Monografitë | LGBTQ+

Shkëlqimi dhe rënia e të drejtave LGBT nëpër botë

Nga - 10.10.2017

Përgjatë historisë, lufta për të drejtat LGBT ka qenë tregim fitoresh e disfatash.

Në orët e hershme të 28 qershorit të vitit 1969, policia bastisi Stonewall Inn, një pikë takimi për personat gej, lezbike, biseksualë dhe transgjinorë (LGBT) në Qytetin e Nju Jorkut. Ajo që nisi si një kontroll i zakonshëm i lokalit, operacion i kohëpaskohshëm për të gjetur alkool të kontrabantuar ose për të marrë pagesa me kesh, u shndërrua në trazira. Ishte ngjarje katalizatore për lëvizjen LGBT dhe për luftën për të drejta të barabarta.

Trazirat në Stonewall e përforcuan një front të bashkuar kundër shoqërisë heteronormative që e cënonte lirinë e individëve LGBT. Njerëz si Marsha P. Jackson, gruaja transgjinore afroamerikane e cila e theu një gotë rakije kur policët i thanë të rreshtohej për t’u arrestuar; Sylvia Rivera, gruaja transgjinore latine e cila e para e hodhi një tullë gjatë trazirave; dhe Raymond Castro, një burrë gej latin i cili ishte i pari që i rezistoi arrestimit dhe e mbrojti veten duke u rrahur me policë, u bënë heronj të lëvizjes. Këta emra ishin shtysë e rezistencës ndaj status-quosë.

Vendi ku dikur ishte Stonewall Inn në Rrugën 51-53 Christopher në Greenwich Village, New York, është bërë përmendore kombëtare në SHBA. Foto: Creative Commons.

Javët që pasuan ishin përplot me protesta. Në përvjetorin e parë në vitin 1970, Nju Jorku festoi me marshin e parë të Krenarisë. Paradat dhe festivalet e Krenarisë tani festohen çdo vit në pothuajse secilin kontinent të botës. Ngjarjet e asaj nate në vitin 1969 shpejt u shndërruan në thirrje tubimi nëpër botë, luftë e bashkuar për të drejtat LGBT.

Pa pikë specifike të nisjes, Stonewall mund të merret si fillimi i kësaj lëvizjeje moderne, por personat LGBT kanë qenë gjithëmonë pjesë e historisë së njerëzimit. Ndonëse shpeshherë të fshehura, nuk janë të rralla historitë e jetës së personave LGBT nëpër botë. Tërheqja ndërmjet personave të të njëjtit seks ka ekzistuar në shoqëri që prej civilizimeve të hershme në Palestinë e Romën Antike. Sot paraqiten si relika antike dhe zbulime të artit historik. Fluiditeti gjinor paraqitej nëpërmjet hyjnive, perëndive dhe perëndeshave në kulturat e Mesopotamisë dhe Indisë.

Në disa shpella në periferi të Bethlehemit, figurinat e dashnorëve Ain Sakhri mendohet të jetë një prej veprave më të vjetra që paraqesin dy njerëz duke bërë marrëdhënie seksuale. Këto figurina, të krijuara para 11,000 viteve, janë të ndërthurura, e gjinitë e tyre janë të paqarta dhe të hapura për interpretime të ndryshme.

Në Romën Antike edhe seksi e kishte një fluiditet të veçantë. Marrëdhëniet ndërmjet personave të të njëjtit seks ishin të zakonshme, por shpeshherë ato pranoheshin vetëm ndërmjet burrave. Ky stil i jetesës shfaqet në Warren Cup, një artefakt romak i përbërë prej dy gravurave që paraqesin burra duke bërë dashuri. Paul Roberts, kurator i Muzeut Britanik ku gjindet kjo kupë, e shpjegoi këtë vepër kështu: “Skenat e intimitetit ishin të gjithëpranishme në artin romak… Dashuria dhe seksi ndërmjet burrave, shpeshherë të moshave të ndryshme, ishin pjesë e kulturave greke dhe romake”.

Nocionet tona moderne të gjinisë janë bërë dysore. Ne kryesisht e kategorizojmë veten në dy kategori, si burra ose si gra, por ky supozim është sfiduar gjatë historisë në civilizime të ndryshme të botës. Perëndesha e tërheqjes seksuale dhe e luftës në Mesopotami, Ishtar, thuhej se kishte fuqinë për të caktuar dhe ndryshuar gjini. Në ditët e sotme, ky fluiditet gjinor shihet nga shumëkush si radikal.

Në Indi njihet zyrtarisht nga Gjykata Supreme një gjini e tretë, hijra apo kinner. Gjinia e tretë është regjistruar në pothuajse secilën kulturë përgjatë historisë: në kulturën e amerikanëve autoktonë ekzistonte koncepti i “dy shpirtrave”, në Samoa ishte fa’afafine, e në Meksikë ishte muxe.

