Biseda | Politika

Shkëlzen Gashi: Shumë pak njerëz guxonin ta takonin Demaçin

Nga - 26.07.2019

Një vit prej vdekjes së shkrimtarit dhe veprimtarit politik.

Në prill të vitit 1990, Adem Demaçi u lirua pasi kishte kaluar përplot 28 vjet burg gjatë tri dënimeve nga pushteti jugosllav, duke e bërë atë një ndër veprimtarët politik që më së gjati ka qenë i burgosur në ish-Jugosllavi. Gati 20 vjet pas lirimit, kur ishte pyetur se a kishte menduar ndonjëherë të ikte nga burgu, ai ishte përgjigjur ‘‘a ikë njeri prej venit të punës’’.          

Demaçi për herë të parë u arrestua në nëntor të 1958-ës, kur ishte 23-vjeçar, me akuzat për ‘‘veprimtari armiqësore kundër rregullimit shtetëror të Republikës Federative Popullore të Jugosllavisë (RFPJ)’’. Asokohe, ai u dënua me 5 vite burg, por u lirua pas 3 vitesh. Ishin vitet kur nga autoritetet e RFPJ-së u vranë shumë persona, shumë më shumë u burgosën, bastisën dhe u shpërngulën me dhunë për në Turqi.    

Në qershor të atij viti, Demaçi botoi romanin ‘‘Gjarpijt e Gjakut’’, ku kritikonte traditën e gjakmarrjeve mes shqiptarëve, shpërnguljet e dhunshme e masive të tyre për në Turqi, si dhe bënte thirrje për revoltë kundër regjimit jugosllav. Romani i tij u ndalua në vitin 1958, dhe ai shpesh kishte hasur në burg të tjerë që ishin aty veçse ishin kapur me romanin e tij.   

Në vitin 1963 – kur federata ndryshoi emrin në Republikën Federative Socialiste të Jugosllavisë duke e (ri)konfirmuar Josip Broz Titon si “president për jetë” – Demaçi themeloi organizatën Lëvizja Revolucionare për Bashkimin e Shqiptarëve, me anë të së cilës angazhohej për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë, si dhe shpreheshin kundër margjinalizmit ekonomik të shqiptarëve në ish-Jugosllavi.     

Ai u arrestua për herë të dytë në vitin 1964 për tu liruar më 1974. Atë vit edhe u ratifikua kushtetua e re RFSj-së që parashihte më shumë të drejta për republikat dhe krahinat e saj. Megjithatë, veprimtarët kundërshtues politik vazhduan të mbeten të persekutuar, dhe Demaçi sërish u arrestua  pas një viti dhe u mbajt në burg për 15 vite tjera.    

Me tu liruar nga burgu, Demaçi vazhdoi aktivitetin e tij politik edhe gjatë viteve 1990, kohë kur regjimi shtypës i Slobodan Milosheviçit përjashtoi shqiptarët nga hapësirat publike, institucionet dhe vendet e punës.   

Qëndrimet e tij se si të zhvillohej rezistenca e kishte vënë në konflikt të hapur me Ibrahim Rugovën, liderin e LDK-së dhe Presidentin e zgjedhur nga shqiptarët e Kosovës.  Në gusht të 1998-ës, Demaçi u bë Përfaqësues Politik i UÇK-së, post të cilin e mban deri në mars të 1999-ës kur jep dorëheqje pasi nuk pajtohet me nënshkrimin e Marrëveshjes së Rambujesë, sidomos duke kundërshtuar pikat ku parashihej të ruhej sovraniteti teritorial i Serbisë, ku përfshihej edhe Kosova, apo edhe forcat serbe të qëndrojnë në teritorin e Kosovës. 

Pas viti 1999, ai doli në mbrojtje të minoriteteve në Kosovë dhe ishte një ndër zërat më aktiv që bënte thirrje kundër hakmarrjeve ndaj tyre në vitet e parë pas luftës. Demaçi po ashtu ishte zë kritik ndaj bashkësisë ndërkombëtare, që sipas tij, nuk po respektonin vendimet e vendorëve.   

Një vit më parë, 26 korrik 2018, Demaçi vdiq në moshën 82-vjeçare. 

