në fuqi, dhe fuqizimi i strukturave aktuale qeveritare që janë të projektuara për minoritete.
“E theksoj obligimin e qeverive të Ballkanit Perendimor drejt komunitetit rom”, tha Lunacek nëpërmjet një mesazhi me video. “Ato duhet të merren me komunitetin rom në një mënyrë shumë sistematike, për ta luftuar realisht diskriminimin [që ndodh] në mënyrë shumë sistematike, dhe për të përmirësuar situatën, jo vetëm ligjërisht por edhe në praktikë’.
Lunacek tha se veçanërisht shqetësuese është qasja e romëve në dokumente personale, kujdes shëndetësor, arsim dhe strehim, dhe theksoi nevojën për vëmendje të veçantë për gratë rome. Kjo e fundit ishte temë karakteristike e hapjes së samitit; pjesëmarrësit theksuan se gratë janë më të prekshme sa i përket diskriminimit, paragjykimit, intolerancës dhe përjashtimit social.
Stefano Gnocchi, këshilltar për çështje të komunitetit në Zyrën e Përfaqësuesit Special të BE në Kosovë, e përshkroi vuajtjen e grave rome si diskriminim të dyfishtë ose trefishtë: “Gjinia është tepër e rëndësishme, sepse disa gra të caktuara mund të diskriminohen dyfish ose trefish në komunitetet tona. Së pari për shkak se i përkasin komunitetit rom, e së dyti për shkak që janë gra, dhe me gjasë mund të diskriminohen edhe për shkak të arsyeve tjera si aftësive të kufizuara”.
Çështjet që kanë të bëjnë me aspekte të ndryshme të shoqërisë rome dhe vështirësive e mundësive të tyre u ndanë në disa tema, në një program që zgjati dy ditë. Panelistët diskutuan për aktivitete të integrimit të romëve që u organizuan në të kaluarën si dhe për ato që do të organizohen në të ardhmën në Ballkan Perendimor, e gjithashtu u diskutua edhe për sfidat me të cilat përballen në nivel lokal.
Sebastijan Serifovic, aktivist i të drejtave të njeriut në Kosovë, tha në një fjalim emocional që nuk kemi nevojë për strategji, por kemi nevojë që të respektohet struktura ekzistuese ligjore. “Strategjitë po krijohen vetëm për të justifikuar diçka”, tha ai. “Ka ligj në Kosovë për punësim të 10 përqind të minoriteteve në sektorët publik dhe privat, dhe gjithë çka na duhet është që ta respektojmë këtë ligj, e jo strategji tjera”. Serifovic gjithashtu adresoi çështjen e arsimit, duke thënë se nuk është e vërtetë që romët nuk duan të arsimohen, por se problemi është te krijimi i vendeve të punës.
U diskutua edhe mënyra se si raportojnë mediat për çështje të romëve; disa panelistë e konsideruan shembullin e televizionit publik të Kosovës, RTK, që ofron kohë të rregullt për minoritete, si shembull model që duhet të përcjellet prej shteteve tjera.
Tanja Jovanovic, studente e gazetarisë nga Beogradi dhe aktiviste rome, e theksoi se në Serbi gjuha e urrejtjes rregullisht justifikohet si liri e shprehjes, dhe dha shembuj për atë se si organiztat e shoqërisë civile kanë reaguar duke u përpjekur që ta kundërshtojnë këtë fenomen.
“Në Serbi gjuha e urrejtjes është shumë e pranishme, veçanërisht në media online, dhe jo vetëm nga gazetarët, por edhe nga lexuesit e përdoruesit e internetit që kanë mundësi për të komentuar në këto artikuj”, tha Jovanovic. “Në Serbi organizatat e shoqërisë civile luajnë rol të madh, dhe një prej shembujve ishte kur [një OJQ] reagoi kundër një organizate mediale mjaft me ndikim që publikoi një kryetitull ku u theksua kombësia dhe ku autor i një vepre kriminale ishte një person rom”.
Ai artikull në veçanti nxiti shumë komente të urrejtjes, tha Jovanovic. Ndonëse organizata në fjalë, Qendra Rajonale për Minoritete, iu ankua Këshillit të Shtypit – organ vetë-rregullues që monitoron kodin etik – Jovanovic tha se organizata mediale nuk reagoi, dhe artikulli e komentet mbetën.
Çështje tjera që u diskutuan në samit ishin mënyra se si organizohet aktivizmi, mjetet dhe veprimet e nevojshme për t’i avancuar agjendat që kanë të bëjnë me të drejtat e romëve, përfshirja e gjeneratës së re si agjentë të ndryshimit, dhe identifikimi i pengesave kryesore, sa i përket raportimit të shkeljeve të të drejtave të njeriut dhe rëndësisë së dokumentimit të këtyre rasteve.
Mimoza Gavrani, menaxhere e projektit në një organizatë krishtere, humanitare për zhvillim dhe avokim, të quajtur World Vision, tha se një prej rekomnadimeve që buruan nga ky samit ishte nevoja për gatishmëri të organizatave të të drejtave civile, për t’u përballur me sfida që do të paraqiten në të ardhmën”.
“Një prej synimeve të këti samiti është diskutimi për problemet me të cilat përballen mbrojtësit e të drejtave të njeriut nga komuniteti rom”, tha Vasilika Laci, oficere e programit në Civil Rights Defenders. “U diskutua gjithashtu për nevojën për të krijuar fushata rajonale të avokimit, për t’i gjetur çështjet e përbashkëta e për të avancuar drejt përmirësimit të jetës së shoqërisë rome”.
Laci beson se aktivistë e liderë të ri rom shpeshherë ngulfaten nga lidershipi i vjetër për të cilët ajo thotë se kanë humbur vizionin e synimit të tyre real, dhe kanë humbur lidhjet me çështjet reale me të cilat përballen njerëzit. “Ekziston një pengesë për rininë sa i përket gjetjes së hapësirës për të qenë më aktiv me çështje të romëve”, tha ajo. “Shpeshherë ata luftojnë për të gjetur më shumë hapësirë, por kjo nuk u lejohet. Përfundimi në këtë aspekt ishte që të punojnë më afërsisht me komunitetin, t’i njohin çështjet reale të tyre; ka njerëz brenda komunitetit rom që kanë nevoja të ndryshme”.
Drejtori ligjor i Civil Rightsë Defenders, John Stauffer, tha se mendon që samiti ishte i suksesshëm. “Kemi mbledhur një numër të madh të aktivistëve nga Ballkani, por edhe nga Rumunia, Sllovenia, Suedia dhe shtete tjera”, tha ai. “Pjesëmarrësit i kanë ndarë përvojat dhe praktikat e mira për atë se si të promovohen të drejtat e romëve, dhe kanë diskutuar shumë për atë se s itë punohet strategjikisht, individualisht si organizata, si dhe në mënyrë të përbashkët”.
Bonus eventi i sivjetëm ishte një natë muzikore në gjuhën rome nga muzikantët nga Plemetini, Jimmy Mustafa Band, që nëpërmjet teksteve të tyre mundohen që ta fuqizojnë komunitetin për ta luftuar diskriminimin e për të promovuar barazi.K
Fotografitë: Majlinda Hoxha / K2.0.