Më 12 nëntor, 2002, një buldozer u parkua para një ndërtese të bardhë të rrethuar me mure të larta në qendër të Sarajevës.
Së shpejti u hapën dyert e mëdha, të bardha dhe të hekurta të këtij kompleksi, dhe buldozeri hyri brenda ngadalë. Pas buldozerit, në oborrin e rrethuar filluan të hynë gazetarët dhe zyrtarët — kryesisht biznesmenë dhe politikanë lokal, si dhe përfaqësues të organizatave ndërkombëtare në Bosnje dhe Hercegovinë (BiH).
Në këtë mënyrë Përfaqësuesi i Lartë i asaj kohe, ish-ushtari dhe politikani britanez që tani ka ndërruar jetë, Paddy Ashdown, e lajmëroi fillimin e Nismës Buldozer, e cila duhej të shënonte fillimin e ndryshimeve të mëdha në BiH.
Mendjet që e sajuan këtë Nismë, komuniteti ndërkombëtar në BiH, e shpjeguan si mënyrë më të mirë për të krijuar kushte për zhvillim ekonomik që — në fund — duhet të ndikojë në kushtet e përgjithshme për zhvillimin e vendit.
Disa ditë më vonë, porta ishte përsëri e mbyllur dhe ka mbetur ashtu deri sot.
Ata u munduan ta arrijnë këtë duke ndërtuar një partneritet ndërmjet politikanëve dhe biznesmenëve të BiH të cilët do t’i identifikonin pengesat ligjore për zgjerimin ekonomik dhe krijimin e vendeve të reja të punës, dhe së bashku do të bënin përpjekje për reforma legjislative. U themelua një komitet për t’i lidhur të gjithë ata që ishin të ftuar në këtë shfaqje politike, ku u premtuan “50 reforma për 150 ditë”.
U tha se procesi i ri do të ishte krejtësisht transparent, siç do të ishte edhe puna e Zyrës së Përfaqësuesit të Lartë (ZPL), institucionit të krijuar nëpërmjet Marrëveshjes së Paqes Dayton 1995 për ta garantuar dhe monitoruar zbatimin civil të marrëveshjes. Për më tepër, u tha se porta e kompleksit ZPL do të mbetej e hapur për të gjithë ata që dëshironin të mësonin më shumë për çfarë po ndodhte prapa mureve.
Disa ditë më vonë, porta ishte përsëri e mbyllur dhe ka mbetur ashtu deri sot — qytetarët më nuk janë të sigurt se a është duke e përdorur dikush, përveç sigurimit dhe stafit të mirëmbajtjes, ndërtesën e bardhë buzë lumit.
Pronarja e një dyqani përballë ZPL-së thotë që rrallë e sheh ndokënd. “Nuk ka më bujë siç kishte më parë, kur dhjetëra xhipa silleshin rreth e rrotull, posht e lart në këtë rrugë”, thotë ajo deri sa i shikon dyert e mbyllura. “Tani kalojnë një herë në javë, ose më rrallë”.
Hesht Përfaqësuesi i Lartë
Fakti që pak zhvillime po ka brenda kompleksit shfaqet edhe nga arkiva e vendimeve të ZPL-së, që tregon se vendimi i fundit që ndikoi në jetën e qytetarëve të BiH u morr para pesë vitesh.
Nëpërmjet atij vendimi, ZPL-ja i shfuqizoi disa ndalesa që ishin vendosur nga përfaqësuesit e lartë të kaluar kundër zyrtarëve të zgjedhur dhe të caktuar.
Sot, ZPL-ja i ka vetëm dy departamente — Departamentin Ligjor dhe Departamentin e Politikës dhe Ekonomisë — si dhe një Zyrë Rajonale me bazë në Banja Llukë. Zyret Rajonale në Tuzla dhe Mostar janë mbyllur, siç janë mbyllur edhe Departamentet e Sundimit të Ligjit dhe të Drejtave të Njeriut, Departamenti për Zhvillimin e Mediave dhe Grupi Punues për Rindërtim dhe Kthim. Nuk ka këshilltar ushtarak, as njësit për reforma ligjore.