K2.0 ka biseduar me Shkëlzen Gashin, autor i biografisë për Demaçin, dhe i cili kishte pyetur atë se “a mendonte ndonjëherë të ikte nga burgu”. 

Përgjatë vitevet 2008-2010, Gashi dhe Demaçi zhvilluan biseda prej të cilave mendohej të botohej autobiografia e Adem Demaçit. Mirëpo, para botimit, prishën marrëdhëniet mes tyre, që sipas Gashit, erdhi për shkak se Demaçi i kërkoi t’i fshinte disa faqe të librit. Libri ‘‘Adem Demaçi, biografi e paautorizuar’’, me autor Gashin dhe pa autorizimin e Demaçit u botua në vitin 2010.

K2.0: Ta nisim bisedën me periudhën nga pas Lufta e Dytë Botërore në Kosovë e deri tek arrestimi i parë i Demaçit më 1958. Cilat ishin disa nga momentet kryesore gjatë atyre viteve që ndikuan në formimin e Demaçit?

Shkëlzen Gashi: Janë disa momente që nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore e deri te arrestimi i parë më 1958, të cilat kanë pasur ndikim vendimtar në formimin politik të Demaçit, por këtu po i përmend tri që për mua janë më të rëndësishmet.

Momenti i parë është kur menjëherë pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, derisa Demaçi ndiqte mësimet në gjimnazin tetëvjeçar në Prishtinë, në godinën e njohur si Gjimnazi Sami Frashëri i Prishtinës, salla e fizkulturës ishte shndërruar në gjykatore, ku dënoheshin kundërshtarët e regjimit jugosllav, kryesisht veprimtarë të Lëvizjes Nacional-Demokratike Shqiptare (NDSh). 

Jo larg shpisë së Demaçit, e cila ndodhej në lagjen e Çeklikut, asokohe lagjja e fundit e Prishtinës në drejtim të Tauk Bahçes e të Gërmisë, partizanët jugosllavë kishin hapë një gropë, që sot njihet si “Strelishte”, në të cilën i hidhnin të pushkatuar veprimtarët e NDSh-së. Demaçi më tregonte se krismat e këtyre pushkatimeve shpeshherë gjatë natës ia kishin trazuar gjumin.

Foto e hershme e Demaçit në moshën 23-vjeçare, e marrë nga libri ‘‘Adem Demaçi, biografi e paautorizuar’’, me autor Shkëlzen Gashi.

Momenti i dytë është në vitin 1953 kur Presidenti i Jugosllavisë, Josip Broz Tito, nënshkruan një marrëveshje xhentëlmenësh me Ministrin e Jashtëm të Turqisë, Mehmet Köprülü-në, për ta siguruar dëbimin e shqiptarëve nga Jugosllavia për në Turqi. Kur e pata pyetë Demaçin se cili kishte qenë momenti më i vështirë në jetën e tij, më pat thënë: shpërngulja e gati krejt shokëve të tij për në Turqi gjatë viteve ‘50.

Momenti i tretë është në dimrin e vitit 1955/56 kur pushteti jugosllav e nisë fushatën për mbledhjen e armëve në Kosovë. Demaçi tregonte se si “njerëzit i nxirrnin prej shtëpive dhe i keqtrajtonin, i lidhnin e i tërhiqnin nëpër borë e acar, derisa lëkura u binte sikur pendlat e pulave.

Ata ta kërkonin pushkën. Natyrisht, ti s’kishe pushkë. Ata të detyronin me e ble. Një fqinj i imi, nga frika se prap do të kalonte nëpër tortura, e pati varë veten”.

Arrestimi dhe dënimi i parë i Demaçit ndodhi më 1958, një vit pas botimit të romanit të tij “Gjarprijt e gjakut”, dhe disa tregimeve të tij në gazetën “Rilindja”. Në biografinë e tij, ju thoni se gjatë asaj kohe Demaçi nuk ishte “…anëtar i ndonjë organizate ilegale… por fliste gjithçka, gjithkund dhe me gjithkënd”. Çfarë rreziku paraqisnin shkrimet e Demaçit për regjimin e asaj kohe?

