Biseda | Muzikë

René van Munster: Muzika mund t’i transformojë marrëdhëniet ndërmjet njerëzve

Nga - 01.08.2019

Violonçelisti dhe kompozitori holandez tregon se si arti dhe muzika mund t’i ndihmojnë njerëzit që ta përballojnë dhimbjen, stresin dhe vuajtjen.

Në kohë krize të përkujdesjes anembanë Evropës, René van Munster po bën diçka ndryshe.

Ndërsa popullsitë në shumë shtete po plaken, buxhetet e shëndetësisë po shkurtohen dhe pacientët e stafi i shëndetësisë po vuajnë, van Munster po mundohet të bëjë ndryshime – nëpërmjet muzikës.

Violonçelisti holandez është pjesë e një projekti të përbashkët hulumtimi ndërmjet Spitalit universitar në Groningen dhe Konservatoriumit Princ Claus mbi rolin e muzikës live në shëndetësi. Si pjesë e projektit, një ekip prej tre muzikantëve dhe një ndërmjetësuesi e kalojnë një javë në një pavijon spitali duke luajtur muzikë për stafin e infermierëve dhe pacientët.

Projekti fokusohet në mënyrën se si mund të ndihmojë muzika në përmirësimin e marrëdhënieve ndërmjet pacientëve, stafit, dhe ndërmjet këtyre dy grupeve, si dhe t’u ndihmojë pacientëve për t’u ballafaquar me dhimbjen dhe vuajtjen.

“Do ta ndryshojë krejtësisht marrëdhënien e tyre me pacientët dhe unë frymëzohem shumë kur mendoj për të gjitha gjërat që mund t’i bëjë muzika në këtë kuptim pra të krijojë ose t’i transformojë marrëdhëniet ndërmjet njerëzve”, thotë ai.

Van Munster është trajnuar si muzikant klasik. Ai ka marrë pjesë në një kurs përgatitor në Konservtoriumin Princ Claus në vitin 2006, e më pas ka kryer studimet bachelor në Konservtoriumin Groningen, dhe studimet masters në Univeritetin e Arteve në Tokio në Violonçelo Klasik. Van Munster ende performon në koncerte tradicionale në salla të mëdha koncertale.

Por interesat muzikore i ka të shumëllojshme. Ai e zbuloi muzikën elektronike si adoleshent dhe kohët e fundit i është kthyer performancave si DJ dhe prodhimit të muzikës elektronike me një shok nga Ansambli i tij.

Foto: Moon Saris.

Gjatë studimeve ai interesohej se si mund të ketë ndikim social muzika dhe u përfshi në projekte të ndryshme që kishin kontekst të hapur shoqëror.

Në vitet 2010-12 ishte pjesë e Ansamblit Ricciotti, një orkestër rrugore në Holandë në ekzistencë prej vitit 1970 me parimin “muzikë live për të gjithë”. Si pjesë e kësaj orkestre, van Munster ka performuar në shkolla, shtëpi të pleqve, objekte shëndetësie dhe burgje – përvoja që i kanë vendosur themelet për punën që bën sot nëpër spitale.

Van Munster ishte në Kosovë rishtazi për ta mbajtur një ligjëratë publike mbi Muzikën Domethënëse në Shëndetësi, pas së cilës K2.0 bisedoi me të mbi performancat muzikore për audienca alternative, sfidat dhe shpërblimet, si dhe rolin e fuqishëm që mund ta ketë muzika në përmirësimin e jetës së njerëzve.

K2.0: Si e morët këtë drejtim në muzikë? Pse e bëni këtë, sidomos muzikën terapeutike?

René van Munster: Është e rëndësishme të them se puna jonë nuk është terapi muzikore. Ajo është diçka tjetër dhe nuk është ekspertizë e imja. Mendoj se dallimi është që terapia muzikore ka një synim terapeutik, një synim klinik – shkon me qëllimin për të bërë diçka për dikë duke përdorur muzikën. Kurse synimi jonë mbase është vetëm synim artistik. Ne duam të performojmë muzikë dhe t’ua mundësojmë njerëzve që të përjetojnë një moment muzikor me domethënie.

