Në fund të vitit 2004 para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës ishte vendosur një gomar me mbishkrimin ku thuhej ‘‘votoni për mu’’. Tre të rinj po e tërhiqnin gomarin e dëgjueshëm sa më afër ndërtesës, e ku më vonë prej aty do fillonin kundërshtimet më të ashpëra karshi politikanëve vendor, si dhe kundërshtitë e para të artikuluara edhe ndaj bashkësisë ndërkombëtare të stacionuar në Kosovë.
Tre të rinjtë ishin Albin Kurti, Glauk Konjufca dhe Shkëlzen Gashi, që një vit më pas do ta themelonin lëvizjen politike “Vetëvendosje”. Lider i kësaj lëvizje më vonë rezultojë të jetë Albin Kurti, deri në vitin 2015, e i cili me lëvizjen e tij do futej edhe në Parlamentin e Kosovës. Kjo ndodhi në vitin 2010. Konjufca do ishte nënkryetar i Kuvendit në dy legjislaturat e tij.
Ndërsa, Shkëlzen Gashi ishte larguar kohë më parë nga Vetëvendosje, para se kjo të bëhej pjesë e institucioneve të Kosovës.
Ai ishte kritik ndaj mënyrës se si funksiononte Vetëvendosje. E kjo e bëri target të aktivistëve të revoltuar me deklaratat e tij publike për VV. Gashi njihet si një nga themeluesit e Vetëvendosjes dhe thotë se mosllogaridhënia financiare e organizatës, rritja e kultit të liderit dhe insistimi i VV-së në disa ide politike pa i menduar alternativat e tjera, e ndanë përfundimisht nga organizata. Në anën tjetër e potencon se nuk e ndien veten themelues të Vetëvendosjes, duke thënë se i vetmi themelues i saj është Albin Kurti. ‘‘…ne të tjerët, kryesisht studentë, vetëm u angazhuam që të ndihmojmë për themelimin e saj. Ishim thjesht argatë’’, thotë ai sot me një gjuhë shumë më kritike ndaj VV-së, se të tjerët që u larguan nga kjo lëvizje.
Foto: Rrezeart Galica, 2004.
Gashi është politolog nga Prishtina dhe autor i disa librave, ndër më të zëshmit biografia për Adem Demaçin, e cila shkaktoi polemika mes tij dhe disidentit shqiptar Demaçi. Prejse është larguar nga Vetëvendosje në vitin 2006, Gashi nuk është i përfshirë në ndonjë parti politike, përkundrazi, ai i përçmon partitë në skenën politike të Kosovës. Momentalisht është pjesë e Institutit “Alter Habitus” – Institut për Studime në Shoqëri dhe Kulturë, dhe që merret me përhapjen e ‘‘dijes dhe krijimin e hapësirës për mendim kritik dhe kreativ’’.
Pjesë e fokusit të Gashit mbetet historia dhe raportet shqiptaro-serbe, për çka shkruan vazhdimisht. Është një ndër personat e paktë që ka potencuar vazhdimisht manipulimin e shifrave të personave të vrarë gjatë luftës dhe personave të zhdukur dhe përdorimin e tyre për qëllime politike.
Në ditën e votimit në zgjedhjet e sivjetme parlamentare, më 11 qershor, Gashi ishte arrestuar nga Policia, sepse kishte fotografuar votën. Jo për t’ia treguar ndokujt, por për ta mbajtur si dëshmi që kishte votuar “X” -in e tij. Votë me të cilën bojkotoi të gjitha partitë aktuale politike. Ai ishte liruar pasi ishte vërtetuar që nuk ka bërë vepër penale.
Foto: Atdhe Mulla / K2.0.
K2.0 e ka takuar për të bashkëbiseduar me të, rreth arsyeve pse votën ia dha “X”-it dhe për rritjen e partisë, pjesë e themelimit të së cilës ishte 12 vjet më parë, por u largua për shkak të pakënaqësive me Vetëvendosjen.
K2.0: Si i shihni zgjedhjet e 11 qershorit 2017, rezultatin që ato dhanë dhe cili mendoni se ka qenë ndryshimi më i madh i këtyre zgjedhjeve?
Gashi: Zgjedhjet e 11 qershorit 2017 ishin të jashtëzakonshme edhe për shkak të rezultatit, kurse ndryshimi i këtyre zgjedhjeve ishte dyfishimi i Lëvizjes Vetëvendosje, që ishte befasues, madje edhe për vet kreun e kësaj lëvizjeje.