Demaçi u arrestua për herë të parë më 19 nëntor 1958 në ambientet e të përditshmes “Rilindja”, ku punonte si redaktor i letërsisë botërore, me arsyetimin se kishte ushtruar veprimtari armiqësore kundër rregullimit shtetëror të Jugosllavisë, dhe se ishte angazhuar për shkëputjen e Kosovës nga Jugosllavia e bashkimin e saj me Shqipërinë. Në të vërtetë, deklarimet e hapura dhe shkrimet e Demaçit kundër padrejtësive që u bëheshin shqiptarëve, e veçmas ideja që e përçonte romani “Gjarpijt e gjakut”, kishin nxitur autoritetet jugosllave që ta arrestonin atë. Mirëpo, edhe vet Demaçi ishte befasuar me arrestimin, andaj edhe i kishte pyetur policët që e kishin arrestuar se mos e kanë ngatërruar me dikë tjetër.

Photo: Atdhe Mulla / K2.0.

Gjatë bisedave të shumta që kam pasur me të, ai e pranonte se derisa e kishte shkruar “Gjarpijt e gjakut” s’e kishte menduar se mund ta burgosnin, sepse s’ia kishte marrë mendja që do të ishin aq budallenj sa këtë punë ta bënin edhe më të madhe sesa që ishte. Më vonë, romani “Gjarpijt e gjakut” ishte shpërndarë nga studentë e veprimtarë të lëvizjes ilegale, shpesh-herë i mbështjellë me kopertinat e romanit “Ura mbi Drinë” të shkrimtarit serb Ivo Andrić. Madje, nëpër burgje, Demaçi edhe kishte takuar shqiptarë që ishin dënuar vetëm pse ia kishin lexuar romanin.

Demaçi ishte ndër të parët që kritikoi publikisht regjimin e asaj kohe. Në këndvështrimin tuaj, Demaçi kundërshtoi sepse ishte më i përgatitur intelektualisht apo sepse ishte më i guximshëm?

Për atë kohë Demaçi ishte shumë i avancuar intelektualisht. Si gjimnazist ai botoi tregime në gazetën “Rilindja” dhe në revistat “Jeta e re” dhe “Zani i Rinisë”, duke qenë nën përkujdesjen e veçantë të profesorit të tij Idriz Ajeti dhe të poetit Esad Mekuli. Pastaj, gjatë viteve 1953-1958, si student i Letërsisë Botërore në Universitetin e Beogradit dhe si bursist i gazetës “Rilindja”, Demaçi u afirmua si shkrimtar tregimesh të shkurta, në të cilat e kundërshtoi guximshëm gjendjen e rëndë socio-ekonomike, e me theks të veçantë shpërnguljen e shqiptarëve për në Turqi. 

Gjatë kohës së studimeve ndoqi ligjëratat e profesorëve të shquar të Beogradit për letërsinë botërore dhe lexoi shkrimtarët e mëdhenj botërorë: Balzac-un, Hemingway-in, Kafka-n, Camus-në, Maupassant-in, Chekhov-in, Dostoevsky-in, Tolstoy-in, e me radhë. Demaçi i kishte të dy karakteristikat që, sipas filozofit Jean-Paul Sartre, e përbëjnë intelektualin: dijen dhe guximin. Guximi i tij motivohej prej dijes.

Ju thoni se sipas vështrimit të Demaçit, organizata Lëvizja Revolucionare për Bashkimin e Shqiptarëve (LRBSh), që ai e kishte themeluar, ishte një prej shkaktarëve për rrëzimin e Aleksandar Ranković-it, Zëvendës-president i Jugosllavisë.  Pas rrëzimit të tij me 1966, nisën dhe u miratuan amandementet ku gjuhës shqipe i jepej statusi i gjuhës zyrtare krahas asaj serbe, lejohej përdorimi i flamurit kombëtar, dhe thuhej se do rishikoheshin dënimet e të burgosurve politik shqiptarë. Sipas jush, a qëndron një konstatim i tillë, si dhe a ishin artikuluar konkretisht këto kërkesa nga Demaçi para se të burgosej?

