Në dy javët e fundit janë rikthyer akuzat ndaj menaxhmentit të Radiotelevizionit Publik të Kosovës (RTK) për avancime të supozuara të parregullta dhe censurë. Kësaj radhe, në një letër të hapur, më 11 gusht, nëntë gazetarë të RTK-së kanë shprehur pakënaqësinë ndaj menaxhmentit, që sipas tyre vjen si pasojë e diskriminimit të vazhdueshëm në redaksinë e lajmeve.
Grupi i gazetarëve (Ardita Sylejmani, Arton Mulliqi, Fazli Veliu, Gentiana Kelmendi, Jehona Zhitia, Leonora Berbatovci, Valjeta Kosumi, Visar Krasniqi dhe Zenel Hajrizi) kanë pohuar që menaxhmenti i RTK-së nuk ka treguar gatitshmëri të trajtojë ankesat e tyre që ndërlidhen me avancime, si dhe trajtim të barabartë në rastet sikurse është selektimi i vetëm disa gazetarëve për të përcjellë agjendat politike të krerëve të shtetit jashtë vendit.
Gazetarët kanë shkruar që ata kanë kërkuar që të bëhet vlerësimi i punës sipas rregulloreve të brendshme të RTK-së, që sipas tyre nuk ka ndodhur për disa vite radhazi. Sipas raportimeve, gazetarët ishin veçanërisht të pakënaqur me një avancim të fundit të një redaktori të lajmeve, për çka ata besojnë se përbën një prej këtyre shkeljeve.
Në fakt i pari që kishte bërë publike përplasjet mes gazetarëve dhe menaxhmentetit të RTK-së ishte vet kreu i televizionit. Më 10 gusht, drejtori i përgjithshëm i RTK-së, Ngadhnjim Kastrati kishte shkruar në Facebook që një grup i gazetarëve ‘të ndikuar politikisht … në kohën kur po pritet të ketë zgjedhje në Kosovë’, po kërkojnë destabilizmin e RTK-së.
Sipas gazetarëve debati i brendshëm u bë publik me qëllimin për t’i frikësuar ata.
Ai ka shtuar se RTK funksionon sipas ligjit dhe rregulloreve të brendshme, në bazë të cilave janë bërë të gjitha avancimet. Sipas Kastratit të njëjtat rregullore janë aplikuar kur është bërë avancimi i redaktorit të lajmeve.
“Të njëjtit [nëntë gazetarët] janë vlerësuar dhe 7 prej tyre janë avancuar, por jo në pozitën e redaktorit”, ka shkruar Kastrati. “Pra, nuk kemi pasë nevojë që për një moment dhomës së lajmeve ti shtohen 9 redaktorë. Kërkesë e tyre e fundit ka qenë sistemimi në sektorë tjerë. Dmth bëhet fjalë për kërkesë për sistemim të cilën e kam aprovuar”.
Në letrën reaguse si kundërpërgjigje ndaj Kastratit, gazetarët i kanë cilësuar këto deklarata si të pasakta, dhe sipas tyre vlerësimet dhe rekomandimet për avancim, të bëra nga eprori i tyre dhe të nënshkruara nga ata, gjenden nëpër sirtarë të menaxhmentit.
Gazetarët kanë cilësuar që pikërisht bërja publike e debatit të brendshëm ishte bërë për t’i frikësuar ata.
“Fillimisht ju sqarojmë se këtë problem, tash e më shumë se dy muaj kemi qenë dhe jemi të interesuar ta zgjidhim brenda institucionit ku ne punojmë. Në këtë kuadër edhe kemi shprehur shqetësimet tona brenda mekanizmave institucionalë të RTK-së”, shkruan në letrën publike të nëntë gazetarëve. “Dalja në media e këtij problemi është bërë me qëllim të keq, për të na linçuar, etiketuar, frikësuar e shantazhuar publikisht, duke na quajtur si ‘të pakënaqur’, e madje nga disa media duke u cilësuar “puçistë”.
Gazetarët kanë shtuar se etiketimet e bëra nga drejtori i RTK-së, që pakënaqësitë e tyre kanë ngjyrime politike, janë bërë me qëllim të denigrimit të tyre profesional.
“Këto e dëmtojnë rëndë integritetin tonë personal e profesional, e po ashtu edhe pavarësinë editoriale të RTK-së”, thuhet në letër. “Ne nuk jemi e as nuk pranojmë të jemi pjesë e agjendave politike”.
AGK theksoi se kjo është tejet shqetësuese dhe kërkoi nga menaxhmenti të distancohet menjëherë nga cilësimet e tilla.
Për të marrë më shumë informata lidhur me të gjithë zhvillimet që po ndodhin brenda RTK-së, K2.0 ka dërguar pyetje drejtuar drejtorit të RTK-së, por nuk ka marrë përgjigje.
K2.0 po ashtu ka kontaktuar nëntë gazetarët të cilët nuk kanë dashur të komentojnë më shumë, pos asaj që kanë shkruar në reagimin e tyre publik drejtuar mediave.
Ndërkohë për debatin në mes mebaxhmentit të RTK-së dhe gazetarëve kanë reaguar Asociacion i Gazetarëve të Kosovës (AGK) dhe Sindikata e Pavarur e RTK-së.
AGK në reagimin e tyre ishte shprehur se është tejet e shqetësuar me cilësimet e gazetarëve të pakënaqur si “gazetarë politikë” dhe ka kërkuar nga menaxhmenti i RTK-së të distancohet menjëherë nga cilësimet e tilla.