Nga rrënjët religjioze deri te mospranimi i shekullit XX

Ngritja e krishtërizmit në Europë bëri që shumë shoqëri si Perandoria Romake dhe periudha heleniste të mos e pranojnë më homoseksualitetin. Në fakt, në këto shoqëri nisi kriminalizimi i sodomisë dhe veprimeve seksuale ndërmjet personave të të njëjtit seks. Njëzetenëntë vjet pas Dekretit të Milanos, saktësisht më 342 të erës sonë, që e bëri krishtërizmin religjion shtetëror, perandorët e Romës e bënë të paligjshme martesën ndërmjet personave të të njëjtit seks, ligji i parë i këti lloji.

Marrëdhëniet ndërmjet personave të të njëjtit seks u kriminalizuan në shumë rajone të Europës në shekujt që pasuan, meqë religjioni i kufizoi liritë dhe të drejtat e personave LGBT, me dënime të rënda si ekzekutim.

Një model i ngjashëm u pa edhe në rajone tjera, si në Lindjen e Mesme, ku identitetet e fuqishme religjioze lidhen me më pak tolerancë për të drejtat LGBT, edhe në ditët e sotme. Sipas hulumtimeve globale të drejtuara nga Pew Research Center, marrëdhëniet ndërmjet personave të të njëjtit seks pranohen më shumë në rajone ku “feja nuk është aq parësore në jetët e njerëzve”.

Gjatë Revolucionit Francez, Franca u bë vendi i parë i cili i dekriminalizoi marrëdhëniet ndërmjet personave të të njëjtit seks në vitin 1791. Lëvizja për eliminimin e mbretërisë franceze e solli një mendësi gjithëpërfshirëse për kufizimin e ndikimit të Kishës Katolike.

Ndonëse ky ishte një moment i madh historik për të drejtat e personave gej, shumë vende njëkohësisht vazhduan kriminalizimin e marrëdhënieve ndërmjet personave të të njëjtit seks. Vetëm pas Luftës së Dytë Botërore edhe shtetet tjera të Europës filluan ta ndjekin vendimin dekriminalizues të Francës.

Përveç që miratoi disa legjislacione për të drejtat e personave gej gjatë kohës së tij si Drejtues i Qytetit-Qarkut të San Franciscos, Harvey Milk gjithashtu morri pjesë në ngjarjen për krenarinë e personave gej në qershor të vitit 1978 në San Jose, Kaliforni.

Gjatë viteve të ‘60-a shpërthyen disa trazira të mëdha sociale në SHBA të cilat ishin të lidhura me luftën për paqe dhe kundër racizmit. Si reagim ndaj trazirave të Stonewall-it, Fronti i Çlirimit të Personave Gej në Mbretërinë e Bashkuar u bë parti politike në vitin 1971. Zgjerimi i shpejtë i mendësisë pro-LGBT pati si rrjedhojë rritjen e të drejtave të këtij komuniteti në shumë vende, por solli gjithashtu edhe një reagim të drejtpërdrejtë për ndalimin dhe kufizimin e këtyre lirive.

Në vitin 1972, Suedia u bë vendi i parë që ofronte terapi hormonale pa pagesë për personat të cilët në atë kohë kishin mundësi ligjore për ta ndryshuar seksin e tyre. Megjithatë, në atë vit, “homoseksualiteti” ishte ende në listën e çrregullimeve mendore të Shoqatës Psikiatrike Amerikane. Një vit më pas ai u hoq nga kjo listë, pasi ishte përshkruar si “çrregullim sociopatik i personalitetit” për dy dekada.

Në SHBA, të drejtat e personave gej u bënë çështje e rëndësishme por mjaft përçarëse. Harvey Milk, me gjasë një prej politikanëve më të mirënjohur të cilët kishin pranuar publikisht se janë gej, u zgjodh Udhëheqës i Qytetit të San Fransiskos në vitin 1979. Kjo ngjarje i përshkoi lajmet kombëtare dhe ndërkombëtare. Ai me karakterin e tij karizmatik ishte një llambë shprese për komunitetin LGBT në SHBA. Milk e shtyu përpara këtë lëvizje, promovoi biznese të cilat udhëheqeshin prej personave LGBT dhe i mbrojti të drejtat civile.

I frymëzuar nga Milk, Gilbert Baket e qepi flamurin e parë të ylbertë në vitin 1978. Ky flamur u bë i njohur si simbol i lëvizjes LGBT. Gjatë viteve të ‘70-a, ‘80-a dhe ‘90-a, shumë zyrtarë publikë, sportistë dhe persona të njohur u bënë ambasadorë të komunitetit LGBT, si Milk.