Megjithatë, ai synim ka tashmë efekte terapeutike. Kjo është shumë mirë. Jemi shumë të kënaqur për këtë, por nuk duam të themi se jemi terapistë muzikorë, sepse ky nuk ka qenë asnjëherë qëllimi ynë. Ajo është ekspertizë tjetër. Por përfundimisht mund të mësojmë prej njëri-tjetrit.

Dhe kështu u përfshiva në këtë projekt specifik kur diplomova në Tokio. U ktheva në Holandë dhe më ftuan të mbaja ligjërata për këtë grup hulumtues.

Më ftuan të merrja pjesë dhe të ndihmoja me këtë projekt [të spitalit] sepse kisha marrë pjesë më parë në projekte të ndryshme, duke përfshirë plot projekte në të cilat kam punuar me njerëz të moshuar që vuanin nga demenca dhe kam përdorur improvizimin për të komunikuar me ta, për t’ua mundësuar ta shprehin personalitetin e tyre më shumë, për ta përmirësuar komunikimin ndërmjet njerëzve me këtë sëmundje dhe kujdestarëve të tyre.

A mund të na shpjegoni se si shkon një seancë tipike e performancës në spital?

Zakonisht këto projekte zgjasin pesë ose gjashtë ditë në një pavijon spitali, dhe kjo është shumë e rëndësishme sepse pastaj mund t’i vizitosh të njëjtit pacientë më shpesh. Hyn më thellë se kur shkon për vetëm një ditë dhe pastaj shkon te një pavijon tjetër të nesërmen.

Pra çdo mëngjes ne shkojmë në spital. Fillojmë duke luajtur për stafin e infermierëve. Zakonisht gjatë pushimit ata ndajnë pak kohë për ne. Ne jo vetëm që luajmë për ta, por edhe flasim me ta.

Ndajmë përvoja me ta, ndonjëherë ato të ditës së djeshme, për shembull “Oh, ishte moment shumë i veçantë kur e dëgjuam atë në Dhomën 308, kur ai burri…” Pastaj flasim për ndërveprimet tona dhe ata lidhen me to dhe mund të flasin për pacientët e tyre dhe mënyrën se si ndikon muzika tek ta.

Pastaj performojmë për ta — me shpresë që t’i relaksojmë pak në pushim, apo t’u ndihmojmë… sikur ta skicojmë një imazh për ta, atë se si kishim ndërvepruar një ditë më parë në atë dhomë. 

Më pas ulemi me kryeinfermieren/in e spitalit dhe flasim për të gjithë pacientët në të gjitha dhomat. U themi, “Ok, kush do muzikë?”, sepse paraprakisht ata shkojnë i pyesin, për të parë nëse dikush nuk është në qejf për muzikë.

Dhe kështu themi “Ok, po shkojmë në këtë dhomë dhe ndoshta në atë dhomë”, dhe për këtë në fakt e kemi një person shtesë në ekip. Është një ekip i tre muzikantëve, plus një person të cilin e quajmë ndërmjetësues. Dhe ndërmjetësuesi jo vetëm që e bën planin e vizitave, por është edhe personi që hyn në dhomë para muzikantëve.

Dhe kjo na duket shumë e rëndësishme. E kemi vërejtur që kur hyn në dhomë me instrumente muzikore, është shumë vështirë të thuash jo, sepse tashmë jemi aty duke u thënë: “Hej, doni pak muzikë?!”

Pra ndërmjetësuesi hyn, pa instrumente, dhe i pyet: “A është kohë e mirë? A mund të luajmë? Kemi muzikantë”. Dhe pastaj pacienti është i lirë për të thënë jo. Por nëse thotë po, ne hyjmë dhe fillojmë të luajmë.

Pra zakonisht, pas kësaj, njëri prej nesh sillet nëpër korridor dhe i bie instrumentit për të lajmëruar që kanë ardhur muzikantët, pastaj shkojmë nëpër dhoma. Dhe në dhoma ndonjëherë është një pacient, ndonjëherë dy, e ndonjëherë tre a katër.

Koha që e kalojmë në dhomë varet nga numri i pacientëve në pavijon të spitalit. Por mesatarisht i luajmë dy këngë për secilën dhomë. Dhe kështu mund të fokusohemi te një pacient, apo te të gjithë pacientët së bashku.

Çfarë zhanri luani – a është gjithmonë klasik?

