Ka pasur shumë artikuj nëpër media për mënyrat si pandemia dhe masat e ndërlidhura me izolimin e kanë ndihmuar natyrën — të paktën në disa vende, nëse jo globalisht. Cilësia e ajrit është përmirësuar për shkak të trafikut më të rrallë dhe uljes së prodhimit në disa fabrika. Disa kafshë kanë lulëzuar për shkak të uljes së pranisë së njerëzve. Thuhej që natyrës thjesht “i duhej një pauzë”.
Por në ndërkohë, disa kanë vendosur ta përdorin këtë pauzë në një mënyrë tjetër: ta ndryshojnë në qetësi ligjin në favor të investuesve dhe papritmas të aprovojnë projekte kontraverse, të ndërtojnë hidrocentrale pa lejet e nevojshme dhe të përndjekin aktivistë — siç shihet në raportin e ri nga OJQ-ja Çeke Amika Shkatërrimi i mjedisit në kohë të koronavirusit.
Disa nga shkeljet ishin të lidhura me raste individuale, por të tjera tregojnë përpjekje për të zbatuar shkatërrim sistematik.
Kjo është arsyeja pse, në të gjitha kohërat, ne duhet të qëndrojmë zgjuar dhe të mbrojmë të drejtën tonë për qasje në informata mjedisore, siç është përcaktuar nga Konventa e Aarhus-it (e nënshkruar nga 47 shtete, duke përfshirë Bosnjën e Hercegovinën, Slloveninë, Kroacinë, Bullgarinë dhe Greqinë).
Tash më shumë se kurrë, ne duhet ta ndihmojmë njëri-tjetrin duke u përqendruar në pandemi dhe duke luftuar së bashku për një të ardhme më të mirë dhe më të sigurt. Ne mund ta përdorim krizën për përfitimet tona — ta lejojmë botën natyrore të shërohet.
Por në vend të kësaj, disa qeveri, autoritete, kompani private dhe investitorë ishin (dhe fatkeqësisht me gjasë edhe janë) duke e dëmtuar. Sepse fokusi i njerëzve në mënyrë të logjikshme ka kaluar në koronavirusin e ri dhe të gjitha problemet serioze që vijojnë.
A ka ndodhur kjo vetëm për shkak të pandemisë?
Sigurisht që monitorimi dhe pjesëmarrja e dobësuar e publikut në vendimmarrje apo protesta nuk ishin shkaktarët e rasteve të mëposhtme por fatkeqësisht ua kanë lehtësuar punën.
Natyra e Ballkanit e shkatërruar
Një shkelje tipike kundër mjedisit në epokën e COVID-19 mund të jetë rasti i Bosnjës e Hercegovinës. Përderisa vëmendja ishte e shpërqendruar në pranverën e vitit 2020, investitorët filluan ndërtimin e hidrocentraleve në lumenjtë Bjelava dhe Mala Bjelava pa leje zyrtare.
Kjo tregoi injorancë për ligjin si dhe grabitjen e mundësisë së publikut për t’i ngritur shqetësimet, pyetjet dhe komentet e tyre. E gjitha kjo përkundër faktit që veç janë mbi 120 diga dhe hidrocentrale të vogla në Bosnjë e Hercegovinë dhe disa qindra të tjera janë propozuar, duke dëmtuar disa nga lumenjtë e fundit të egër natyrorë në Evropë.
Duke folur për injorimin e proceseve të rëndësishme, në Kroaci nxjerrja e sedimenteve nga lumi i Dravës në Petrijevci gjithashtu ka filluar pa kryer Vlerësim të Ndikimit në Mjedis (VNM) apo Vlerësim të Ndikimit në Natyrë (VNN). Për më shumë, lejet për projekt të cilat ishin lëshuar shpejt, edhe pse disa nga pjesët e lumit janë të mbrojtura nga Natura 2000 — një rrjet i hapësirave të mbrojtura i cili mbulon speciet dhe habitatet më të vlefshme dhe më të rrezikuara të Evropës.
Për dallim, në Bullgari, përderisa publiku ishte i përqendruar në përballjen me pandemi, shumë ndërmarrje industriale dhe të minierave shfrytëzuan situatën për të lëshuar mbeturinat e depozituara në lumenj. Ata veçmë ishin të ndotur dhe të rrezikuar, kryesisht nga industria e nxjerrjes.
Edhe më të rënda se shkeljet nga projektet individuale të cilat po shkatërrojnë mjedisin tonë natyral janë tentativat për të bërë ndryshime sistematike që shkaktojnë dëm afatgjatë.