Kush ishin faktorët që ndikuan në këtë dyfishim dhe si e shihni këtë rritje?
Faktori kryesor që ka ndikuar në dyfishimin e Vetëvendosjes, është pakënaqësia me gjendjen e rëndë në pothuajse secilën fushë. Pastaj, formimi i koalicionit PAN, që nga shumë qytetarë u pa si bashkim i hajnave të krahut të luftës. Shumica e qytetarëve vazhdimisht kanë qenë kundër krahut të luftës në pushtet dhe votën kundër këtij krahu, përkatësisht PDK-së, e kanë hedhë te LDK-ja me moton “ta pengojmë ardhjen e hajnave të luftës në pushtet”. Kësaj radhe, të zhgënjyer me LDK-në tashmë shumë herë dhe për shumë arsye, vendosën që votën kundër me e hedhë te VV-ja me moton “t’i largojmë hajnat nga pushteti”. Ngjashëm edhe në zgjedhjet lokale më 2013 në Prishtinë vota kundër LDK-së në pushtet shkoi te VV-ja. Faktor tjetër, që më duket se po shpërfillet, është se tri subjektet që e përbëjnë PAN-in, në zgjedhjet e vitit 2014, të gjitha së bashku kanë pasur 330 kandidatë, kurse në këto zgjedhje të gjitha së bashku kishin 110 kandidatë. Prej 220 kandidatëve, nëse secili prej tyre do të kishte sjellë të paktën nga 150 vota, i bie se subjektet e PAN-it kanë humbur minimum 33 mijë vota, pak a shumë aq sa ka marrë NISMA në zgjedhjet e 2014. Po ashtu, edhe fushata e VV-së këtë herë ishte më e mirë. Sido që të jetë, rritjen e VV-së e shoh pozitive për Kosovën sepse Qeveria e Kosovës në këto katër vite do të përballet me një opozitë më të fortë, edhe numerikisht, dhe nëse s’punon si duhet, në zgjedhjet e ardhshme VV edhe mund të dalë vërtetë e para.
Koalicioni PDK-AAK-NISMA doli si më i votuari i këtyre zgjedhjeve, për nga përqindja e votave. A besoni se kandidati i tyre për kryeministër, Ramush Haradinaj i ka gjasat që të bëhet kryeministri i ardhshëm i vendit?
Kjo varet nga laborantët e quintit, me theks të veçantë nga kryelaboranti, ambasadori Delawie [ambasadori i SHBA-së në Kosovë Greg Delawie]. Penguesi i vërtetë i dy prej projekteve të rëndësishme të bashkësisë ndërkombëtare – asociacionit dhe demarkacionit – ishte Ramush Haradinaj. Prandaj, besoj se laborantët nuk do ta përsërisin “gabimin” e vitit 2014 dhe do ta bëjnë kryeministër Haradinajn që t’i zbatojë asociacionin, demarkacionin, specialen dhe projekte tjera të vështira të bashkësisë ndërkombëtare për Kosovën. Nëse PAN-i dështon për ta themeluar qeverinë, atëherë ka gjasa që formula të jetë AAK-NISMA me LDK-AKR e minoritete. Ndërkaq, PDK e VV do të qëndrojnë në opozitë dhe kështu mund të afrohen me njëra tjetrën.
LDK për herë të parë në historinë e saj si parti politike, sa i përket votave, gjendet në vendin e tretë. Pse ka ndodhur kjo sipas jush?
LDK e ka tradhtuar vazhdimisht elektoratin e vet, duke bërë koalicione me PDK-në. Këtë herë u arrit kulmi sepse LDK-ja e bëri Kadri Veselin Kryetar të Kuvendit, Hashim Thaçin President, e këta të dy e rrëzuan LDK-në, përkatësisht Isa Mustafën nga Kryeministri. Pastaj, votuesi i LDK-së është i vjetër në moshë dhe një pjesë e atyre që kanë votuar për LDK-në në kohën e Rugovës, sot nuk janë gjallë, e shumë prej atyre që tani votojnë për herë të parë, votojnë kryesisht për VV-në…Për hir të së vërtetës, Qeveria Mustafa ishte më e mira që e ka pasur Kosova pas luftës.