Parimisht, ne mundohemi ta gjejmë qasjen e duhur muzikore për atë dhomë, për atë person në atë moment. Dhe këtë e bëjmë duke përdorur një ndjesi të repertorit – një repertor të caktuar dhe improvizim.

Repertori është përzgjedhje shumë e gjerë – 10 a 12 vepra prej muzikës klasike si Bach dhe Strauss dhe Raphael, te muzika pop si Coldplay apo Elvis, këso gjërash. Gjithashtu luajmë muzikë folk – kemi luajtur muzikë folklorike turke dhe holandeze. Pra gjithmonë ka diçka për secilin. Dhe gjithmonë ka diçka të re.

Ne aranzhohemi si trio — dhe me të vërtetë e mësojmë përmendësh. Pra nuk përdorim fleta muzikore — komunikojmë me njerëzit në dhomë dhe me njëri-tjetrin. Është me të vërtetë komunikim shumë i hapur.

Në anën tjetër kemi improvizime dhe kjo është pjesë e madhe e këtij projekti. Ne mendojmë që nëpërmjet improvizimit mund të lidhemi shumë me personin, sepse atë që e bëjmë ne zakonisht mund ta quajmë improvizim i përqendruar tek personi. Dhe kjo është diçka e madhe edhe në terapinë muzikore. Ne frymëzohemi shumë prej kësaj.

Është diçka shumë e fuqishme - kur merr pak kontroll, ke pak pronësi mbi një vepër muzikore.

Parimisht formësohet një vepër muzikore në bazë të reagimit të personit — në këtë rast pacientit që e kemi përpara. Për shembull, ne mund të kërkojmë nga pacienti ta përshkruajë një peizazh, një ndjenjë apo të na tregojë një tregim. Apo ndoshta ata fillojnë të flasin për diçka dhe ne themi, “Oh, mund ta bëjmë një vepër për këtë”, dhe kështu mundohemi të krijojmë diçka duke i përdorur reagimet e tyre në atë moment, diçka që ka domethënie për ta.

Për mendimin tim, e rëndësishme në këtë është ndjesia e pronësisë ose kontrollit. Pra nuk duam vetëm të performojmë për njerëz dhe ata të duartrokasin — sepse kur je në situatë të cenueshme, të duhet diçka tjetër. Kur je në spital, e ke ndjenjën që ke më pak kontroll mbi rutinën tënde, sepse gjithçka vendoset prej njerëzve të tjerë dhe nuk ke shumë privatësi. Pra mund ta imagjinoni që është diçka shumë e fuqishme — kur merr pak kontroll, ke pak pronësi mbi një vepër muzikore.

E kështu shpresojmë të krijojmë një ndjesi që të gjithë së bashku po e bëjmë veprën muzikore, pra s’është vetëm një performancë e thjeshtë.

Përzihen emocionet e tyre, por gjithashtu u jep një ndjesi të qetësisë… por mund t’u japë edhe energji njerëzve. Nëse dikush kërkon një det të trazuar dhe ne e bëjmë — ne me të vërtetë e japim atë energji. Sepse e kemi kuptuar që njerëzit kanë nevojë për energji të ndryshme, varësisht nga situata.

A ishte e vështirë të mësohej improvizimi vetem në bazë të një ndjenje ose emocioneve? Ndonjëherë ata mund të mos e dinë çfarë po ndjejnë dhe mund të jenë shumë abstraktë ose të paqartë për atë që duan, dhe kjo mund të jetë e vështirë të improvizohet dhe të prodhohet në atë moment, bashkë me muzikantët e tjerë?

Absolutisht, është sfidë. Është një gjë komplekse. Në njërën anë duhet ta dëgjosh veten dhe të mendosh për idetë që dëshiron t’i përfshish në një vepër muzikore, e pastaj t’i dëgjosh muzikantët e tjerë dhe të shohësh ç’po ndjejnë ata në muzikë, pastaj ta kesh imazhin e pacientit në mendje, ato që t’i përshkruan ai ose ajo, dhe ta shohësh se si mund të vihen ato në një vepër muzikore.