Nuk më duket se qëndron vështrimi i Demaçit se organizata që ai e kishte themeluar dhe drejtuar – Lëvizja Revolucionare për Bashkimin e Shqiptarëve – ishte një prej shkaktarëve për rrëzimin e Aleksandar Ranković-it. Rrëzimi i Ranković-it kishte ardhur si pasojë e konflikteve që ai kishte me Tito-n.

Ndërkaq, sa i takon artikulimit të kërkesave qëllimi parësor dhe përfundimtar i LRBSh-së ishte “… sigurimi i të drejtës për vetëvendosje, deri në shkëputje të plotë, për viset e banueme me shumicë shqiptare që gjinden nën administrimin e Jugosllavisë”. Programi thotë se LRBSh-ja “për me e mbërrijtë qëllimin e naltpërmendun… ka me përdorë të gjitha mënyrat dhe mjetet që i vijnë përdore, prej atyne politike e propagandistike, e deri te lufta e armatosun dhe kryengritja e përgjithshme popullore”.

... pak njerëz, përveç një grushti shokësh e më të afërmish, guxonin ta takonin Demaçin. Në rrugë shumë njerëz bënin sikur s’e njihnin.

Në fund të viteve ‘60 dhe në fillim të viteve ’70, gjendja në Kosovë ndryshoi radikalisht, si në politikë, ashtu edhe në ekonomi, në arsim, në kulturë, e me radhë, e ky ndryshim ishte rezultat i disa faktorëve, por këtu po i përmend vetëm tre faktorë të niveleve të ndryshme: në nivel kosovar ishin demonstratat e vitit 1968, të cilat u patën organizuar nga të rinjtë e LRBSh-së, organizatë e themeluar nga Adem Demaçi, Ramadan Shala dhe Mustafa Venhari.

Në nivel jugosllav ishte rënia e Ministrit të Brendshëm të Jugosllavisë Aleksandar Ranković dhe ndryshimet që solli kjo rënie në Jugosllavi. Në nivel më të gjërë ishte ndërhyrja e BRSS-së në Çekosllovaki, e cila ndikoi në ndreqjen e marrëdhënieve mes Jugosllavisë dhe Shqipërisë, shkaku i frikës se një ndërhyrje e tillë mund të ndodhë edhe ndaj këtyre dy vendeve, e kjo ndreqje e marrëdhënieve ndikoi në përmirësimin e pozitës së Kosovës në Jugosllavi.

Përtej strukturave apo politikanëve kosovarë të asaj kohe në ish-Jugosllavi, cili ishte reputacioni i Demaçit tek popullsia e Kosovës?

Para se të arrestohej për herë të parë më 1958, Demaçi ishte person me reputacion të madh: kishte botuar rreth 20 tregime në gazeta e revista të ndryshme, që kishin shkaktuar jehonë të madhe; kishte botuar romanin “Gjarpijt e Gjakut”, që ishte romani i parë i botuar në Kosovë; punonte redaktor i letërsisë botërore në gazetën “Rilindja”.

Natyrisht, në periudhat mes burgut të parë (1961-1964) dhe burgut të dytë (1974-1975) shumë pak njerëz, përveç një grushti shokësh e më të afërmish, guxonin ta takonin Demaçin. Në rrugë shumë njerëz bënin sikur s’e njihnin. Përjashtim bënte Esad Mekuli. Për më shumë, organet e pushtetit nuk e linin madje as të punësohej, me qëllim që t’i frikësonin të tjerët.

Kundërshtarët e Demaçit, kryesisht ithtarë të Ibrahim Rugovës, e sulmojnë atë për këto ndryshime të qëndrimeve politike.

Demaçi ishte në gjendje të bënte çdo lloj pune, deri edhe të hapte kanale, por kudo që kërkonte punë, e refuzonin. Gjatë kësaj kohe, gjasat e botimit ishin tejet të vogla, prandaj Demaçi nuk shkruante thuaja fare. Në vitet e ’80 dhe sidomos pas daljes nga burgu më 1990, gjendja kishte ndryshuar rrënjësisht dhe ai ishte një prej personaliteteve më të adhuruara nga qytetarët shqiptarë të Kosovës. 

Për çka akuzohej Demaçi nga autoritetet e asaj kohe? 

