S`fundmi | Shëndeti mendor

Shkalla alarmante e vetëvrasjeve

Nga - 12.09.2022

A po e rëndojnë situatën mediet?

Më 22 korrik 2022, shumë portale në Kosovë raportuan për një rast të vetëvrasjes në Prishtinë, duke ia zbuluar identitetin viktimës dhe duke i keqraportuar detajet kryesore. Ky raportim në formë sensacionale ndjek vazhdën e gjatë të stilit të kryetitujve dhe gazetarisë joetike lidhur me vetëvrasjen, ku familjet e viktimave shpeshherë  ekspozohen ndaj vëmendjes së padëshiruar. Ndonjëherë, mediat kanë bërë publike edhe detaje të qarta lidhur me metodën e vetëvrasjes, e cila mund të ndikojë te personat e cenueshëm.

Sipas statistikave të policisë, Kosova ka pasur 101 tentativa të vetëvrasjes dhe 40 vetëvrasje në vitin 2020, kurse në vitin 2021, 130 tentativa të vetëvrasjes dhe 41 vetëvrasje. Që nga themelimi i saj në vitin 2019, linja kosovare për parandalim të vetëvrasjes “Linja e Jetës” ka pranuar mbi 4,000 thirrje nga persona që kanë kërkuar ndihmë. Vetëvrasja nuk duhet të shfrytëzohet si mundësi për prodhimin e titujve sensacionalë, por përkundrazi duhet të trajtohet si çështje urgjente e shëndetit publik, siç edhe është.

Për shkak të natyrës së ndjeshme të kësaj teme, është e rëndësishme që mbulimi medial t’u përmbahet udhëzimeve të raportimit, të cilat kanë dëshmuar se reduktojnë rrezikun për vetëvrasjeve të tjera dhe hedhin poshtë mitet rreth kësaj çështjeje. Njësoj siç raportojnë gazetarët për vaksinat kundër Covid-19 dhe masat e shëndetit publik lidhur me pandeminë, mediet mbajnë përgjegjësi ta informojnë publikun për shkaqet e ndjenjave të vetëvrasjes, shenjave paralajmëruese dhe burimeve për shërbime të parandalimit të vetëvrasjes, në mënyrë që njerëzit e cenueshëm të mund të kërkojnë ndihmë. Respektimi i këtyre udhëzimeve mund të shpëtojë jetë.

Për ta diskutuar temën e vetëvrasjes në shoqëri dhe mënyrën se si trajtohet kjo çështje nga mediet, do të na bashkohen:

  • Bind Skeja – Drejtor ekzekutiv i “Linja e Jetës”, aktivist dhe avokues për shëndetin mendor;
  • Donika Çeta – Eksperte ligjore në Grupi për Studime Juridike dhe Politike.

Diskutimi do të moderohet nga redaktorja e K2.0, Aulonë Kadriu

Biseda do të mbahet në Hub 2.0, më 19 shtator nga ora 17:30. Do të ketë përkthim në gjuhën angleze dhe serbe.

 

Kjo ngjarje mbështetet nga National Endowment for Democracy.

Imazhi i ballinës: Dina Hajrullahu / K2.0