Dhe gjithashtu duhet ta kesh antenën e ndezur për t’i lexuar ato që ndodhin në dhomë. Sepse një pacient mund të reagojë ose ta shikojë një person të caktuar… dhe kjo është diçka e mirë, ky lloj reagimi. Nëse pacienti e shikon shumë qartë violonçelon, instrumentin tim, atëherë unë do të luaj më shumë, do ta luaj një solo, e kolegët e mi do të tërhiqen pak. Pra ka shumë vëmendje për gjëra të ndryshme njëkohësisht.

Me të vërtetë kemi nevojë të mësohemi që ta pranojmë se një improvizim mund të mos funksionojë në atë moment. Mund të mos lidhet me imazhin e personit, ne mund të mos lidhemi me njëri-tjetrin në grup… dhe kjo është ok.

Foto: Deborah Roffel.

Gjithashtu, është shumë mirë që i kemi pesë a gjashtë ditë pune, sepse me të vërtetë i inkurajojmë pacientët të na tregojnë çfarë është mirë për ta, ose nëse nuk janë lidhur me muzikën tonë, sepse mund të provojmë përsëri dhe ta gjejmë me të vërtetë një lloj hapësire të sigurt në të cilën mund të zbulojmë gjëra në mënyrë muzikore.

E kishim një paciente për të cilën luajtëm dy ditë, dhe pas pak kohe ajo na tregoi se kishte marrë një lajm të keq… nuk u hyri detajeve. Por ne e pyetëm: “A mund ta performojmë një vepër muzikore për ju, ndoshta të bazuar në një ndjenjë të posaçme?” Dhe ajo tha: “Dua ta dëgoj një vepër mbi të mbajturit maskë gjatë gjithë kohës”.

Dhe ajo e përshkroi këtë ndjenjë pak për ne, e ne thamë: “Ok, uh, kjo është komplekse”. Por u munduam dhe e performuam, e ajo tha: “Jo, me të vërtetë nuk e njoh këtë ndjenjë; për mua është më shumë kështu, kështu”, dhe ajo filloi ta shtjellonte më tej.

Dhe pastaj provuam përsëri dhe ishte shumë më mirë, e ajo u lidh shumë me të dhe tha: “Ok, tash e dua një vepër për katarsisin”.

Dhe pastaj e luajtëm atë dhe… atëherë je në prag të terapisë muzikore. Por prapëseprapë ne u munduam ta krijonim një vepër muzikore me të cilën ajo si person mund të lidhej në mënyrë të mirëfilltë, t’i lidhte ndjenjat e saj me të, por njëkohësisht të lidhej me identitetin tonë artistik. Ishte ndërveprim shumë kuptimplotë, shumë i veçantë, posaçërisht për faktin se ajo u ndje e lirë për t’u hapur ashtu që t’i ndante ndjenjat e saj me ne.

Nuk jam më muzikant, pacienti nuk është më pacient: Jemi vetëm njerëz të cilët po e ndajnë një moment shumë domethënës.

Të ndihet e sigurt të shfaqë cënueshmërinë?

Po, pikërisht. Kjo është shumë e rëndësishme në këtë punë. Është thelbi i saj, sepse të gjithë këta njerëz janë të cenueshëm, shumë prej tyre janë shumë… mundohen të jenë të guximshëm për një arsye a tjetër, por nuk ka nevojë për këtë në fund të fundit, sepse mendoj se kur njerëzit hapen dhe guxojnë të shfaqin dobësitë — gjithashtu ne muzikantët, nëse e bëjmë veten të cënueshëm — ka momente shumë, shumë të bukura.

Atëherë me të vërtetë ndihesh sikur je në të njejtën… sikur nuk jam më muzikant, pacienti nuk është më pacient: Jemi vetëm njerëz të cilët po e ndajmë një moment shumë domethënës.

Nëse ka, cilat janë dallimet në disponimet e njerëzve kur bëni improvizime dhe kur performoni repertor të caktuar?

Kjo është pyetje shumë interesante — për këtë kam menduar shumë dhe ende jam duke e zbuluar dallimin e vërtetë. Por mendoj se një dallim i madh është mënyra se si dëgjojnë pacientët, ose mënyra se si e marrin këtë muzikë.