Gjatë viteve të ‘90-a, gjithnjë më shumë shtete i dekriminalizuan marrëdhëniet ndërmjet personave të të njëjtit seks dhe e barazuan moshën e pëlqimit për çifte heteroseksuale dhe homoseksuale.

Në dekadën e fundit e kemi përjetuar një përmirësim të dukshëm sa i përket të drejtave të komunitetit LGBT. Megjithatë, përkrah përparimit të këtyre të drejtave janë shtuar edhe mundësitë për diskriminim dhe kundërsulme, si rrjedhojë e dukshmërisë gjithnjë më të madhe të këtij komuniteti.

Reaksioni global

Në 30 vitet e fundit, lëvizja LGBT ka përjetuar ngritje të madhe në nivelin e reaksioneve kundër këtij komuniteti. Ndonëse të drejtat e barabarta po bëhen më të arritshme, po vërehet edhe një reagim negativ për kufizimin e këtyre të drejtave. Ky reagim i natyrës politike është përpjekje për ta përdorur mendësinë anti-LGBT për të promovuar legjislacion përçarës dhe dëmtues, e kjo prodhon rritjen e stigmatizimit social.

Ky reagim i ashpër i ka dy aspekte të dallueshme. Në botën perëndimore, kundërshtuesit e të drejtave LGBT duan ta frikësojnë këtë komunitet dhe t’i sulmojnë arritjet e tyre të deritanishme. Megjithatë në shtetet të cilat janë në zhvillim e sipër, kundërshtuesit duan ta ndalin këtë lëvizje krejtësisht, duke parandaluar kështu përparimin e mëtejmë. Raca, klasa, religjioni dhe lokacioni gjeografik gërshetohen për të krijuar masa shtypëse të cilat ndikojnë te personat e këtij komuniteti në mënyra të ndryshme dhe i kundërshtojnë përpjekjet për të fituar të drejta të barabarta.

Në vitin 2005, mijëra njerëz dolën rrugëve të Madridit për të protestuar kundër legjislacionit për martesë ndërmjet personave të të njëjtit seks. Po ashtu, në Paris në vitin 2013 pati protesta të cilat shpërthyen kundër një ligji të ri i cili kishte të bënte me martesën ndërmjet personavetë të njëjtit seks. Në të dy rastet, ligjet u kundërshtuan në masë të madhe për shkak të arsyetimeve religjioze. Në vitin 2017, Italia u raportua të ishte një prej shteteve më të këqija në Europën Perendimore sa i përket të drejtave të personave gej, në bazë të statusit ligjor të komunitetit LGBT dhe mungesës së të drejtave të arritshme ose në dispozicion.

Përpjekjet e Ugandës për ta bërë të kundërligjshëm homoseksualitetin kanë nxitur protesta nëpër gjithë botën, përfshirë këtu Shtetet e Bashkuara. Foto: Creative Commons.

Sulmi terrorist që ndodhi në vitin 2016 në Pulse, klub i natës që frekuentohet nga personat gej në Orlando, SHBA, ishte incidenti më vdekjeprurës për komunitetin gej në SHBA. Ky akt u krye nga një terrorist i cili haptas pranoi se ishte homofobik. 49 persona u vranë. Gjithashtu në vitin 2016, në Karolinën e Veriut, një projektligj i njohur si House Bill 2 ose “Projektligji i Toaletit”, u projektua për t’i detyruar personat transgjinor që ta përdorin toaletin përkatës për gjininë që u është caktuar pas lindjes. Ky projektligj jo vetëm që ishte diskriminues, por edhe i rrezikonte ata njerëz të cilët nuk prezantohen sipas gjinisë së lindjes.

Në shtetet që janë në zhvillim e sipër dhe në shtetet që dikur ishin komuniste, të drejtat LGBT po rrezikohen mjaft shumë me sulme gjithnjë më të shpeshta ndaj individëve të këti komuniteti. Projektligji kundër homoseksualitetit i cili u propozua në vitin 2009 në Ugandë ka nxitur diskriminim të gjithëpranishëm në këtë vend, duke i bërë marrëdhëniet ndërmjet personave të të njëjtit seks të jashtëligjshme dhe të dënueshme me gjoba të mëdha, me arrest e madje edhe me burgim të përjetshëm. Ky projektligj ka nxitur edhe dhunë të pasanksionuar në këtë vend. Në janar të vitit 2014, Nigeria miratoi një projektligj të ngjashëm kundër personave gej i cili si rrjedhojë rriti nivelit e dhunës kundër komunitetit LGBT, e madje edhe u kthye në vegël për nxitjen e shkeljeve të të drejtave të njeriut.