Wolfgang Peitsch, ish-Përfaqësuesi i Lartë në BiH, beson se zyra të cilën e kryesonte ai dikur është duke e humbur reputacionin e saj. Foto nga Creative Commons License.
“E dhimbshme është ta shohim se si është duke e humbur ZPL-ja reputacionin e saj për më shumë se një dekadë”, thotë Wolfgang Petritsch, ish-Përfaqësues Special i BE-së në Kosovë (1998-99) dhe ish-Përfaqësues i Lartë në BiH (1999-02).
Gerald Knaus, i cili punonte me ZPL-në në Sarajevë dhe është themelues i European Stability Initiative (ESI — Nisma Evropiane për Stabilitet), një organ i ekspertëve që fokusohet në Evropën juglindore dhe zgjerimin e BE-së, beson se ZPL-ja është bërë “gjithnjë më jorelevante”.
Roli dhe lokacioni i Përfaqësuesit të Lartë është çështje që është ngritur vazhdimisht nga disa analistë dhe media në BiH.
“Përfaqësuesi i Lartë është — për ta thënë thjesht — një diplomat i cili jeton si mbret në Sarajevë dhe nuk ndërhynë me punën e tij.”
Gojko Berić, kolumnist dhe gazetar
Bodo Weber, Bashkëpuntor i Lartë i Democratization Policy Council (Këshilli për Politika të Demokratizimit), nismë për politika të përgjegjshme të demokratizimit e cila është e bazuar në Berlin — puna e së cilës kryesisht lidhet me Ballkanin — argumenton se akterët politikë lokal në BiH aktualisht janë të polarizuar mbi çështjen e ZPL-së.
“Në BiH, ato forca politike në mesin e partive udhëheqëse serbe dhe kroate që për një kohë të gjatë po e dëmtojnë rendin kushtetues të BiH-së, dhe me gjasë edhe integritetin territorial të saj, me dëshirë do ta kishin larguar moti ZPL-në, ndërsa boshnjakët dhe hercegovinianët civilë që janë të orientuar kah multietniciteti e shohin ZPL-në si rrjetë të sigurisë që e mbronë shtetin boshnjak nga shkatërrimi”, pretendon Weber.
Gojko Berić, kolumnist dhe gazetar i cili ka punuar për të përditshmen Oslobodenje për shumë vite, shkruan në një nga kolumnet e fundit të tij që “nga perspektiva e publikut vendas, Përfaqësuesi i Lartë është — për ta thënë thjesht — një diplomat i cili jeton si mbret në Sarajevë dhe nuk ndërhyn me punën e tij”.
Berić e shkruan këtë kolumn pa kërkuar ndonjë reagim apo veprim nga ZPL-ja, por për t’ia kujtuar Përfaqësuesit të Lartë që ai është në krye të interpretimit dhe zbatimit të segmentit civil të Marrëveshjes së Paqes Dayton (1995), përfshirë këtu Kushtetutën e Bosnjes dhe Hercegovinës, e cila është pjesë e saj.
“Përveç guaskës komplekse institucionale në të cilën kanë ngecur qeveritë etno-nacionaliste për shkak të veprimeve të tyre, ka plot sende në këtë kushtetutë të cilat janë projektuar në favor të njeriut të thjeshtë”, shkruan Berić.
“Megjithatë, shteti BiH praktikisht është zbrazur nga këto arritje qytetëruese. Ato janë fshirë e janë shkelur. Askush nuk mbajti përgjegjësi për këtë, edhe pse kjo përbën një shkelje flagrante të segmenteve më të rëndësishme të marrëveshjes së paqes. Përfaqësuesi i lartë po hesht!”
