Blogbox | Rinia2020

Shtrëngatë mendimesh në kohë ngujimi

Nga - 25.08.2020

Kur të duket se koha ka ngecur në vend, rri e sodit botën nga një qoshe.

Jetën e çdo njeriu në botë e shoh si një prodhim të momenteve, ngjarjeve, rastësive e fenomeneve, të cilat i japin ngjyrë dhe formë ekzistencës sonë. Kur u kthehemi përvojave jetësore në retrospektivë, kam përshtypjen se njerëzit janë të prirur t’i kujtojnë më lehtësisht e hollësisht momentet e errëta të përjetuara gjatë jetës. Mbase goditja e fuqishme emocionale nga këto përvoja bën që të nguliten më thellë në kujtesë.

Në këto 25 vite të jetës sime, një segment i pazakontë që do të më mbetet gjatë në kujtesë është pandemia COVID-19 dhe izolimi që solli në botë.

Gjatë muajit të parë të ngujimit m’u krijua përshtypja se e gjitha kjo ishte një goditje ndaj egos njerëzore, e cila kërkon të ketë kontroll të plotë në këtë planet. Rrugët e boshatisura, ndalimi i qarkullimit të automjeteve, mbyllja e një numri të madh fabrikash, dominimi i botës shtazore nëpërmes tingujve të tyre karakterizues, natyra që në sytë e mi u bë edhe më e bukur, mungesa e lajmeve për krimin — të gjitha këto ishin vetëm disa prej dëshmive që njerëzimi ka nevojë për reflektim, një reflektim për të ndryshuar qasjen tonë kundrejt njëri-tjetrit dhe natyrës.

Më vonë, për shumëkë në Kosovë kërcënimi nga virusi u shëndërrua në çështje dytësore kur u bëmë dëshmitarë të politikës sonë vendore me veprimet e saj absurde në dëm të popullatës. Krijova bindjen se politikanëve tanë nuk u bëhej vonë për numrin e infektimeve dhe rrezikun që po u kanosej njerëzve; përkundrazi, gjithë mundin e kishin përqendruar në beteja politike ku akuzat dhe linçimet e kundërshtarëve politikë u bënë më të ashpra se kurrë më parë. 

Tashmë kishim një debat politik të degraduar, jo etik dhe të fokusuar kryesisht në sulme personale. Një sjellje e tillë e politikanëve la shije të hidhur në kohën kur pritej unitet i fuqishëm për ta luftuar armikun e përbashkët i cili do të sillte humbje të mëdha njerëzore dhe përkeqësim të gjendjes financiare në një vend ku papunësia veçse është tash e sa kohë në nivel shqetësues. 

Ndërkohë numri i personave të infektuar sa vinte e shtohej dhe virusi lëvizte në drejtime të papritura, saqë as specialistët shëndetësorë nuk ishin plotësisht të sigurt se si vepronte. 

Skenare fiktive e reale

Koha më dukej sikur kishte ngecur në një vend, mirëpo nuk dëshiroja të zhytesha në dëshpërim e apati kështu që gjeta shpëtim te librat, filmat klasikë e komikë, muzika, shfaqjet teatrore online, gatimi si risi për mua (ky hobi ende lë shumë për të dëshiruar), shfletimi i albumeve me fotografi të vjetra familjare dhe shëtitjet në natyrë për ta kthjelluar mendjen nga zymtësia e kohëpaskohshme e izolimit. 

Një tjetër pasion që e kam kultivuar këtë kohë ka qenë të shkruarit. Në vazhdimësi shkruaj tregime te shkurtëra, drama, skenare për filma, ditar personal… Këtë pasion fillova ta kultivoj pasi u regjistrova në fakultetin e gazetarisë para disa vitesh. 

Më në fund isha i lirë ta ushtroja profesionin tim si aktor.

