Pikëpamje | Politika

Si do t’i mbijetojnë amerikanët dhimbjet e miturisë?

Nga - 04.11.2020

Gara presidenciale e Shteteve të Bashkuara është luftë pushteti për të ardhmen.

Deri pasditen e së mërkurës (4 nëntor), numërimi i votave të garës presidenciale ende nuk ka përfunduar. Kandidati demokrat, ish zëvendës-presidenti Joseph P. Biden, është paksa në epërsi në numërimin e kolegjit elektoral, si dhe në votën popullore. Por në një garë tejet të ngushtë, rezultati përfindimtar mund të anojë në cilindo drejtim. 

Si pasojë e një numër të madh të votuesve në mungesë dhe votave përmes postës për shkak të pandemisë, si dhe pjesëmarrjes së madhe në votime — mbi 100 milionë njerëz kanë votuar para ditës së zgjedhjeve — janë pritur vonesat në numërim. 

Zakonisht, në zgjedhjet presidenciale të amerikës bëhet e qartë se kush pritet të jetë fituesi në fund të ditës së votimeve, ashtu që ato çka raportohen në media janë parashikime të fituesit. Megjithatë, kur votat janë skajshmërisht të përafërta, atëherë duhet të presim deri në numërim të plotë, veçanërisht të votave përmes postës ose votave në mungesë të cilat duhet të numërohen manualisht. 

Përkundër kësaj, presidenti Donald Tump tashmë ka pretenduar publikisht që është në epërsi të garës dhe se është duke “fituar”, duke përfshirë këtu disa deklarata të rrejshme ku pretendon se rezultatet janë duke u vonuar për shkak të mashtrimeve. Ai ka thënë që do të kërkojë një “ndalesë të votave” —votimet tashmë kanë përfunduar por Trump dëshorin të ndalojë numërimin e votave — dhe ta çojë rastin në Gjykatën Supreme. 

Në fund të fundit, këto zgjedhje kanë të bëjnë me pushtetin. Kush do ta ketë në të ardhmen? Dhe çfarë ishte në të shkuarën?

Deklaratat e tij janë cytëse dhe dukshëm të rrejshme dhe kështu kanë nxitur reagime nga e majta në të djathtë. Këmbëngulja e tij e pabazë, që ka mashtrime dhe që zgjedhjet janë vjedhur, ka për qëllim vetëm t’i përçajë Shtetet e Bashkuara më tutje. 

Megjithatë, kushdo që do t’i fitojë zgjedhjet, në përgjithësi pritet të ketë zemërim nga njëra anë apo tjetra, duke përfshirë mundësinë për dhunë dhe kalim jopaqësor të pushtetit. Këto zgjedhje, të cilat gjerësisht konsiderohen si zgjedhjet më përçarëse ndonjëherë, kanë shkundur deri në palcë mendimin e shumë amerikanëve për veten dhe vendin e tyre dhe ndoshta i kanë shtyrë ata të riimagjinojnë se si ka qenë shteti i tyre, si është dhe së si do të bëhet. 

Përkundër bindjeve të shumë njerëzve — si në Shtetet e Bashkuara ashtu edhe jashtë tyre — humbja e Trump-it nuk do të shënojë fundin. Ai kurrë nuk ka qenë as fillimi. Ç’është e vërteta, ai ishte pika kulmore e shumë forcave të historisë amerikane. 

Në fund të fundit, këto zgjedhje kanë të bëjnë me pushtetin. Kush do ta ketë në të ardhmen? Dhe çfarë ishte në të shkuarën?

Çfarë ishte Amerika dhe cfarë është tani

Amerika po ndryshon shpejtë. 

Kur njerëzit mendonin për amerikanin mesatar, ata zakonisht kanë menduar për një burrë apo grua të bardhë me fe të krishterë protestante. Në ditët e sotme, amerikani mesatar duket më shumë si unë, një grua me ngjyrë. Në disa vende, veçanërisht në Kaliforni dhe Nju-Jork, kjo është e vërtetë në shumicën e rasteve. Ndërsa tjetërkund është më pak e vërtetë.  

Por amerikanët e bardhë me fe të krishterë protestante tani janë minoritet. Ky ndryshim i ka frikësuar dhe mërzitur shumë amerikanë të bardhë të cilët shohin dobësimin e mbizotërimit të tyre kulturor dhe social. 

Në veçanti, amerikanët me ngjyrë kanë mbajtur mbi supe barrën e këtyre problemeve. Në këtë rast mund të themi që në fakt ka “urrejtje të lashtë”. Ose të paktën mjaft të vjetër. 

Personat me ngjyrë janë skllavëruar në Shtetet e Bashkuara që në fillim të shekullit të 17-të. Pas çlirimit të tyre në 1863, ata jo vetëm që kanë jetuar në segregim në jug por edhe janë brutalizuar në veri gjatë 150 viteve të ardhshme; në shumë shtete u është mohuar e drejta e votës. 

