Për Vetëvendosjen ky është rezultati më i mirë i arritur në këtë komunë duke lënë Lidhjen Demokratike të Kosovës për herë të parë jashtë garës së balotazhit për udhëheqjen e Prizrenit.
Qysh në paraqitjet e para publike Totaj ishte pyetur nga gazetarët se si e sheh qeverisjen e deritashme të Ramadan Mujës, duke mos u shprehur qartë por duke pohuar se vetë kandidatura e tij dëshmon nevojën për ndryshime. ‘‘Jam i ri në PDK dhe nuk kam shumë të bëj me të kaluarën’’, ka thënë ai.
Fushata për udhëheqjen e Prizrenit ishte karakterizuar me rivalitetin ndërmjet Totajt dhe Haskukës.
Në mes të fushatës zgjedhore ishte publikuar një audioincizim ku Totaj komunikonte me disa persona dhe shprehej se Prizrenin dhe Hasin nuk duhet ta udhëheqë dikush që nuk di shqip. Më tej u bënte pyetje të pranishmëve se “a mendon se dikush tjetër, turqelia që s’din me folë shqip, ka me ardh me ta rregullu çështjen e ujit e të rrymës?”.
Vetëvendosja këtë e kishte cilësuar si shpifje, si racizëm dhe gjuhë të urrejtjes kundër kandidatit të tyre, për çka edhe kishin ngritur kallëzim penal ndaj Totajt. Ai insistonte se nuk është në rregull që një kryetar i komunës të mos e dijë mirë gjuhën shqipe.
Dega e PDK-së në Prizren kishte reaguar ndaj kësaj deklarate duke thënë se audioincizimi është montim dhe shpërfaq pamundësinë e VV-së për të siguruar vota në terren dhe bënin thirrje që të zhvillohej fushatë e dinjitetshme.
Gjithashtu, gjatë fushatës kishte akuza nga Haskuka se kandidati i PDK-së është privilegjuar nga institucionet shtetërore ku ka përmendur ngjarjen për shënimin e ditës së boshnjakëve ku Totaj në atë organizimin është prezantuar si kandidat për kryetar të Prizrenit edhe pse ky tubim ishte financuar nga Qeveria e Kosovës. Me këtë rast, ata ishin ankuar edhe në KQZ.
Programet politike të këtyre dy kandidatëve në shumë pika janë të ngjashme. Në fakt, dy programet veprojnë mbi katër pika të përgjithshme: zhvillimin ekonomik, përmirësimin e gjendjes në shëndetësi dhe arsim, investimet në infrastrukturë, si dhe reformimin e administratës komunale. Të gjitha këto fusha i ndërlidhin dhe, sipas tyre, secila prej pikave do të kontribuojë në zhvillimin e secilës. K2.0 paraqet një përmbledhje të tyre dhe të premtimeve të dy kandidatëve në garë për të parin e Prizrenit historik.
Zhvillim ekonomik në fokus të të dy kandidatëve
Programi i Totajt është i orientuar në 17 pika me gjithsej 55 zotime dhe vet ai ka thënë se fokusi mbetet te zhvillimi ekonomik i qytetit.
Krijimi i Fondit për Zhvillim e Qytetit me 2 milionë euro është njëra nga pikat thelbësore të ofertës së Totajt për mandatin katërvjeçar në udhëheqje të komunës. Përkrahja e ideve të reja për hapjen e bizneseve do jetë qëllimi i këtij fondi, ku në fokus të tij mbesin subvencionimi i ideve biznesore që vijnë nga gratë dhe të rinjtë.
Mjetet për krijimin e këtij fondi do të sigurohen nga mbledhja më e mirë e taksave, ku Totaj sheh potencial për sigurimin e më shumë të ardhurave financiare. Gjithashtu, edhe procesi i legalizimeve të objekteve pa leje, e që parashihet të fillonte në Prizren, mbetet një formë tjetër që do të siguronte të ardhura shtesë për komunën, si dhe krijimi i Ministrisë së Inovacionit si një portë tjetër ku fondi do mund të merrte mjete financiare, sipas tij. Në kuadër të këtij projekti, programi i PDK-së për Prizrenin parasheh edhe organizimin e një gare ku do të konkurronin projekte ekonomike dhe tri prej tyre do të marrin ndihmë financiare me qëllim të realizimit të tyre.
