Në thelb | Shëndeti

Sigurimet shëndetësore: Çka, qysh e kur?

Nga - 04.09.2024

K2.0 zbërthen implikimet kryesore të projektligjit.

Qytetarët/et e Kosovës janë të vetmit/et në rajonin e Ballkanit Perëndimor që nuk janë të mbuluar me sigurim publik shëndetësor. Momentalisht, sigurimi shëndetësor është i qasshëm vetëm për qytetarët/et që mund ta përballojnë ta blejnë atë nga kompanitë private të sigurimit. Ndërkohë, të tjerët duhet të drejtohen në sistemin publik shëndetësor të kritikuar gjerësisht për mungesë të cilësisë ose të shpenzojnë shuma të mëdha parash për t’i marrë këto shërbime tjetërkund — në sektorin privat apo jashtë vendit. 

Qeveritë e njëpasnjëshme vazhdimisht kritikohen për neglizhencën ndaj sektorit të shëndetësisë. Kur është fjala për çmimet e pagesat për shërbime shëndetësore, Qendra Klinike Universitare e Kosovës (QKUK) ende operon me një udhëzim administrativ të miratuar në vitin 2007 kur Kosova administrohej nga UNMIK. Çmimorja varion prej llojit të shërbimit shëndetësor, nisur nga çmimi më i ulët prej 1 euro e deri në 350 euro tek disa nga shërbimet e kirurgjisë invazive siç janë kateterizimi i zemrës, koronarografia e intervenime tjera. 

Pos që shërbimet merren me pagesë, shpesh mungojnë pajisjet e duhura në reparte të ndryshme teksa në infrastrukturën e shumicës së tyre nuk është investuar me vite. Ndërkohë, shpesh mungojnë edhe mjetet bazike shpenzuese si shiringat, të cilat i paguajnë vetë qytetarët e materiale për rëtengen e CT. Qytetarët paguajnë vetë edhe ilaçet.

Koha e gjatë e pritjes për të marrë shërbime jobazike si për shembull, CT apo MRI, nxitë qytetarët që t’i zgjedhin institucionet private shëndetësore në vend të atyre publike e në raste më të ndërlikuara, drejtohen për shërim jashtë vendit. Sektori i shëndetësisë dekadën e fundit është përballur edhe me mungesë personeli, ku punonjës të shumë të kualifikuar kanë migruar në vendet e Evropës për shkak të pagës së ulët dhe kushteve të dobëta të punës.

Pajisja e të gjithë qytetarëve me sigurime shëndetësore po shihet si mjet për t’i bërë shërbimet mjekësore të qasshme për të gjithë, teksa mund të ndihmojë edhe në përmirësimin e shërbimeve brenda institucioneve publike të shëndetësisë.

Zbatimi i sigurimeve shëndetësore ka qenë një premtim vazhdimisht i pranishëm nëpër fushata elektorale e programe qeverisëse, përfshirë atë të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), që mori pushtetin në vitin 2021 dhe synon një mandat të dytë në zgjedhjet e ardhshme në shkurt të vitit të ardhshëm. Projektligji për sigurime shëndetësore ka qenë në programin legjislativ të qeverisë që nga viti 2022, por ai nuk u miratua në qeveri tek deri më 29 gusht 2024. 

Miratimi i projektligjit në qeveri është vetëm një hap në rrugën e gjatë deri në zbatimin e sigurimeve shëndetësore, siç dëshmon vetë saga e këtij projektligji. Kosova veç ka një ligj për sigurime shëndetësore. Në prill 2014, Kuvendi i Kosovës e kishte miratuar Ligjin për Sigurime Shëndetësore dhe Ministria e Shëndetësisë (MSh), sa ishte në pushtet Partia Demokratike e Kosovës (PDK) asokohe kishte planifikuar që të nisë mbledhjen e kontributeve në janar 2017, në mënyrë që të nisë ndërtimin e Fondit të Sigurimit Shëndetësor (Fondi). 

