Pikëpamje | Gjinia

Rreth baballarëve dhe patriarkëve

Nga - 19.04.2023

A mund të bëhet baba i mirë, një djalë që rritet në një mjedis patriarkal?

Një debat politik lidhur me lirinë riprodhuese dhe fertilizimin e asistuar u zhvillua në Kuvendin e Kosovës në mes të marsit, pasi u prezantua një projektligj i ri për shëndet riprodhues dhe fertilizim të asistuar mjekësor. Nënkryetarja e kuvendit, Saranda Bogujevci, e cila vetë është shtatzënë dhe e pamartuar, tha se gratë duhet të kenë mundësinë të marrin vendime të pavarura rreth prindërimit. Ato duhet t’i besojnë shkencës.

“Unë, përderisa nuk e kam pasë mundësinë të jem në një lidhje martesore […] kam dashtë me u ba nanë”, tha Bogujevci në Kuvend. “Për mua ka qenë me rëndësi çfarë ka ofruar shkenca për me ma mundësu atë të drejtë e jo me ma determinu një burrë… që unë duhet medoemos ta kem një burrë […] për t’u bërë nënë”.

Fjalimi i saj ishte përgjigje ndaj kolegut të saj burrë nga Vetëvendosje, Eman Rrahmani, i cili paralajmëroi për rreziqet që lejimi i “grave të pamartuara” për të pasur fëmijë nga një donator do të ketë për vlerat tradicionale të familjes. Disa ditë më vonë, në njërin nga debatet televizive në primetime të Kosovës, dy imamëve (mendimet e të cilëve vlerësohen shumë në medie) iu dha rasti ta kritikojnë Bogujevcin dhe projektligjin. Njëri nga imamët ishte veçanërisht i shqetësuar se lejimi i grave beqare të kenë fëmijë nga një donator ishte veprim egoist, që do t’i privonte fëmijët nga baballarët dhe do ta shkatërronte familjen bërthamore.

Ky lloj glorifikimi i roleve të baballarëve në jetën e fëmijëve më bëri të qesh. Me sa duket, nëse një grua zgjedh të ushtrojë autonomi të plotë dhe të marrë përgjegjësinë për t’u bërë prind i vetëm, ajo po i bën dëm fëmijës duke ia mohuar mundësinë të ketë baba. Kjo gjë i panikoi burrat. “Po babai?!”

Njëmend është pyetje e vlefshme. Por më përpara do të përpiqesha t’i përgjigjem një pyetjeje tjetër. A do të mund të bëhen ndonjëherë baballarë të mirë, burrat e rritur në mjedise patriarkale?

Së pari dhe më e rëndësishmja, nuk mund të flasim për atësinë pa e marrë parasysh faktin se si normat mbizotëruese shoqërore formësojnë kulturën mashkullore dhe tendencat e dhunshme.

Duke i admiruar për seksin e tyre qysh përpara se të lindin, djemtë vijnë në botë me ndjenjën e së drejtës. Organet e tyre gjenitale festohen me festa të shtrenjta dhe ekstravagante të synetisë. Si të vegjël, atyre u ofrohen lodra ushtarake për të luajtur dhe arsyetohen kur përdorin gjuhë ofenduese. Djemtë janë djem, na thonë.

Nga femicidi deri te rastet e përditshme të dhunës në familje, baballarët kanë shkaktuar dhimbje të pamasë në familjet tona. Baballarët u kanë marrë jetën nënave të fëmijëve të tyre, kanë ndarë familjet, kanë shkaktuar dëme të jashtëzakonshme emocionale te fëmijët dhe anëtarët e tjerë të familjes. Baballarët janë po ashtu doras të shpeshtë të dhunës ekonomike. Gratë shpesh duhet të ballafaqohen me ish-bashkëshortët e tyre, që refuzojnë ta paguajnë alimentacionin. Herëve të tjera prona e tyre u merret gjatë shkurorëzimit. Si rrjedhojë, këto gra mbeten të pastreha dhe të varfra. Burrat që kryejnë këto akte janë po ashtu baballarë.

Djemtë që rriten dhe socializohen në një mjedis të dominuar nga patriarkia dhe ku mizogjinia është normë, kanë pak gjasa për t'u bërë baballarë të mirë.

Një baba që dhunon dhe nuk respekton nënën e fëmijëve të tij (dhe gratë në përgjithësi), s’mund të jetë një baba i mirë. Mënyra se si një baba e trajton nënën e fëmijëve të tij ka rëndësi të madhe. E megjithatë, hulumtimet tregojnë se përdhunimi bashkëshortor është jashtëzakonisht i zakonshëm në Kosovë dhe se gjykatat, si dhe shoqëria në përgjithësi, dështojnë t’i mbrojnë nënat. Edhe aty ku nuk ka dhunë fizike, rolet e pabarabarta gjinore në martesë riprodhojnë modele shtypëse.

Djemtë që rriten dhe socializohen në një mjedis që mbizotërohet nga patriarkia dhe ku mizogjinia është normë, kanë pak gjasa të bëhen baballarë të mirë. Patriarkati i ushqen djemtë dhe burrat me agresion, me ndjenjën se u takon gjithçka dhe me shkëputje emocionale — e kundërta me cilësitë, që lidhen me prindërimin e përgjegjshëm.

Të jesh prind i përgjegjshëm/me do të thotë të duash pa kushte, t’i vendosësh të tjerët në radhë të parë dhe të sakrifikosh për fëmijët. Marrë parasysh fuqinë e rendit patriarkal, cilësi të tilla janë të rralla tek burrat, e prapëseprapë baballarët vazhdojnë ta shijojnë status quo-në dhe një shoqëri që i përkëdhelë.

Ideali i atësisë që imamët nëpër televizione duan ta mbrojnë kaq dëshpërimisht dhe të cilin shumica e shoqërisë duket se e mbështet, është në rrënjë konstrukt patriarkal që i dëmton gratë.

Një burrë patriarkal nuk mund të jetë baba i mirë, sepse ai nuk jep kujdesin, respektin, punën emocionale dhe përpjekjet që ne i vendosim tërësisht mbi supet e nënave.

Për ta frymëzuar një kulturë të re të baballarëve, duhet të kërkojmë kulturë të re të burrave — burra që qëllimisht heqin dorë nga privilegjet e bartura ndër breza, të cilët zgjedhin të heqin dorë nga edukimi i tyre patriarkal dhe të marrin përgjegjësi të plotë për sjelljen e tyre. Një kulturë e tillë mund të shfaqet vetëm përmes një sistemi arsimor të përgjegjshëm, shërbimeve të shëndetit mendor dhe një sistem të përmirësuar të drejtësisë.

Derisa t’ia dalim t’i afrohemi ndërtimit të një sistemi të tillë, duhet të ndalojmë së admiruari figurën e babait biologjik dhe të sigurohemi që gratë ta kenë mundësinë të krijojnë lidhje me shkencën.

Imazhi i ballinës: K2.0

Përmbajtja e këtij artikulli është përgjegjësi vetëm e K2.0. Pikëpamjet e shprehura në të janë të autorit/es dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht pikëpamjet e K2.0.

A jeni kurreshtarë ta dini se si financohet gazetaria që prodhojmë? Klikoni këtu për të mësuar më shumë.