Biseda | Art

Selma Selman: Besoj se arti është mjaft i fuqishëm për t’i ndikuar jetët e njerëzve

Nga - 13.05.2020

Artistja që ndan jetën mes Bosnjës dhe ShBA-së flet për rëndësinë e arsimimit.

Selma Selman është artiste nga Bosnja dhe Hercegovina me një karrierë intelektuale. Duke jetuar mes Bihaqit dhe Njujorkut, ajo dalëngadalë e sjell në jetë shprehjen artistike të një brezi të ri.

Disa kritikë e përqasin Selmën me artisten e njohur në gjithë botën Marina Abramoviq, të cilën ajo e sheh si idhullin më të madh.

Si piktore me përgatitje formale që mban një Master të Arteve për videoartin nga Universiteti i Sirakuzës, Selma ka pasur disa performanca së voni.

Përmes veprave të saj ajo i sfidon problemet e sistemit patriarkal dhe të kapitalizmit, si dhe ndikimin e tyre në shoqëri. Një tipar i shquar i veprës së saj — siç e përmend vetë — është marrëdhënia e saj me nënën, përmes së cilës artistja artikulon se si e përjeton sistemin patriarkal.

Ajo shpreh përpjekjen kundër kapitalizmit duke i zbërthyer simbolet; prandaj, në njërën nga performancat e saj, prishet një veturë Mercedes si simbol i shoqërisë kapitaliste.

Artistja 29-vjeçare ka lindur në zemrën e mëhallës rome të Bihaqit, një “fëmijë i bardhë” në një familje që është parë si “e zezë”. Gjatë fëmijërisë, të gjithë e kanë quajtur si vajzën më të bukur në lagje për shkak të syve të gjelbër dhe lëkurës së bardhë.

Përgjatë arsimimit të saj, ajo ka qenë “ndryshe” nga të tjerët, dhe kjo përvojë e pakëndshme e ka mësuar ta respektojë dhe ta pranojë vetveten në një fazë të hershme. Sidoqoftë, pavarësisht nga kjo, ajo është rritur në dy botë të ndryshme, të cilat në të vërtetë janë identike.

Në vitet e fundit ajo ka drejtuar projektin “Marš u školu!” (“Marsho në Shkollë!”), i cili i ndihmon fëmijët romë në Bihaq — sidomos vajzat — ta ndjekin shkollën. Kjo nismë jo vetëm që dëshmon se aktivizmi dhe arti janë të lidhura ngushtë, por edhe që ndryshimi i gjërave është i mundshëm.

Njëra nga veprat e serisë “Do Not Be Like Me” (“Mos u bëj si unë”) të Selma Selman, ku artistja e sfidon sistemin patriarkal duke e theksuar marrëdhënien e saj me nënën. Foto nga arkivi personal i Selma Selman.

K2.0: Rrugëtimi i një artisteje është i gjatë dhe i pasigurt, përplot me sakrifica e këmbëngulje, dhe kurrë nuk përkufizohet nga rezultati përfundimtar meqenëse ky proces është i vazhdueshëm. Në qoftë se mendoni për fillimet e juaja deri më sot — tash që jeni një artiste e spikatur me një stil të veçantë të shprehjes — a mund të na tregoni se si është zhvilluar ky evolucion — prej një vajze të mëhallës në një grua që është zhvendosur në Njujork për të punuar, për të jetuar dhe për të krijuar?

Selma Selman: Në mëhallë jam quajtur “e bardhë”, por në shkollën fillore u bëra vajzë “e zezë” dhe e shëmtuar. Fëmijët romë përballen me situata të vështira në shkollë dhe nuk e kanë të lehtë të bëjnë shoqëri për shkak të diskriminimit të mësuar. Po flas prej përvojës personale, sepse shkolla nuk ka qenë kurrë zbavitëse për mua, siç do të duhej të ishte — së paku në një masë për secilin fëmijë — krahas mësimit.

Njerëzit shpesh nuk besojnë se jam rome, andaj kam qenë viktimë e shumë shakave. Më kujtohet kur pata shkuar në plazh në Kroaci, më është thënë se ka shumë jevgj që mund të m’i vidhnin gjërat. Secilën herë që ju thosha se jam një nga ta, njerëzit ose turpëroheshin, ose nuk ma blenin fjalën.

