Dy vite e gjysmë më parë, mes qindra njerëzve që vendosën të marrin të ashtuquajturën linjë të refugjatëve dhe migrantëve që kalonte përmes Ballkanit dhe vazhdonte në drejtim të Evropës Veriore ishte edhe Aurel Istrefi. Mbërriti në Francë, me synimin që të shkonte në Britani të Madhe.
Si shumë migrantë të tjerë edhe Aureli po priste në Kalais të Francës me shpresën që të hidhej në trenin që kalonte nëpër Channel për të shkuar në Angli. Në atë kohë ai ishte vetëm 21 vjeç.
“Ishte e rrezikshme” thotë Aureli teksa e kujton çka ka ndodhur nga shtëpia e tij tani në Tiranë. “Shumë veta e kanë rrezikuar edhe jetën, kanë thyer dhe gjymtyrët duke u munduar të hidheshin në trenin në lëvizje ashtu si unë. Disa ia dolën, unë jo. Policia më kapi dhe më ktheu prapa në Shqipëri”.
Për Aurelin, kjo ishte vetëm një nga përpjekjet e shumta të dëshpëruara për të shkuar për të jetuar në BE.
Përpjekja e tij e parë ishte në moshën 18 vjeçare kur emigroi në Greqi. Qëndroi aty për tre muaj, duke punuar, jo rregullisht, në ndërtimtari. Dhe prapë u kthye në Shqipëri – vetëm për ta bërë edhe një përjekje të dëshpëruar pas pak kohe.
Aurel Istrefi ka tentuar ta braktisë Shqipërinë dy herë dhe tani po bëhet gati për një tjetër tentativë. Foto: Denis Tahiri / K2.0.
Dëshira për një jetë më të mirë e shtyu Aurelin të aplikonte për t’u bërë pjesë e Legjionit Francez të të huajve. Shoku i tij e ndihmoi të aplikonte dhe Aureli u largua prapë nga Shqipëria me shpresën që më në fund do ta merrte anëtarësinë e BE-së. Mirëpo, nuk ia doli.
Thotë se do të provojë prapë shumë shpejt.
“Këtu nuk shoh asnjë shpresë për të ardhmen,” thotë Aureli. “Tani e kam filluar një kurs për gjuhë gjermane, sapo të mësoj të komunikoj do të shkoj në Gjermani.”
Arsyet e ikjes
Tregimi i Aurelit është i ngjashëm me shumicën e tregimeve të të rinjve në Shqipëri të cilët të dëshpëruar me situatën në vend po mundohen të shkojnë në shtetet e Evropës Perëndimore dhe të fillojnë një jetë të re. Shumica vendosin të përdorin mënyrën ilegale për shkak të regjimit të vizave dhe rregullave për banorët që s’janë pjesë e Bashkimit Evropian.
Këta që po rrinë po e vërejnë si po ikin njerëzit, përderisa qytetet dhe fshatrat po zbrazen çdo ditë e më shumë. Rezultatet po vërehen edhe në spitale, në shkolla, në universitete dhe në çdo segment të jetës së përditshme.
Për shkak të statistikave zyrtare jo të besueshme, askush nuk e di numrin e personave që e kanë braktisur vendin. Megjithatë, sipas Ministrisë së Brendshme, numri i shqiptarëve të regjistruar në zyrat e gjendjes civile është 4,503,781, por vetëm 2,862,427 prej tyre jetojnë në Shqipëri.
Përgjigja e pyetjes, “Ku janë të tjerët?” mund të gjendet pjesërisht në të dhënat e Eurostat -it, sipas të cilit shqiptarët janë në krye të listës së evropianëve që kanë kërkuar azil në vendet e Bashkimit Evropian gjatë vitit 2018, ndërsa në listën botërore ndodhen në vendin e shtatë.
Mund të duket e çuditshme që shqiptarët janë menjëherë pas qytetarëve të vendeve të shkatërruara nga lufta si Siria, Afganistani, Iraku dhe vendet e tjera në kriza të mëdha siç janë Irani, Pakistani dhe Turqia sa i përket kërkimit të azilit në Bashkimin Evropian. Shumica e njerëzve po nisen në drejtim të Francës, Greqisë dhe Mbretërisë së Bashkuar.