A besoni se Vetëvendosje, tashmë ka mundësi të krijojë qeverinë dhe a besoni se janë të përgatitur ta udhëheqin atë?
Nuk besoj që laborantët kanë me vendosë që VV me udhëheqë Qeverinë e Kosovës. Natyrisht, VV absolutisht nuk është e përgatitur – këtë po e dëshmon edhe qeverisja e tyre në Prishtinë. Por, kur e mendoj që këta të tjerët janë edhe më katastrofë, them ndoshta me qeverisjen e VV-së nuk bëhet më ‘m…jaltë’, ama qeverisja e tyre në Prishtinë ma demanton këtë.
Habitem se si VV nuk mëson prej pësimeve ose iu duhen disa vite për t’i kuptuar gabimet.
Cilat besoni se kanë qenë veprimet që e kanë penalizuar Vetëvendosjen deri më tash, pasi që vetëm një dekadë vite pas themelimit të saj ajo arriti të fitojë një besim më të madh të qytetarëve?
Ka shumë arsye, por kryesoret janë: frika se e prishë “aleancën” me bashkësinë ndërkombëtare dhe frika se e nisë “luftën” me Serbinë. Dhuna ndaj institucioneve ka qenë një prej penalizimeve tjera kryesore. Sidoqoftë, personalisht më nevrikos, jo mungesa e konsistencës, por insistimi deri në ekstrem, për shembull, për të mos u futë në institucione, e mandej ideja, ithtar i të cilës kam qenë edhe vet, për t’u futë në institucione, por, për fat të keq, pa një debat të mirëfilltë përbrenda; ose insistimi, sërish deri në ekstrem, kundër negociatave, mandej pozicionimi pro negociatave, sërish pa debat të mirëfilltë përbrenda dhe pa një sqarim serioz se pse po ndodh ky ndryshim – ka disa vite që i kam mëshuar idesë se VV duhet të jetë pro negociatave – e me radhë. Po ashtu, më pengon fort kur ky ndryshim ndodhë dy javë para zgjedhjeve.
Habitem se si VV nuk mëson prej pësimeve ose iu duhen disa vite për t’i kuptuar gabimet. Po ashtu, më tmerron se si nuk e mendojnë kurrë hapin e radhës: në vitin 2013 thoshin “…kur të vijmë ne në pushtet do ta largojmë EULEX-in nga Kosova”, por kur i pyesja se çka nëse atëherë BE-ja na thotë “ne ia mbyllim dyert Kosovës për në Europë”. Nuk kishin përgjigje. Margaritari tjetër “…e çlirojmë veriun me Policinë e Kosovës dhe FSK-në”, duke e shpërfillë praninë e Serbisë atje, e mbi të gjitha praninë e KFOR-it. Ka edhe një mori rastesh të tilla.
VV e synon pushtetin shpejt dhe krejt për vete, prandaj nuk futet askush në koalicion me ta.
Ju keni thënë se nëse Vetëvendosje dëshiron me të vërtet që ta largojë PDK-në nga pushteti atëherë duhet t’i ofrojë postin e kryeministrit LDK-së. Mirëpo, Vetëvendosje insiston se kryeministri i ardhshëm i Kosovës duhet të jetë Albin Kurti, duke u nisur prej votave që mori partia e tyre me 11 qershor. A mendoni se insistimi i Vetëvendosjes për postin e kryeministrit, rrezikon që të lë në pushtet PDK-në?
Edhe LDK-ja në vitin 2004 kishte gati 6 fish më shumë vota se sa AAK-ja (45.41% – 8.39%), por ia dha AAK-së postin e kryeministrit. PDK-ja në vitin 2014 kishte 30.38% e LDK-ja 25.24%, por ia dha LDK-së postin e kryeministrit. VV-ja sot, në bazë të rezultateve, i ikë LDK-së vetëm për 1.96% (VV 27.49%, LDK 25.53%). Nejse, kjo kishte me qenë një dëshmi se VV është vërtet e interesuar për ta lënë PDK-në në opozitë dhe se s’i interesojnë postet, siç thoshin edhe vet në vitin 2014 “…i bashkohemi LAN-it, nuk duam poste, veç ta lëmë PDK-në në opozitë”.
Në të vërtetë, VV e synon pushtetin shpejt dhe krejt për vete, prandaj nuk futet askush në koalicion me ta – rasti me AAK-në dhe NISMA-n, ku VV-ja kishte kërkuar edhe pozitën e kryeministrit e edhe të kryeparlamentarit, tregon shumë për mendësinë e tyre.
