Marko është 37 vjeç. Ai ka sklerozë të shumëfishtë (MS), një sëmundje autoimune që ndikon tek sistemi nervor qendror. Mjekësia bashkëkohore nuk e njeh shkaktarin e tij dhe ende nuk është gjetur një shërim i tërësishëm.
I diagnostikuar me MS para shtatë vitesh, ai filloi ta përdorë vajin e kanabisit para katër vitesh.
“I hulumtova mënyrat se si mund ta lehtësoja krejt vet gjendjen time kronike kur e kuptova që medikamentet që i kisha nuk ishin në përputhje me ato që m’i kishin parashkruar”, tregon Marko për K2.0, duke i shpjeguar vështirësitë me të cilat u ballafaqua deri sa po trajtohej në një prej spitaleve shtetërore të Serbisë.
Medikamentet e parashkruara nuk mund t’i merrte në Serbi në atë kohë. Atij i ofruan një medikament zëvendësues, por ai u lodh nga efektet anësore të këtij ilaçi – ethe, lodhje dhe dhimbje të muskujve – kështu që vendosi të kërkojë një alternativë.
Marko ishte “një prej atyre me fat” që arritën të gjenin trajtim. MS Platform Serbia, një shoqatë që i bashkon njerëzit që vuajnë nga MS, familjet e tyre dhe profesionistët mjekësorë, thekson se vetëm 12 përqind të njerëzve me këtë sëmundje marrin trajtim në Serbi. Tjerët janë në listë të pritjes, ku mund t’i kalojnë 10 deri në 15 vjet. Disa prej tyre kurrë nuk marrin mjekim.
“Kur vendosa ta ndryshoja tretmanin, u desha të shtyhesha me mjekun tim”, shpjegon ai. “Dukej se po donin të ma jepnin një tretman të cilin po e refuzoja”.
Ai thotë se mjeku i tij fillimisht kundërshtoi vendimin e Markos për të mos marrë ilaçe interferon (ilaçe imunorregullatore që përdoren për ta trajtuar një spektër të gjerë të sëmundjeve – në Serbi janë në dispozicion vetëm interferonët e gjeneratës së parë dhe të dytë).
“Duke e parë se si u përmirësua gjendja ime duke përdorur CBD, mjeku më mbështeti”, thotë Marko. “Sëmundja ime nuk mund të lehtësohej nga THC, substanca psikoaktive që gjindet në bimën e kanabisit”, thotë Marko.
“Më ndihmon shumë me ngërçe, më redukton lodhjen dhe e bën më të lehtë për mua në përgjithësi”, pretendon ai dhe thotë se fillimisht vajin ia blente miku i tij jashtë vendit. I kushton 250-300 euro në muaj për të blerë CBD.
Siç ndodh me plot njerëz të diagnostikuar me sklerozë të shumëfishtë në rajon, Marko detyrohet ta bëjë vetë vajin që i ndihmon shumë të ballafaqohet me sëmundjen e tij. Foto: K2.0.
“Për mua burimi i vetëm i të hyrave është pensioni për aftësi të kufizuar që është vetëm pak më shumë se 100 euro në muaj”, thotë ai. Marko jeton me prindërit e tij dhe zbulon që fillimisht nuk ishte në pozitë për ta blerë sasinë mujore të vajit CBD që i duhet.
“Pastaj gradualisht bëra më shumë hulumtime dhe mësova si ta bëjë vet. Tani i shpenzoj rreth 100 euro çdo muaj, por deri sa erdha te kjo ide dhe e arrita qëndrueshmërinë financiare… nuk ishte lehtë”, thotë Marko.
Përdorim mjekësor e jo rekreativ
Sipas të dhënave të marra prej asociacioneve të ndryshme dhe regjistrave të spitaleve, janë rreth 9,000 njerëz me MS në Serbi, rreth 3,000 në Bosnje dhe Hercegovinë, ndërsa Maqedonia e Veriut i ka 995 raste të tilla në maj 2005. Në Kroaci, ku nuk ka zyre kombëtare për regjistrim të rasteve të MS, nuk ka shifra të sakta për numrin e njerëzve të diagnostikuar me këtë sëmundje autoimune.
Në secilin prej shteteve të lartpërmendura, asnjë medikament i bazuar në kanabis nuk është në dispozicion për t’u blerë në mënyrë të ligjshme. Megjithatë, aktivistët për legalizim nga anembanë rajoni e kanë ngritur zërin për këtë kauzë.
Përdorimi i kanabisit për qëllime mjekësore aktualisht është i ligjshëm në 21 shtete, e një prej shteteve më të reja në këtë listë është Maqedonia e Veriut.
Marko mund ta blejë bimën të cilën e përdorë për ta prodhuar vajin CBD më lehtë, për shkak se CBD mund të ekstraktohet nga bima e kërpit industrial që rritet në mëyrë të ligjshme anembanë rajonit dhe në plot shtete tjera.