Pushtet i pakufijshëm
Zyra e Përfaqësuesit të Lartë u themelua gjatë 20 ditëve të bisedave për paqe që u mbajtën në fund të vjeshtës së vitit 1995 në qytetin Dayton, Ohio, në një bazë ushtarake të SHBA-së. Marrëveshja u arrit më në fund nën presion të madh prej shteteve të ndryshme, veçanërisht SHBA-së, ndërsa Marrëveshja e Paqes Dayton u nënshkrua në Paris në dhjetor të atij viti, deri sa lufta ishte duke vazhduar në Bosnje.
Politikanët nga rajoni, Evropa Perëndimore dhe SHBA-ja, si dhe përfaqësues të organizatave të ndryshme ndërkombëtare, u pajtuan që BiH do të mbetej shtet i pavarur. Kufijtë e jashtëm nuk ishin në pyetje, por u vizatuan linja të reja brenda vendit, kryesisht në bazë të territoreve që i kishin kapur palët me armë gjatë konfliktit në teren.
Papritmas, BiH u bë shtet i ndarë në dy entitete — Federata e BiH dhe Republika Srpska — dhe në 1999 u shtua Distrikti i Brčko-s si njësit administrativ vetëqeverisës multietnik. Anëtarët e tri grupeve përbërëse — boshnjakët, serbët dhe kroatët — u njohën si “popujt përbërës” të vendit dhe atyre iu dhanë të drejta politike të cilat iu mohuan grupeve tjera që jetojnë në BiH, përfshirë këtu njerëzit të cilët deklarohen thjesht si qytetarë të BiH.
Problemet e shumta që i krijoi kjo çuan deri te rasti shumë u publikuar Sejdić dhe Finci vs Bosnja dhe Hercegovina i cili u zhvillua në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Trupi gjykues morri vendim se BiH e kishte shkelur Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Në një rast të ngjashëm — por më pak të njohur — Zornić vs Bosnja dhe Hercegovina, Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut morri vendim në favor të Azra Zornić, të cilës i ishin ndaluar postet e larta publike për shkak se ajo kishte refuzuar të identifikohej si pjesëtare e një nga tri grupet specifike etnike, duke ngulur këmbë që të drejtat e njëjta duhet t’i ipen të gjithë qytetarëve të BiH. Megjithatë, pavarësisht këtyre vendimeve, situata mbetet e pandryshuar deri sot.
Këshilli për Zbatim të Paqes (KZP) i jep legjitimitet Zyrës së Përfaqësuesit të Lartë në BiH. Foto nga ZPL.
E përbërja e ZPL-së nuk është më pak komplekse.
Legjitimiteti i saj ipet nga Këshilli për Zbatim të Paqes (KZP), i cili përbëhet prej përfaqësuesve nga 55 shtete që kanë ambasada në BiH, si dhe organizata ndërkombëtare që ndikojnë në mënyra të ndryshme në zbatimin e Marrëveshjes së Paqes Dayton. Ky organ i jep direktiva politike Përfaqësuesit të Lartë, dhe e ka një komitet drejtues të përbërë prej përfaqësuesve të Kanadës, Francës, Gjermanisë, Italisë, Japonisë, Rusisë, Mbretërisë së Bashkuar, SHBA-së, BE-së dhe Organizatës për Bashkëpunim Islamik të përfaqësuar nga Turqia.
Për çdo lëvizje që e bënë ZPL-ja, ata duhet të pajtohen, e kjo ka paraqitur një sfidë brenda viteve. Mospajtimet ndonjëherë s’kanë të bëjnë fare me BiH-në, por lidhen me fokusin e qeverive në këto vende në kohë të ndryshme.
Pas luftës, Këshilli rregullisht është takuar jashtë kufijve të BiH-së, duke marrë vendime për jetët e qytetarëve të këtij vendi. Në këtë mënyrë në vitin 1997 u mbajt një konferencë në Bonn, përfundimi i së cilës i dha Përfaqësuesit të Lartë të ashtuquajturat Fuqitë Bonn.
