Në thelb | gratë

Shumëfish të penguara

Nga - 29.04.2024

Tregu i punës në Kosovë vazhdon të jetë mosftues për gratë.

Bedrije Shurdhani, 63-vjeçare nga Gjilani, çdo ditë e nis me zhurmën e lehtë të penjve që lëvizin dhe gërshërët që hapen e mbyllen teksa prejnë zbukurimet që ajo i përdor për të qepur punëdore të ndryshme dhe veshje. 

Qepja dhe qëndisja, nga një pasion i fëmijërisë, iu kthyen në profesion nga i cili mbijeton që prej përfundimit të luftës së viteve 1998-99 në Kosovë. Gjatë asaj kohe, Shurdhanit i vdiq bashkëshorti. Si nënë vetushqyese tashmë, me shtëpi të shkatërruar prej luftës, mbi supe i ra përgjegjësia për ta kthyer në këmbë jetën e saj dhe të djalit pesë-vjeçar. 

“Sfidë u kanë. Shtëpinë e kemi pasë të prishur se na patën lanë një bombë këtu gjatë luftës. I kemi pasë krejt të thyme dyer e dritare. Por edhe me punu ka qenë sfidë se është dashtë me e gjetë veten, me i pas klientët, ku me i marrë?”, kujton Shurdhani pasiguritë e të të hyrit në një treg të panjohur të punës.

Talenti iu bë formë për mbijetesë dhe zgjidhje më afatgjatë në rrethana kur mbështetjen e vetme e merrte nga ndihmat e kohëpaskohshme të familjarëve dhe ndihmës sociale modeste shtetërore. Meqë punësimi me orar të plotë do ta detyronte ta linte djalin vetëm, ajo nisi të punoi nga shtëpia.

Përballë vështirësive me të cilat u përball prej fillimit, ajo ka qëndruar vetëm me familjen, pa shumë ndihmë prej tjetërkuj, sidomos prej qeverisë edhe pse ka provuar. Aplikimin për grant e përshkruan si procedurë të gjatë, të vështirë e të mundimshme.

“Dy herë kam apliku për grante, njanin e kam fitu, tjetrin jo. Dy javë e më shumë kam bo dokumenta dhe prapëseprapë më kanë refuzu. E kam lanë, tash edhe me i pa grantet nuk aplikoj”, thotë ajo. “Sa dokumentat m’i kanë lypë vetëm një organizatë. Deri edhe në Gjykatë Themelore e kanë kërku vërtetimin që nuk e kam biznesin nën hetime, që nuk jam unë nën hetime”.

Tash e më shumë se 20 vjet, Bedrije Shurdhani mbijeton prej rrobaqepësisë. Fotografia: Majlinda Hoxha / K2.0

Derisa Shurdhani është ftohur nga aplikimi për grante pas përvojës së ngarkuar, Lumja, grua në të pesëdhjetat nga Gjilani, e cila nuk deshi të identifikohej me emrin e saj, nuk ka aplikuar fare sepse është demotivuar pa ia nisur. Ajo ka mbi 20 vite që punon si rrobaqepëse nga shtëpia dhe së fundmi ka filluar edhe përgatitjen dhe shitjen e ushqimeve tradicionale.

Pasi e kishte pyetur dikë për procedurat sepse i duhej një makinë e re e qepjes, nuk ia kishte marrë mendja t’i mësyhej procesit, përkundër nevojës për përkrahje. “Shumë më ka thanë të del punë, shumë, duhet me mbushë dokumente shumë, shumë duhet me pritë, edhe qata tani po jet krejt përmas. Tani e kam lanë, më ka demoralizu”, thotë ajo. 

Ndonëse qeveria dhe organizata të ndryshme jo-qeveritare promovojnë thirrje për përkrahje të bizneseve të grave, duket se këto thirrje nuk po arrijnë te të gjitha gratë. 

Në shkurt 2024, Insituti GAP publikoi raportin hulumtues për sfidat dhe mundësitë e qasjes në treg për bizneset në pronësi të grave dhe komuniteteve pakicë në Kosovë.

Në raport, ndër tjera, përfshihen gjetje prej grupeve të fokusit me 35 përfaqësues/e të bizneseve, intervista me palët e interesit. Të përfshirët në raport, përpos që përmendin pamjaftueshmërinë e granteve nga qeveria lokale e qendrore, theksojnë se dokumentacioni i tepërt i kërkuar nga niveli qendror e bën procesin e aplikimit për grante ose subvencione dukshëm më të vështirë. 