Atëkohë, Qeveria e Kosovës kishte ndarë 17 milionë euro për zbatimin e ligjit, por më pas këto fonde ishin bartur për t’i paguar pensionet e veteranëve të luftës. Implikimet buxhetore ishin një ndër arsyet pse ndër vite sigurimet shëndetësore u lanë anash. As ligji i vitit 2014 nuk gjeti ndonjëherë zbatim. Prej vitit 2017 deri në vitin 2024, përveç premtimeve e deklaratave të qeverive, që u ndërruan katër herë, nuk pati asnjë hap konkret për zbatimin e sigurimeve shëndetësore. 

Me gjithë përparësitë e dukshme të një sistemi gjithëpërfshirës të sigurimit shëndetësor, ndër vite, kritikët kanë druajtur për qëndrueshmërinë e këtij programi. Ndër tjera, ata kanë përmendur mungesën e përgatitjes së institucioneve shtetërore për ta mbajtur këtë program, gjendjen e rënduar të institucioneve publike shëndetësore dhe që implementimi i programit të sigurimeve shëndetësore do t’i drejtojë qytetarët drejt institucioneve private shëndetësore.

Teksa një rrugë e gjatë e pret këtë projektligj që të kalojë në një program plotësisht funksional, K2.0 lexoi projektligjin e miratuar në qeveri dhe zbërtheu implikimet kryesore.

Kush obligohet të ketë sigurim shëndetësor?

Kriteri obligativ i këtij programi do të mundësojë shtrirje gjithëpërfshirëse të shërbimeve shëndetësore te popullësia e vendit, duke u krijuar qasje të barabartë në shërbime shëndetësore edhe kategorive më të varfëra të qytetarëve. I vetmi dallim qëndron në atë se kush e paguan: punëmarrësi dhe punëdhënësi apo buxheti shtetëror.

Sipas projektligjit për sigurime shëndetësore, do të ekzistojnë dy lloj sigurimesh: ai aktiv dhe joaktiv. Sigurimin aktiv obligohen ta kenë të punësuarit mbi moshën 18-vjeçare, të vetëpunësuarit, personat që marrin pagesa pensioni që e kanë grumbulluar në Trust gjatë punës së tyre, dhe të gjithë banorët tjerë që kanë së paku 18 vjet, që nuk përfitojnë nga skemat tjera.

Ndërkaq, personat me sigurim joaktiv vlerësohen të jenë anëtarët/et e varur të familjes, si fëmijët nën moshën 18-vjeçare. Megjithatë, sigurim shëndetësor do të kenë edhe qytetarët/et e Kosovës që janë të papunë/a, ata/o që marrin pension bazë, qytetarët nga 18 deri 28 vjeç që janë duke studiuar apo duke u aftësuar, dhe qytetarë/et që përfshihen në një nga skemat sociale të financuara nga shteti.

Kush do të paguajë për sigurimet shëndetësore?

Paga bruto e qytetarët/et mbi 18-vjeçarë/et, të cilët/at janë në marrëdhënie pune dhe nuk bëjnë pjesë në ndonjërën prej skemave sociale, do të tatohet 7%, ku 3.5% do të paguhet nga punëdhënësi teksa 3.5% nga punëtori.

Për shembull, nëse paga juaj mujore është 500 euro bruto, nga paga do të reduktohen 35 euro, 17.5 euro nga punëdhënësi dhe 17.5 nga punëmarrësi. Pra, kjo i bie, që në bazë vjetore, një qytetar/e me pagë 500 euro bruto, do të paguajë 210 euro për sigurim shëndetësor.

Në rast se në një familje, kur të dy prindërit punojnë dhe fëmijët janë nën moshën 18-vjeçare ose janë duke studiuar deri në moshën 28-vjeçare, atëherë fëmijët bashkësigurohen përmes sigurimit të prindit, i cili ka pagën bruto më të madhe.

Qeveria, ndërkaq, do të paguajë për kategoritë, të cilat nuk mund ta kryejnë këtë kontribut vetë, të shpjeguara në tabelën në vijim. 