Në kohën kur Greqia ishte duke e luftuar COVID-19, qeveria paraqiti një projektligj të titulluar “Modernizimi i Legjislaturës së Mjedisit” në parlament. Mbrojtësit e mjedisit tregojnë faktin që qeveria e ka keqpërdorur pandeminë për të prezantuar legjislaturë e cila dobëson standardet e mjedisit, veçanërisht në fushën e hapësirave të mbrojtura, procedurat dhe licensimin e VNM-së, legalizimin e ndërtimeve të paligjshme, apo menaxhimin e mbeturinave. Prandaj ata kërkojnë tërheqjen e këtij projektligji.
Megjithatë, vota parlamentare për projektligjin është mbajtur më 5 maj 2020 dhe projektligji kontravers është aprovuar.
Në Slloveni qeveria shfrytëzoi situatën me pandeminë për të mposhtur mbrojtësit e mjedisit me amandamente të reja të ligjit mbi ndërtime dhe mbrojtje të natyrës. Këto amandamente prezantojnë kushte strikte të paarsyeshme për organizatat e shoqërisë civile të marrin pjesë në procedura administrative. Sipas regulloreve të reja, organizatat duhet të kenë së paku 50 anëtarë aktivë, tre punëtorë me orar të plotë të cilët kanë diploma të universitetit, asete që tejkalojnë vlerën e 10,000 euro dhe duhet të kenë qenë në përputhje me këto kushte në mënyrë retroaktive për dy vite.
Vetëm disa OJQ do të jenë në gjendje të plotësojnë këto dhe kushte të tjera të përcaktuara ngusht dhe të përfaqësojnë interesin e publikut në proceset e vendimmarrjes si dhe të shprehin mendimin e tyre brenda një VNM-je apo procedurave të lejes së ndërtimit.
Çka nëse bëjmë mundin e njëjtë për të luftuar për të mirën?
Në pjesën tjetër të Evropës, në Armeni, qeveria ka aprovuar një draft amandament për Ligjin e Lirisë së Informimit i cili prezanton ndalesa në dispozitën e informatave mjedisore. Në Bjellorusi, sheti nuk ka hezituar të përfitojë nga shoqëria civile e dobësuar duke përndjekur ata të cilët ende ishin duke protestuar kundër ndërtimit të fabrikës së baterive në Brest.
Çekia ka përgatitur një verzion të ri të Aktit të Ndërtimit me qëllim që të shpejtojë procesin e lëshimit të lejeve të ndërtimit, duke dobësuar kështu mbrojtjen e mjedisit dhe ka marrë hapa të shpejtë për të siguruar ndërtimin e një termocentrali bërthamor.
A do të ishte një ide utopike të dëshirojmë ritëm dhe vendosshmëri të ngjajshme për interesat e mjedisit?
Pasojat e rrezikshme për natyrën dhe për të drejtat e qytetarëve janë të dukshme, pasi shfaqet vetëm një pjesë e projekteve dhe proceseve shkatërruese që janë duke ndodhur, pa marrë parasysh — apo rrethanat rraskapitëse dhe të papara deri më tash.
Për më tepër, ka ndryshime në ligj të cilat mund të ndryshojnë rregullat e lojës dhe mund të jenë shumë të vështira për t’i kthyer. Kjo do të thotë gjithashtu dobësim i demokracisë dhe ulje e nivelit të mbrojtjes së mjedisit në përgjithësi.
Fatkeqësisht, vala e ardhshme e pandemisë ka hapur derën për interesa private dhe abuzime qeveritare, ashtu që duhet të vazhdojmë të mbrojmë të drejtat tona të mjedisit dhe mjedisin në përgjithësi. Vazhdoni të ndiqni se çka është duke ndodhur në mes të trazirave të krizës së koronavirusit dhe mbledhni informata rreth çështjeve të ngjashme.
Dhe ju mund të na ndihmoni! Për t’u përfshirë, mund të ndiqni aktivitetet tona, të lexoni dhe të shpërndani raportet e plota apo këtë artikull, si dhe të na informoni për shkelje të ngjashme.
Imazhi i Ballinës nga Katja Jemez / Armika.
Ky blog është bazuar në raportin e publikuar rishtas nga OJQ-ja Çeke Arnika, Shkatërrimi i mjedisit në kohë të koronavirusit. Raporti i plotë, i cili përfshin 15 raste të shkeljeve të drejtësisë mjedisore nga Evropa, Kaukazi dhe Azia Qendrore, është i qasshëm në gjuhën angleze dhe atë ruse. Sugjerimet apo dokumentimet për raste të ngjashme nga Kosova apo kudo tjetër mund të dërgohen në Qendrën për Mbështetje të Qytetarëve të Arnikës, [email protected].