Sipas Grupo Gay da Bahia, mbi 3,000 persona LGBT janë vrarë në Brazil prej kohës kur ky shtet u bë demokraci e plotë në mes të viteve të ‘80-a. Shumë aktivistë e quajnë këtë periudhë “Homokaust”. ISIS thuhet se i përdor ekzekutimet si metodë e frikësimit të burrave gej.

Në disa raporte është thënë se në Afrikë dhe në Lindjen e Mesme po përdoren ekzaminime anale për burra që dyshohet se janë gej dhe gra që dyshohet se janë transgjinore, si metodë për të “dëshmuar” se ata që janë arrestuar kanë bërë seks me burra tjerë. Policia në Indonezi ka bastisur lokale të cilat frekuentohen prej grave e burrave gej, e kështu është krijuar një histeri kundër personave gej që ka prodhuar rritjen e numrit të sulmeve ndaj aktivistëve LGBT dhe në ngjarje që kanë të bëjnë me komunitetin LGBT. Në 2017, qindra burra gej u mblodhën në Çeçeni dhe u mbajtën në kampet e para të përqendrimit që prej fundit të Luftës së Dytë Botërore. Aty u torturuan në kushte jonjerëzore.

Megjithatë, përkundër kriminalizimit të vazhdueshëm të personave LGBT, ky komunitet ka arritur zhvillime të rëndësishme.

Lëvizja më e Shpejtë për të Drejtat Civile

Lëvizja për të drejtat e personave gej është etiketuar si “lëvizja më e shpejtë për të drejtat civile”, meqë ka fituar mbështetje të madhe brenda një periudhe disavjeçare. Sivjet sondazhi Gallup Poll raportoi se 64 për qind e amerikanëve mendojnë se martesa ndërmjet personave të të njejtit seks duhet të jetë e ligjshme. Ky është ndryshim i madh nga viti 1996, kur u shtrua për herë të parë kjo pyetje, dhe 68 për qind e amerikanëve e kundërshtuan martesën ndërmjet personave të të njëjtit seks.

Disa ia kanë atribuar këtë faktit se komuniteti LGBT është i përhapur në të gjitha konstruktet sociale, kombëtare, religjioze, racore dhe të moshës. Njerëzit mund t’i kuptojnë dhe të lidhen më lehtë me individët LGBT kur kanë ndonjë përvojë personale me ndonjë person gej apo transgjinor.

Gjithashtu, reaksioni gjithnjë e më i madh kundër personave LGBT e ka shtyrë këtë çështje në skenën ndërkombëtare, duke e detyruar komunitetin ndërkombëtar të merret me këtë temë. Rezoluta e OKB-së në vitin 2016, e cila dënoi dhunën kundër komunitetit LGBT pas pushkatimit që ndodhi në klubin e natës në Orlando po këtë vit, ishte Rezoluta e parë e OKB-së e këti lloji.

Sulmi në gej klubin e natës, Pulse, në Orlando, Florida, që morri jetët e 49 personave u dënua nëpër gjithë botën. Foto: Creative Commons.

Tash më shumë se kurrë po dekriminalizohet dhe legalizohet nëpër botë martesa ndërmjet personave të të njëjtit seks. Në vitin 2000, Holanda u bë vendi i parë në botë i cili e legalizoi martesën ndërmjet personave të të njëjtit seks, dhe në vitin 2009, Afrika e Jugut u bë shteti i parë afrikan që e mori këtë vendim. Ky vendim historik u mor në SHBA në qershor të vitit 2015. Kjo çështje e tejkaloi legjislacionin shtetëror dhe doli drejtpërdrejt para Gjykatës Supreme, e cila e lejoi martesën ndërmjet personave të të njëjtit seks në të gjithë 50 shtetet.

Prej marsit të vitit 2017, 22 shtete lejojnë martesat e të njëjtit seks. Numri i shteteve me ligje që kriminalizojnë marrëdhëniet ndërmjet personave të të njëjtit seks është reduktuar në mënyrë të dukshme. Prej vitit 2007, gati 20 shtete i kanë dekriminalizuar marrëdhëniet ndërmjet personave të të njëjtit seks.

Përparimi social ka ngritje e rënie, e nuk është fitore ose disfatë e qartë. Suksesi i përgjithshëm i lëvizjes LGBT përbëhet prej shumë sukseseve, veçanërisht në vitet e fundit. Megjithatë, në shumë vende të botës ende rrezikohen – madje edhe me vdekje – njerëzit të cilët deklarohen haptas si persona LGBT.

Lufta nuk ka përfunduar. Për shkak të këtij suksesi të qartë, kjo lëvizje po merr vrull. Siç ka thënë aktivisti LGBT, Peter Tatchell: “e vetmja luftë për çlirim që ia vlen të luftohet është ajo e cila frymëzohet nga dashuria”.K

Foto kryesore: Atdhe Mulla / K2.0.

 

Kthehu prapa tek Monografia