Qeveria e Shqipërisë po bën shumë pak për ta ndalur këtë trend që po ndikon në masë të madhe në jetën e qytetarëve, të cilët nuk besojnë se strukturat ekzistuese politike mund të sjellin ndonjë ndryshim.
Sipas një sondazhi që do të publikohet së shpejti nga CRCA Albania, i realizuar me 1,210 të rinj në prill të këtij viti, 50 përqind e të anketuarve u deklaruan se nuk votojnë, ndërsa 84 përqind thanë se nuk besojnë se partitë politike mund t’i zgjidhin problemet e tyre.
Kjo është pjesë e arsyes pse shumë sociologë dhe ekonomistë të vendit po i shprehin shqetësimet e tyre dhe po thërrasin për reagime nga zyrtarët. Në të njëjtën kohë, po mundohen t’i identifikojnë arsyet që po i shtyjnë njerëzit ta braktisin vendin.
Profesori i ekonomisë, Dr.Arjan Kadare beson se njëra nga arsyet e shumta është situata e keqe ekonomike në të cilën njerëzit nuk po mund të fitojnë para mjaftueshëm sa për të pasur një jetë të mirë dhe ndonjëherë mezi ja dalin t’i sigurojnë edhe gjërat elementare. Ai tregon se sipas Institutit të Statistikave, paga mesatare në vend është 52,312 lekë (420 euro), e cila është 12 herë më e ultë se paga mesatare në BE.
Në të njëjtën kohë, papunësia në Shqipëri është shumë e lartë. Sipas të dhënave të dala në prill të këtij viti, në ushtrinë e të papunësuarve janë 58 përqind gra dhe 39 përqind burra.
Planet dhe realitetet
Punëtorët e kualifikuar dhe personat e mirarsimuar janë shpesh në mesin e atyre që po largohen. Është e vështirë të gjenden të dhëna të sakta se cilat profesione po ndikohen më së shumti, por në jetën e përditshme shqiptarët po kanë mungesë të doktorëve dhe stafit mjekësor. Si pasojë e kësaj, ata duhet të presin shumë gjatë edhe për ndonjë shërbim të thjeshtë apo të kërkojnë ndihmë jashtë vendit.
Nëse largohen, është një probabilitet i madh se do të takojnë doktorë dhe infermiere nga Shqipëria në spitalet e BE-së.
Studenti i mjekësisë Aleksander Gerveni po bëhet gati për ta braktisur Shqipërinë së shpejti. Ai thotë se e ka mbështetjen e familjes, por thellë-thellë ata duan që ai të mos shkojë. Foto: Denis Tahiri / K2.0.
Në mesin e tyre shumë shpejt mund të jetë Aleksander Gerveni (24 vjeç) nga Vlora i cili është në vitin e fundit të studimeve të mjekësisë në Tiranë. Ai ka dëshirë të bëhet doktor në BE dhe veçse e ka në plan të shkojë në Gjermani sapo t’i mbarojë studimet.
“Nuk e di si do të jetë situata në Gjermani, por ajo që ne e kemi të qartë – kur them “ne” e kam fjalën për veten dhe një pjesë të shokëve të mi – është situata këtu. E kemi të qartë situatën në Shqipëri, problematikat e saj dhe dëshirojmë që të largohemi për të mos qëndruar më në këtë realitet,” thotë Aleksandri.
Mbështetjen më të madhe në planet e tij për t’u larguar nga vendi dhe për të filluar një jetë të re larg e ka nga familja. E kanë mbeshtetur finaciarisht gjatë studimeve dhe janë të gatshëm ta mbështesin financiarisht edhe gjatë pjesës së largimit.
“Prindërit duan që unë ta bëj një jetë sa më të mirë dhe të zhvillohem nga ana profesionale,” e shpjegon ai duke shtuar se është i vetëdijshëm se ‘thellë brenda tyre’ prindërit duan që të rri me ta.
Familja e Aleksandrit nuk e ka pasur të lehtë ta shkollojë atë. Çdo vit, ata është dashur të paguajnë rreth 5 milionë lekë (rreth 3,300 euro) për pagesa të universitetit, libra dhe shpenzime ditore në Tiranë. Gjatë gjashtë viteve të studimeve, Aleksandri thotë se ka shpenzuar rreth 20,000 euro.
