Blogbox | Shtëpi

Shpirti im është mësuar këtu

Nga - 20.06.2023

Shumë gjëra shkojnë keq në Kosovë. Unë rri për t’i ndreçur ato.

Jam rritur i rrethuar me njerëz që më kanë mësuar ta dua vendin tim ose së paku të pajtohem me të. 

Pasi u dha lajmi se më në fund do të mund të udhëtojmë pa viza për në Evropë, mezi po pres të njoh kultura e njerëz të ndryshëm e të shkëmbej përvoja të ndryshme sepse dua ta bëj krahasimin se ku qëndroj unë dhe një i ri nga një vend i Evropës në aspektin social, politik, ekonomik, artistik, intelektual e emocional. 

Por, të gjitha këto dua t’i eksploroj, vetëm si turist. 

Se nuk mund ta paramendoj veten ndryshe. Dua të kthehem në Kosovë –– tek dashuria që nuk mund ta përkufizoj, thjesht është aty. 

Rrëfimet që kam dëgjuar prej njerëzve, që jetojnë jashtë Kosovës më kanë bërë të mendoj se si do të ndihesha po të isha në vendin e tyre. 

Do të më kish marrë malli për dashurinë, harmoninë, energjinë që e kemi mes vete si njerëz. Do më kish marrë malli për gatishmërinë për të qenë aty për njëri-tjetrin sa herë kemi nevojë.

Do të më kish marrë malli për familjen, për bisedat tona gjatë ditës edhe kur ato ditë janë plot punë. Për shtytjen e tyre të jashtëzakonshme që ma dhënë edhe kur gjithçka përreth është zhgënjyese; për ndjenjën, që s’mund të rri larg tyre. 

Do të më kishte kapur një nostalgji për debatet plot zjarr me shokët, aty në kafenetë e qytetit. Për argumentimet e ngjyrosura me pasion për filmin, teatrin, për Nietzschen, për të mirën, të bukurën, të drejtën, politikën. Thua se e ardhmja e botës varej nga ato shtjellime. Do më mungonin shumë ato qeshje rrugës për në shtëpi, kur mbi hirin e debateve bëheshim të vetëdijshëm për vogëlsinë e atyre përplasjeve mendimesh. Bëheshim të vetëdijshëm për kotësinë e gjërave dhe e pranonim krahëhapur këtë.

Të qeshësh me lot për hiçgjë, të qash pa lot për gjithçka, ja dhe gjërat që të japin ndjenjën sikur jeta jote vërtitet mes ekstremesh, e me andrenalinën, që për mua është si nektar për bletët. Unë e di se këtë nuk do ta gjeja dikund tjetër, pos aty ku shpirti im është mësuar të jetojë.

Kjo s’i bie se jam i kënaqur me gjithçka në Kosovë, thjesht jam në kërkim të të qenit i kënaqur. Kënaqësia është kërkim dhe, si i tillë, është një proces, nuk është gjendje e palëvizshme. 

Derisa shumëçka shkon keq në Kosovë, mua më mban këtu shpresa e potenciali për t’ua ndërruar kahjen gjërave, për t’i bërë ato më mirë. 

Rri këtu, edhe për dashurinë ndaj teatrit, për të cilin nuk rresht së mësuari e arsimuari. Rri për të punuar drejt ëndrrës sime, që profesionin si regjisor ta ushtroj këtu. 

Për teatrin

Ndoshta dikush do të thoshte se nëse je regjisor i mirë mund të punosh kudo tjetër nëpër botë, por unë dua që një ditë, punën time ta prezantoj kudo tjetër si sukses edhe timin personal, po edhe të vendit tim.

Arti është një mjet ndryshimi. Gjithmonë e kam parë teatrin si një agjent social. Në këtë kohë kur vlerat janë në krizë, kur teknologjia ka depërtuar në çdo cep të shoqërisë, shfaqja teatrale mbetet një mënyrë edukimi. Prandaj, si regjisor teatri e shoh të domosdoshme të sjell idetë, mendimet, të bukurën, edukatën në një trajtë argëtuese dhe të kuptueshme për audiencën, sidomos për rininë. 

Ndarja nga kjo punë do të ishte braktisje e një pjese të vetes, braktisje e misionit dhe qëllimit që i kam vënë vetes. Vetëm ideja se nesër mund të prezantoj Kosovën në ndonjë festival, më jep atë lloj lumturie që nuk do ta merrja askund tjetër. Vetëm mendimi se kam kontribuuar sado pak në edukimin e njerëzve dhe gdhendjen e shijes artistike më mbush me emocion dhe më mbush me motiv për jetën. Nëse arrij apo nuk e arrij këtë, është vetëm një detaj i vogël. 

E kam lexuar diku se të udhëtosh me shpresë është më kënaqësi se të arrish. Ka pasur plot raste kur kam qëndruar në vende shumë më luksoze se shtëpia, por prapë gjumin më të mirë e kam bërë në shtëpi. Kam shkuar nga s’kam shkuar, por hallet i kam zgjidhur me familjen time. Kam takuar kë s’kam takuar, po bisedat më të mira, më të lira e sinqerta i kam bërë me shoqninë time.

Gjatë qëndrimit dy-javor në Selanik, ku bukuritë përrallore më patën dehur aq shumë, kam ndier aq shumë mungesën e bukurive, jo edhe përrallore ndoshta, të qytetit tim të vogël. Kam parë dete e fusha, plazhe e male, metro e drita shumëngjyrëshe që të bëjnë për vete e të rrëmbejnë zemrën. Por, bashkë me këtë kam parë edhe indiferencën e njerëzve aty, që të mësuar me ato bukuri, dukej sikur nuk u bënte përshtypje. I ardhur nga një vend i varfër, aty u ndieva me fat para banorëve vendas –– ata sikur ishin mësuar me bukuri e disi e kishin humbur aftësinë për t’u magjepsur nga to.

Njeriu ka aftësinë të mësohet me rrethanat dhe të shkrihet me to. Prandaj, nuk e mallkova fatin tim që nuk kam lindur në një vend si Selaniku, por u ndieva fatlum, që kisha mundësinë të magjepsesha me atë qytet.

Fakti që nuk e kam braktisur e as nuk do e braktis Kosovën, absolutisht nuk është peng i imi sepse kurrë nuk e kam ëndrruar një jetë ndryshe.

Jam rritur në rrethana të vështira, por aspak nuk ndihem keq. Përkundrazi ndihem mirë, që arrij të gëzohem e motivohem nga çdo sukses, sado i vogël i vendit tim. 

Ende besoj se me punë arrihet gjithçka –– edhe në Kosovë. 

E në vend se ta lakmoj një vend tjetër, do të punoj që Kosova të jetë vend për t’u lakmuar.

 

Imazhi i ballinës: Atdhe Mulla përmes MidJourney

 

Ky blog u botua me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian në kuadër të projektit “Diversifikimi i zërave në gazetari”. Përmbajtja e artikullit është përgjegjësi vetëm e Kosovo 2.0 dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Bashkimit Evropian.

Pse kjo klauzolë?