Pikëpamje | Barazia gjinore

Si u “përvodh” edhe një shantazh?

Nga - 21.07.2022

Për aq kohë sa viktimat gjykohen e agresorët lavdërohen, shtypja ndaj grave nuk do ndalet. 

Në fundjavën midis 16 dhe 17 korrikut portalet, rrjetet sociale dhe pothuajse çdo platformë informacioni u vërshuan me të ashtuquajturat lajme se si modelja Arta Nitaj gjoja paska kërkuar 5,000 euro për një natë me një burrë, të cilit nuk ia dimë emrin. 

Gjithçka buroi prej një Teddy Grey, i cili në llogarinë e tij në Instagram publikoi çfarë ai pretendonte se ishin mesazhe private të një burri me Nitaj, ku ky dikush i thotë Nitajt “une e du edhe ni nat me ty ose foton ta postoj”, pastaj mesazhet vazhdojnë me “kur t’vish en ks tpres” “ose pe din qka bohet”. 

Të gjitha informacionet, ose të paktën ato që ia dolën në vorbullin e komenteve për këtë temë u morrën ekskluzivisht me mesazhin e dytë –– “5000 ero mi ki mar at nat”. Si pasojë, njerëzit nëpër rrjete sociale, lavdëruan Grey, pasi sipas tyre, ai “ekspozoi amoralitetin” e Nitajt. Për më shumë ata u lëshuan edhe në një kampanjë urrejtjeje e ngacmimi për Nitaj, duke e ofenduar e duke i shkruar mesazhe në llogarinë e saj personale në Instagram. 

Këto mesazhe, njerëzit i fotografonin dhe ia dërgonin Grey, i cili më pas i rishpërndante në llogarinë e tij. Pra, një ushtri e tërë, kryesisht burrash të ndihmuar nga portale online, u çuan për ta kryqëzuar atë, gruan.

Pastaj, Grey, me siguri nën delirin e famës dhe nën zhurmën shurdhuese të duartrokitjeve të një shoqërie të tërë, bëri aktin final dhe publikoi fotografinë nudo të një gruaje, e cila ai pretendon se është Nitaj. Dhe, për më keq, plot portale e ripublikuan atë fotografi.

Kështu, Grey e bënë njëfarë heroi. Burri –– qoftë ai që ushtron dhunën, apo ai që arsyeton atë –– kryesisht shihet si heroi në përjetimet e dhunës. Faji i tij u kapërcye, kurse faji i Nitajt u ndërtua nga hiçi, u fasadua dhe u bë gati për treg.

Ajo që burri i mesazheve të pretenduara ka bërë ka një emër: shantazh.

Tregu janë portalet e panumërta, komentet, pëlqimet në rrjete sociale, diskutimet nëpër kafene e gjithkund tjetër. Kështu, u bë një transaksion me jetën, trupin e gruas dhe aq larg shkoi ky transaksion, sa ka mundësi që disa njerëz madje iu bashkuan valles së kryqëzimit të gruas, pa e ditur saktë se në çfarë valle kanë hyrë. E rëndësishme u bë të jenë në linjë me trendin edhe kur trendi është ngacmimi, ofendimi, dhuna ndaj një gruaje. Pra, kaq ka rëndësi mirëqenia e gruas në qarqet ku festohet dhuna ndaj saj.

E gjithë vëmendja u përqendrua ekskluzivisht në gjykimin e Nitajt, teksa ndaj burrave të përfshirë, u mbyllën sytë.

Ajo që burri i mesazheve të pretenduara ka bërë ka një emër: shantazh. Dhe shantazhi është krim, vepër penale.  Ai i thotë një gruaje që nëse ajo nuk e kalon natën me të, ky do t’ia publikojë fotografitë, pa pëlqimin e saj, pa autorizimin e saj –– përkufizim i shantazhit seksual. Fotografitë që ai pretendon se i ka bërë, si duket ai i ka bërë që t’i ketë si karrem pikërisht për këtë shantazh. Kurse Grey, vetëm sa e ka ndihmuar atë në kryerjen e shantazhit.

Dhe janë disa pyetje që duhet ngritur ndaj shoqërisë që bën shaka në kurriz të grave. Çka pritet prej grave? Që ato të “pajtohen” me përdhunimin potencial të tyre? Të thonë po? T’u thonë “po” të gjithë burrave që ndihen sikur duhet të kenë kontroll mbi trupat e tyre? Sot të shantazhon me një fotografi, nesër me një tjetër, pasnesër me një tjetër. Dikur me një shuplakë, me një ngulfatje, me një tytë të armës. Pra, ku mbaron e drejta e burrave dhe a fillon ndonjëherë ajo e grave?

