Pikëpamje | Migrimi

Shqiptarët që lundrojnë drejt Mbretërisë së Bashkuar

Nga - 30.03.2023

Ksenofobia dhe narrativat thjeshtuese dëmtojnë azilkërkuesit shqiptarë në Mbretërinë e Bashkuar.

Nëntorin e kaluar, sekretarja e brendshme britanike, Suella Braverman ngriti alarmin në Parlament për “një pushtim të bregut jugor prej anijeve të paligjshme”. Ajo theksoi veçanërisht rritjen e numrit të shqiptarëve në ardhje, të cilët i akuzoi se po mashtrojnë qeverinë e Mbretërisë së Bashkuar dhe po përfitojnë nga ligjet, që synojnë ta parandalojnë skllavërinë dhe trafikimin, si dhe t’i mbështesin viktimat. Ajo argumentoi se personave që vijnë nga një vend, që konsiderohet i sigurt nga qeveria e Mbretërisë së Bashkuar, siç është Shqipëria, duhet t’u hiqet e drejta për të kërkuar azil dhe se duhet të ketë kufizime të mëtejshme të emigrimit për në Mbretërinë e Bashkuar.

Në muajt vijues ka pasur rritje të deklaratave nxitëse që shënjestrojnë komunitetin shqiptar në Mbretëri të Bashkuar. Në veçanti, Partia Konservatore dhe mediet e afërta me të, i kanë kushtuar vëmendje qëllimisht të tepërt të rinjve shqiptarë, që “po vërshojnë” brigjet britanike dhe po përfshihen në banda që merren me aktivitete ilegale.

Mes një krize ekonomike që po thellohet, elita politike dhe mediet kryesore kanë bashkuar forcat në krijimin e një paniku moral, që përqendrohet në kërcënimet të supozuara për sigurinë dhe koston ekonomike të emigrimit, si dhe ndikimin e tij tek taksapaguesit britanikë, duke u përpjekur ta devijojnë vëmendjen e publikut nga shkaqet e vërteta të pabarazisë në rritje.

T’i trajtosh emigrantët si kërcënim demografik, të sigurisë ose ekonomik, është manovër klasike politike në Mbretërinë e Bashkuar, që konservatorët në veçanti e kanë përdorur prej dekadash në kërkimin e tyre për një Britani homogjene.

Për shembull, në periudhën e pasluftës, mijëra emigrantë jo të bardhë nga Komonuelthi Britanik (British Commonwealth) u vendosën për gjithnjë në Mbretërinë e Bashkuar, duke transformuar përbërjen etnike dhe racore të shoqërisë britanike. Këto ndryshime demografike shkaktuan reagime raciste tek shumë njerëz në vend, përfshirë edhe udhëheqësit politikë. Ish-udhëheqësja konservatore dhe kryeministrja Margaret Thatcher u kritikua shpesh nga komunitetet me ngjyrë për deklaratat e hapura raciste ose përçmuese, të tilla si shfaqja e solidarizimit me ankthet racore të disa britanikëve që po “vërshohen nga njerëz me një kulturë tjetër”.

Nigel Farage pohoi se një "vërshim" burrash shqiptarë po pushton Britaninë e Madhe dhe se shumica e këtyre burrave janë të prirur për krim të organizuar.

Versionin më të fundit të kësaj ksenofobie e shohim në mënyrën se si po trajtohen emigrantët shqiptarë, të cilët paraqiten si forcë e rrezikshme mashkullore, që po pushton vendin. Të reduktuar në “mashtrues”, që janë “të lidhur me banda”, na paraqitet portreti i shqiptarëve si një grup homogjen i të rinjve beqarë, që janë kërcënim për shoqërinë dhe nuk duan të asimilohen në shoqërinë britanike.

Për shembull, gjatë një interviste për BBC, Nigel Farage (ish-lider i Partisë Brexit) pohoi se një “vërshim” burrash shqiptarë po pushton Britaninë e Madhe dhe se shumica e këtyre burrave janë të prirur për krim të organizuar.