Kjo ka qenë edhe njëra prej pikave që Haskuka në debate televizive e ka përmendur si jo të realizueshme, duke vënë theksin tek premtimet e mëparshme të këtij lloji që kanë mbetur vetëm premtime. Ndër të tjera, ai thotë se, edhe nëse krijohet jy fond, mjetet do t’i ndajë në formë të subvencioneve dhe se për Komunën e Prizrenit buxheti për subvencione është vetëm 477 mijë euro, ku shumica shkojnë për bujqësi dhe kulturë.
Parku i biznesit, i cili është një hapësirë publike të cilën e ndan qeveria për të krijuar lehtësira për biznese, e i krijuar vite më parë në Prizren është përcjellur me probleme dhe dy kandidatët kanë theksuar se ai nuk ka funksionuar si duhet.
Ky është edhe një nga premtimet e Totajt i cili ka thënë se funksionalizimi i parkut të biznesit do të ndikonte në zhvillim ekonomik të qytetit. Për mënyrën se si do të funskionalizohet parku, për koston si dhe për mënyrën e shfrytëzimit të tij, Totaj nuk ka dhënë detaje.
Edhe në programin e Haskukës funksionalizimi i parkut të biznesit është një prej pikave mbi të cilën ata mendojnë të ngrisin zhvillimin ekonomik të qytetit. Ai premton se brenda 6 muajve do ta bëjë parkun funksional përmes investimeve me partneritet publiko-privat ose me donacione të jashtme. Haskuka po ashtu ka premtuar se do të zgjidhë problemin e pronësisë së tokës ku është i ndërtuar parku, meqë ka kontest pronësor për të.
Dhënia e tokës komunale në shfrytëzim për biznese është premtim edhe i Haskukës, ku ndër të tjera premton se do të investojë në infrastrukturën përreth tyre. Një zotim tjetër i Haskukës është edhe zhvillimi i planeve të biznesit për aplikim për grante ndërkombëtare dhe këtyre granteve komuna do t’u shtojë bashkëfinancim prej 10 për qind. ‘‘Këto projekte i kemi të gatshme; kur të jemi në pushtet do të aplikojmë menjëherë’’, thotë ai. Një tjetër lehtësi që programi i tij u premton bizneseve është edhe subvencionimi i tyre për pjesëmarrje në panaire ndërkombëtare.
Programi i Haskukës po ashtu parasheh edhe subvencione për bujqësi ku produkteve bujqësore dhe më gjerë do të tentohet t’u gjendet treg ndërkombëtar, ku veçon frutat e arrës si dhe produktet e tjera artizanale që janë simbol i Prizrenit. Ai po ashtu premton krijimin e tregjeve të vogla në çdo lagje të qytetit.
Trashëgimia vetëm si potencial ekonomik
Objektet e trashëgimisë kulturore, që në Prizren janë në numër të konsiderueshëm, nga të dy kandidatët shihen si potencial për zhvillimin e turizmit dhe kjo të ndikojë në zhvillimin ekonomik.
Por asnjëri kandidat nuk përmend projekte konkrete për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore, pavarësisht se dëmtimi i njërit prej objekteve në qendrën historike të Prizrenit në vitin 2016 kishte kushtuar me jetë të një fëmije që kishte qëlluar të jetojë në njërën nga ndërtesat e vjetra të kësaj qendre me familjen e saj, si pasojë e kushteve të rënda ekonomike.
Pas vdekjes tragjike të vogëlushes si pasojë e rrëzimit të një muri të dëmtuar të një objekti afër shtëpisë ku kishte jetuar me familje, gjatë kohës kur ajo po kalonte rrugën aty afër me të ëmën, kishte pasuar një debat i ashpër për atë se në kompetencën e kujt është mbrojtja e trahëgimisë kulturore dhe e mungesës së punës së komunës dhe qeverisjes së PDK-së, respektivisht ish-kryetarit Ramadan Mujës, në këtë drejtim.