Në burgun e parë (1958-1961) Demaçi bie për shkak të shkrimeve të tij, e në burgun e dytë (1964-1974) për shkak se themeloi organizatën Lëvizja Revolucionare për Bashkimin e Shqiptarëve (LRBSh). Këto dy burgime, që zgjasin afërsisht 14 vite, ai i pranon, kurse burgu i tretë (1975-1990), që është gjysma e burgut të tij të tërësishëm, siç e thotë edhe vetë Demaçi, ishte pa bazë juridike sepse ai nuk kishte bërë absolutisht asgjë, por, si duket, regjimi kishte frikë se ai mund të bënte diçka dhe kështu synonin edhe t’i frikësonin të tjerët. Demaçi ishte viktimë, prej të cilit pushtetarët e atëhershëm jugosllavë kishin krijuar një martir.

Edhe gjatë kohës sa Demaçi vuante dënimet me burg, janë të njohura ndryshimet e tij në qëndrime. Çka tregon kjo?

Demaçi fillimisht angazhohej për shkëputjen e Kosovës dhe të viseve të tjera të banuara me shqiptarë në ish-Jugosllavi dhe bashkimin e tyre me Shqipërinë. Pas daljes nga burgu i dytë më 1974, ai konsideronte se rrethanat politike në Kosovë e në Jugosllavi, e edhe në botë, kishin ndryshuar ndjeshëm dhe se duhej angazhuar për avancim të statusit të Kosovës – nga autonomia në Republikë në kuadër të RSFJ-së.

Pas daljes nga burgu në vitin 1990 ai angazhohej për pavarësinë e Kosovës, kurse nga mesi i viteve ’90 për projektin Ballkania, që parashihte një konfederatë në mes Serbisë, Malit të Zi e Kosovës, ndërkaq në vitin 1998, si përfaqësues i përgjithshëm politik i UÇK-së, kthehet sërish te opcioni për Kosovën e pavarur.

Fotografi e marrë nga libri ‘‘Adem Demaçi, biografi e paautorizuar”, e cila besohet që është fotografia e vetme e Demaçit gjatë kohës në burg.

Kundërshtarët e Demaçit, kryesisht ithtarë të Ibrahim Rugovës, e sulmojnë atë për këto ndryshime të qëndrimeve politike. Mirëpo, edhe Ibrahim Rugova fillimisht angazhohej për ta kthyer autonominë e Kosovës, të suprimuar nga Serbia më 1989, pastaj për Kosovën Republikë në kuadër të Jugosllavisë, mandej për Kosovën e pavarur, e ndonjëherë e përmendte si opcion edhe bashkimin e Kosovës me Shqipërinë. Në mes të viteve ‘90 Rugova doli me propozimin për vendosjen e Kosovës nën protektorat të OKB-së, e në vitin 1999 në Rambuje nënshkroi autonominë substanciale në kuadër të Serbisë e të Jugosllavisë, e në fund, pas luftës sërish angazhohej për opsionin e pavarësisë së Kosovës.

Qëllimi final i të dyve ishte liria dhe pavarësia e Kosovës dhe ndryshimet e qëndrimeve politike në rrethana të caktuara kohore ishin strategji e tyre politike për ta arritur qëllimin final.

Mbesim ende tek vitet e ‘90-ta. Demaçi u konfliktua gati me të gjithë politikanët e intelektualët tjerë shqiptarë të atyre viteve. Cili ishte raporti që kishte Demaçi me figurat që e dominonin skenën publike të atyre viteve?

Konflikti kryesor në politikën e viteve ’90 ishte në mes të Adem Demaçit dhe Ibrahim Rugovës.  

Rugova e hidhte poshtë idenë e rezistencës aktive: për të bllokuar rrugë, për të organizuar greva urie, për të okupuar ndërtesa publike dhe aktivitete të ngjashme, me arsyetimin se kjo do t’i levërdiste Serbisë, e cila ishte e etur për të nxitur veprime të armatosura në Kosovë. Qëllimi i Rugovës ishte të shmangte konfliktin e dhunshëm dhe t’i shkatërronte paragjykimet ekzistuese mbi shqiptarët si njerëz të armatosur dhe hakmarrës. Rugova synonte ta ndërkombëtarizonte çështjen e Kosovës përmes një strategjie komunikimi duke e informuar botën demokratike mbi represionin serb në Kosovë, në mënyrë që të arrinte një protektorat të OKB-së për Kosovën e më pas ta shpallte pavarësinë.