Ta zëmë që kandidati i PAN-it nuk arrin ta krijojë Qeverinë dhe Presidenti e fton kandidatin e VV-së: a shkon Albin Kurti te Hashim Thaçi për me marrë mandatin për themelimin e qeverisë, sepse VV tërë kohën ka thënë se nuk e njeh Hashim Thaçin President?
Megjithatë ka mendime, që Lëvizja Vetëvendosje tashmë ka gjasa që të jetë në pushtet, të udhëheq edhe qeverinë. Së fundmi e kemi parë që edhe një ambasador amerikan për herë të parë, ka vendosur të takojë krerët e VV-së. Ka mendime se këto janë shenja që ajo do të ketë përkrahje ndërkombëtare për të bërë Qeverinë. Cilat janë përshtypjet e juaja?
Njëherë nuk futemi në institucione, mandej futemi në institucione. Një herë jemi kundër negociatave, mandej jemi për negociata. Një herë jemi për vetëvendosje territoriale, mandej jemi për vetëvendosje etnike. Dikur thoshin veriun e integrojmë me Policinë e Kosovës dhe FSK-në, tash veriun e integrojmë përmes zhvillimit ekonomik. Nuk futemi në koalicion me këto parti se janë kriminale. Futemi në koalicion me partitë që kemi përputhje programore dhe besim të ndërsjellë. Tash së voni po thonë: futemi në koalicion me këdo. PDK e LDK janë të djathta, dhe gjithnjë sipas VV-së, janë të korruptuara dhe u shërbejnë interesave të Serbisë. Pse tash nuk bën koalicioni me PDK-në e bën me LDK-në, me njeriun që tërë kohën i kanë thënë “Isë-Isë argat i Serbisë?” Si u bë tash që Isa Mustafa të jetë më i mirë se Ramush Haradinaj e Fatmir Limaj, të cilin kishin rol vendimtar në ndaljen e demarkacionit dhe asociacionit, që të dyja të mbështetura nga Isa Mustafa?
Nuk e konsideroj vetën një nga themeluesit e Vetëvendosjes. Kjo lëvizje kishte vetëm një themelues e ai ishte Albin Kurti.
Njësoj edhe kjo me ndërkombëtarët, nga kolonizatorë u shndërruan në partnerë. Jam pro ndryshimeve, madje për disa prej këtyre ndryshimeve edhe kam shkruar para shumë viteve–madje, kam marrë sharje e fyerje nga militantët e VV-së – por, nuk më pëlqen kur ndryshimet nuk janë të sinqerta, kur ndodhin pa debat përbrenda dhe sidomos nuk më pëlqen kur ndodhin disa ditë para zgjedhjeve.
Ju njiheni si një nga themeluesit e Vetëvendosjes. A mund të na thoni se çka kujtoni nga koha kur Vetëvendosje ishte veçse në fillet e saj? Si lindi ideja për Vetëvendosje dhe çka ju kishte bërë bashkë me Albin Kurtin?
Nuk e konsideroj vetën një nga themeluesit e Vetëvendosjes. Kjo lëvizje kishte vetëm një themelues e ai ishte Albin Kurti, kurse ne të tjerët, kryesisht studentë, vetëm u angazhuam që të ndihmojmë për themelimin e saj. Ishim thjesht argatë. Vetëvendosje ishte një lëvizje dekolonizuese në raport me Serbinë dhe në raport me bashkësinë ndërkombëtare të stacionuar në Kosovë, me theks të veçantë kundër UNMIK-ut. Edhe sot e kësaj dite pak qytetarë të Kosovës e dinë se ky mision, që e sundoi Kosovën për një dekadë, ishte ide dhe kërkesë e Serbisë, konkretisht e Milosevic-it. Për më shumë, ky mision edhe ka realizuar një mori qëllimesh të Serbisë në Kosovë.
Albin Kurti në zgjedhjet e fundit doli të jetë personi më i votuar në vend. Ju e njihni nga afër Kurtin, çka mund të na thoni për miqësinë tuaj më të, në kohën kur vetëm po mendohej krijimi i një lëvizje politike si Vetëvendosje?