Këto përvoja ma dhanë idenë ta përdor artin si mjet kundër diskriminimit të popullatave të margjinalizuara, sidomos të grave dhe të fëmijëve.

Përmes veprave të mia të artit, unë synoj t’i mbroj dhe t’i fuqizoj trupat e grave si dhe të zbatoj qasje shumëdisiplinore artistike për emancipimin kolektiv të grave të margjinalizuara. Kërkimi im për një rezistencë politike moderne dhe funksionale buron nga përvoja ime personale dhe nga shoqëria ku kam jetuar dhe kam ekzistuar.

Duket se arti është mjet i ri që ua mundëson komuniteteve rome në Evropë të luftojnë në mënyrë të efektshme për pozitën e tyre në shoqëri. Çfarë mendoni për këtë?

Në këtë epokë, arti është shumë i rëndësishëm sepse na ndihmon ta kuptojmë botën tonë përmes një bote utopike dhe realitetit. Arti duhet të jetë i disponueshëm për të gjithë në mënyrë që të ketë ndikim në shoqëri, në mënyrë që të na shtyjë të mendojmë përtej barrierave ontologjike, dhe t’i thyejmë ato.

Po, ka gjasa të mëdha që aktivizmi dhe arti të jenë të efektshëm.

Besoj se arti është mjaft i fuqishëm për t’i ndikuar jetët e njerëzve. Arti politik, radikal dhe ai i aktivizmit shoqëror është i rëndësishëm. Fatkeqësisht, është vështirë ta shkatërrosh ose ta ndryshosh një problem të madh — në këtë kontekst mund të përmendet diskriminimi, stereotipizimi ose mendësia — por nuk është diçka e pamundshme.

Dhe besoj se pa dyshim diskriminimi mund të shkatërrohet, duke pasur parasysh se arti im ka bërë ndryshime dhe vazhdon t’i ndryshojë perceptimet për romët.

Arti na jep një “imazh”, një pasqyrim, dhe një mënyrë për ta kontrolluar shoqërinë e sotme në sistemin e tanishëm. Fusha e artit dhe aktivizmit përbëhet prej grupeve individuale të artistëve që përpiqen t’i zgjidhin problemet me burime të kufizuara. Projektet e sotme të aktivistëve kanë qenë të paimagjinueshme para 40 vjetësh.

Pra po, ka gjasa të mëdha që aktivizmi dhe arti të jenë të efektshëm.

Ju nuk jeni artiste rome. Ju jeni artiste. Sa e rëndësishme është ta bëni këtë dallim jo vetëm në art, por edhe në fushat e tjera?

Kur mendoj për vetveten, zakonisht e ndaj në shtresa: jam artiste, jam po ashtu qenie njerëzore. Jam Selma Selman, rome dhe boshnjake, dhe përfundimisht pjesë e një realiteti më të gjerë.

Ndonjëherë e eksploroj identitetin tim si rome — e herave të tjera është instrument që e përdor kur punoj për çështje më të mëdha shoqërore. Pavarësisht nga krejt këto, unë gjithmonë mbetem artiste, në mënyrë të vazhdueshme dhe të sipërvendosur.

“Mona Lisa” 2017. Foto nga arkivi personal i Selma Selman.

Jeni bërë idhull për vajzat e qytetit të Bihaqit, dhe tash i ndihmoni që të shkollohen. Deri më tash, fondacioni juaj “Marš u školu” (Marsho në Shkollë) ka bërë shumë. Si mendoni të vazhdoni me këtë nsimë dhe me çfarë mënyrash të tjera i ndihmoni vajzat ta bëjnë kapërcimin që ju e keni arritur para shumë vjetësh?

Nisma ime ka rritur pjesëmarrjen e rregullt shkollore të vajzave të Bihaqit nga 15% në 95%, duke i shpëtuar ato vajza që ishin në rrezikuara nga martesat e detyrueshme.

Në komunitetin rom, martesat e fëmijëve bëheshin fillimisht si mbrojtje ndaj grabitësve osmanë në shekullin XV. Përgjatë okupimit të Perandorisë Osmane në Ballkan, gratë e reja rome përdhunoheshin nga ushtarët turq, pra romët i martonin vajzat në moshë të re për t’i mbrojtur nga përdhunimi.