Pas luftës në Kosovë (1998-1999), Demaçi i vizitoi thuajse krejt vendbanimet e pakicave në Kosovë dhe i inkurajoi pjesëtarët e tyre të qëndrojnë në Kosovë, e njëkohësisht u bëri thirrje shqiptarëve që të mos i sulmojnë sepse pakicat janë pasuria e Kosovës.

Demaçi në anën tjetër avokonte për rezistencë më aktive. Ai propozonte që qytetarët e Kosovës t’i lironin ndërtesat e institucioneve të uzurpuara nga regjimi serb, e madje edhe rrugët e sheshet kryesore, duke qëndruar aty me ditë e me net të tëra, e jo duke u larguar sapo të vinin forcat policore serbe. 

Demaçi këmbëngulte se “Serbia ndoshta do t’i vriste edhe 20 mijë qytetarë sepse Serbia e ka seriozisht, por edhe ne duhet t’i tregojmë Serbisë, e edhe bashkësisë ndërkombëtare, se e kemi seriozisht” sepse “Serbia nuk heq dorë nga okupimi i institucioneve tona pa i larë ato me gjak”. Në mes të viteve ‘90, Demaçi e përshkruante rezistencën paqësore pasive, të udhëhequr nga Rugova, si dekor që i shërbente pushtetit serb për t’i dëshmuar bashkësisë ndërkombëtare se këtu po funksiononte një sistem demokratik.

Kur Demaçi u lirua nga burgu më 1990, edhepse i vuajti shumë dallimet etnike që ekzistonin në ish-Jugosllavi, ai vetë vazhdimisht insistonte që të bëhej dallimi në mes të pushtetarëve serbë dhe të popullit serb. Çka tregon kjo?

Nëse ka diçka që më mrekullon tejmase te Demaçi, është pikërisht dallimi që ai e bën në mes të popullit serb dhe të klasës politike serbe. Ai shpeshherë nëpër paraqitjet publike përdorte cilësimet “populli vëlla serb” ose “populli heroik serb”, i vetëdijshëm për terrorin që ushtrohej ndaj shqiptarëve, mirëpo vlerësonte se populli serb ishte i manipuluar nga pushteti dhe se krejt një popull s’do të duhej njëjtësuar me klasën politike në pushtet. 

Demaçi këto qëndrime i shprehte publikisht sepse donte që të hiqej dorë nga hakmarrja dhe sepse mendonte se kështu i kontribuonte më së miri interesit të Kosovës. Për më shumë, të drejtat e njeriut ishin vlerat në të cilat ai besonte, për çka edhe ishte adoptuar si i “burgosur i ndërgjegjes” nga organizata prestigjioze ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, Amnesty International dhe kishte fituar, mes tjerash, tri çmime prestigjioze ndërkombëtare: Çmimin Saharov për Liri të Mendimit nga Parlamenti Europian, Çmimin Special për Paqe, kundër Racizmit e Ksenofobisë nga Klubi i Rektorëve Universitarë në Madrid, si dhe Çmimin Leo Eitinger për të Drejtat e Njeriut nga Universiteti i Oslos.

Me përfundimin e luftës në Kosovë, Demaçi kritikoi shqiptarët sesi i trajtonin minoritetet, sidomos duke përmendur vrasjet e serbëve. Më pas u bëri thirrje serbëve që të rrezikonin për të lëvizë lirshëm, duke marr shembull veten e tij kur gjatë viteve 1998-1999 nuk pranoi të mos dalë rrugëve të Prishtinës, anipse ju rrezikohej jeta. A mund të nxjerrim diçka nga kjo edhe ditëve të sotme?