Nëse një grua i ka thënë “po” një burri një herë, a duhet që t’i thotë po tërë jetën? Siç thotë shkrimtarja Katherine Angel kur kritikon kontrollimin e trupave të grave “nëse një grua thotë “po” ndaj diçkaje, ajo nuk mund të thotë më “jo” ndaj asgjëje”. Nga gratë pritet të thonë “po” edhe ndaj cenimit të vetvetes, trupave, jetëve të tyre. Për çka? Që nga jashtë të duken mirë, në sytë e të paprekshmëve, të ngjitur në piedestalin moral të shoqërisë, atyre që ditë e natë drejtojnë gishtat? E nga brenda, t’u nënshtrohen kërkesave të burrave, potencialisht të dhunuesve të tyre. 

Diskutimi pra, është nisur mbrapsht, ashtu siç shpeshherë nisin diskutimet kur fjala është për ngacmimin, ndjekjen, shantazhin seksual –– dhunën ndaj grave.  

Në dhunën që ushtrohet ndaj grave, ka vazhdimisht njerëz e bile edhe institucione, që i mbyllin sytë ndaj gjërave që kanë rëndësi dhe i bëjnë sytë katër ndaj gjërave krejt të parëndësishme. 

Kështu, askush s’e pa mesazhin e parë, që burri në fotografinë që Grey publikoi e tha. Ai shantazhoi Nitajn se nëse ajo nuk e kalon edhe një natë me të ai do t’ia postojë fotografinë. Apo, në emër të fuqizimit të një narrative ku gruaja ka faj; i mbyllën sytë ndaj atij mesazhi. Apo, në skenarin tjetër, askush s’u lodh të shohë se për çka njëmend bëhet fjalë, sepse në fund të fundit, fajsimi i një gruaje është aktivitet rutinor, i zakontë, normal.

Siç duket, gruaja është viktimë veç kur vritet. Të tjerat, nuk janë viktima të përshtatshme. Shoqëria si duket e ka të fiksuar edhe një profil të viktimës të “pranueshme”. Viktima duhet të jetë në vendin e duhur, në kohën e duhur. Ajo duhet të kërcënohet në vendin e duhur. Duhet të shantazhohet në vendin e duhur. Duhet të përdhunohet në vendin e duhur. Duhet të vritet në vendin e rrethanat e duhura. Rrethanat e duhura kryesisht lidhen me pamjen e saj, rrobat e saj, orën kur ajo del, pijet që ajo pi, njerëzit me të cilët shoqërohet, numrin e ndjekësve në rrjete sociale, llojin e fotografive të saj. 

Kjo legjitimon burrin si qenie tekesh; teket e të cilit janë të paprekshme, të pasfidueshme. Ato nuk diskutohen.

Kështu duket se një modele nuk i bie fort tamam profilit të viktimës së përkryer. Pra, s’mund të jetë viktimë. Pse? Se ajo gjoja paska fjetur një natë me këtë burrin dhe tash duhet t’ia dëgjojë teket atij përjetësisht. Një grua që dikur paska fjetur me një burrë (nëse hipotetikisht themi që është e vërtetë) duhet të jetë gati për të fjetur me të gjithnjë, sa herë që burri të dojë. Një burrë që, hajde të themi që edhe kjo është e vërtetë, i ka dhënë 5,000 euro për të fjetur me një grua, ka të drejtë të përhershme t’i kërkojë asaj gruaje të flejë me të? 

Kjo legjitimon burrin si qenie tekesh; teket e të cilit janë të paprekshme, të pasfidueshme. Ato nuk diskutohen. Ato vetëm përshëndeten. Ama, përgjigjet e gruas ndaj këtyre tekeve janë objekt i gjyqit shoqëror. Ajo duhet të dijë si t’ia ruajë burrit egon, siç thotë sërish Katherine Angel: “gratë u kanë borxh seks burrave, qoftë vetëm për të parandaluar dhunën që mund t’u vijë në drejtim të tyre nëse ato vendosin të mos e ofrojnë atë”. Pra, gratë, duhet t’u japin burrave çka ata kërkojnë, vetëm që burrat të mos dhunojnë, të mos i shkatërrojnë jetët e grave –– jetët që si duket, shoqëria ua ka falur burrave. 

Gratë pritet të bëjnë gjithçka që burri të mos ndihet i ofenduar. Sepse, ajo që e ofendon më së shumti burrin e fuqishëm, të pathyeshëm është kur një gruaja i thotë “jo”. Kaq. Sepse nuk njihet agjencia e gruas të thotë “jo”. Nuk njihet agjencia e gruas t’i thotë “nuk dua më të jem me ty” burrit. 

Edhe shantashuezi ynë, njeriu prapa mesazheve dhe Grey, njëjtë nuk e njohin të drejtën e saj për të thënë jo. Shantazhuesi, në këtë rast, si në rastet tjera është krejt tipik, ordiner. Pra, në të keqen e tij, ai s’është as origjinal. Është i ndërtuar prej të njëjtit brum me të cilin operojnë shantazhuesit tjerë, burrat e dhunshëm –– “ose bëj çka dua unë, ose do të të shkatërroj”. 