Bashkëpartiaku i tij ndërkaq, Shaqir Totaj, nuk ka asgjë konkrete në programin e tij sa i përket mbrojtjes së objekteve të trashëgimisë kulturore. Por kur flet për këtë temë, ai beson se hapi i parë që duhet të ndërmarrë është reformimi i Drejtorisë së Turizmit dhe krijimi i një aplikacioni ku komuna do të promovonte mundësitë e turizmit. Totaj ka ide konkrete për bjeshkatarët, ku thotë se në bashkëpunim me ‘‘Shoqatën e Bjeshkatarëve’’ do të organizohen që turistët të mund të vizitojnë bjeshkët e Prizrenit dhe të qëndrojnë tek shtëpitë e fshatarëve, ku ndër të tjera do të promovohen edhe bio-ushqimet që do të përgatiten nga fshatarët. Hartimi i kalendarit të ngjarjeve kulturore si dhe harta e objekteve kulturore janë premtime që i japin të dy kandidatët.
Edhe Haskuka fokusin e tij sa i përket trashëgimisë kulturore e shtrin tek përfitimet që mund të nxirren nga kjo fushë në aspketin ekonomik, respektivisht duke ngriturr kapacitetet e turizmit në Prizren përmes ndarjes së mjeteve financiare nga komuna për këtë sektor.
Ai ka akuzuar qeverisjen e kaluar se ka keqpërdorur mjetet, duke përmendur se janë ndarë 10 mijë euro që të bëhet adresimi i bizneseve hotelierike në Prizren që kinse turistët të kenë në dorë adresat e tyre. Ai thotë se kjo do të mund të arrihej duke përdorur të dhënat zyrtare në të cilat gjenden adresat e secilit biznes.
Për Haskukën e rëndësishme mbetet që komuna të krijojë kushte që turistët të qëndrojnë në Prizren disa ditë dhe qëndrimi i tyre të mos jetë njëditor. Kjo sipas tij do të arrihet në bashkëpunim me agjencitë turistike vendore dhe ndërkombëtare të cilave do t’u ofrohen kushte që turistëve t’u propozohet që Prizreni të jetë vendqëndrim për ta.
Investime në infrastrukturë
Kandidati i LVV-së për Prizrenin, Mytaher Haskuka, beson po ashtu se investimet në infrastrukturë duhet të nisin me ridizajnimin e trafikut urban me qëllim të reduktimit të veturave nëpër rrugët e qytetit, si dhe riorganizin e trafikut me fokus të veçantë në Qendrën Historike. Në kuadër të kësaj, ai premton se do të investojë në krijimin e 300 parkingjeve të reja, kryesisht në hyrje të qytetit dhe prej andej të lëvizet me autobus urban.
Programi i Haskukajt parasheh edhe investime në ujësjellës, ku premton se brenda mandatit të parë do të ketë ujë të pijshëm 24 orë. Përveç kësaj, premtohet se do të ndërtohen kanalizimet në zonat; Kurrillë, Arbanë, Randobravë, Piranë, Malësi të Vrinit Nashec dhe në Bajram Curr.
Gjithashtu zgjerimi i rrjetit të ndriçimit është një nga zotimet e Haskukës, ku thuhet se brenda katër viteve secila lagje dhe fshat i Prizrenit do të jetë i përfshirë brenda këtij rrjeti. Ndër investimet e tjera që premton kandidati i Vetëvendosjes është edhe zgjerimi i hapësirave të gjelbra dhe rekreative, pastrimi i shtratit të lumenjve Drini i Bardhë dhe Lumbardhi, si dhe fasadimi i shtëpive në Qendrën Historike të Prizrenit dhe ndriçimi i objekteve të trashëgimisë kulturore.
Në anën tjetër Totaj beson se investimet në infrastrukturë duhet të ketë për qëllim ‘‘çlirimin e Qendrës Historike të Prizrenit’’, ku rivitalizimi i kësaj pjese është një ndër qëllimet kryesore të programit të tij.
