Mijëra viktimave të luftës së Kosovës iu privua jo vetëm e drejta për të jetuar, por edhe e drejta për varrim të mirëfilltë. Sot e kësaj dite, 20 vjet më pas, ende nuk është zbuluar vendndodhja e 1,646 njerëzve të zhdukur.
Për ta shënuar Ditën Ndërkombëtare të të Zhdukurve, Kosovo 2.0 dhe Fondi për të Drejtën Humanitare ju ftojnë ta ndiqni diskutimin “Rëndësia e së vërtetës dhe e memorializimit të njerëzve të pagjetur” të hënën më 31 gusht në orën 17:30, në transmetim të drejtpërdrejtë në faqet tona në Facebook.
Në këtë diskutim do të fokusohemi në aktet e përkujtimit që i kanë përcjellur zhvarrosjet e varrezave masive që lidhen me luftën në Kosovë dhe do ta kundrojmë rëndësinë e së vërtetës dhe të përkujtimit, mënyrën se si funksionojnë ato në procesin e pajtimit dhe shërimit shoqëror, rolin që e luan gazetaria për memorializim dhe për ta mbajtur gjallë diskursin, si dhe procesin kulturor të fshirjes së historisë dhe pasojat që sjellin mohimi dhe ngurrimi.
Për ta nisur diskutimin kemi ftuar aktorë kyçë të fushës: udhëheqësin e njësisë së Komisionit Qeveritar për Personat e Pagjetur Kushtrim Gara, drejtorin e Agjencisë për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale Bislim Zogaj, aktivistin e kahmotshëm të fushës dhe familjarin e njerëzve të pagjetur Lush Krasniqi, aktivistin për të drejtat e njeriut Edis Galushi dhe gazetarin Budimir Ničić. Diskutimi do të moderohet nga Dafina Halili, redaktore kontribuese dhe gazetare në K2.0.
Ju ftojmë t’i bashkoheni diskutimit tonë për këtë çështje të rëndësishme më 31 gusht prej orës 17:30 në faqet e Facebook-ut të Kosovo 2.0 dhe të Fondit për të Drejtën Humanitare.
Gjatë diskutimit do të ofrohet përkthim në gjuhët angleze dhe serbe. Nëse keni nevojë për përkthim, na dërgoni numrin e telefonit në mesazh privat dhe do t’ju shtojmë në një grup në Viber nëpërmjet të cilit do të ofrohet përkthimi me anë të thirrjes.
Imazhi i ballinës: Arrita Katona / K2.0.