Dhe problemi kryesor është që njëmend, një burrë i këtillë mund të të shkatërrojë, sepse siç e shohim në rastin e tanishëm, askush s’e dëgjon gruan, askush s’mendon për të. Të gjithë, si bleta punëtore i bashkohen burrit.

Qindra histori mund të dëgjosh të burrave që s’e tejkalojnë dot veten dhe presin që t’u thonë të gjithë “po”. Dhe edhe nëse ai burrë çmendet pas teje, të vërtetën për të më së miri e merr vesh kur i thua “jo”. Sa herë keni dëgjuar rrëfime të grave, kur një burrë i ka ndjekur rrugës duke u thënë “Ta honksha këtë, o çka e paske këtë” dhe në momentin që gruaja i është kthyer duke i thënë “largohu” a “mshele gojën”, ai kthehet me “kurvë“ e është e mundur edhe me dhunë fizike. Ose, sa herë keni dëgjuar rrëfime të grave që kur një grua i ka thënë “jo” ai e ka përdhunuar gruan. 

Kjo është kryesisht rrjedha e ngjarjeve. Një grua thotë “jo”, një burrë vazhdon me të veten. Kështu hap pas hapi, përdhunohen gratë. Vriten gratë. 

Edhe këtu, në shantazhin ndaj Arta Nitajt, si në shumicën e shantazheve seksuale kemi të bëjmë me një burrë që s’pajtohet dot me refuzim, një burrë që mendon se gruaja i ka borxh seksin dhe një shoqëri që epshin seksual të burrit e mbron si të brishtë, teksa gruan e sheh si shërbëtore seksuale të tij. Kështu, trupi i gruas shndërrohet në fushëbetejë ku burrat mendojnë që kanë hise përjetësisht. 

Kësaj here, Arta Nitaj u bë fushëbetejë. Dhe fakti që ajo është fytyrë publike, si duket i jep edhe më shumë të drejtë gjithkujt të marrë pjesë në kryqëzimin e saj. Dhe, fakti që janë përmendur 5000 euro ia bën asaj rrethanat edhe më të pamëshirshme. Të gjithë tashmë jo që nuk ngurrojnë, por duket se e kanë obligim moral ta gjuajnë nga një gurë drejt saj.

Le t’i kujtojnë emrat e viktimave të panumërta të këtij krimi anembanë botës të gjithë që mbledhin gurë për ta hedhur drejt një gruaje tjetër.

Dhe kështu, Arta Nitaj bashkë me gratë tjera që shantazhohen, nuk kualifikohen as si viktima. E çmimin më të lartë e paguajnë prapë ato. Për aq kohë sa shoqëria do t’i ndjek trendet e dhunës e në vend se të thërras për drejtësi për viktimat, i thurë lavde njerëze që sillen si Grey, atëherë do të jemi të dënuar që të jetojmë në këtë cikël dhune. Teksa i jepet Grey zemër për ta vazhduar tutje shantazhin e tij, u çelet udhë të gjithë burrave që në një çast të jetës së tyre kanë shantazhuar një grua dhe ajo që është më e rënda, u tregohet burrave tjerë se lirisht, kur t’iu teket, mund ta shantazhojnë një grua.

Një kërkim i thjeshtë në internet i fjalisë “kërcënon me publikim të fotove” mund t’ju tregojë se si kjo formë e shantazhit vërtetë ua ka shkatërruar grave jetën. Dhe fontana e dëshirave që burrat shprehin në këmbim të nënshtrimit të grave është e pafund. “O kthehu, o t’i publikoj fotografitë”, “o m’i jep 1,000 euro, o t’i publikoj fotografitë”, o kështu, o ashtu. 

Gratë, ndërkohë, të mbyllura në një qosh, ku të gjithë e kapin nga një gurë për ta gjuajtur drejt tyre e askush s’e pyet veten nëse duart i ka të pastra, izolohen, dhunohen nga familjet e tyre, përjashtohen nga shoqëria, shtypen. Ato bëhen kurvat që askush s’i do. 

Le t’i kujtojnë emrat e viktimave të panumërta të këtij krimi anembanë botës të gjithë që mbledhin gurë për ta hedhur drejt një gruaje tjetër. I vetmi akt që do duhej të ndodhte është që prokuroria ta gjente atë burrë shtantazhues, që sot festohet si hero dhe ta vendos para drejtësisë. Kjo festë, që po bëhet në kurriz të grave duhet të marrë fund.

 

Imazhi i ballinës: K2.0.

  • 22 Jul 2022 - 14:24 | Teuta:

    E vertete kjo e dashur BURRAT e tregojne burrerine e tyre me shantazhe e kercnime.... por ajo qe me brengos edhe me shume eshte qe burracaket e tille i perkrahin femrat ,nenat ,grate ,shoqet ....tmerr

KOMENTO