Sepse plot herë repertori është i njohur për ta dhe kjo është mënyrë shumë e sigurt për ta dëgjuar. Mund të mbështeten dhe vetëm të dëgjojnë. Kemi pasë momente shumë, shumë intensive edhe me repertor, kur dikush kishte një lidhje shumë të veçantë me një vepër të caktuar muzikore. Dhe kjo mund të jetë shumë me kuptim.

Njëkohësisht, improvizimi është një mënyrë shumë e ndryshme për të dëgjuar sepse gjithmonë është i ri për të gjithë. Pra dallimi është që pacientët e perceptojnë më ndryshe, e kështu mund të dëgjojnë në mënyrë më aktive… shumicën e kohës, nuk është që mund të mbështetem dhe të relaksohem, por jam më i përfshirë. Është një përfshirje më emocionale.

Meqë po flasim për mënyra të ndryshme të dëgjimit dhe perceptimit, çfarë dallimesh shihni ndërmjet mënyrës se si e përjetojnë pacientët dhe stafi muzikën live në vende të tilla dhe përjetimeve të tyre kur dëgjojnë muzikë në pajisje elektronike. Pse muzika live mund të jetë më e dobishme, nëse pajtoheni me këtë?

Po, pajtohem pak a shumë. Më pëlqejnë edhe projektet me muzikë të incizuar sepse është dëshmuar që edhe muzika e incizuar mund të jetë shumë e dobishme për pacientët që janë duke u rikuperuar nga kirurgjia — edhe gjatë kirurgjisë, ka efekte shumë interesante.

Nuk duhet të injorohet as aspekti shoqëror brenda një dhome, sepse njerëzit mbyllen në vete. Shkojnë e shikojnë TV me kufje. 

Por kur jemi në dhomë, nëse njerëzit janë duke u ballafaquar me vështirësi, ne mundohemi t’i inkorporojmë të gjithë në muzikë. Kemi pasur situata kur njerëzit me të vërtetë janë bashkuar për të na rrëfyer një tregim që ne pastaj ta luajmë atë.

Kemi hyrë në një dhomë ku kishim luajtur dy ditë dhe ata na thanë: “E kemi menduar një tregim me ne të katërtit”. 

Njëri prej tyre, i cili ishte tregimtari, ishte shumë i ngazëllyer dhe na tha: “Ishin dy momente dramatike në këtë vepër”.

Në fakt e kishim një shkop për dirigjim të improvizimeve dhe i thamë: “A dëshironi ta dirigjoni këtë për ne?” dhe ai tha: “Pooo!” – e ia drejtoi një muzikanti dhe ishte shumë i qartë me lëvizjet dramatike, kurse ne pastaj luanim sipas dirigjimit të tij.

Kjo sigurisht e fuqizon shumë atë person në atë moment, por edhe grupi bashkohet, njerëz të moshave të ndryshme dhe të prejardhjeve të ndryshme, të gjithë ishin shumë të dhënë pas performancës. Kjo është shumë e rëndësishme në muzikën live. Mund t’i bësh bashkë njerëzit në vend që të gjithë të dëgjojnë muzikë për vete ndaras. 

Ishte si një stuhi emocionesh. Në kuptimin e plotë të fjalës e sheh vdekjen dhe jetën brenda minutave.

A keni të tjera tregime të tilla prekëse/qesharake?

Po, shumë, shumë kemi, sigurisht. Ishte një paciente, një zonjë e moshuar, dhe ajo do të vdiste së shpejti për shkak se nuk mund të operohej më. Ajo kishte një lidhje shumë të fuqishme me njërin prej familjarëve të saj.

Ajo kërkoi t’ia performonim një vepër muzikore të Robbie Williams, e cila thirret Angels — dhe e bëmë një përjashtim sepse normalisht kemi një repertor të caktuar dhe normalisht nuk marrim kërkesa, por në këtë rast ishte diçka shumë domethënëse, dhe e praktikuam.

E bëmë një aranzhim, e ushtruam për të nesërmen dhe pastaj e performuam për të afërmin e saj dhe ishte… shumë e dhimbshme, por e bukur njëkohësisht. Ishte shumë e vështirë të fokusoheshim në muzikë… sepse je gati të qash, sepse ndjen për këtë person… Por njëkohësisht duhet të mos derdhësh lot, të të mos prishet harmonia… duhet ta mbash, të mos shpërthesh duke qarë.