Vendimet nga Përfaqësuesi i Lartë janë finale dhe nuk përfshijnë të drejtë për apel; përveç kësaj, ato nuk duhet të justifikohen.
Këto autorizime ia mundësuan personit që ulet në karrigen e Përfaqësuesit të Lartë t’i largojë zyrtarët e zgjedhur, të miratojë dhe shfuqizojë ligje, të mbyllë media dhe të ndikojë tek ato, si dhe të depërtojë në çdo segment të jetës në BiH.
Nga 1997 deri në 2012, përfaqësuesit e lartë në BiH i kanë imponuar 899 vendime në tërësi. Mes tjerash kishte vendime në lidhje me flamurin shtetëror, shtetësinë, regjistrimin e përbashkët të targave të veturave, monedhën shtetërore, themelimin e institucioneve gjyqësore, dhe caktimin e gjykatësve dhe prokurorëve.
Për t’i shtuar më shumë pushtetit të tyre, vendimet nga Përfaqësuesi i Lartë janë finale dhe nuk përfshijnë të drejtë për apel; përveç kësaj, ato nuk duhet të justifikohen.
Siç shprehi Përfaqësuesi i dytë i Lartë Carlos Westerndorp në një intervistë në vitin 1997, madje para konferencës Bonn, “nëse e lexoni me kujdes Dayton… [ajo] më jep mundësinë për t’i interpretuar autoritetet dhe fuqitë e mia”.
Në vitet e kaluara, ZPL-ja ka shkarkuar kryeministra, anëtarë të Presidencës, ministra, krerë të agjencive të intelegjencës, policë dhe funksionarë tjerë.
Analistë si shkencëtari politik Dražen Pehar argumentojnë se në përpjekje për ta rindërtuar demokracinë në BiH gjatë 10 viteve të para pas luftës, përfaqësuesit e lartë vet përdorën metoda jodemokratike si imponimi i vendimeve apo shkarkimi i zyrtarëve.
Në një shkrim të publikuar në vitin 2014, Pehar, i cili ka punuar për ZPL në të kaluarën, thotë se sjelljet e ZPL i kanë ngritur tensionet brenda vendit.
Me pushtet praktikisht të pakufijshëm të dhënë për një institucion të drejtuar prej të huajve, pa llogaridhënie apo transfarencë, BiH sot është i vetmi gjysëm-protektorat në Evropë, nëse jo në botë.
Zhvendosja e përgjegjësisë
Por në 15 vitet e fundit, apetiti për ta përdorur atë pushtet me sa duket është zbehur.
Ndryshimi i drejtimit u karakterizua më së qarti nga mandati i Përfaqësuesit të Lartë të pestë, Christian Schwarz-Shcilling, nga 2006 në 2007.
Kritikët thonë se Schwarz-Schilling ka fjetur pothuajse përgjatë gjithë mandatit të tij; por në një intervistë për mediat lokale në vitin 2005 menjëherë pas emërimit të tij, fjalët e Schwarz-Schilling e parashikuan qartë këtë politikë të pasivitetit.
“Do të punoj për ta kthyer besimin e popullit të BiH për qeverinë e zgjedhur”, lajmëroi përfaqësuesi i lartë. “Kjo do të thotë se qeveria duhet të merr përgjegjësi të plotë, dhe ZPL-ja gjithnjë e më shumë do të performojë si këshilltar, animator, ndihmës dhe mik i popullit dhe qeverisë së BiH. Pasi që BiH është duke përparuar në procesin e negociatave me BE-në në përputhje me Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit, ZPL-ja do të ndihmojë në këtë proces dhe do ta shoqërojë atë”.
Në praktikë, kjo kishte kuptimin e reduktimit të autorizimeve të CPL-së në minimum.
Me të vërtetë mandati i Schwarz-Schilling dhe qasja e tij pa vendimmarrje përkoi me ndryshime më të gjëra në arenën ndërkombëtare që janë ndjerë në BiH dhe në rajonin e përgjithshëm. Pas sulmeve terroriste kundër SHBA-së më 11 shtator, vëmendja e fuqive të mëdha botërore u zhvendos drejt shteteve lindore dhe luftërave të reja.