Ai është punëtor i jashtëzakonshëm. I gatshëm që, për dallim prej të gjithë të tjerëve që i ka përreth, të sakrifikojë gjithçka për idealin e vet, madje edhe jetën. I pajisur me dije për një mori fushash. Do të ishte fantastike ta kishte edhe mençurinë sikurse dijen, të ishte më i sinqertë dhe më i drejtë, të kishte më pak neps për pushtet, dhe t’i kishte 300 spartanë, që për fat të keq s’e ka as edhe një, krejt kjo për fajin e vet…
Cilët do ishin dhe si do dukeshin 300 spartanët dhe pse i ka humbur Kurti ata?
Besoj se në Kosovë është e mundshme të gjenden njerëz të përgatitur profesionalisht në fusha të caktuara, që do t’i identifikonin saktë problemet me të cilat ballafaqohet shoqëria jonë dhe që do të jepnin propozimet të duhura për zgjidhjen e tyre. VV-ja nuk e ka ekipin, nuk i ka identifikuar problemet dhe rrjedhimisht nuk e ka as propozimin për zgjidhjen e problemeve. Cili prej deputetëve të VV-së i ka arsyetuar rreth 50 mijë euro që kanë marrë gjatë këtij mandati? Pse shoqëria kosovare është dashtë t’u japë nga 50 mijë euro deputetëve? Cila është çështja që këta e kanë shtyer përpara? Cili është komuniteti i margjinalizuar që këta e kanë mbrojtur? Këta kryesisht janë sharë e fyer me deputetët e PDK-së, ndërkohë që, ta zëmë, deputeti Raif Qela, që i ka arsyetuar plotësisht rreth 50 mijë eurot që ka marrë, duke i shtyrë përpara dy ligje fort të rëndësishme – Ligjin për Obiliqin dhe për Trepçën –nuk është më në Parlament.
Pse jeni larguar nga Vetëvendosje!?
Siç ia pata thënë atëherë edhe themeluesit të VV-së, u pata larguar kur u bindase VV-ja është më shumë ndërmarrje private sesa lëvizje ose organizatë politike. Mandej nuk më pëlqente mënyra sesi forcohej kulti i personalitetit të liderit – ndonëse ideja fillestare ishte të mos kishte lider – pastaj serviliteti i personave përreth liderit, që ishte raport i ngjashëm sikur ai i myhibëveme shehun…Po ashtu, mungesa e llogaridhënies, në radhë të parë financiare, mosgatishmëria për ta pranuar mendimin e kundërt, e me radhë…
Çka ju ka ndarë ideologjikisht me mikun tuaj Albin Kurtin?
Në princip, ideologjikisht besoj që nuk dallojmë. Jam socialdemokrat, por jo sikur Fatmir Limaj. Dallimet tjera pak a shumë besoj i shpjegova me herët.
Është shqetësues ekskluziviteti i tyre patriotik, përdorimi i metodave të dhunshme dhe mandej viktimizimi.
Ju keni folur në të kaluarën edhe për viktimat e luftës nga ana e minoriteve, të cilat janë lidhur me aktivitetin e UÇK-së, ndërsa Albin Kurti ka refuzuar kategorikisht gjykimin e luftës së UÇK-së. A mund të themi se ky është një dallim ideologjik i juaji dhe i Kurtit?
Pyetje shumë interesante. Gjatë gjithë kohës VV thoshte nuk duhet të negociojmë për të pagjeturit. Serbia duhet t’i kthej pa negociata trupat e 1,700 shqiptarëve të pagjetur dhe nuk e përmendnin askund se prej 1,700 të zhdukurve, rreth 1,300 janë shqiptarë e rreth 400 janë serbë. Gjatë fushatës elektorale lideri real i VV-së, në një intervistë në emisionin Rubikon, tha se çështje e të zhdukurve shqiptarë do të zgjidhet bashkë me çështjen e rreth 400 të zhdukurve serbë. Pse e tha këtë pikërisht tash? Pse nuk e tha asnjëherë që 10 vjet? Për t’i çuar mesazh bashkësisë ndërkombëtare se nëse e sjellin në pushtet është i gatshëm të zbatojë projektet e tyre Kosovë-Serbi? VV tash është e sigurt që e ka mbështetjen e komunitetit nacionalist, e tash po i duhet e komunitetit ndërkombëtar.