Po ashtu, në disa raste, prej aplikantëve kërkohet të dorëzojnë aplikimet në kopje fizike, kryesisht në selitë e institucioneve në Prishtinë. Kjo kërkesë paraqitet si shpenzim shtesë e vështirësi që disproporcionalisht i ndikon aplikuesit/et që s’banojnë në Prishtinë.

Sipas këtij raporti, paragjykimet kulturore dhe gjinore, burimet e kufizuara financiare, proceset e rënduara burokratike, mosbesimi në kritere të përzgjedhjes për marrje të granteve janë po ashtu sfida të mëdha tek bizneset e udhëhequra nga gratë ose komunitetet pakicë. 

Këto mund të jenë aspekte që kontribuojnë në papunësinë te gratë, e cila vazhdon të mbetet e lartë në krahasim me atë të burrave. Në tre-mujorin e parë për vitin 2023, sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, shkalla e papunësisë midis grave punëkërkuese është 18.6% në raport me 8.6% sa është tek burrat. Po ashtu, prej 132,702 grave në moshë për punësim, vetëm 22.8% marrin pjesë në fuqinë punëtore.

Pos vështirësive në qasjen në grante, gratë në Kosovë përballen me një varg pengesash tjera, që burojnë nga mangësitë strukturore për të adresuar boshllëkun gjinor në punësim, mungesa e politikave të ndjeshme gjinore e deri te rolet e ngurta gjinore që rëndojnë tutje supet e grave.

Jo vetëm një punë

Shpresa për të gjetur një vend pune e kishte bërë Lumen që të mësojë se si ta përdorë makinën e qepjes. Si e re, e kishte përfunduar kursin e rrobaqepësisë e përtej kësaj i kishte mbyllur ditët e çelur mëngjeset duke punuar në makinë, ashtu që ta përkryejë zanatin e saj. 

“Gjithë natën rrija tu mësu me e përdor maqinën edhe me i pasë paratë e mia. Gjithë natën rrisha me i ra në fije, qaq e kisha vullnetin për punë”, thotë ajo. 

Fillimisht, ajo s’gjeti punë. Dikur, lindja e fëmijëve dhe nevoja e tyre për përkujdes u bënë vendimtare që ajo të mos kërkonte më punë dhe të niste t’i gjente vetë klientetët/et, të cilëve/ave mund t’u shërbente si rrobaqepëse. 

“Shumë zor u kanë, se pak u kanë pagesa [nga qepja e këllëfëve] dhe fëmijët i kam pas të vegjël. Duhej m’i bo punët, me e bo bukën, m’u kujdes për fëmijët edhe plus me i qep këllëfat”, thotë ajo. “Fëmijët nuk kam pasë kujt me ia lanë”.

Gratë, përpos punës që u paguhet, kryejnë shumë punë që as s’u njihen e as s’u paguhen. Fotografia: Majlinda Hoxha / K2.0

Ndërkohë po ashtu në Gjilan, në orët e vona të natës kur errësira kaplon qytetin, drita ende qëndron e ndezur në kuzhinën e Meritës, 50-vjeçare, e cila nuk deshi të identifikohej me emrin e vërtetë. Për të, pas një dite të mbushur me punët e shtëpisë, fillon puna e saj në përgatitjen e tortave për t’i shitur, punë të cilën e kryen në shtëpi tash e tri vite.

Përbërësit dhe mjetet e punës janë të shpërndara anekënd dhe zor se gjejnë vend në tavolinë. Edhe më i mundimshëm bëhet ky proces për shkak të mungesës së një frigoriferi të përshtatshëm ose një vendi të madh ku Merita mund t’i lë të gjitha gjërat. Kështu, ajo detyrohet të sorollatet për të përdorur të gjitha mjetet e punës, të cilat janë të vendosura nëpër cepa të ndryshme të shtëpisë.

Për të, një ditë e zakonshme jo rrallëherë mbaron kur zbardh agimi.

“Me e pasë një punëtori është me e lehtë sepse ti shkon në vend të punës, e di që je në punë, i ke sendet krejt afër, merresh vetëm me atë punë. E kështu [në kushte shtëpie] ti duhet me iu përgjigj edhe shtëpisë, edhe mysafirit edhe punës edhe çdo sendi”, thotë Merita.