Prej emërimit të parë në 2011, Përfaqësuesi Special i BE-së ka qenë shumë më i pranishëm se ZPL-ja në publik.
Në këtë periudhë, Bashkimi Evropian u përfshi më shumë se SHBA-ja në BiH, përderisa SHBA-ja e kishte rolin primar në vendimmarrje pas luftës.
Schwarz-Schilling e shpjegoi qasjen e re në fillim të mandatit të tij duke thënë se synimi i tij ishte ta përgatitë terenin për “transferimin e kompetencave nga ZPL-ja te Zyra e Përfaqësuesit Special të BE-së”, organ i cili i raporton Këshillit të BE-së ku janë të pranishme të gjitha shtetet e BE-së.
Prej emërimit të parë në 2011, Përfaqësuesi Special i BE-së — që ka për detyrë “të punojë për ta forcuar mbështetjen politike për synimet e politikave të BE-së në BiH” dhe të jep “këshilla dhe mbështetje për institucionet në të gjitha nivelet e këtij procesi politik” — ka qenë shumë më i pranishëm se ZPL-ja në publik.
Por Bodo Weber i Këshillit për Politika të Demokratizimit thotë se evropianët e morrën me ngurrim rolin e zmadhuar të tyre në rajon.
Ai beson se BE-ja e mbështeti idenë që elitat politike lokale ishin mjaft të pjekura për t’i marrë përsipër përgjegjësitë e shtuara në vitin 2006, kryesisht për shkak se deshi të largohet nga angazhimi i kushtueshëm i shtet-ndërtimit në Ballkan.
“BE-ja më parë nuk e kishte përmbushur parakushtin thelbësor, që është modifikim i Marrëveshjes së Paqes, i cili ishte i projektuar si zgjidhje e përkohshme e afatit të shkurtër për ta ndalur luftën, dhe jo strukturë politike e afatit të gjatë”, thotë Weber.
Ish-Përfaqësuesi i Lartë Wolfgang Petritsch pajtohet se vet Marrëveshja e Paqes “ka qenë këpucë e papërshtatshme për rrugëtimin evropian të BiH për një kohë të gjatë”, dhe thotë se ishte e domosdoshme të zhvillohej një sistem që është në përputhje me standardet dhe vlerat evropiane.
“Por këtë nuk mund ta bëjnë as ZPL-ja, e as KZP-ja”, përfundon ai, duke shtuar se politikat lokale dhe ato të komunitetit ndërkombëtar, “posaçërisht të Brukselit”, kanë dështuar në ndërmarrjen e hapave të domosdoshme për reformimin e BiH.
Petritsch beson se puna e ZPL-së, nga themelimi i saj deri në ditët e sotme, mund të ndahet në dy pjesë: pjesa e suksesshme, e cila zgjati deri në 2006 dhe gjatë së cilës kishte progres me kthimin e refugjatëve, ndërtimin e institucioneve shtetërore dhe fuqizimin e sigurisë, dhe pjesa e dytë prej vitit 2006, të cilën ai e përshkruan si kohë të stagnimit.
"Anëtarët e kanë keqpërdorur këtë organ ndërkombëtar si fushëbetejë në Luftën e re të Ftohtë".
Wolfgang Petritsch
Gjatë kësaj periudhe të fundit, ai beson se janë dëmtuar sukseset e kaluara relative për shkak të angazhimit të reduktuar të SHBA-së dhe BE-së, si dhe keqësimit të marrëdhënieve ndërmjet KZP-së dhe anëtarëve të Komitetit Drejtues të saj — veçanërisht polarizimit ndërmjet Rusisë dhe shteteve perëndimore.
“Komiteti Drejtues i KZP-së është jofunksional dhe i bllokuar”, thotë Petritsch, i cili shpjegon se anëtarët e kanë keqpërdorur këtë organ ndërkombëtar “si fushëbetejë në Luftën e re të Ftohtë”.