Natyrisht, Kurti mundohet ta mbrojë luftën e UÇK-s, mes tjerash, edhe për shkak se edhe vet ishte pjesë e saj. Natyrisht, lufta e UÇK-së ka qenë e drejtë, porsi mund të jetë e pastër një luftë e udhëhequr pothuajse fund e krye, siç do ta dëshmojë edhe Gjykata Speciale, nga kriminelë?
Albin Kurti po akuzohet se me rastin e parë real për t’u futur në pushtet, pra në zgjedhjet e fundit, ka ndryshuar disa nga qëndrimet e tij politike. Çka mund të na thoni rreth kësaj, duke pasur parasysh edhe deklaratat e fundit publike të Kurtit rreth partneritetit me SHBA-në, BE-në, çështjet e bashkimit kombëtar dhe flamurit, por edhe arrestimet e zyrtarëve të PDK-së?
Çështja është se këta kanë vendosë vet standarde të larta morale e patriotike, e tash s’po mund t’u përmbahen as vet. A ju kujtohen garazhet e PDK-së në Prishtinë? Eh, ato ishin për mobilizim të masave.
Foto: Atdhe Mulla / K2.0.
Vetëvendosjes si parti parlamentare. Cilat ishin veprimet/qëndrimet e saj me të cilat jeni pajtuar dhe me cilat veprime/qëndrime nuk jeni pajtuar?
Me shumë kritika të VV-së për zhvillimet politike jam dakord. Ajo që më tmerron te ta është mungesa e programit. Alternativa Qeverisëse është më shumë përmbledhje akuzash. Edhe kur kanë propozime për zgjidhjen e problemeve politike janë absurde. Pastaj, është shqetësues ekskluziviteti i tyre patriotik, përdorimi i metodave të dhunshme dhe mandej viktimizimi, e kështu me radhë…
Kur jemi te dhuna dhe përfitimi prej saj, më lejoni t’ju tregoj një detaj nga memoaret e ambasadorit amerikan në ish Jugosllavi, Warren Zimmermann: Gjatë muajit gusht 1990 senatorët Robert Dole dhe Alfonse D’Amato vizituan Kosovën. Takuam udhëheqësin e shqiptarëve Ibrahim Rugova. Derisa po e përfundonim takimin, Dole më tha se dëshironte të shëtiste për të takuar shqiptarë të rëndomtë. I thashë që për këtë është më mirë ta pyesim Rugovën. Për befasinë time, ai kundërshtoi fuqishëm – “Serbët mund ta përdorin këtë si shkas për dhunë edhe më të madhe. Mendoj se duhet të shkoni drejt në aeroport.” Dole, i dëshpëruar, e përfilli këshillën e tij. Mendova për vlerat e karakterit të Rugovës. Një incident i dhunshëm sigurisht do të ishte në dobi të tij, por ai dëshiroi ta shmangte atë sepse nuk dëshironte të lëndoheshin njerëzit. Çka jau merr mendja: si do të vepronte VV-ja në një situatë të tillë?
Në disa deklarata publike ju keni thënë se Vetëvendosje “është në embrion” të kriminalizimit. Çka keni menduar me këtë dhe a po doni të thoni se prej një lëvizje qytetare po zhvillohet një parti e kriminalizuar? Meqë e keni quajtur parti kriminale edhe PDK-në, çka e dallon Vetëvendosje!-n sot nga PDK?
LDK-ja është parti kriminale frikacake, PDK-ja është parti kriminale e guximshme, kurse VV-ja është parti kriminale në embrion. Për këtë, jahti është vetëm një prej dëshmive. E keni parë që VV kërkon hetim për financimin e ShIK-ut, e nuk tregon për financimin e vet prej themelimit e deri te futja në institucione 2005-2010? Pastaj mos të flasim për aktivistët e papunësuar që depozitojnë nga 999 euro si donacion për partinë. Për VV-në, kriminelët kur janë me partitë tjera janë kriminelë, kurse kur janë me VV-në janë patriotë.
Jam i bindur që VV e përdorë islamizmin njësoj sikur që e ka përdorë nacionalizmin.
Shiheni qeverisjen në Prishtinë. Merreni vetëm urbanizmin: lejet që kanë lëshuar këta në rrugën B, por edhe në disa vende tjera, tregojnë se janë korruptuar rëndë. Pastaj, diçka që mund të duket e parëndësishme, por është fort e rëndësishme sepse tregon për mendësinë e tyre, janë emrat e rrugëve: një rrugë në Prishtinë merr emrin e babait te kryetarit të Prishtinës, një tjetër të babait të drejtorit të urbanizmit në Prishtinë, tjetra të gjyshit të një asambleisti, kurse një tjetër emrin e gjyshit të një deputeteje nga radhët e VV-së.