Kjo formë mbrojtjeje nuk ishte thuajse fare e tillë sepse gratë prapë bëheshin viktima të manipulimit dhe objekte pa të drejtë për t’u mbrojtur. Më vonë, zakoni i martesave të fëmijëve u trashëgua padrejtësisht nga brezi në brez si traditë rome, e jo si strategji mbrojtëse që erdhi nga rrethanat e veçanta historike dhe varfërimi bashkëkohor.

 

Si të reja, ne gratë mësohemi se jemi inferiore dhe se duhet të martohemi me burra të pasur.

Sot, një nga problemet e mëdha që lidhet me martesat e fëmijëve është vështirësia ekonomike, bashkë me mentalitetin shoqëror që thotë se nëse një grua e re martohet, ajo dhe familja e saj do të kenë gjendje më të mirë financiare.

Të drejtat e grave shkelen anekënd botës. Të gjitha gratë duhet të mësohen se si të luftojnë për të drejtat e tyre si gra prej një moshe të re. Si të reja, ne gratë mësohemi se jemi inferiore dhe se duhet të martohemi me burra të pasur.

Projekti im “Marš u školu” lufton kundër këtyre stereotipeve në veçanti. Dëshira ime për secilën vajzë që merr bursën është të mësojë se si të mbrohet nga këto stigma. Përveç këtyre, arsimimi është rruga drejt suksesit që do t’i ndihmojë të bëhen të pavarura.

Plani im për të ardhmen e afërt është t’u mundësoj të gjitha grave të Bihaqit mbështetje financiare — si dhe mentorimin nga unë — dhe ta ndjek arsimimin e tyre deri sa të mëvetësohen. Planifikoj ta përuroj hapjen e fondacionit në Bosnjë [e Hercegovinë] dhe në Amerikë [Shtetet e Bashkuara] — kjo do të ndodhë shumë shpejt — dhe të vazhdoj të mbledh fonde për vazhdimësinë e projektit.

Plani është të organizohen punëtoritë e teknologjisë informative për vajzat, ku ato do të mësohen të dizajnojnë dhe të kodojnë. Veç kësaj, njëra nga bursistet tona do të regjistrohet në universitet sivjet, gjë që është sukses i madh; kam qenë gruaja e vetme rome në Bihaq me diplomë të arsimit të lartë. Ja pra, kemi bërë përparime!

“Balkan” 2016. Foto nga arkivi personal i Selma Selman.

Gjithashtu, kemi një vajzë që tashmë ka filluar shkollën e mesme të artit dhe dëshiron të aplikojë në Akademinë e Artit në Banjallukë. Kemi dhjetë vajza të tjera, nxënëse shumë të mira, që do ta kryejnë shkollën fillore në dy apo tri vitet e ardhshme.

Kjo do të thotë se — duke filluar nga viti 2023 — mund të presim se do të kemi një numër të madh të vajzave në shkolla të mesme dhe në unversitete.

Ka pasur plane të shumta për ekspozita në Evropë, njëra prej tyre në Sarajevë. Fatkeqësisht, të gjithat janë pezulluar për shkak të pandemisë. Si e ndikon izolimi kreativitetin e juaj, ose mbase ju ka bërë më kreative në mënyra të tjera? Si ndikohen kolegët e koleget e juaja nga kriza?

Jam gjithmonë e zënë, prandaj pandemia nuk ka ndryshuar shumë gjëra në jetën time, përveç planeve të udhëtimit. Jam ende kreative dhe gjithmonë kam shumë punë me të cilat merrem. 

Tani po punoj në një plan për t’i gjetur zgjidhjet më të mira ndaj problemeve me të cilat janë ballafaquar romët evropianë tash e 100 vjet; është i bazuar në diturinë njerëzore dhe inteligjencën artificiale (IA). Po ashtu po e zhvilloj konceptin e ndërlidhshmërisë së sipërvendosur — duke eksploruar se si aktivizmi dhe arti mund të përfshihen me shkencën dhe filozofinë në mënyrë që të ndërtohen mjete të reja që kanë potencial për ndryshim dhe dituri.K

Imazhi i ballinës nga arkivi personal i Selma Selman.

  • PËR AUTORIN/EN Dalibor Tanić
  • Ky artikull fillimisht është shkruar në serbisht/kroatisht/boshnjakisht.

KOMENTO