Pas luftës në Kosovë (1998-1999), Demaçi i vizitoi thuajse krejt vendbanimet e pakicave në Kosovë dhe i inkurajoi pjesëtarët e tyre të qëndrojnë në Kosovë, e njëkohësisht u bëri thirrje shqiptarëve që të mos i sulmojnë sepse pakicat janë pasuria e Kosovës. Sikur të përfilleshin sugjerimet e tij, gjendja e minoritetit serb në Kosovë, e rrjedhimisht gjendja në përgjithësi në Kosovë do të ishte krejt tjetër, ngaqë nuk do të kishim negociata për Republika Srpska në Kosovë e as Gjykatë Speciale.

Në vitet e fundit të jetës, duket se Demaçi u lidhë me disa nga figurat politike të PDK-së,  çka u duk edhe si dorëzim i tij ndaj presionit partiak. Ka ndodhë një gjë e tillë? Si e shihni ju këtë?

Afria e Demaçit me regjimin e Thaçit nisi qysh prej 17 shkurtit 2008 kur mori pjesë në seancën e shpalljes së pavarësisë, dhe u dakordua me të që Demaçi të marrë nga Zyra e Kryeministrit të Kosovës: pension kombëtar; veturë qeveritare e vozitës; dhe që shpia ku kishte funksionuar Zyra e UÇK-së në Prishtinë të shpallej muze. 

E konsideroj të dhimbshme që njeriu që për 30 vjet kundërshtoi regjimin e Titos, mandej për 10 vjet kundërshtoi regjimin e Milošević-it, pastaj për 10 vjet kundërshtoi edhe bashkësinë ndërkombëtare në Kosovë, në fund, në moshë krejt të shtyer, u shndërrua në vegël të Hashim Thaçit, që sa herë i duhej e nxirrte në televizionet që i kontrollonte, që të fliste pro regjimit të tij. Krejt kjo më shumë flet për Hashim Thaçin sesa për Adem Demaçin.

Shkëlzen Gashi, autori i librit ‘‘Adem Demaçi, biografi e paautorizuar’’. Foto: Atdhe Mulla / K2.0.

Para 10 viteve ju keni botuar një biografi të paautorizuar për Adem Demaçin. Çka ndodhi?

Kur e pata nisë biografinë në vitin 2008, Demaçi pat pranuar të intervistohej, me kusht që para botimit ta lexonte dorëshkrimin dhe t’i korrigjonte pasaktësitë eventuale, por edhe që biografia të botohej me autorizimin e tij. Ai e pat lexuar tekstin para botimit dhe m’i pat dhënë disa vërejtje fort të dobishme, për çka i jam shumë mirënjohës. Mirëpo, kur ia dorëzova versionin final të biografisë, kërkoi arbitrarisht që t’i hiqja disa pjesë. Nuk pranova që Demaçi t’i “korrigjojë” të vërtetat që atij nuk i pëlqenin.

Më pat kërkuar t’i hiqja disa paragrafë që përmbledhtazi përbënin jo më shumë se 4-5 faqe libri, ku përmendeshin kryesisht figura të PDK-së. Nuk pata pranuar t’i hiqja për arsyen e thjeshtë: asnjëri prej pohimeve nuk ishte i trilluar dhe të gjithë ishin të dokumentueshëm. Pavarësisht se cila mund të ketë qenë arsyeja që e pat shtyer Demaçin të ngulmonte për heqjen e momenteve të mësipërme, unë prihesha nga një virtyt i tij, të cilin përherë ia kam çmuar dhe i cili ma ka dhënë shtytjen kryesore për t’i hy hartimit të kësaj biografie: vendosmërinë për mos me u zmbrapsë përpara trysnisë për cenzurë, sado këmbëngulëse qoftë ajo trysni, madje as atëherë kur ajo e mban emrin Adem Demaçi.

Për fund, a është Adem Demaçi mit apo i vertetë?

Adem Demaçi është mitizuar por nga një grup shumë të vogël i qytetarëve.. Jeta dhe vepra e tij duhet të studiohen dhe nuk duhet të lejojmë që të krijohet miti për të. Më duket që, sa i takon miteve për personalitetet e historisë më të re të Kosovës, mite të fuqishme janë mitet për Ibrahim Rugovën dhe për Adem Jasharin, të cilat duhet t’i dekonstruktojmë sa më parë.

Foto kryesore: Kushtrim Tërnava / K2.0.