Shumica e shqiptarëve, që kalojnë kanalin anglez me gomone, me të vërtetë janë burra dhe djem. Shifrat nga Home Office thonë se nga viti 2018 deri në qershor 2022, 95% e ardhjeve me varka të vogla shqiptare ishin meshkuj. Njerëz si Farage e përdorin këtë fakt dhe e shtrembërojnë atë, duke krijuar përgjithësime çnjerëzuese, që fshijnë faktorët e ndërlikuar dhe të ndërthurur, që i shtyjnë të rinjtë shqiptarë të largohen nga Shqipëria për në Mbretërinë e Bashkuar.

Përhapja e frikës krijon diskurs racist ndaj shqiptarëve. Pavarësisht faktit që shqiptarët e konsiderojnë veten si “të bardhë”, përgjithësisht pranohen si të tillë, shpifja ndaj emigrantëve shqiptarë është padyshim proces i racializuar i veçimit, atë që studiuesi Avtar Brah e quan “racizializim të etnisë”. Imazhi monolit i emigrantit kërcënues shqiptar, i prirur ndaj formave patologjike të maskulinitetit dhe që karakterizohet nga afërsia me veprimtaritë ilegale, dallon pak nga narrativat e tjera evropiane raciste ndaj të jashtmëve (përkthyer nga termi “outsiders”).

Narrativa konservatore jo vetëm që krijon këtë portret të rremë të burrit shqiptar, por fshin edhe gratë shqiptare që kërkojnë azil në Mbretërinë e Bashkuar, gra që kanë nevojë për mbrojtje dhe janë shpërfillur ose anashkaluar.

Në realitet, shqiptarët shtyhen ose priren të emigrojnë drejt Mbretërisë së Bashkuare për shkak se vijnë nga njëri prej vendeve më të varfra të Evropës dhe problemeve sociale që burojnë nga një vend kaq i varfër. Të rinjtë shqiptarë shtyhen drejt duarve të trafikantëve për shkak të varfërisë ose nivelit të ulët të arsimit, dhunës në familje ose abuzimit seksual, gjakmarrjes, dhunës, eksploatimit në punë, të qenit të pastrehë ose diskriminimit etnik (në rastin e romëve ose egjiptianëve).

Rreth 85% e të rriturve shqiptarë që janë referuar për në Mekanizmin Kombëtar të Referimit të Mbretërisë së Bashkuar u njohën si viktima reale të trafikimit dhe skllavërisë moderne.

Sipas një raporti të vitit 2019 nga Qendra Kërkimore për Azilin, “Shqipëri: Djem dhe të rinj që trafikohen”, trafikimi i burrave dhe djemve në veri të Shqipërisë mbetet një problem serioz i të drejtave të njeriut. Korrupsioni epidemik dhe sistemi i dobët ligjor ka mundësuar përhapjen e bandave kriminale të trafikimit. Siç tregon studimi, trafikantët përfitojnë nga varfërimi i këtyre komuniteteve dhe i manipulojnë ato me premtime të rreme për mundësi punësimi, vetëm për t’i braktisur emigrantët në brigje pasi t’ua marrin paratë ose i detyrojnë ata të punojnë në kushte eksploatuese të punës në Mbretërinë e Bashkuar në mënyrë që të mund t’ua paguajnë trafikuesve borxhet e fryra.

Sa i sigurt është një vend si Shqipëria?

Shumë ekspertë të çështjes së emigrantëve kanë kritikuar mënyrën se si partia konservatore ka veçuar azilkërkuesit shqiptarë. “Refugee Council”, një shoqatë bamirësie me përvojë në ofrimin e mbështetjes praktike praktike për azilkërkuesit shqiptarë, thekson se ka një numër jashtëzakonisht të lartë të viktimave të shfrytëzimit seksual dhe kriminal në Shqipëri.

