Zgjedhjet e teta parlamentare në Kosovë, që u mbajtën të dielën më 14 shkurt, u shenjuan nga pandemia COVID-19 por gjithashtu nga shumica e shqiptarëve të Kosovës që pritnin të ndodhte një ndryshim. Përderisa këto pritshmëri u konfirmuan pasi Vetëvendosja mori rreth 48% të votave (deri në kohën e këtij shkrimi), disa pritshmëri të tjera u konfirmuan gjithashtu. Komuniteti serb në Kosovë, edhe një herë, do të përfaqësohet nga një parti e vetme politike — Srpska Lista (Lista Serbe).
Nëse mundohemi ta përmbledhim këtë fushatë zgjedhore dhe zgjedhjet nga pikëpamja e një votuesi serb, shumë do të thonin që pak ka ndodhur dhe pak është pritur. Duke filluar nga pika që serbët janë përfaqësuar nga tri parti të mëdha politike: Lista Serbe, Srpski Demokratski Savez (Aleanca Demokratike Serbe) dhe Inicijativa za Slobodu, Pravdu i Ppstanak (Iniciativa për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë), është ditur mirë para zgjedhjeve se kush do t’i marrë 10 ulëset e rezervuara për serbë në parlamentin e Kosovës.
Pasi që Lista Serbe ka siguruar monopolin mbi përfaqësimin serb para shumë kohe përmes mbështetjes së vazhdueshme nga qeveria serbe dhe nga presidenti serb Aleksandar Vučić por gjithashtu për shkak të opozitës pothuajse joekzistente ndër partitë e tjera serbe — nuk është pritur asgjë më shumë se edhe një festim i radhës nga Lista Serbe.
Pjesëmarrja e rritur
Glorifikimi i fitores së Listës Serbe është mbështetur edhe më tutje nga pjesëmarrja e votuesve. Sipas informatave nga Lista Serbe, 5% më shumë serbë të Kosovës kanë votuar në zgjedhjet e këtij viti në krahasim me zgjedhjet e kaluara. Edhe një herë kemi parë, pa marrë parasysh masat anti COVID-19, grupe të mëdha njerëzish duke ndjekur liderët e Listës Serbe, duke shkuar të votojnë së bashku. Si dhe pse janë mbledhur mbetet e paqartë, por nuk ishte spontane. Vështirë mund të shpjegohet pikërisht si ka ndodhur kjo pjesëmarrje, pasi asgjë ndryshe nuk u është ofruar serbëve të Kosovës, por pothuajse e njëjta, apo edhe më pak se në secilat zgjedhje tjera.
Edhe pse serbët në Kosovë nuk kanë pritur asgjë ndryshe, është pritur mjaft që fushata do të jetë e ashpër dhe pak e dhunshme si zakonisht. Disi, nuk është përsëritur hëtë herë. Kjo fushatë paqësore ka qenë me siguri e para që prej kur serbët e Kosovës kanë marrë pjesë në zgjedhjet e Kosovës. Nuk ka pasur dhunë të hapur, nuk ka pasur shqyerje të posterave të fushatës, por gjithashtu nuk ka pasur zhurmë të madhe në media, dhe sigurisht, nuk ka pasur tubime të mëdha të fushatës. Përderisa mungesa e tubimeve është shkaktuar nga masat për të luftuar pandeminë COVID-19, kjo — të themi — fushatë paqësore ka qenë ose produkt i mungesës së kundërshtarëve të vërtetë për t’i luftuar ose i skenarit dhe fituesve të paracaktuar.
Kur do të fryjë në veri era e ndryshimit?
Kur shikojmë në zgjedhjet prapa nesh dhe në fitoren e radhës “historike” të Listës Serbe, duhet të pyesim kur kjo “erë e ndryshimit” që fryn në politikën e Kosovës do të vijë në veri? Prej kur është krijuar në Beograd, Lista Serbe rrallë ka gjetur kundërshtarë mes partive të tjera politike serbe.
Deri kur Oliver Ivanović u vra para dy vitesh, partia e tij politike shihej si e vetmja që mund të kundërshtojë Listën Serbe. Që nga viti 2018 kjo ka ndryshuar. Pas vdekjes së Ivanović-it, partia e tij politike ka humbur ndikimin që kishte dhe madje ka filluar të kandidojë në zgjedhje me Listën Serbe. Partitë e tjera politike reflektojnë situatën në Serbi: nuk ka opozitë të fortë dhe të vazhdueshme, ka mungesë të udhëheqjes dhe një përgjumje e çuditshme dhe mungesë e motivimit ka kapluar rininë serbe. Tash ata kryesisht synojnë të largohen nga Kosova në vend që të përfshihen në jetën politike në vend.
