Kujtimet nga “Shën Gjergji” apo “Karabashi” si i thuhet në Prizren i kam disi të turbullta. Kjo pasi që hera e fundit kur njëmend e kisha shijuar tollovinë e kësaj dite ishte moti, ndoshta 21 vjet më parë. Atëbotë përgatitjet për të fillonin ditë më parë. Një pjesë e shënimit të saj kalonte edhe kah rruga ku jam rritur — “Boris Kidriq”, tash rruga “Ismet Jashari Kumanova” dhe shtrihej nëpër gjithë Shadërvanin.
Shitësit, nga të gjitha viset e Kosovës, vinin disa ditë para festës për ta shenjuar me gurë apo sprej vendin ku do ta vendosnin tezgën e tyre. Kryesisht shisnin lodra e gurabi — të përgatitura enkas për këtë ditë. Normalisht nuk mungonin qebapat, pleskavicat e llojet tjera të mishit.
Shën Gjergji, në thelb, është festë për ardhjen e pranverës e motit të mirë. Në Prizren i thonë Karabash për shkak të vendit ku shënohej dita deri para disa viteve — te varrezat e vjetra osmane, ku ndodhet tyrbja e Karabash Babës — varri i një luftëtari osman. Këto varreza u mbyllën për festë me ardhjen e trupave turke te KFOR-it dhe të pranisë diplomatike turke.
Tanimë kushdo që dëshiron të vizitojë tyrben e Karabash Babës mund ta bëjë këtë, por nuk do të gjejë lodra e as shitës mobilë.
Një prej arsyeve kryesore të ardhjes në masë të rinisë në shënimin e kësaj dite ishte edhe gjetja e “fatit” a dashurisë së jetës. Ndoshta edhe lojërat e shumta që zhvilloheshin ishin mënyra më praktike për të krijuar lidhje, e cila mbase mund të përfundonte me martesë.
Festa u mbajt sivjet, pas dy viteve të ndalimit të mbledhive të tilla për shkak të Covid-19. Ndryshe prej viteve kur unë dhe shokët e lagjes i çonim të gjitha kursimet nëpër lojërat e shumta në këtë dit, Karabashi këtë vit ishte më i vogël. Njerëzit, anipse më pak në numër, sikur dëshmonin vullnet e rezistencë për ta ruajtur Karabashin në Prizren.
Ky artikull është prodhuar me mbështetjen financiare të “Trusti Ballkanik për Demokracinë“, projekt i Fondit Gjerman Marshall të Shteteve të Bashkuara dhe Ministrisë së Punëve të Jashtme të Norvegjisë. Opinionet e shprehura në këtë artikull nuk paraqesin domosdoshmërisht ato të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Norvegjisë,Trustit Ballkanik për Demokraci, Fondit Gjerman Marshall të Shteteve të Bashkuara, apo partnerëve.