Blogbox | Të Drejtat e Minoriteteve

Si tingëllon të thuash: KURRË MË!

Nga - 06.04.2020

Është koha ta ngremë zërin kundër varfërisë dhe pabarazisë.

Po, bashkëqytetarët e mi Romë, Ashkali dhe Egjiptianë duhet ta thonë këtë me zë të lartë dhe të qartë: “Nuk do të lejoj më kurrë që unë dhe familja ime të kërcënohemi nga uria!”

Kur pandemia COVID-19 na trokiti në dyer, e gjithë shoqëria jonë nxitoi të blinte miell. Ju mund të keni parë radhë të gjata me njerëz që formoheshin përpara mullinjve dhe njerëz gati duke luftuar në supermarkete për të blerë ushqime. Në këtë rast frika dhe paniku kapërcyen mendimin dhe sjelljen logjike. 

Mirëpo në gjithë këtë katrahurë, një situatë interesante ma tërhoqi vëmendjen — vështirë se mund të gjenit ndonjë rom, ashkali ose egjiptian në ato turma. Jo sepse ne jemi më racionalë dhe nuk kemi frikë, përkundrazi, ne jemi frikësuar edhe më shumë sepse e dinim se nuk do të mund ta përballonim financiarisht krizën e shkaktuar nga pandemia.

Unë personalisht e njoh shumë mirë atë frikë dhe panik. Shumë prej nesh në Kosovë e dinë se çfarë do të thotë të jesh në panik për shkak të pafuqisë. Të shohësh të afërmit duke vuajtur —  fëmijët, partnerët, motrat dhe vëllezërit, prindërit duke rënë në shtrat të uritur dhe duke e ditur që nuk kanë asgjë për të ngrënë, dhe nuk mund të bëjnë absolutisht asgjë në lidhje me këtë gjendje.

Dhe kjo ndjenjë e hidhur e pafuqisë dhe nervozës, duke e kuptuar vendin tonë në skaj të shoqërisë, nuk është tërësisht për fajin tonë. 

Është pjesërisht produkt i mijëra veprimeve historike të persekutimit dhe efekteve negative socio-ekonomike mbi romët, ashkalitë dhe egjiptianët. 

Është injoranca e këtyre veprimeve negative të së kaluarës nga shoqëria mazhoritare. 

Është pasqyrimi i kulturës në përralla zanash, si predikues të fatit të keq dhe vallëzuese joshëse. 

Është përvetësimi i imazheve dhe praktikave kulturore në kurriz të njerëzve të vërtetë. 

Është qasja e pabarabartë në ujë të pastër dhe në strehim të sigurt. 

Është pikërisht ndarja gjeografike e “ciganëve” nga “jo-ciganët”.

COVID-19 është një armik i racës njerëzore dhe për këtë arsye duhet të trajtohet si i tillë, nga të gjithë.

Papunësia e lartë deri në qiell dhe jetëgjatësia drastikisht më e ulët rrjedhin si pasojë e paragjykimeve të përhapura në polici, gjyqësi, qeveri, në sistemin e kujdesit shoqëror dhe të shërbimeve shëndetësore, si dhe në shoqëri në përgjithësi. Të gjitha këto kanë ndikuar në mendësinë kolektive të njerëzve rreth nesh që na shohin si “ciganë”, dhe për këtë arsye në nivel bazik më të ulët se komuniteti shumicë.

Pra, ky është anti-gjipsizmi — qëndrimet kundër romëve, ashkalive dhe egjiptianëve ose shprehja e stereotipeve negative në sferën publike me gjuhë të urrejtjes. Një spektër më i gjerë i shprehjeve dhe praktikave diskriminuese përfshin shumë manifestime implicite ose të fshehura. Diçka që nuk ka të bëjë vetëm me ato që janë thënë ose bërë, por edhe me ato që nuk thuhen dhe nuk bëhen. 

COVID-19 është një armik i racës njerëzore dhe për këtë arsye duhet të trajtohet si i tillë, nga të gjithë. Nuk bën diferencime dhe i përfshin të gjithë, pavarësisht nga gjinia, mosha ose origjina e tyre etnike. Duke e ditur këtë fakt, ne kemi frikë se nëse ky virus vjen në vendbanimet tona, në shtëpitë tona dhe përfshin njerëzit tanë, do të jetë i pamëshirshëm. Me pak fjalë, dëmi do të jetë i tmerrshëm.

Prandaj duhet të themi me zë të lartë dhe të qartë tani: “KURRË MË”.

Ne nuk do të lejojmë që të gjendemi përsëri në të njëjtën situatë. Kur të mbarojë pandemia COVID-19, atëherë ne duhet ta fillojmë luftën tonë, por këtë herë edhe me më shumë pasion dhe besim. Do ta fillojmë luftën për arsim më të mirë dhe më cilësor, kundër varfërisë, kundër padrejtësive dhe padyshim kundër pabarazive.

Ne nuk jemi në gjendje ta bëjmë vetë këtë ndryshim — do të na duhet mbështetja e plotë e gjithë shoqërisë.

Ka mënyra të ndryshme se si ta bëjmë atë dhe ka shumë shembuj pozitivë që mund t’i ndjekim — ndryshimi i praktikave dhe qëndrimeve të sjelljes është një nga hapat më të rëndësishëm, veçanërisht për gjërat që konsiderohen si stereotipe por që mbizotërojnë ende në komunitetet tona.

Mirëpo, ne nuk do të jemi në gjendje ta bëjmë vetë këtë ndryshim — do të na duhet mbështetja e plotë e gjithë shoqërisë. Sepse duke qenë përkrah nesh komuniteti shumicë, do të jenë edhe ata pjesë e ndryshimit. Në këtë mënyrë praktikat dhe manifestimet e anti-gjipsizmit do të mund të zbuten hap pas hapi dhe eventualisht të zhduken tërësisht, ashtu që së bashku t’ia arrijmë qëllimit.

Po ashtu institucionet shtetërore, sa iu përket komuniteteve romë, ashkali dhe egjiptianë do të duhet të planifikojnë dhe të ndërmarrin masa më afatgjata në fushën e strehimit, zhvillimit të infrastrukturës, pjesëmarrjes ekonomike me punësim dhe vetë-punësim, qasjes në arsim dhe në të gjithë sektorët e tjerë të shoqërisë.

Po, unë disi mendoj se kjo qeveri dhe kjo shoqëri do ta bëjnë të mundur ndyshimin. 

Pyetja e vërtetë është se a do ta bëjmë edhe ne? Epo, ne kemi motivim për një fillim të ri. 

Imazhi i ballinës: Arrita Katona / K2.0.

KOMENTET

0
KOMENTO

KOMENTO

Kthehu n'fillim

THANKS FOR YOUR COMMENT

AFTER A QUICK CHECK IT WILL BE PUBLISHED HERE. PLEASE BE PATIENT.

THANKS FOR SUBSCRIBING

THANKS FOR YOUR COMMENT

AFTER A QUICK CHECK IT WILL BE PUBLISHED HERE. PLEASE BE PATIENT.