Në janar të këtij viti, drejtori i Organizatës Botërore të Shëndetit (OBSh) ia shkruajti një letër të hapur Sekretarit të Përgjithshëm të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, në të cilën këshilloi që kanabisi të largohet nga lista e narkotikëve. Në përputhje me Konventën e Vetme për Droga Narkotike, kanabisi dhe substancat që lidhen me kanabisin u klasifikuan si narkotikë në 1961, kur u etiketuan si “substanca të dëmshme me dobi të kufizuara mjekësore”.
Përfaqësuesit e OBSh-së pretendojnë se një klasifikim i tillë “e kufizon shumë qasjen në këtë bimë dhe sferën e hulumtimit në lidhje me përdorimet e mundshme terapeutike të saj”.
Rekomandimi i drejtorit të OBSh-së u rishikua në seancën e Komisionit të OKB-së për Droga Narkotike që u mbajt në mars 2019, por votimi i Asamblesë së Përgjithshme mbi këtë propozim u shtye. Përfundimi i tyre ishte që tepër herët ishte të votohet për këtë çështje: Shtetet anëtare kanë nevojë për më shumë kohë për ta konsideruar rekomandimin para se ta vendosin në votim.
Përdorimi i kanabisit për qëllime mjekësore aktualisht është i ligjshëm në 21 shtete, e një prej shteteve më të reja në këtë listë është Maqedonia e Veriut, si dhe 33 shtete të SHBA-së. Në disa shtete të BE-së – përfshirë këtu Francën dhe Estoninë, ku përdorimi mjekësor i kanabisit ende është i ndaluar – disa medikamente të caktuara që janë të bazuara në kanabis janë në dispozicion për t’u blerë me parashkresë speciale mjekësore.
Ndërkohë, disa dyqane të Maqedonisë së Veriut tani ofrojnë ujë “Relax+Cannabis” të prodhuar nga kompania e pijeve joalkoolike Gorska Voda. Kjo pije kushton më pak se 1 euro, siç raportoi TV Nova.
Paketimi thotë se produkti përmbanë një “ekstrakt të farës së kanabisit me disa fryte”. Nuk ka shpjegim për atë se a përmban CBD dhe THC dhe, nëse po, në çfarë sasie.
Gorska Voda nuk i është përgjigjur pyetjeve të K2.0 në lidhje me përmbajtjen e këtij “ekstrakti të kanabisit me disa fryte”, e gjithashtu nuk kanë dhënë informata për atë se a është e regjistruar si shtojcë dietale apo si ujë i thjeshtë në shishe.
“Drejtori i kompanisë “Koding – Gorska Voda DOOEL” është Goran Todorov, i cili shërben gjithashtu si president i bordit të Lidhjes Socialdemokrate (SDSM) në qytezën Kavadarci (lideri i partisë është Zoran Zaev).
Vitin e kaluar, kompania e mori një grant në vlerë 296,000 euro nga Fondi i Inovacionit për qëllime të “krijimit të etiketës, dizajnit dhe paketimit të ri për ujin me aloe vera dhe qershi acerola” e prandaj mediumet pro-qeveritare i shkruan disa artikuj në vitin 2018 ku pretenduan se zyrtarët e SDSM-së po marrin para nga Fondi i Inovacionit.
Superfuqia e kanabisit në Ballkan
Në vitin 2016, Maqedonia e Veriut u bë shteti i parë në rajon që e legalizoi përdorimin e kanabisit për qëllime mjekësore. Sipas amendamenteve aktuale të Ligjit për Kontrollin e Narkotikëve dhe Substancave Psikotropike, prodhuesit duhet të kenë leje nga Ministria e Shëndetësisë.
Këtë verë, një vizitë nga Mike Straumietis – një multimilioner i cili ka bërë pasuri të madhe me tregti të kanabisit – e solli këtë çështje në vëmendjen publike. Më specifikisht, ai është pronar i Advanced Nutrients – një prej kompanive më të mëdha të prodhimit të shtojcave të kanabisit – e kështu e morri nofkën “Doni Amerikan”.
Straumietis e postoi një fotografi në profilin e tij në Instagram në të cilën paraqitet me kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev. Në përshkrim ai shkroi se “ky shtet [Maqedonia e Veriut] ka potencial të madh për t’u bërë një nga Superfuqitë e Kanabisit”.
Qeveria e Maqedonisë së Veriut nuk e kishte lajmëruar paraprakisht vizitën. Më pas ata shpjeguan se nuk janë të obliguar ta informojnë publikun çdo ditë për të gjitha takimet.