Kur vëzhgojmë motivimin e përgjithshëm të votimit mes serbëve të Kosovës, lehtësisht mund të thuhet që nuk ka ideologji, parime apo politika për të ndjekur. Për votuesit serbë, vetëm një parti politike ka shërbyer si “e duhura” dhe është e vetmja që do të mbështetej nga qeveria serbe. Liria e zgjedhjes është diçka që u është marrë serbëve të Kosovës para shumë kohësh. I gjithë procesi zgjedhor për serbët shihet si diçka e paracaktuar me fjalime të familjarizuara, veprime, dhe ndjekje të veprimeve. Skenari i njëjtë, lojtarët e njëjtë.
Një dekadë e humbur
Fatkeqësisht, kjo situatë jodemokratike nuk është diçka me të cilën serbët e Kosovës janë duke u përballur për herë të parë. Është diçka që ka qenë këndejpari për shumë vite në dekadën e fundit dhe diçka që nuk duket se është duke përfunduar. Shumë mund të pyesin pse mos të luftohet kjo? Pse të mos kundërshtohet dhe të krijohet një situatë ku ka të paktën, në shekullin e 21-të, në Evropë, liri të zgjedhjes? Përgjigja mund të gjendet në shprehjen e thjeshtë “nuk është aq e lehtë sa duket”. A do të donin serbët ta ndryshojnë? Sipas të gjitha gjasave, po. A mund ta bëjnë këtë? Në këtë sitatë, sipas të gjitha gjasave, jo.
Serbët në Kosovë janë fuqishëm të varur nga qeveria serbe dhe në politikat e saj. Duke marrë paga, pensione dhe të hyra të tjera financiare, meqenëse janë në një zonë neutrale politike, as në Serbi as në Kosovë, serbët vendosin të lidhen me një parti “të duhur”. Prandaj, duke lënguar për lloje të ndryshme të mbështetjes, siç është ajo financiare, mjekësore apo edukative, për një ndjenjë të përkatëisë në Serbi dhe varshmëri në qeverinë serbe, serbët e Kosovës e gjejnë veten në një situatë që ka gjithçka — përpos demokracisë.
Nuk ka vend për të jashtëm
Së voni, menjëherë pas ditës së zgjedhjeve, kur të gjithë jemi të vetëdijshëm që Albin Kurti do të jetë kryeministri i ri, pyetja e pjesëmarrjes serbe në qeverinë e re kosovare është ende e hapur. Duke kujtuar përvojën paraprake që Kurti ka pasur me Listën Serbe kur ata merrnin pjesë në qeveri por nuk e mbështesnin atë; dhe faktin që Nenad Rašić, udhëheqës i Partisë Progresive Demokratike dhe ish-Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale në qeverinë e Kosovës është parë me Kurtin gjatë fushatës; ende nuk dihet nëse përfaqësuesit zyrtarë serbë do të gjejnë vend në qeverinë e udhëhequr nga Kurti.
Lista Serbe gjatë qeverisjes së fundit të Kurtit përfundoi duke votuar mocionin e mosbesimit sa ishte kryeministër, duke ndihmuar në rrëzimin qeverinë e tij. Prandaj Nenad Rašić duket të jetë më tërheqës për Vetëvendosjen dhe udhëheqësin e saj.
Nga perspektiva e serbëve të Kosovës, Nenad Rašić është politikan jo shumë i njohur por mbi të gjitha, dikush që nuk mbështetet nga Serbia. Për disa vite tashmë, Rašić është portretizuar në mediat serbe pro-qeveritare si person i cili mbështet një Kosovë të pavarur, prandaj jo i mirëpritur të përfaqësojë serbët në parlamentin apo qeverinë e Kosovës.
Për më tepër, si lider serb në Kosovë që nuk është anëtar i Listës Serbe, Rašić kurrë nuk është miratuar nga Serbia por përkundrazi targetohet si tradhtar si shumë të tjerë. Përfundimisht, përderisa Lista Serbe ka monopol mbi përfaqësimin politik të serbëve të Kosovës, mbi mediat dhe proceset vendimmarrëse, çdo lider politik serb tjetër do të margjinalizohet pa marrë parasysh potencialin e tyre apo mundësinë të sjellin përfitime të mundshme për serbët që jetojnë në Kosovë.
Nuk mund të themi lehtësisht nëse pjesëmarrja e Listës Serbe në qeveri në fakt sjell diçka për serbët e Kosovës. Duke ndjekur Kushtetutën, Serbët duhet të kenë një përfaqësues në qeveri. A duhet të jetë dikush nga Lista Serbe? Apo dikush i zgjedhur nga Kurti? Në fund të ditës është njëjtë për të gjithë serbët e Kosovës — ata nuk e kanë zgjedhur dikë vetë.
Imazhi i ballinës: Atdhe Mulla / K2.0.