Puna e përkujdesjes është barrë që i pengon gratë prej qasjes dhe pjesëmarrjes së barabartë në tregun e punës. Në vitin 2022, Instituti për politika sociale “Musine Kokalari” publikoi një hulumtim mbarëkombëtar rreth përmasave dhe perceptimeve shoqërore rreth punës së përkujdesjes që nuk paguhet në Kosovë. Studimi gjeti se gratë në Kosovë, mesatarisht, shpenzojnë 6.2 orë në ditë duke kryer punë përkujdesjeje pa pagesë, ndërsa burrat shpenzojnë 3.5 orë duke kryer punë të ngjashme. Sipas studimit, gratë shpenzojnë 44% më shumë kohë duke kryer këto punë sesa burrat. 

Sipas Luljeta Demolli, drejtore ekzekutive në Qendrën Kosovare për Studime Gjinore, gratë mbesin të vetme përballë përgjegjësisë që u mveshet për t’i rritur fëmijët edhe për shkak të kostos së lartë financiare për t’i dërguar fëmijët në çerdhe. 

“Barra e kujdesit është bërë shumë e shtrenjtë edhe në Kosovë. Për ta dërguar një fëmijë në çerdhe është shumë e shtrenjtë, kështu që krejt kujdesi ka mbetë në duart e grave, kryesisht nëpër fshatra, qytete të vogla po mbahet prej grave dhe kjo e vështirëson edhe krijon sfida të reja për gratë”, thotë ajo.

Për shkak të roleve të ngurta gjinore, disa politika, apo mungesa e tyre ndikojnë disproporcionalisht gratë. Mungesa e çerdheve publike është një prej tyre. Sipas raportimeve, Kosova ka 49 institucione publike të arsimit parashkollor dhe 177 private, ku pagesat mujore për një fëmijë kalojnë shifrën prej 100 eurosh. Ndërkohë, qeveria Kurti pati premtuar ndërtimin e 160 çerdheve përgjatë mandatit katër-vjeçar. Viti i katërt i qeverisjes së Kurtit e gjen Kosovën me vetëm katër çerdhe të ndërtuara. 

Kështu, grave shpesh iu bie që përpos punës me pagesë, të angazhohen në punë të shtëpisë, që shpeshherë as që u njihet si punë. Këto përgjegjësi shtesë përcaktojnë edhe mënyrën se si gratë i qasen tregut të punës e jo rrallë bëhen arsye që gratë ose të tërhiqen fare nga tregu formal i punës ose, për të mbijetuar e për të siguruar të ardhura, të detyrohen të zhvillojnë aktivitet joformal të punës.

Përballë pasigurisë

Merita e Lumja janë disa nga shumë gratë e vetëpunësuara joformalisht krahas papunësisë dërrmuese të grave. Gratë në Kosovë kanë dy herë më shumë gjasa të jenë të punësuara në punë joformale sesa burrat, sipas analizës “Nën hije: Analiza Gjinore e Punës Joformale në Kosovë”, të Rrjetit të Grave të Kosovës (RrGK), botuar në shkurt 2024.

Gratë, dyfish më të përfshira në punë joformale

Sipas analizës “Nën hije: Analiza Gjinore e Punës Joformale në Kosovë” nga RrGK, llogaritet se 42% e kosovarëve ishin të përfshirë në punë jo-formale në vitin 2022. Gratë ishin pothuajse dyfish më të prirura se burrat të ishin të përfshira në punën jo formale, duke përbërë kështu 65% të të gjithë punëtorëve/eve joformalë. Raporti shton se gratë prej zonave rurale dhe gratë e moshave 46-64 kishin më shumë gjasa të punojnë joformalisht sesa burrat dhe gratë tjera.

Sipas analizës, pasojat negative të punës joformale përfshijnë punësimin e pasigurt, të ardhurat e paqëndrueshme, orarin e çrregullt të punës, punën jashtë orarit të papaguar, paga më të ulëta për disa, pensione më të ulëta, qasje të kufizuar në asete, pasoja shëndetësore, shkelje të të drejtave të punës dhe evazion fiskal që kontribuon në humbjen e të ardhurave për shtetin. Pos kësaj, puna joformale, për shkak që është e paregjistruar, shpesh nuk njihet si përvojë pune, sidomos në moshën e pensionimit — duke shtuar kështu paqëndrueshmëri për të ardhmen. 

Edhe për Meritën, puna joformale nuk është e qëndrueshme dhe i rritë pasiguritë për të ardhmen. 