Tash e një kohë, shqiptarët kanë qenë po ashtu njëri nga grupet më të mëdha të trafikuara drejt Mbretërisë së Bashkuar. Në vitin 2022, Departamenti Amerikan i Shtetit publikoi një raport ku thuhej se 2,511 shtetas shqiptarë ishin viktima të trafikimit drejt Mbretërisë së Bashkuar, duke i bërë ata kombësinë më të rrezikuar për trafikim në vend. Sipas Njësisë Ligjore për Fëmijët e Emigrantëve dhe Refugjatëve (MiCLU), një qendër ligjore me qendër në Londër që ofron litigim strategjik, mes viteve 2019 dhe 2022, rreth 85% e të rriturve shqiptarë që janë referuar për në Mekanizmin Kombëtar të Referimit (korniza kombëtare e Mbretërisë së Bashkuar për identifikimin dhe mbështetjen e viktimave potenciale të skllavërisë moderne) u njohën si viktima reale të trafikimit dhe skllavërisë moderne.

Konventa e OKB për Refugjatët përmend sidomos konfliktet e armatosura dhe luftërat si ngjarje që përbëjnë llojin e persekutimit që do t’i mundësonte dikujt statusin e refugjtatit, por nuk e kufizon luftën si faktorin të vetëm legjitim për të kërkuar azil. Një gamë e gjerë faktorësh radhiten si kërkesa legjitime për statusin e refugjatit dhe azilit, si raca ose përkatësia etnike, opinioni politik, feja dhe anëtarësia në grupe të caktuara shoqërore. Shumica i frikësohen persekutimit, edhe nëse nuk ka gjendje lufte.

Pavarësisht se Shqipëria është cilësuar vend i sigurt dhe jo në gjendje lufte, ka një nivel të lartë të korrupsionit, dhunës seksuale, dhunës në familje dhe çështjeve të tjera shoqërore që shteti prej kohësh është treguar i paaftë t’i trajtojë. Pavarësisht kritikave nga politikanët dhe mediet britanike, Home Office (institucion qeveritar në Mbretëri të Bashkuar, që luan rol të ngjashëm me ministri të brendshme), e cila vetë është kritikuar për anti-shqiptarizmin e saj, është detyruar ta pranojë këtë fakt, kur i është dashur t’i shqyrtojnë kërkesat për azil të emigrantëve shqiptarë — për periudhën 12-mujore që përfundon në qershor të vitit 2022, 90% të grave shqiptare që kërkuan azil, iu dha vizë dhe u njohën si grup njëmend në nevojë për mbrojtje.

Bazuar në përvojën time vullnetare me azilkërkuesit shqiptarë në Mbretërinë e Bashkuar, përjetimet e ndryshme të azilkërkuesve/eve nga Shqipëria nuk duhet të ndahen në kategori të ngurta siç është ajo e emigrantëve ekonomikë. Nuk është vetëm varfëria ajo që i shtyn këta njerëz drejt Mbretërisë së Bashkuar. Demonizimi i shqiptarëve si mashtrues të ligjeve të skllavërisë moderne është racist dhe i gabuar.

Një numër organizatash në Mbretërinë e Bashkuar kanë dënuar retorikën fyese drejtuar shqiptarëve dhe i kanë theksuar dështimet e fundit për sigurimin e rrugëve të sigurta ligjore për azilkërkim, si formë dhune e sanksionuar nga shteti. Aktivistët e të drejtave të njeriut po kërkojnë nga Home Office ta përdorë një sistem azili që është i vëmendshëm ndaj traumave, një sistem që nuk fajëson një grup të caktuar kombëtar për politikat e mangëta të emigrimit në Mbretërinë e Bashkuar, por në vend të kësaj investon në rritjen e kapaciteteve për akomodimin adekuat të refugjatëve dhe sistem më të shpejtë të procesimit të azilit.

Imazhi i ballinës: K2.0.

Ky artikull është prodhuar bazuar në monitorimin e mediave, të bërë nga Rrjeti për Raportim të Diversitetit 2.0, me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian, Trustit Ballkanik për Demokraci, një projekt i Fondit Marshall Gjerman të Shteteve të Bashkuara dhe Ministrisë së Punëve të Jashtme të Norvegjisë. 

Përmbajtja e artikullit është përgjegjësi vetëm e Kosovo 2.0 dhe anëtarëve të rrjetit dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Bashkimit Evropian, Ministrisë së Punëve të Jashtme të Norvegjisë, Trustit Ballkanik për Demokraci, Fondit Marshall Gjerman të Shteteve të Bashkuara, ose partnerëve të tij.