Ishte shumë e bukur dhe kur dolëm nga dhoma, me të vërtetë na u desh pak kohë për t’i liruar disa emocione — por duhej të kalonim në dhomën tjetër. Dhe në dhomën tjetër ishte diçka krejt tjetër, sepse ishte një burrë i cili sapo kishte marrë një mëlçi të re dhe na kërkoi të performonim diçka për një jetë të re, një pranverë të re ndoshta.

Dhe ajo është diçka krejt ndryshe, por u desh të adaptoheshim krejtësisht për të. Ishte si një stuhi emocionesh. Në kuptimin e plotë të fjalës e sheh vdekjen dhe jetën brenda minutave. Ishte tepër e fuqishme.

Ndihem shumë mirë që mund të bëj diçka aty, duke i ndihmuar dikujt në këtë proces të ndërrimit të jetës dhe duke i ndihmuar dikujt të ballafaqohet me faktin se ka energji të re, jetë të re.

Momentet si këto janë shumë shpërblyese por edhe tepër sfiduese për ju si individë, ashtu edhe si muzikantë. Çfarë sfidash të tjera ka në këtë lloj pune?

Ka shumë sfida. Është sfida që nuk lidhesh muzikalisht me një person. 

Dhe spitali është ambient shumë fleksibil, kështu që sendet ndryshojnë në minutë të fundit, e edhe me këtë duhet të ballafaqohesh. I premtojmë një pacienti që do të performojmë të nesërmen para se të shkojnë në shtëpi, por ata lirohen më herët nga spitali, pak para se të vijmë ne për shembull.

Ose pacienti nuk ndihet mirë dhe ke shumë dëshirë të performosh për të, e edhe ai apo ajo ka shumë dëshirë të të dëgjojë, por nuk ndihet mirë — pra është edhe kjo. 

Dhe sigurisht, një tjetër sfidë është që ballafaqohesh me shumë momente të bukura, por edhe me shumë, shumë gjëra të dhimbshme.

Kur shkojmë në departamentin e onkologjisë, plot njerëz marrin lajme të këqija dhe plot njerëz janë duke u ballafaquar me gjëra shumë të rënda dhe mund të flasin pak për këtë, e pastaj ne u ekspozohemi shumë tregimeve të dhimbshme, kupton shumë gjëra: “Ua, disa njerëz me të vërtetë po ballafaqohen me gjëra të rënda këtu”. Dhe gjithashtu është vështirë t’i shmangemi kësaj, sepse dëshirojmë të kemi biseda domethënëse me njerëzit.

A i merr parasysh projekti këto sfida: A parashesh nevojën emocionale për t’u rimbushur, kohën për t’u shtendosur?

Patjetër se e marrim parasysh. Ne me të vërtetë mundohemi ta ndërtojmë me kohë edhe brenda ekipit, edhe me kryeinfermierët. Në fund të secilës ditë, ulemi dhe flasim: “A kishte diçka që me të vërtetë ka ndikuar në një mënyrë të caktuar?”

Vështirë është të mos e mendosh dhe për këtë arsye mjekët dhe infermierët janë të rraskapitur… duhet të kesh aftësinë që t’i kuptosh ndjenjat e tjetrit dhe t’i ndash ato me të, por edhe të mos i kthesh ato ndjenja në shtëpi. Kjo është sfidë tjetër për të cilën nuk mendon në sallë të koncerteve.

A mund të na tregoni shkurt për përvojën e performimit të këtyre veprave muzikore në shtëpi të pleqve dhe burgje; si dallojnë këto ambiente prej spitaleve?

Në Kosovë jo aq shumë, por në Holandë kemi shumë të moshuar, kështu që ka shumë që vuajnë nga demenca. Në Kosovë pas disa viteve mund të jetë njëlloj.

Ka plot të moshuar me demenca dhe po kërkojmë projekte për t’ua përmirësuar cilësinë e jetës, cilësinë e përkujdesjes për ta, sepse nuk janë të gjitha shtëpitë të mira. Në fakt, shumë prej tyre të dëshpërojnë. Shumë prej stafit nuk janë të trajnuar si duhet.

Kur normalisht e shohin një burrë shumë idhnak, papritmas e shohin një njeri duke luajtur muzikë.