Mungesa e angazhimit nga të dy palët e ka kthyer BiH-un në “një moçal për shkak të mungesës së vullnetit politik brenda BE-së dhe reduktimit të burimeve, si dhe forcimit të politikave etnike dhe nacionaliste të ndarjes brenda BiH”, thotë ai. “Përderisa çështja e Kosovës mund të zgjidhet pasi që ka vullnet politik në të dy anët, BiH me sa duket ka ngecur në një pozitë të palakmueshme, për të cilën nuk shoh zgjidhje të shpejtë”.
Ish-Përfaqësuesi i Lartë shpreson se do të gjindet shpejt një zgjidhje për problemin e Kosovës, pasi që ajo pastaj mund të përdoret për t’i vënë në lëvizje forcat në Uashington, Bruksel dhe BiH, për ta gjetur një zgjidhje për “problemin e mbetur nga Jugosllavia”.
Megjithatë, sa i përket rolit të ZPL-së, ai konkludon se ky organ është dashur të mbyllet para shumë kohe.
Edhe analiza e Këshillit për Politika të Demokratizimit konkludon se sistemi disfunksional i sotëm në BiH është pasojë e gabimeve të bëra në të kaluarën dhe thekson se kjo ka krijuar një vend të përshtatshëm për elita politike sunduese të cilat ndihen rehat me status kuonë, që bazohet në përjetësimin e tensioneve ndëretnike.
Por Weber mendon se roli i ZPL-së nuk do të shfuqizohet në të ardhmen e afërt, dhe thekson se ky organ shihet si rrjetë e sigurisë, në rast se diçka shkon keq në BiH. “Dorëheqja e Perëndimit nga autoriteti ekzekutiv para zbatimit të plotë të Marrëveshjes së Paqes Dayton apo para reformave gjithëpërfshirëse institucionale në BiH do të ishte një marrëzi”, thotë ai.
Megjithatë, pasi që këto janë larg realizimit, me sa duket ZPL-ja do të mbetet — të paktën në kuptimin teknik.
Direktiva për progres
Përfaqësuesi i Lartë aktual Valentin Inzko erdhi në BiH para 10 vitesh. Së fundmi, kabineti i tij lajmëroi se do të mbetet për dy vitet e ardhshme.
K2.0 bëri përpjekje për ta intervistuar Inzkon, por në një periudhë një muajshe, ai nuk gjeti kohën për t’iu përgjigjur pyetjeve në lidhje me rolin aktual të tij në ngjarjet politike.
Megjithatë, pas një muaji, nëpëmjet zyrës mediale të tij, ai i dha nëntë përgjigje për gjithsej 17 pyetjet e shtruara; ai refuzoi të fliste për rrogën e tij dhe atë se sa kalon kohë në BiH dhe sa në vendlindjen e tij në Austri gjatë vitit.
Mes tjerash, Inzko shkroi se KZP-ja i kishte dhënë direktiva të qarta autoriteteve në 2008 për atë se çfarë duhej të arrihej për ta mundësuar mbylljen e ZPL-së. Këto direktiva mund të gjinden në të ashtuquajturin “Program 5+2”, që i përfshin kushtet që duhet të përmbushen për ta zbatuar Marrëveshjen Dayton, dhe rrjedhimisht mandatin e ZPL-së.
Përfaqësuesi i Lartë aktual Valentin Inzko shpeshherë kritikohet nga gazetarët dhe komentuesit, por ai rrallëherë reagon ndaj kritikave. Foto nga ZPL.
Përfaqësuesi i Lartë theksoi se këto çështje i referohen ndarjes së pronës (përfshirë këtu pronat ushtarake) ndërmjet shtetit dhe instancave më të ulta të pushtetit, zbatimit të vendimit për Distriktin e Brçkos, qëndrueshmërisë fiskale, sundimit të ligjit, nënshkrimit të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit me BE-në, dhe vlerësimit pozitiv nga Komiteti Drejtues të KZP-së.
