Të hënën Kosova regjistroi numrin më të lartë të rasteve të reja të konfirmuara me COVID-19, pasi 195 persona të testuar dolën pozitivë. Shumica e këtyre rasteve, 102, ishin në Prishtinë.
Numrat e fundit u bënë të ditur një ditë pasi qeveria vendosi masa të reja kufizuese në përpjekje për të trajtuar pandeminë, pasi rastet janë rritur ndjeshëm në javët e fundit. Fundjava gjithashtu pati numra të rinj rekord në Kosovë, me numrin më të madh të vdekjeve dhe të rasteve të reja në një fundjavë të vetme që nga fillimi i pandemisë në mes të marsit.
Shtatëmbëdhjetë pacientë me COVID-19 raportohet të kenë vdekur në spitalet e vendit gjatë fundjavës; pas katër vdekjeve të tjera të hënën, numri i përgjithshëm i viktimave të personave të konfirmuar me COVID-19 tani është 79. Me numrat rekord të së hënës që iu shtuan më shumë se 300 rasteve të konfirmuara gjatë fundjavës, Instituti i Shëndetësisë Publike thotë se tani janë mbi 1,600 raste aktive në të gjithë vendin.
Masat e reja të qeverisë variojnë nga ora policore në katër komuna, rregullat e reja për funksionimin e bareve, deri te riorganizimi i institucioneve shëndetësore dhe vendosja e prioriteteve të reja.
Kryeministri Avdullah Hoti gjithashtu ka thënë se qeveria do të fillojë rregullisht të raportojë për atë që po ndodh brenda Klinikës Infektive në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) për t’iu treguar njerëzve “saktësisht çfarë vuajnë njerëzit e prekur nga COVID-19”, pasi citoi një sondazh që thoshte se 30% e kosovarëve nuk besojnë se koronavirusi ekziston.
Ministri i Shëndetësisë Armend Zemaj tha të hënën se zbatimi i masave të reja nuk është “nga deshira, por nga imperativi i situatës së krijuar nga mosrespektimi i masave liruese”.
Masat e prezantuara nga 6 korriku
Ndërsa është raportuar se Klinika Infektive e QKUK-së i ka tejkaluar kapacitetet për pranimin e pacientëve të rinj dhe klinikat e tjera dhe spitalet rajonale kanë rritje të numrit të pacientëve, qeveria vendosi në mbledhjen e saj virtuale të dielën (më 5 korrik) t’i riorganizojë klinikat dhe të ndajë më shumë shtretër dhe pajisje mjekësore për të trajtuar pacientët e prekur.
Vendimi obligon Ministrinë e Shëndetësisë dhe institucionet e tjera përgjegjëse ta mobilizojnë stafin mjekësor në të gjithë vendin, përfshirë ata që nuk janë aktualisht të angazhuar, dhe të riorganizojnë stafin shëndetësor me fokus në pacientët me COVID-19.
Punonjësit e kujdesit shëndetësor kanë paralajmëruar se Kosova nuk ka staf të mjaftueshëm për të trajtuar numrin në rritje të pacientëve me COVID-19. Blerim Syla, kreu i Sindikatës së Punëtorëve Shëndetësorë, ka thënë për Radion Evropa e Lirë të dielën (më 5 korrik) se stafi i kujdesit shëndetësor është “i stërlodhur dhe i mbingarkuar”.
“Nuk dua të përhap panik që është duke dalë situata prej kontrollit, mirëpo unë mund të themse jemi duke i stërmbushur kapacitetet”, ka thënë ai.