Ndërsa kryetari i Sindikatës së Pavarur, Fadil Hoxha ndërmjet një postimi ka shkruar se shqetësimet e gazetarëve duhet të merren parasysh dhe duhet të ndalohet avancimi i njerzëve të gabuar në pozita udhëheqëse.
E po ashtu për këtë rast ka reaguar juristja e së drejtës së mediave, Flutura Kusari e cila gazetarët i ka cilësuar si sinjalizues dhe ata si të tillë gëzojnë të drejtë mbrojtjeje.
“Gazetarët e RTK-së të cilët këto ditë janë duke raportuar parregullësitë dhe censurën e tmerrshme dhe frikësuese brenda RTK-së janë sinjalizues dhe gëzojnë mbrojtje”, shkroi Kusari. “Praktikisht, kjo mbrojtje do të thotë që askush nuk ka të drejtë të fillojë procedura disiplinore ose penale ndaj tyre”.
Jo një çështje e re
Në fakt, RTK-në e përcjell një histori e gjatë e të kritikuarit në raport me vendimet e menaxhmentit të Transmetuesit Publik që shpesh nga kritikuesit janë parë si ndërhyrje në pavarësinë editoriale.
Në një raport të 2018-shit për Treguesit e nivelit të lirisë së mediave dhe sigurisë së gazetarëve në Kosovë theksohen “punësimet e pakontrolluara”, të lidhura me nepotizëm të skajshëm.
RTK-ja këtë vit ishte ballafaquar edhe me kritika për mënyrën e përzgjedhjes së drejtorit të saj nga Sindikata e Pavarur. Kjo e fundit ka theksuar që ka pasur parregullësi në proces dhe i është drejtuar Gjykatës Themelore në Prishtinë, ku ka dorëzuar padi ndaj bordit. Ngjajshëm në 2015, pas një reagimi publik të ngjashëm më këtë të fundit, 12 redaktorë kishin mbajtur një protestë për të kundërshtuar emërimin e Lorik Arifajt dhe drejtorit të sotëm, Ngadhnjim Kastratit, në pozitat e kryeredaktorëve në RTK1 dhe RTK3.
“Ne nuk pajtohemi me këtë vendim, pasi në vazhdimësi jemi përballur me presion, censurë dhe propagandë të implementuar nga këta dy individë, të cilët konsiderojmë se kanë dëmtuar imazhin e RTK-së si transmetues i pavarur publik,” thuhej në reagim.
Një nga kritikat kryesore që e përcjellë RTK-në që një kohë të gjatë kanë të bëjnë me intervimet politike në politikat redaktoriale të Transmetuesit Publik që vinë direkt nga pushteti, e në vecanti Partia Demokratike e Kosovës (PDK). Për shembull, në vitin 2013 ka pasur reagime të ashpëra nga ana përfaqësues të mediave dhe pjestarë të shoqërisë civile pasi që RTK kishte transmetuar për dy orë drejtpërdrejt Koventën e PDK-së.
“RTK është televizon i kapur dhe i kontrolluar nga Partia Demokratike e Kosovës, duke mos përjashtuar edhe disa parti të tjera”.
Flutra Kusari, juriste e së drejtës së mediave.
Në Raportin e fundit të Progresit për Kosovën thuhet se Transmetuesi Publik duhet të pavarësohet financiarisht nga buxheti i shtetit që të funksionoj si duhet dhe pa u ndikuar politikisht.
Për Kusarin ndikimi politik mbi RTK-në vazhdon të mbetët po i njëjtë.
“RTK është televizon i kapur dhe i kontrolluar nga Partia Demokratike e Kosovës, duke mos përjashtuar edhe disa parti të tjera”, thotë Kusari për K2.0.
Ajo kujton dhe rastin kur në Janar të këtij viti, gazetari Nebih Maxhuni kishte publikuar disa mesazhe të cilat dëshmonin se zyra e presidentit Hashim Thaçi, ndërmjet këshilltarit Adil Behramaj kishte “diktuar” pytjet që duheshin bërë nga gazetari Ridvan Berisha drejt Presidentit të Kosovës.
“Një gjë e tillë u vërtetua edhe nga sinjalizuesi paraprak që publikoi sms sipas së cilëve përmbajtjen redaktoriale të RTK-së e përcakton zyra e Presidentit të Kosovës Hashim Thaçi”, thotë Kusari. “Raportimi i gazetarëve për censurë është në interes publik dhe RTK në vend se t’i vihet pas sinjalizuesve duhet të luftojë që të pavarësohet nga PDK-ja dhe të ofrojë gazetari në interes të publikut”.
Ajo po ashtu theksoi që sinjalizuesit dhe gazetarët gëzojnë shumë pak mbrojtje, ndër të tjera, për arsye kulturore dhe financiare.
“Në Kosovë ekziston një kulturë e përgjithshme e mosdenoncimit publik të së keqës dhe kur denoncimi ndodhë sinjalizuesit nuk mbështeten”, thotë ajo. “Po ashtu, sinjalizuesit shpesh heshtin për shkak të frikës nga pasojat juridike dhe financiare si largimi nga puna, denigrimi publik etj, ashtu siç po i ndodhë tani gazetarëve të RTK-së”.
Ligji për Mbrojtjen e Sinjalizuesve në Kosovë ishte votuar në Kuvendin e Kosovës në Dhjetor të vitit 2018. Ai parasheh të drejtën e një personi që të raportojë ose shpalosë informacione për një kërcënim ose cenim të interesit publik në kontekst të marrëdhëniës së punës, qoftë në sektorin publik qoftë në atë privat. K
Foto kryesore: Atdhe Mulla / K2.0.