Momentalisht po e shkruaj një skenar për film të metrazhit të gjatë, shtylla kryesore e rrëfimit të të cilit është një familje e cila jeton në botën e së ardhmes. Tema pak a shumë korrespondon me gjendjen momentale — izolimin. Problemet me të cilat ata ballafaqohen shtrihen në disa dimensione: mospërshtatja me shpikjet e reja teknologjike dhe me botën virtuale që eklipson raportet e marrëdhëniet ndërnjerëzore në jetën reale, rezistenca e familjes ndaj pushtetit i cili kërkon të zhdukë çdo hallkë të së shkuarës në jetën e tyre. Të gjitha këto probleme i shtyjnë drejt ngujimit.

E në skenarin e jetës sime reale, ngujimi u krye pas tre muajve të lodhshëm kur masat e qeverisë për luftimin e pandemisë u liruan dhe unë isha i lirë ta ushtroja profesionin tim si aktor. Për rreth një muaj punova në një shfaqje teatrore, i shoqëruar nga stresi permanent pasi që si aktor isha i ekspozuar ndaj rrezikut të infektimit gjatë provave në skenë. 

Tashmë më ishte shfaqur një horizont i ri mendimesh për shpërthimin e këtij virusi vdekjeprurës. Këto mendime më shpienin tek ideja e krijimit të një rendi të ri botëror; pra si pasojë e shfaqjes së kësaj pandemie, bota do të fillonte aplikimin e mënyrave krejtësisht të ndryshme të jetesës. Do të fillonim përdorimin permanent të maskave, dorëzave, distancës fizike, dhe do të shihnim rritje të dukshme të vigjilencës në nivel global edhe pasi të kishte kaluar pandemia. 

Maturi dhe kujdes

Unë nuk kam dyshuar asnjëherë për ekzistencën e këtij virusi, madje kam qenë thellësisht i indinjuar me teoritë konspirative, deklaratat e pamatura dhe “ekspertizat” e personave të cilët besonin dhe ende besojne se ky virus është gënjeshtër e madhe. Vetë mund të kem ushqyer dyshime nga më të çuditshmet për prejardhjen e virusit, por më me rëndësi sot për mua është t’iu përmbahem udhëzimeve shëndetësore, pa u zhytur në mendime të çoroditura e të padobishme që shpien drejt rrugëve pa dalje.

Supozimet e ndryshme të njerëzve i shoh si normale, por në të njëjtën kohë them se ato nuk duhet të kenë marrin jehonë mediale, e aq më shumë të prezantohen si fakte. Ekziston një thënie nga filozofi Umberto Eco që e pasqyron më së miri hapësirën e pamasë virtuale që ia mundëson çdokujt të ndajë mendimet me një publik tejet të gjerë: “Dikur flisnin në ndonjë bar pasi kishin pirë një gotë verë, pa dëmtuar shoqërinë, ndërkaq sot kanë të drejtën e njëjtë të fjalës si një laureat i çmimit Nobel”. 

Kjo lë të kuptojmë se duhet të pengojmë depërtimin e një mendësie të tillë që në mënyrë kundërproduktive përhap dyshime për virusin, kur në fakt çfarë dihet sigurt është se ai ekizston si kërcënim global. Të gjithë jemi të njëjtë para tij dhe nuk duhet harruar përgjegjësinë tonë kundrejt njerëzve tanë më të afërt, të cilëve me veprime të shkujdesura mund t’ua rrezikojmë jetën.

Natyra e profesionit tim është e atillë që kërkon vëzhgim dhe studim të natyrës njerëzore, kështu që në të ardhmen do të ketë shfaqje, filma dhe seriale që fokusin kryesor do ta kenë te pandemia dhe gjithë çfarë solli ajo me vete. Jam me idenë që krijmtaria artistike buron nga ngjarjet e mëdha të cilat frymëzojnë veprat e çmuara të artistëve kudo. 

Ndërsa mbesim në pritje të ditës kur COVID-19 të jetë kapitull i mbyllur, shpresoj që secili të kemi nxjerrë mësime — individuale dhe kolektive — që do t’i ruajmë si vath në vesh përherë.

Imazhi i ballinës: Arrita Katona / K2.0.  

KOMENTO