Progres pati edhe në Kroaci, ku edhe kultivimi i kërpit industrial është i ndaluar me ligj (jo si në Serbi, ku autoritetet pritet ta deliberalizojnë rritjen e kanabisit për qëllime industriale). Megjithatë, amendamentet e Ligjit për Kundërshtimin e Abuzimit të Drogës hynë në fuqi në maj, duke ua mundësuar prodhuesve kroatë të farmaceutikëve ta rrisin këtë bimë me leje nga Agjencia Kroate për Ilaçe dhe Produkte Mjekësore (HALMED).
Sipas zyrtarëve të tyre, HALMED duhet të lëshojë autorizime për prodhim në përputhje me rregullat e procedurës së MInistrisë së Shëndetësisë. Por ato ende nuk janë miratuar.
Poashtu, HALMED ka konfirmuar se asnjë leje për prodhimin e kanabisit mjekësor nuk është lëshuar në Kroaci deri sot.
Ndërkohë, në Serbi – ku kultivimi i kanabisit industrial është i ligjshëm tash e disa vite – qëndrimi ndaj kësaj bime po ndryshon në drejtimin e kundërt. Në korrik, Komisioni për Substanca të Kontrolluara Psikoaktive, që u themelua para një viti, e arriti një konkludim të bazuar në një analizë nga profesori i Fakultetit të Kimisë, Milovan Ivanović – i cili pretendon se CBD-ja është substancë psikoaktive. Është një lëvizje që mund ta rrezikojë prodhimin e kërpit për qëllime industriale.
Komisioni konkludoi se “substanca kimike CBD nuk mund të prodhohet, blehet, shitet apo importohet/eksportohet në territorin e Serbisë”, dhe shtoi se “kultivimi i kërpit (Cannabis sativa), importi apo eksporti që ka për synim prodhimin ndërkombëtar apo vendor të CBD-së, duhet të ndalohet”.
Fushata e vrullshme për legalizim në Bosnje dhe Hercegovinë
Në kontrast me këtë, OBSh-ja insiston që CBD-ja dhe produktet që përmbajtje të THC-së më të vogël se 0.2 përqind (përbërësit psikoaktivë të kanabisit) nuk janë pjesë e kategorisë së substancave psikoaktive.
“Ne e mbështesim legalizimin sepse vaji CBD nuk duhet të zihet në tenxhere”, theksojnë anëtarët e organizatës bëmirëse Konoplja (HUK). Shoqata i bën bashkë prodhuesit e kanabisit që avokojnë për legalizim.
“Ne mbështesim legalizimin vetëm për qëllime mjekësore; me fjalë tjera, ne jemi të mendimit që [kanabisi] duhet të jetë në dispozicion për t’u blerë me parashkresa mjekësore.”
Omer Isović, presidenti i asociacionit "Zmajevo Srce"
HUK thotë se ata avokojnë për legalizimin e kanabisit mjekësor, por jo për legalizim të plotë, si në Holandë, Uruguai dhe Republikën Çeke.
“Përfundimi i Komisionit mund ta dëmtojë prodhimin industrial”, shpjegojnë përfaqësuesit e HUK, qëndrimi zyrtar i të cilëve është që bima e kërpit është “material ndërtimor, tekstil dhe ilaç”.
Pikëpamje të ngjashme kanë shprehur aktivistët e angazhuar në Zmajevo Srce, një shoqatë e bazuar në Tuzla.
“Ne mbështesim legalizimin vetëm për qëllime mjekësore; me fjalë tjera, ne jemi të mendimit që [kanabisi] duhet të jetë në dispozicion për t’u blerë me parashkresa mjekësore. Në asnjë mënyrë nuk duam të jetë e ligjshme të pihet bari në kafene”, thotë Omer Isović, presidenti i asociacionit.
Në korrik, Zmajevo Srce morri iniciativën që një grup i shoqatave që i përfaqësojnë njerëzit me sëmundje të ndryshme anembanë vendit t’ia dërgojnë një letër të hapur qeverisë së Federatës [së Bosnjes dhe Hercegovinës] dhe Këshillit të Ministrave të Bosnjes dhe Hercegovinës. Në këtë letër, ata bëjnë thirrje për një diskutim për legalizimin e kanabisit mjekësor.
“Me sa duket jemi në pozitën më të keqe në futboll dhe basketboll, por a duhet të jetë njëjtë sa i përket trajtimit mjekësor?” i pyesin këta njerëz autoritetet.