Akti i të drejtës së votës, i cili ua garantoi të drejtën e votës personave mbi moshën 18 vjeçare, ka kaluar në 1965. Por ky akt është kthyer mbrapsht nga Gjykata Supreme në 2013. 

Trump ka çuar këtë strategji në një përfundim logjik dhe tash ka theksuar përçarjet në një mënyrë që të bën të mendosh se janë të pakthyeshme.

Gjykata Supreme ka cekur që pasi në ditët e sotme, për shembull, regjistrimi për votime është më i lartë mes të zinjëve se të bardhëve në disa vende, masat shtesë të cekura në aktin e vitit 1965 për të garantuar mosheqjen e të drejtës së votës nuk janë më të nevojshme. Vendimi i Gjykatës ka liruar nga mbikëqyrja federative nëntë shtete si dhe komuna e qarqe të ndryshme. Kjo do të thotë që shtetet dhe vendet e përfshira në akt lejohen të marrin masa të reja zgjedhore si për shembull, ligje të identifikimit

Këto ligje gjoja se kanë për qëllim të ndalojnë mashtrimet, por kritikët theksojnë se ato gjithashtu u heqin të drejtat personave të cilët nuk mund të paguajnë për identifikim të shtetit apo ta marrin për arsye të tjera. Në Shtetet e Bashkuara, identifikimi shtetëror zakonisht nuk kërkohet. Ligjet e tilla ndikojnë minoritetet dhe votuesit e varfër në mënyrë joproporcionale pasi ata kanë vështirësi për të siguruar disa lloje të identifikimit, si për shembull pantentën e shoferit. 

Gjyqtarja Ruth Bader Ginsburg në shkrimin e saj të famshëm rreth mospajtimit të saj me vendimin e vitit 2013 për shfuqizimin e aktit, thotë që është njëjtë sikur të gjuash çadrën sepse vetë nuk je duke u lagur. 

Trump është trashëgëmia e republikanëve

Trump ishte përfituesi i strategjisë së jugut të Partisë Republikane të iniciuar nga Presidenti Richard Nixon në vitin 1968 për të pozicionuar Partinë Republikane si kampione të votave të të bardhëve dhe bajraktare për të krishterët evangjelstë dhe fundementalistë, në veçanti ata që jetojnë në jug. Këta njerëz tani janë duke u larguar ngadalë për shkaqe si lindja, imigrimi dhe përzierja e popullatës, madje edhe nga shtetet themelore të jugut. 

Trump ka çuar këtë strategji në një përfundim logjik dhe tash ka theksuar përçarjet në një mënyrë që të bën të mendosh se janë të pakthyeshme.

Si mund të mëkëmbesh nga një president i cili haptazi ka nderuar supremacistët e bardhë në një debat? Një president që ka refuzuar të pranojë që një neonazist ka vrarë një grua në Charlottesville para se të bëhej vonë? Një president, administrata e të cilit dëshiron t’i kufizojë ligjet mbi abortimin por dyshohet se ka sterilizuar me forcë gra imigrante në kampe të paraburgimit? Një president që ka ndarë 545 fëmijë imigrantë nga prindërit të cilët tani janë të humbur përgjithmonë dhe që ka mbajtur këta fëmijë dhe shumë të tjerë prapa grilave? I cili përmes paaftësisë së vet dhe refuzimit ta dëgjojë shkencën ka lejuar virusin COVID-19 të vrasë mbi 200,000 amerikanë — dhe ky numër është në rritje? 

Trump u bë president në vitin 2016 edhe pse humbi votën popullore për 3 milionë vota.

Lëvizja më e madhe protestuese ka qenë ajo e lëvizjes Black Lives Matter (“Jetët e Zeza Vlejnë”). Kjo lëvizje dhe të tjera të ngjajshme kanë ekzistuar para Trump-it. Dhuna e shkaktuar nga policët gjithmonë ka pasur cak personat e zinj në veçanti; Amadou Diallo, Rodney King, Eleanor Bumpers, çdo vit ka emra të tjerë. Por me ardhjen e telefonave të mençur dhe kamerave të policisë, tash njerëzit nuk mund ta mohojnë që kjo ndodh; ajo e cila rrallë besohej edhe nga mediat, tashmë pranohet jo si një devijim por si një fakt i përditshëm. 

Lëvizja Black Lives Matter ka mbushur verën me protesta të përditshme kundër brutalitetit policor, e shpesh këto protesta kanë përfunduar në ballafaqime me policinë dhe grupeve të skajit të djathtë. Për herë të parë, amerikanët kanë parë gazetarët duke u arrestuar në rrugët e tyre dhe duke u sulmuar nga policia. Shumë amerikanë të thjeshtë të të gjitha grupeve etnike janë zënë vetë në mes të dhunës, madje edhe në shtëpitë e tyre

Mundësia që rezultatet e votimeve do të kundërshtohen kësaj radhe i ka shtyrë amerikanët të blejnë armë dhe të mbulojnë dyqanet dhe ndërtesat e qeverisë në rast të trazirave. Sepse tani Trump ka lejuar që dhuna dhe jostabiliteti t’i përçajnë Shtetet e Bashkuara haptazi si kurrë më parë. 