Kategoritë e qytetarëve për të cilët paguan buxheti shtetëror

Këtu përfshihen dhjetëra kategori si përfituesit/et e ndihmës sociale, të burgosurit/et, individët që punojnë në institucione shtetërore, fëmijët në strehim familjar dhe në kujdestari, të moshuarit/at dhe personat me aftësi të kufizuara të strehuar në shtëpitë në pronësi publike për të moshuarit/at, si dhe në shtëpitë për integrim në komunitet; invalidët e luftës, bashkëshorti/ja dhe fëmijët e tyre nën 18 vjeç; viktimat e trafikimit gjatë vitit të parë të regjistrimit; qytetarët/et që banojnë në vendbanime joformale ose janë në proces të regjistrimit; viktimat e dhunës në familje; fëmijët nën moshën 18-vjeçare, që nuk mbulohen nga skemat tjera; personat mbi moshën 18-vjecare deri në 28-vjecare, të cilët studiojnë ose aftësohen profesionalisht pa kompensim dhe nuk janë të siguruar nga kriteret tjera; personat e varfër.

Kritikët kanë vënë theksin te implikimet buxhetore të buxhetit shtetëror kur ky program të funksionalizohet. Implikimet buxhetore janë përdorur si arsyetim për stagnimin e zbatimit të sigurimeve shëndetësore. Nga buxheti shtetëror përveç që do të paguhen kontributet për të gjitha kategoritë e liruara, do të paguhen edhe 3.5% të pagës bruto të rreth 85,000 punëtorëve në sektorin publik.

Megjithëse nuk ka ndonjë analizë që tregon se sa do t’i kushtojë buxhetit shtetëror sigurimi shëndetësor për kategoritë e përmendura më sipër, në vitin 2021, buxhetit shtetëror të gjitha pagesat për skemën sociale i kushtonin 400 milionë euro në vit, apo 16.6% e buxhetit vjetor shtetëror. Ndërkohë nga buxheti shtetëror i vitit 2024, rreth 24% shkuan për paga në sektorin publik.

Çka ndodh nëse nuk paguan sigurim shëndetësor?

Qytetarët që nuk regjistrohen në skemën e sigurimit paguajnë për të marrë shërbime shëndetësore në bazë të një çmimoreje që do të miratohet nga Ministria e Shëndetësisë. Megjithatë, pavarësisht se a posedojnë sigurimi shëndetësor, të gjithë qytetarët do të mund të kenë qasje pa pagesë në shërbimet esenciale shëndetësore në institucionet publike. Këto shërbime do të përfshihen në një listë të shërbimeve që do të definohet para se të funksionalizohet programi i sigurimit shëndetësor.

A do t’i mbulonte sigurimi shëndetësor të gjitha shërbimet shëndetësore?

Po dhe jo. Sigurimi shëndetësor do të përmbajë një pako të shërbimeve shëndetësore që mbulohen tërësisht apo pjesërisht. Ato shërbime që mbulohen pjesërisht do të kërkojnë pagesë shtesë nga qytetarët, teksa nëse merren shërbime që nuk ofrohen nga pakoja, por janë të nevojshme, qytetarët rimbursohen.

A do të paguhej trajtimi jashtë vendit?

Sigurimi shëndetësor mund t’i mbulojë shpenzimet për trajtim jashtë vendit nëse trajtimi i tillë dëshmohet të jetë i domosdoshëm për shëndetin e të siguruarit dhe nuk mund të kryhet nga institucionet shëndetësore brenda vendit.

Çka është pakoja e shërbimeve/përfitimit?

Fondi do ta hartojë një pako të shërbimeve shëndetësore që mund të merren pa pagesë ose me pagesë të pjesshme kur ke sigurim shëndetësor. Hollësitë e një pakoje shërbimesh mund të ndryshojnë dhe projektligji përmend në linja të trasha se çka përfshin, por ja çka mund të përfshijë një pako tipike sigurimi shëndetësor:

Kujdesi spitalor: Kjo përfshin qëndrimet në spital, operacionet dhe trajtimet që kërkojnë pranimin në spital. Pakoja do të mbulojë koston e dhomës së spitalit, personelit mjekësor, operacionit dhe kujdesit pas operacionit.