Nëse qëndron dhe e gjen një punë në Shqipëri, do t’i duhet kohë e gjatë për ta fituar këtë shumë ta parave. Sipas statistikave zyrtare, paga mesatare mujore në Shqipëri është 420 euro. Sidoqoftë, Aleksadri thotë se doktorët e rinj që e kanë përfunduar specializimin fitojnë vetëm 320 euro në muaj.
S’ka më pambuk për të mjekuar plagët
Duhet u munduar t’i kuptojë dhe t’jua shpjegojë të tjerëve arsyet pse shumë njerëz po e braktisin vendin, Arbi Agalliu, profesor i ekonomisë në Universitetin Evropian të Tiranës, e lidh fenomenin e migrimit me pamundësinë e sigurimit të një punësimi të mirë dhe të sigurtë.
Në të njëjtën kohë, ai e thekson edhe një arsye tjetër: “Mungesa e shpresës dhe perspektivës si rezultat i një klime politike të tensionuar dhe një klime politike që nuk bën asgjë por krijon pasiguri dhe ua shkatërron shpresat këtyre të rinjve.”
Ai thotë se largimi i të rinjve, apo i njerëzve në tërësi, padyshim ka ndikim negativ në ekonominë në përgjithësi.
Kolegu i tij, profesori Arjan Kadare, thekson se në terma afatgjatë, potenciali prodhues i vendit ndikohet për keq sepse burimi i fuqisë punëtore është më i ulët.
“Meqenëse largohet kryesisht pjesa e re dhe aktive e popullsisë, tërthorazi shpejtohet plakja e saj, gjë që sjellë probleme të mëdha me financimin e skemës së pensioneve,” shpjegon Kadare. “Janë më pak të punësuar kundrejt numrit në rritje të pensionistëve”.
Mënyra si funksionon skema e pensionit në Shqipëri lidhet ngushtë me numrin e të punësuarve, që paguajnë sigurim shoqëror dhe shëndetësor. Nëse numri i të punësuarve është i pabalancuar me numrin e personave që përfitojnë nga pensionet, atëherë skema nuk funksionon më.
Ruajtja e balancës është e vështirë nëse fuqia punëtore po e braktis vendin përderisa numri i pensionistëve po rritet.
Pasojat e mundshme për shoqërinë
Sociologët gjithashtu i tregojnë pasojat që kjo do t’i sjellë të gjithë shoqërisë.
Entela Binjaku beson se shumica e këtyre që po largohen nuk do të kthehen më.
“Dobësimi i jetës aktive sociale dhe kulturore, rënia e lindshmërisë, plakja demografike dhe ulja e numrit të popullsisë”, janë disa nga pasojat e mundshme sipas Binjakut.
Pasojat vërehen në të dhënat statistikore, siç është numri i lindshmërisë. Gjatë tre muajve të parë të këtij viti, lindshmëria ishte 10.1 përqind më e ultë se në tre muajt e parë të vitit 2018. Në Tiranë, lindshmëria ka rënë për 9,4 përqind prej vitit të kaluar. Në shifra, vetëm 1,985 foshnje u lindën në tre muajt parë të këtij viti në Tiranë, ndërsa në qytetin e Gjirokastrës vetëm 97 foshnje.
Vitin e kaluar, një studim i realizuar nga Fondacioni gjerman Friedrich Ebert rreth largimit të trurit prej Shqipërisë arriti në përfundimin se institucionet duhet ta rishqyrtojnë “qasjen e tyre indiferente” ndaj kësaj çështjeje. Autorët rekomandojnë se qeveria duhet “t’i konsiderojë me kujdes të gjitha pasojat e mundshme afatgjata të kësaj çështjeje, duke filluar nga ndikimi te skema e pensioneve, mungesa e stafit mjekësor në sistemin e shëndetësisë dhe deri te largimi i “trurit”.
Megjithatë deri më tani qeveria në Tiranë ka bërë shumë pak për t’iu përgjigjur këtyre kritikave. Në ndërkohë, edhe më shumë njerëz po largohen çdo ditë.K
Foto kryesore: Denis Tahiri / K2.0.