Kur ta marrin pushtetin në nivel qendror, nëse e marrin, kam frikë se i pakorruptuar në këtë parti do të mbetet ndoshta vetëm Albin Kurti.
Në drejtim të Vetëvendosjes janë hedhur kritika lidhur me atë se kjo parti shpërlanë trurin e aktivistëve të rinj, në atë formë që t’iu binden tërësisht urdhrave të partisë dhe duke i organizuar në atë formë që të kundërshtojnë çdo mendim ndryshe? A qëndrojnë këto akuza, dhe si e shihni ju antagonizmin e aktivistëve të VV-së?
Shoqëria kosovare duhet ta mendojë mirë një plan integrues e socializues për tri grupet më ekstremiste në shoqërinë tonë, të cilat, mes tjerash, e linçojnë, stigmatizojnë, fyejnë e poshtërojnë secilin që nuk mendon si ata: fundamentalistët myslimanë, fundamentalistët vetëvendosës dhe fundamentalistët rugovistë…
Në drejtim të Vetëvendosjes, janë drejtuar akuzuar edhe të atilla saqë zyrtarë të partive tjera e kanë krahasuar me organizata terroriste. Madje, ka mendime se Kurti për të fituar përkrahje të qytetarëve ka përdorur edhe kartën e islamizimit. Si e shihni ju relacionin e VV-së me religjionin konkretisht me Islamin?
Jam i bindur që VV e përdorë islamizmin njësoj sikur që e ka përdorë nacionalizmin. Tash që po e heton se mbështetjen e komunitetit të nacionalistëve e ka të garantuar, ka filluar ta heqë “znaçkën” me shqiponjë, dhe është fokusuar te islamistët. Zaten, kështu pat vepruar edhe Thaçi: fillimisht e pat përdorë nacionalizmin, e së fundi edhe islamizmin, por asnjërit prej këtyre dy komuniteteve s’ua pat plotësuar premtimet.
A është Vetëvendosje e sotme, ajo që e keni paramenduar që do të bëhej kur keni e keni themeluar? Nëse jo, pse dhe si keni pritur që do të jetë? Si dhe çka prisni nga VV-ja në qeverisje eventuale?
E thashë edhe më herët se VV s’i ka identifikuar problemet pothuajse në asnjë prej fushave më të rëndësishme, e kur s’i identifikon ato, nuk ke se si të japësh ide për zgjidhjen e tyre, e edhe më keq është kur nuk ke as ekip. Merreni vetëm ‘programin’ e tyre me 40 pika dhe shiheni se çka thonë, ta zëmë, për problemin më të madh të Kosovës, arsimin, sidomos për arsimin e lartë. Mjerim.
Nga qeverisja eventuale e VV-së në nivel të Kosovës, pres të ndodhë pak a shumë ajo që ka ndodhë me qeverisjen e VV-së në Prishtinë. Prishtina është dështimi spektakular, jo vetëm i Shpend Ahmetit, por edhe i Albin Kurtit, i cili me duart e tij të zgjatura udhëheq të paktën tri drejtori kryesore në Prishtinë: urbanizmin, infrastrukturën dhe inspektoratin.
Personalisht kam votuar për VV-në në Prishtinë për ta ndëshkuar në radhë të parë për urbicidin që ka ndodhë nën qeverisjen e LDK-së dhe kam lobuar për fitoren e VV-së, por jam thellësisht i zhgënjyer. Asnjë projekt me të cilin do të mbahen në mend. Trafiku urban është njësoj keq, vetëm se janë shtuar disa autobusë. Parkingjet janë njësoj tmerr. Prishtina është madje më e papastër se më parë. Merreni me mend, këta s’e kanë bërë asnjë metër shteg për biciklistë. Këta e kanë kthyer Prishtinën në kohën e Ismet Beqirit. Kur e mendoj që Isa Mustafa, në prag të pensionimit, me një staf tërësisht joprofesional e të korruptuar, ka bërë shumë më shumë se këta dështakët spektakularë, them që e pakta që duhet të bëjmë është të mos i votojmë më.K
Foto kryesore: Atdhe Mulla / K2.0.