Kujdesi ambulantor: Mbulon shërbimet mjekësore që nuk kërkojnë pranimin në spital, si vizitat tek mjeku/ja, konsultat me specialistë/e, diagnostikimin dhe operacionet e vogla.

Barnat me recetë: Mbulimi i barnave të përshkruara. Kjo mund të jetë mbulim i plotë ose i pjesshëm, që do të thotë se mund të keni një pagesë shtesë ose një përqindje të kostos së barnave.

Kujdesi për lehonat dhe foshnjat e porsa lindura: Mbulohen vizitat prenatale, lindjen dhe kujdesin pas lindjes për nënën dhe foshnjën.

Shërbimet parandaluese: Kjo mund të përfshijë vaksinimet, ekzaminimet (si mamografia ose kolonoskopitë), dhe kontrollet vjetore për të paarandaluar sëmundjet.


Pakoja po ashtu ofron një rrjet të ofruesve të shërbimeve mjekësore si një rrjet mjekësh/esh, specialistësh/esh, spitalesh dhe klinikash që ju inkurajojnë t’i konsultoni/vizitoni/përdorni

Kush do ta menaxhonte sigurimin shëndetësor?

Projektligji i miratuar njëkohësisht parasheh themelimin e një Fondi për Sigurimin e Detyrueshëm Shëndetësor, i cili do ta menaxhojë sigurimin shëndetësor. Ky fond pritet të marrë përsipër zbatimin e politikave të shërbimit shëndetësor dhe zbatimin e ligjit për sigurime shëndetësore. Fondi do të propozojë nivelin ose shumat e kontributeve për t’u paguar, bashkëpagesat, pagesat shtesë dhe mjetet e tjera financiare të nevojshme për sigurimin shëndetësor të obligueshëm.

Fondi negocion dhe lidhë marrëdhënie kontraktuale me institucionet shëndetësore në Kosovë dhe barnatoret për shërbimet dhe produktet e pakos së përfitimit.

Mirëpo, një Fond për Sigurimin e Detyrueshëm Shëndetësor veç ekziston. Mbetet e paqartë se a do të themelohet një institucion i ri apo do të shfrytëzohet Fondi ekzistuess. Neni për themelimin e Fondit  mund të ketë mbetur nga ligji i vitit 2014 që është marrë për bazë për themelimin e projektligjit.

I themeluar në vitin 2018, deri tash, Fondi është marrë me trajtimet e pacientëve jashtë vendit, trajtime të cilat janë subvencionuar nga buxheti shtetëror. Në vitin 2022, në një seri shkrimesh, KOHA raportoi për keqpërdorime brenda Fondit. Keqpërdorimet përfshinin lëshimin e fletëreferimeve për trajtim jashtë vendit pa kritere, negociimin e profaturave për klinika në Turqi nga agjenci të jashtme e pagesa krejt të ndryshme nga profaturat e lëshuara. KOHA, po ashtu, raportoi se Fondi kishte dhjetëra milionë euro borxh në spitalet turke. Këtë vit, Prokuroria e Shtetit ka nisur hetimet edhe për keqmenaxhimin brenda Fondit me buxhetin e dedikuar për trajtim jashtë vendit. Disa spitale jashtë vendit mohuan faturat e prezantuara nga pacientët në Fondin e Sigurimit Shëndetësor. E të tilla fatura që dyshohet se janë false, figurojnë të jenë lëshuar nga spitale të shteteve të ndryshme, përfshirë edhe të Kinës.

Kur mund të bëhet?