Në fillim të shtatorit, Saša Magazinović – një deputete e Partisë Social Demokrate në Shtëpinë e Përfaqësuesve të Asamblesë Parlamentare të Bosnjes dhe Hercegovinës – lajmëroi lansimin e nismës për legalizimin e kanabisit mjekësor. Më 24 tetor, një tubim i titulluar “Më mirë të gjallë e kundër ligjit, se ligjërisht të vdekur” u mbajt në Sarajevë, e disa ditë më vonë Magazinović u takua me ministrin për shëndetësi dhe mirëqenie sociale të Republika Srpska, Alen Šeranić
“Jemi pajtuar të punojmë për ta gjetur modelin që është më efikas dhe juridikisht i padiskutueshëm, duke pasur parasysh që qytetarëve që janë diagnostikuar me sëmundje të rënda nuk u intereson se si e realizojmë legalizimin e këtyre medikamenteve”, shkroi Magazinović në një postim në Facebook pas takimit, ku vazhdon të theksojë se “tepër kohë ka kaluar deri sa gjendjet e këtyre njerëzve janë përkeqësuar deri në një pikë prej ku nuk ka kthim mbrapa. Disa prej tyre janë detyruar të bëhen kriminelë për ta përmirësuar gjendjen shëndetësore”.
“Magazinović na kontaktoi pas letrës së hapur. Ai avokoi për kauzën tonë si një individ i cili është në një pozitë prej së cilës mund t’i flet nivelit federal”, shpjegon Isović dhe shton se shoqata e tij ka folur me anëtarë të disa partive politike – nuk përmend emra – dhe të gjithë i kanë premtuar që do t’i ofrojnë mbështetje për nismën, të paktën për tani.
“Plani jonë është të punojmë nga nivelet më të ulëta qeveritare në drejtim të niveleve më të larta e në fund të arrijmë legjislacionin kombëtar”, thotë Isović për qasjen e tyre. “Jam i sigurt që mund ta realizojmë këtë synim së shpejti – në gjashtë muajt e ardhshëm – sepse veç se është një projekt amendament për Ligjin për Parandalimin dhe Shtypjen e Abuzimit të Drogave Narkotike”, tha Magazinović.
Nedimi - një person me artrit psoriatik nga Bosnja dhe Hercegovina - zbulon se i duhen 400 deri në 600 euro në muaj për vaj CBD të cilin e merr në tregun e zi.
Amendamenti u projektua nga Komiteti Ndërdikasterial për Luftimin e Drogave Narkotike më herët gjatë vitit. K2.0 bëri përpjekje për të mësuar më shumë për atë se pse ky projekt amendament nuk është dërguar për diskutim në Këshillin e Ministrave (e pas kësaj për votim në Asamblenë Parlamentare) dhe se a do të ketë amendamente tjera, por Komiteti nuk dha përgjigje për këto pyetje.
“Jam i shumë i nervozuar nga fakti që një numër i madh i njerëzve në shtetin tonë nuk mund të marrin trajtim mjekësor dhe nuk i kemi as shifrat e sakta për atë se sa njerëz të tillë janë”, thotë Isović. “I njohim këto raste, i njohim ata që kanë përdorur kanabis dhe u ka ndihmuar. Pse të mos i japim ilaç popullit?” e pyet ai vetën.
Ndonëse shishka e vajit të CBD-së që e përdorë Marko për t’i lehtësuar simptomet e MS i kushton rreth 250 euro në muaj në Serbi, Nedimi – një person me artrit psoriatik nga Bosnja dhe Hercegovina – zbulon se i duhen 400 deri në 600 euro në muaj për vaj CBD të cilin e merr në tregun e zi.
Përveç kësaj, ai shpjegon se kualiteti i produktit dallon shumë në tregun e zi, duke shtuar se nuk ka furnizues të sigurtë.
“Nuk dua të jem në këtë pozitë ku duhet ta thejë ligjin, ku më mashtrojnë”, thekson Nedimi duke shpresuar që kanabisi do të legalizohet me kohë për qëllime mjekësore. “Jam një person që është lënduar për këtë vend tri herë dhe tani një ministër nuk më len të marr trajtim”, thotë ai, duke iu referuar faktit që kishte qenë ushtar gjatë luftës në Bosnje dhe Hercegovinë.
Në studimet e saj, OBSh nuk i mohon efektet negative të konsumimit të kanabisit, përfshirë këtu dëmtimin e funksioneve kognitive dhe motorike tek njerëzit e shëndoshë.
Megjithatë, sa i përket sëmundjeve si astma, glaukoma, skleroza e shumëfishtë dhe sëmundje tjera kronike, OBSh thekson një gjetje se trajtimi me kanabis prodhon rezultate pozitive. Duhet të ceket se për këtë çështje ende nuk janë kryer hulumtime në shkallë globale.
Shtetet anëtare të OKB-së nuk kanë presion nga e vetmja organizatë ombrellë e cila ka mundësi të lëshojë një rekomandim në nivel ndërkombëtar. Si rrjedhojë e kësaj, kanabisi mjekësor mbetet i jashtëligjshëm në shumicën e shteteve. Në rajonin e Ballkanit, dënimi për posedimin e produkteve të bazuara në kanabis në tregun e zi është tre deri në pesë vjet burg.K
Foto kryesore: K2.0.