“Mua më doket që është ma mirë me e pasë një punë që është në ora kaq, shkon në punë dhe kthehesh, kur vjen fundi i muajit e merr pagën. Kështu ndoshta një muaj ke më shumë punë, dy-tre muaj mundesh mos me pas hiç edhe nuk e di çka të pret”, thotë ajo.

Një aspekt tjetër që renditet si sfidues në punësimin e grave është edhe mosha, që kur bëhen bashkë me gjininë, e bëjnë diskriminimin të dyfishtë. 

Arjeta Maka është koordinatore në organizatën jo-qeveritare në Gjilan “Gruaja Hyjnore”, që tash e 13 vjet, përmes trajnimeve, sesioneve informuese, organizimit të panaireve dhe aktiviteteve tjera punon për të përparuar të drejtat e grave. 

Sipas saj, grave u mohohen pozitat e punës edhe për shkak të moshës dhe nisma të ndryshme qeveritare për punësim përqendrohen më shumë në rini. “Njëra nga sfidat unë mendoj nganjëherë është mosha, në përgjithësi, jo vetëm në Gjilan. Për shembull te ‘Superpuna’ në start është vetëm në rini që mendoj që duhet të jetë gjithëpërfshirëse për shkak të moshës,” thotë ajo. 

Qëndresa Ibraj Berisha, një prej themelueseve të NAN’at tregon se u përballen me mosbesim nga të tjerët para se të hapnin restorantin. Fotografia: Majlinda Hoxha / K2.0.

Së fundmi, Oda Ekonomike Gjermano-Kosovare dhe Fondacioni Gjerman Friedrich-Naumann-Stiftung für die Freiheit publikuan një analizë për sfidat e qasjes në tregun e punës për gratë në moshën e mesme. Gjetjet nga grupet e fokusit sugjeruan se moshizmi — diskriminimi për shkak të moshës — është i pranishëm, teksa politikat shtetërore të punësimit janë kryesisht të orientuara kah rinia, duke lënë boshllëk në mbështetje për gratë më të moshuara. 

Midis gjithë sfidave me të cilat përballen Shurdhani, Merita e Lumja, qoftë për shkak të vendit ku e zhvillojnë veprimtarinë e tyre, gjinisë a moshës së tyre, në qytetin e tyre ekzistojnë disa oaza të vogla të punësimit të grave që janë krijuar nga vetë gratë.

Një prej tyre është restoranti “NAN’at” në Gjilan, i cili është themeluar në vitin 2019 nga Lirie Berisha Biqkaj dhe Qëndresa Ibraj Berisha. Përpos themelimit nga dy gra, ky biznes për faktin që është i përkushtuar që të punësojë vetëm gra dhe t’iu shërbejë vetëm klientëve gra me përjashtim të rasteve kur në këtë lokal organizohen evente familjare.

Ibraj Berisha tregon se, në fillim, njerëzit e në disa raste edhe vetë familjarët e tyre, kanë qenë pesimistë për suksesin që mund të ketë ky biznes i destinuar për t’iu shërbyer vetëm grave. 

“Në fillim kur e kemi mendu kemi dashur të bëjmë diçka që nuk ka. Ideja është mirëpritur por nuk kanë besuar shumë që do të ecë shumë mirë”, thotë ajo.

Aktualisht, ky lokal ka pesë punëtore gra, bashkëthemeluesja e këtij lokali, Berisha Biqkaj tregon se “NAN’at” iu kanë dhënë mundësi sidomos grave të moshës mbi 50-vjeçare.

“Kemi pasur raste me gra që nuk kanë qenë kurrë të punësuara, mundësia e parë për me punu iu është dhënë këtu”, thotë Berisha Biqkaj. 

Imazhi i ballinës: Majlinda Hoxha / K2.0

Ky artikull është publikuar me mbështetjen financiare të Këshillit të Evropës në kuadër të projektit ‘Promovimi I të drejtave të njeriut dhe parimeve kundër diskriminimit në nivel lokal’ faza II, financuar nga UNMIK dhe zbatuar nga Këshilli i Evropës Zyra në Prishtinë. Opinionet e shprehura në këtë publikim janë përgjegjësi e autorëve dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht politikën zyrtare të Këshillit të Evropës.

Dëshironi të mbështetni gazetarinë tonë? Anëtarësohuni në “HIVE” ose konsideroni një donacion. Mëso si këtu.