Trump ka luajtur një rol shumë ndarës në këtë situatë, duke ndezur tensione në vend që të bashkojë vendin. Dhe në shumicën e rasteve kjo ka qenë qasja e tij kryesore në qeverisje. Për këtë arsye është e rëndësishme ta kujtojmë që Trump nuk mund të fitojë votën popullore në Amerikë. Shumë njerëz, për shkaqe të shumta, nuk do ta votojnë. 

Fitorja e tij në 2016 ishte falë Kolegjit Elektoral, përmes të cilit Trump fitoi jo përmes votës popullore por përmes votave të alokuara të shteteve individuale. Para katër vitesh Trump u bë president edhe pse humbi votën popullore për 3 milionë vota. 

Kujtimet e 2000 dhe numërimit të kontestuar të votave në Florida kanë mbetur si hije mbi këto zgjedhje. 

Mijëra vota janë rinumëruar kur numërimi i Kolegjit Elektoral ishte baras mes votave presidenciale të Al Gore dhe George W. Bush. Kjo konsiderohet si një ndër garat presidenciale më të ngushta në historinë e Shteteve të Bashkuara dhe në fund mbeti në dorë të një shteti, Floridës. Gore kërkoi rinumërim manual të votave nga katër qarqe. Fushata e Bushit e ka dërgu rastin në Gjykatën Supreme dhe vendimi — i cili erdhi më shumë se një muaj pas ditës së zgjedhjeve — doli në favor të Bushit. 

Trump na ka treguar me udhëheqjen e tij se si personat mediokër dhe pa talent ecin para — përmes besnikërisë, bardhësisë, pasurisë së trashëguar dhe nepotizmit.

Lirimi i Trump-it nga diskurset politike dhe civile, duke e lejuar kështu t’i sulmohen jo të bardhët dhe gratë, personat me aftësi të kufizuara dhe kushdo që nuk bën pjesë në idealin e bardhë, heteroseksual dhe të krishterë, ka lejuar këto forca të ngrohen, të vlojnë dhe të depërtojnë në kulturën e përgjithshme. Ajo çka është menduar më parë si e pasjellshme, armiqësore, e rrejshme dhe diskriminuese, apo që është mbajtur prapa dyerve të mbyllura, tash festohet haptas në disa rrethe. 

Trump përgjithmonë

Lufta e Amerikës është me vetveten dhe është zhvilluar jashtë veçantisë së saj, por sëmundja është duke u përhapur. 

Përhapja e QAnon — një teori e rrejshme konspirative, antisemitike e cila përdorë prentendimin e vjetër shpifës se hebrenjtë kanë sakrifikuar të krishterët dhe ndjekësit e saj të cilët e adhurojnë Trump-in — tashmë ka arritur në Evropë dhe në Australi. Politikanët popullistë duke ndjekur shembullin e Trump-it tash haptazi i kthejnë shpinën shkencës dhe lejojnë virusin COVID-19 të shpërndahet dhe vrasë varësit e tyre. Politikat raciste ndaj migrantëve vazhdojnë anekënd botës. 

Por për amerikanët ndryshimi është lëkundës dhe kurrë nuk do të kthehemi pas. Mirësjellja shoqërore e cila ka fshehur themelet raciste tashmë është zhdukur. Një mësim që Trump e ka lënë pas, ndoshta padashje, është: 

Zakonisht kur diskutojmë racizmin apo seksizmin apo çfarëdo shtypje të njerëzve, fajësohet injoranca. Megjithatë, mendoj që motivimi është në fakt frika sepse nëse loja do të ishte e drejtë për të gjithë dhe të qenit i bardhë, heteroseksual apo mashkull nuk do të të jepte avantazh, atëherë nuk do të kishe një vend automatik apo fuqi të supozuar. Do të ishe si çdo kush tjetër.

Trump na ka treguar me udhëheqjen e tij se si personat mediokër dhe pa talent ecin para — përmes besnikërisë, bardhësisë, pasurisë së trashëguar dhe nepotizmit. Në vend se t’i mbajmë përgjegjës, ne i lejojmë të marrin punë të profilit të lartë dhe u japim kontrata të ekspertizës në CNN.   

Amerikanët tash kanë shansin ta zënë momëntin. Mund të mos jetë shumë vonë por këto gjëra nuk mund të harrohën. Duke përfshirë edhe rrugën që na solli deri këtu. 

Pa marrë parasysh se kush del si fitues i këtyre zgjedhjeve, Trump do të jetë me ne përgjithmonë. Por përmes lëvizjeve të rezistencës, protestave, aktivizmit dhe kërkimit të llogarisë nga ata në pushtet në vazhdimësi, ne mund të jemi një vend që pranon dhe vlerëson në shumë gjuhë të gjithë personat e çdo etnie, seksualiteti dhe shprehje gjinore. Ose një vend i drejtuar nga ata që duan vetëm fuqi e mbajnë këmbën në qafën tonë. 

Imazhi i ballinës: Atdhe Mulla / K2.0.