Ndonëse miratimi i projektligjit për sigurimin e obligueshëm shëndetësor në qeveri krijoi eufori në debatin publik, kritikët thonë se për funksionalizimin e sigurimit shëndetësor në Kosovë do të duhen më shumë se pesë vjet. Pas miratimit në qeveri, projektligji shkon për miratim në Kuvend, ku pasi të miratohet në lexim të parë, shkon për adresim të komenteve dhe pastaj miratohet në lexim të dytë para se të konsiderohet i miratuar dhe të hyjë në fuqi.

Një prej sistemeve kyçe që duhet ta ketë sistemi shëndetësor në Kosovë për ta funksionalizuar sigurimin shëndetësor është Sistemi Informativ Shëndetësor (SiSh), i cili me vite nuk është zbatuar.

SiSh është një sistem apo databazë elektronike e kujdesit mjekësor për çdo qytetar/e të Kosovës. Në këtë sistem do të mblidheshin të dhënat shëndetësore, përfshirë vizitat, diagnozat, barnat, të cilat i ka pranuar një person. Kështu, do të mundësohej që në cilindo institucion shëndetësor të bartej historia mjekësore e qytetarit/es pa pasur nevoje që qytetarët/et të ruajnë dhjetëra dokumente e raporte për gjendjen e tyre shëndetësore. Të dhënat e reja do të futeshin në sistem nga institucionet shëndetësore publike e private dhe kështu, të dhënat do të ishin vazhdimisht të përditësuara.

Në prill të këtij viti, ministri i shëndetësisë, Arben Vitia, tha se për implementimin e SiSh duhen së paku dy vite dhe katër vite për implementimin e sigurimeve shëndetësore. Ai tha se e kanë përfunduar studimin e fizibilitetit për SISh, dhe planin e veprimit për instalimin dhe ndërtimin e sistemit. Për ta instaluar këtë sistem, MSh kërkoi kredi nga Banka Botërore dhe në prill të këtij viti ishte në faza finale të negociimit.

A do të paguhen kontributet para se të funksionalizohen sigurimet?

Versioni i miratuar i projektligjit nuk tregon gjë për këtë pjesë. Megjithatë, një version paraprak i këtij projektligji, thoshte se kontributet mund të fillojnë të mblidhen vetëm pasi të përmbushen disa parakushte. Së pari, duhet miratuar pakoja e përfitimeve të shërbimeve shëndetësore dhe së dyti të definohet dhe të sigurohet financimi i listës së shërbimeve që do të ofrohen pa pagesë. 

Parakushti tjetër kërkonte që të caktohet tarifa e çdo shërbimi të kujdesit shëndetësor dhe produkti, ndërsa para se të fillojnë të mblidhen premiumet, të jenë lidhur shërbimet kontraktuale me institucionet shëndetësore dhe barnatoret, po ashtu të definohen bashkëpagesat dhe nivelet tjera të bashkë-financimit. Versionit të miratuar të projektligjit i janë hequr nenet që përcaktojnë këto parakushte.

Miratimi i projektligjit për sigurime shëndetësore është veç një hap në zbatimin e plotë të sigurimeve shëndetësore në vend. Pos miratimit në Kuvend të Kosovës dhe funksionalizimit të SISh, duhet të caktohet lista dhe çmimorja e shërbimeve. 

Marrë parasysh që zgjedhjet nacionale do të mbahen pas gjashtë muajsh, më 9 shkurt 2025 dhe partia/të që do ta formojnë qeverinë mund të ndryshojnë, është e pasigurt se kur mund të jetë viti kur të gjithë qytetarët/et e Kosovës do të kenë sigurim shëndetësor.

Feature Image: K2.0.

Shënim i redaksisë (6 shtator 2024): Versioni paraprak i këtij artikulli gabimisht bëri llogaritjen vjetore që një qytetar duhet të paguajë në bazë vjetore për sigurim shëndetësor, meqë llogariti edhe pjesën duhet paguar nga punëdhënësi. Versioni aktual i artikullit reflekton këtë ndryshim.

Dëshironi të mbështetni gazetarinë tonë? Anëtarësohuni në “HIVE” ose konsideroni një donacion. Mëso si këtu.