Në shtëpi të pleqve e bëjmë atë që e quajmë “muzikë dhe demenca”. Shkojmë në një objekt ku ka njerëz me demenca, kryesisht njerëz në fazat e vonshme të demencës. 

Pra ata mund të jenë shumë të largët, nuk reagojnë aq shumë, por edhe shumë të sinqertë e të shprehur, të pafrenuar, disi reagojnë menjëherë dhe e thonë atë që e kanë në mendje, apo thonë diçka të pavend, për shembull.

Dhe kështu për këta njerëz, ne të gjithë ulemi në një rreth bashkë me njerëz me demenca, dhe me kujdestarët e tyre, dhe përdorim shumë muzikë të improvizuar për t’u lidhur me ta, por edhe për t’i dhënë hapësirë personit me demenca, në mënyrë që kujdestarët e tyre t’i shohin më ndryshe.

Dhe kjo ndodh: kur normalisht e shohin një burrë shumë idhnak, papritmas e shohin një njeri duke luajtur muzikë.

Kemi instrumente të perkusionit në mes të rrethit dhe i ftojmë të luajnë me ne. Për shembull, e marr instrumentin e perkusionit, ia jap një personi dhe e dëgjoj çfarë tinguj mund të nxjerrim. Nuk themi: “Ok, të lutem na jep një beat”, por me të vërtetë ia lehtësojmë në mënyrë që ata të eksperimentojnë me tinguj — mund ta tundin apo ta godasin ngapak… dhe pastaj ne mundohemi ta dëgjojmë dhe të reagojmë ndaj kësaj.

Pastaj ne për shembull i trokasim instrumentet tona dhe e nxjerrim një melodi prej tyre dhe idealisht ngadalë fillon të krijohet një vepër muzikore. Kjo lidhet shumë me një ndjesi të pronësisë, në të njejtën mënyrë si në spitale. Mundohemi t’ia japim atë ndjenjën: “Hej, unë po e bëj këtë, bashkë me muzikantët”.

I realizojmë disa momente shumë të bukura dhe intime, ku i sheh këta njerëz duke dalë nga guaska e tyre, me një fjalë.

Krejt rendi i parë, plot burra të fortë e të ashpër, ishin me lot në sy, duke qarë e duke kënduar: “Mamaaa”.

E kur keni performuar në burgje? Më kujtohet një film me Johnny Cash kur ai shkoi në burgje dhe ndihmoi ta ngrente moralin. Si ishte përvoja juaj?

Ah, po. Këtë e bënim më shumë gjatë kohës kur isha në këtë Ansamblin Ricciotti. Është orkestër me 40 persona, kryesisht studentë. Dhe po, shkonim në burgje — në burgje të të rinjve ose në burgje normale — dhe e performonim një repertor shumë të gjerë, si xhaz dhe pop e funk e muzikë klasike; gjithashtu muzikë klasike moderne, për t’i ekspozuar këta njerëz ndaj llojeve të ndryshme të muzikës, që me të vërtetë të përjetojnë diçka që kurrë nuk ndodh në atë ambient.

Performancat në burgje ishin mjaft mbresëlënëse për orkestrën sepse na jepnin udhëzime shumë të qarta si, “Mbani të gatshme pasaportat”, “Nëse dikush ju pyet, mos ia jepni adresën” — gjëra serioze. Por pastaj kur je duke luajtur aty, janë vetëm disa njerëz të ulur në një sallë duke u kënaqur. Është thjesht performancë e një koncerti të mirë.

Kishim momente kur e luajtëm Bohemian Rhapsody, për shembull, dhe krejt rendi i parë, plot burra të fortë e të ashpër, ishin me lot në sy, duke qarë e duke kënduar: “Mamaaa”.

Por në këto koncerte e kupton se janë vetëm njerëz – të gjithë janë vetëm njerëz. Çfarëdo që ndodh, dhe çfarëdo që të kenë bërë, janë njerëz dhe kanë disi lidhje me muzikën. Thjesht duhet ta gjejmë dhe na bën t’i shohim njerëzit në një këndvështrim tjetër.K

Foto kryesore: Layla Barake / DAM Festival.

Kjo bisedë është redaktuar për gjatësi dhe qartësi. Intervista u zhvillua në gjuhën angleze.