Pavarësisht kësaj, në një intervistë për mediat lokale, Inzko më parë ka thënë që nëse duan ta mbyllin ZPL-në, autoritetet e BE-së duhet të mos e kundërshtojnë Marrëveshjen e Paqes; ai po i drejtohej posaçërisht anëtarit serb të Presidencës së BiH, Milorad Dodik, dhe ish-anëtarit boshnjak të Presidencës, Bakir Izetbegović.
“Shumë liderë politikë në Bosnje dhe Hercegovinë janë më të interesuar të përfitojnë nga ndarjet e së kaluarës se të zbatojnë reforma të mirëfillta”, shkroi Inzko në përgjigjen e tij për K2.0.
Deri sa të ndryshojë kjo, aktivitetet e përfaqësuesit të lartë janë reduktuar kryesisht në aktivitete protokolare, që do të thotë se atë mund ta shohim ndonjëherë në koncerte apo ngjarje tjera kulturore në BiH.
“Jemi të bindur se koha për protektoratin e jashtëm të Bosnjes dhe Hercegovinës është në të kaluarën.”
Dmitry A. Polynsky, delegati rus në KSOKB
Ai gjithashtu merr pjesë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së — organi i cili e ka caktuar atë në këtë post — dy herë në vit për të raportuar për rrethanat në BiH.
Më 8 maj, ai e prezantoi raportin e tij të fundit, gjegjësisht raportin e tij të 55-të, nëpërmjet të cilit e dha një pasqyrë shumë të errët të Bosnjes dhe Hercegovinës së sotme.
Reagimet në Këshillin e Sigurimit të OKB-së ishin të ndara. Ambasadorët e Mbretërisë së Bashkuar dhe SHBA-së dhanë mbështetjen e tyre për ta filluar përsëri përdorimin e Fuqive Bonn, ndërsa përfaqësuesi rus e shpërfilli raportin e Inzkos duke e cilësuar si “aspak objektiv”, dhe argumentoi se ishte koha për t’i dhënë fund mandatit të ZPL-së.
“Jemi të bindur se koha për protektoratin e jashtëm të Bosnjes dhe Hercegovinës është në të kaluarën”, tha përfaqësuesi rus Dmitry A. Polynsky, i cili theksoi se kjo zyrë duhet të mbyllet dhe buxheti i saj të tërhiqet.
Duke folur për rezultatet në zyrën e tij, Inzko tha se nga fillimi i mandatit të tij në 2009, buxheti i ZPL është reduktuar për 53 përqind, buxheti i stafit është reduktuar për më shumë se 58 përqind, dhe se do të ketë reduktime të mëtejme. “Pa nivel të përshtatshëm të burimeve, mbetet i kufizuar kapaciteti për t’i përmbushur përgjegjësitë e mandatit tim, për ta zbatuar Marrëveshjen e Paqes Dayton dhe për t’i përmbushur kushtet për mbyllje”, tha inzko para Këshillit të Sigurimit.
Megjithatë, situata gjithnjë më e paqëndrueshme në vend ka bërë që shumë figura publike dhe media të kërkojnë publikisht një reagim nga zyra e tij. Reagimi zakonisht vjen nëpërmjet paraqitjeve në media apo kumtesave për shtyp — në rast se ka reagim.
Herën e fundit që komentoi publikisht ZPL-ja ishte pasi Dodik lajmëroi themelimin e njësitit policor rezervë në Republika Srpska, pas së cilit Izetbegović reagoi se Federata mund ta bëjë të njëjtën gjë.
Në këtë rast, zyra komentoi se nuk ka arsye për krijimin e njësiteve të tilla.
“Megjithatë, kur kemi parasysh faktin që procedura parlamentare është ende në vazhdim e sipër, i ftojmë zyrtarët e RS-së t’i drejtojnë me kohë të gjitha amendamentet për diskutim në mesin e akterëve vendorë dhe ndërkombëtarë, dhe ju kujtojmë se themelimi i njësiteve rezervë duhet të bëhet në përputhje me nevojat nën kompetencat e RS-së”, u tha në reagimin e zyrës.