Mirëpo, pavarësisht kësaj, ai është akuzuar nga kandidatët e tjerë se ka ndërtuar shtëpinë kundër Ligjit për Qendrën Historike të Prizrenit. Por, Totaj i është përgjigjur kësaj duke thënë se shtëpinë e ka ndërtuar qysh para miratimit të Ligjit.
Totaj ka thënë se do të ndalojë që veturat të hynë në qendrën historike, edhe ato që furnizojnë bizneset, dhe parkingjet sipas tij janë zgjidhja për atë pjesë të Prizrenit. Për këtë edhe premton se tre parkingje të mëdha do të ndërtohen nën qeverisjen e Prizrenit nga ana e tij. Menaxhimi i mbeturinave është një tjetër problem që ai ka ngritur, ku edhe ka premtuar se do të ndërtojë një impiant për trajtimin e tyre.
Krijimi i shesheve të reja, i hapësira të gjelbra si dhe i shtigjeve për biçiklete janë investimet e tjera që Totaj i premton Prizrenit.
Arsimi, Shëndetësia dhe Administrata Komunale
Shaqir Totaj në debatet zgjedhore ka potencuar se sistemi i shëndetësisë në Prizren është në nivelin më mirë në Kosovë dhe sipas tij kjo nuk është fjalë e tij por se kjo është potencuar në raportet e OBSH-së. Ky vlerësim i tij është kundërshtuar nga kandidatët e tjerë, ku kanë përmendur mungesën e barnave në Qendrat e Mjekësisë Familjare.
Totaj nuk është pajtuar me këtë konstatim dhe gjendjen e shëndetësisë në Prizren e ka cilësiaur si ‘‘relativisht e mirë’’. Për projektet e tjera në shëndetësi nuk është se ka dhënë opsione specifike, por vetëm ka premtuar se do të ketë investime në këtë sektor.
Haskuka në anën tjetër në fushën e shëndetësisë ka premtuar se do të bëjë riorganizimin dhe funksionalizimin e Qendrave Kryesore të Mjekësisë Familjare, pajisjen e tyre me pajisje mjekësore dhe laboratorë, si dhe trajtime shtesë të stafit mjekësor.
Një risi që Haskuka premton se do ta fusë në shëndetësinë e Prizrenit është shërbimi mobil shëndetësor dhe, në kuadër të kësaj, premton se së paku dy automjete do t’i ofrojë kësaj iniciative. Një investim tjetër në formë zotimi që vjen nga programi i tij është edhe krijimi i Qendrës së kujdesit ditor për pensionistët. Gjithashtu janë premtuar edhe vizita mjekësore për nxënësit e shkollave të Prizrenit.
Në fushën e shëndetësisë dy kandidatët kanë dhënë shumë pak opsione dhe premtime dhe më e shumta që kanë përmendur kanë qenë konstatimet për gjendjen aktuale dhe funksionimin e saj në të kaluarën.
Sa i përket fushës së arsimit, Totaj ankohet se kompetencat e kryetarit të komunës në këtë fushë janë të kufizuara nga Ministria e Arsimit dhe e gjithë çka i mbetet komunës është ‘‘menaxhimi i mirë i shkollave’’. Premtimet e Totajt për arsimin në Prizren janë pajisja e shkollave me laboratorë dhe mjetet e tjera shkollore dhe shtimi i sallave të edukatës fizike.
Shtimi i çerdheve është një premtim i tij, por që nuk cek se sa prej tyre do të ndërtohen. Trajnimet për mësimdhënës janë një pikë tjetër që premton ai, duke përfshirë edhe rritjen e sigurisë nëpër shkolla, si dhe krijimin e kushteve që shkollat të punojnë me vetëm një ndërrim.
Programi i Haskukës për arsimin nis me zotimin se do të depolitizojë sistemin arsimor, ku punësimet në këtë sektor do të bëhen me transparencë dhe pjesëmarrje të komunitetit në zgjedhjen e drejtorëve të shkollave.
Në investimet kapitale që prekin fushën e arsimit, Haskuka është më konkret dhe premton se do të ndërtojë katër çerdhe, por nuk jep detaje së në cilat lagje do të ndërtohen ato, sa do të kushtojnë dhe si do të mirëmbahen ato.