“Qëndrimi juaj është variacion i mendimit të njohur të Sokratit: ‘Unë di se nuk di asgjë’, mendim ky i gdhendur në themelet e çatisë së filozofisë evropiane.”
Andrej Nikolaidis, autor
Autori i shquar Andrej Nikolaidis reagoi ndaj kësaj kumtese për shtyp duke publikuar një letër të hapur për Përfaqësuesin e Lartë në të cilën tha me sarkazëm se e sheh qëndrimin e shprehur nga ZPL-ja si “të balancuar, racional dhe thellësisht evropian”.
“T’ua bëjë të qartë atyre që nuk e kuptojnë: Qëndrimi juaj është variacion i mendimit të njohur të Sokratit: ‘Unë di se nuk di asgjë’, mendim ky i gdhendur në themelet e çatisë së filozofisë evropiane”, shkroi Nikolaidis.
“Ta përqeshësh qëndrimin tënd, që nuk din çfarë bën Milorad Dodik dhe pse, përderisa ti e din se nuk din, në thelb i bie ta përqeshësh jo vetëm politikën e jashtme perëndimore, eksponent i së cilës je ti, po edhe ta përqeshësh filozofinë perëndimore, përcjellës i së cilës je ti”, vazhdoi ai.
“Në fund të fundit, a nuk është thelbi i Bosnjes & Hercegovinës Daytoniane ajo që kurrë nuk bëhet e qartë për askënd se çfarë lloj budalle e sajoi një shtet të tillë, apo si funksionon madje një shtet i tillë? Nëse nuk është, atëherë e vërteta që përqeshja e qëndrimit tënd ‘nuk kuptoj’ është në thelb qëndrim anti-Daytonian? Siç është çdo qartësi thellësisht anti-Daytoniane, nëse më lejoni ta ceki”.
Në fillim të vitit, Përfaqësuesi i Lartë e morri edhe një letër të hapur nga “një grup i qytetarëve të BiH që jetojnë në SHBA”, siç e quajtën veten. Nëpërmjet saj, ata i thanë “mos na e fyej intelegjencën, bashkë me politikanët të cilët të lejojnë ta bësh këtë, dhe fillo ta kryesh punën tënde, në mënyrë të drejtë, ose tërhiqu nga dobësia apo për arsye morale”, dhe ia bënë thirrjen e njëjtë edhe përfaqësuesit special në BiH.
Asnjëra letër nuk morri përgjigje. Të paktën jo publikisht.
Ndërkohë, portat në hyrje të ndërtesës ku gjindet Zyra e Përfaqësuesit të Lartë mbeten të mbyllura, e një polic i armatosur qëndron para saj, dhe personeli i sigurimit prapa xhamit të blinduar.
Çfarë po ndodh brenda mbetet fshehtësi për shumicën dërrmuese të njerëzve që jetojnë në BiH.K
High Representatives & Bonn Powers decisions
-
Carl Bild, Suedi (dhjetor 1995 - qershor 1997) - mandati para hyrjes në fuqi të Fuqive Bonn
-
Carlos Westendorp, Spanjë (qershor 1997 - korrik 1999) - 80 vendime
-
Wolfgang Petritsch, Austri (gusht 1999 - maj 2002) - 242 vendime
-
Paddy Ashdown, Mbretëria e Bashkuar (maj 2002 - janar 2006) - 430 vendime
-
Christian Schwarz-Schilling, Gjermani (janar 2006 - korrik 2007) - 66 vendime
-
Miroslav Lajčak, Sllovaki (korrik 2007 - mars 2009) - 30 vendime
-
Valentin Inzko, Austri (mars 2009 - aktualisht) - 50 vendime
Foto kryesore: Nidžara Ahmetašević / K2.0.