Shujta ushqimore është një zotim tjetër që ai e ka proklamuar gjatë fushatës elektorale, ku do të përdoret sistemi i njëjtë sikurse në Komunën e Prishtinës, pra, shujta për nxënës të shkollave fillore prej klasës së parë deri në të pestën.
Sa i përket cilësisë së arsimit, Haskuka premton se investimet për hapjen e laboratorëve të kimisë, fizikës, biologjisë, kabineteve të muzikës janë do të ndikojnë në cilësi, ku përmend se në testet kombëtare të maturës Komuna e Prizrenit ka pasur rezultate të dobëta.
Në aspektin e programeve, Haskuka premton se do të organizohen orë plotësuese për nxënës me talente të veçanta dhe orë plotësuese për nxënës që në mënyrë të përsëritur kanë rezultate të dobëta. Në kuadër të kësaj premtohen edhe organizime sportive ku do të bëhet identifikimi i talentëve dhe mbështetja e tyre nga komuna për vitet vijuese.
Reformimi i administratës komunale është një fushë tjetër që për dy kandidatët ka rëndësi edhe për fushat e lartpërmendura. Totaj ka premtuar se do të themelojë ‘‘Zyrën e Menaxhimit të Performancës’’ e cila do të merrej me kërkim të llogarisë për punëtorët e administratës dhe hartimin e planeve se si duhet të funksionojë ajo.
Haskuka në anën tjetër zotohet se do të bajë transparent çdo vendim të komunës, ku përfshihen punësimet, shpenzimet dhe prokurimi. Ai gjithashtu premton zvogëlimin e numrit të drejtorive dhe zgjerimin e hapësirave për Arkivin e Komunës, digjitalizimin e Qendrës për Shërbim të Qytetarëve dhe krijimin e ‘‘One Stop Shop’’.
Problemet që e kanë përcjellur ndër vite Prizrenin do të vazhdojnë të jenë sfida edhe për mandatin e ardhshëm. Prizreni është komuna e cila është përballur me më së shumti aktakuza ndaj zyrtarëve të saj për korrupsion dhe reformimi i administratës publike është premtim që e kanë pasur dy kandidatët.
Totaj asnjëherë nuk është tërhequr nga qeverisja e kaluar dhe nuk ka qenë i qartë se a do të vazhdojë të punojë me ish-bashkëpunëtorët e Ramadan Mujës të cilët kanë aktakuza të ngritura, në rast se ai e fiton udhëheqjen me komunën. Në anën tjetër, Haskuka gjatë gjithë fushatës se tij ka pasur në fokus kritikat ndaj asaj qeverisjeje dhe premtimet e tij kanë qenë se do të jetë ndryshe nën qeverisjen e tij.
Gjithashtu, edhe degradimi i Qendrës Historike të Prizrenit është një tjetër problem që nga kryetari i ardhshëm do të vazhdojë të kërkojë zgjidhje. Pavarësisht se kush do të jetë fitues, ruajtjen e objekteve të trashëgimisë kulturore padyshim se nuk do të mund ta anashkalojë, dhe e gjitha që mbetet të shihet është se a do të ndalet shkatërrimi i këtyre objekteve apo cila do të jetë situata e re.
Një sfidë tjetër do të jetë edhe rregullimi i kanalizimeve, furnizimi i rregullt me ujë të pijshëm, rregullimi i trafikut dhe krijimi i parkingjeve, si dhe krijimi i kushteve që të ketë turizëm në Prizren.
Qytetarët e Prizrenit me 19 nëntor do të kenë mundësinë që me votën e tyre të zgjedhin mes dy programeve të cilat tentojnë t’u gjejnë zgjidhje këtyre sfidave, njëri i takon PDK-së, një partie qeverisjen e së cilës e kanë provuar në tre mandatet e kaluara. E alternativa e dytë është programi i LVV-së e cila në gjithë historinë e deritashme politike ka qeverisur vetëm me një komunë – Prishtinën, të cilën po e përdor si model për komunat e tjera.
Ilustrimi: K2.0.