Klubi i futbollit të Mostar, Velež, luajti ndeshjen e fundit në stadiumin “Bijeli Brijeg” në mars të vitit 1992, vetëm pak ditë para se lufta të përshkonte qytetin, përgjatë lumit Neretva. Stadiumi ku Velež luajti atë ndeshje, dhe shumë të tjera para saj, u ndërtua nga rinia Titos në kuadër të “aksioneve të punës” që u organizuan në Jugosllavi pas Luftës së Dytë Botërore për të ndërtuar infrastrukturë publike.
Megjithatë, 30 vjet më vonë, Velež dhe tifozët e tij, “Rođeni” dhe “Red Army” (në shq. Ushtria e Kuqe), nuk janë kthyer ende në “Bijeli Brijeg”, i cili ndërkohë u mor nga “Klubi Sportiv Kroat Zrinjski Mostar”, apo vetëm Zrinjski, një tjetër klub nga qyteti. Kështu, stadiumi u shndërrua në një lloj plaçke lufte, kurse Velež, si shumë banorë të Mostar, u zhvendos në një adresë të re. Edhe sot e kësaj dite, klubi i futbollit mbetet refugjat, pas tri dekadash që prej shpërthimit të luftës në Bosnjë dhe Hercegovinë.
Historia e Velež, që nga themelimi i tij 100 vjet më parë e deri më sot, është historia e Mostar, si në bregun lindor ashtu edhe atë perëndimor të qytetit. Kjo ndarje lindje-perëndim është një ndarje e kohës së luftës që mbetet edhe sot. Në bregun e majtë në anën lindore të lumit Neretva jetojnë kryesisht boshnjakë. Në bregun e djathtë, anën perëndimore, kryesisht kroatët. Arsimi, shëndetësia dhe madje një numër i konsiderueshëm i shërbimeve komunale të qytetit janë po ashtu të ndara. I ndarë është edhe futbolli.
Për 100 vite Velež ka qenë simbol i Mostar. Fotografia: Ushtria e Kuqe, Mostar
Ngjyrat e tifozëve dhe mbishkrimet nëpër mure tregojnë se cila pjesë e Mostar i përket cilit grup. Në Bulevardin “Revolucioni Popullor”, ish-vija e frontit që ndante qytetin gjatë luftës, hidrantët e kuq me pesë yje të thepisur tregojnë se zona është nën kontrollin e Ushtrisë së Kuqe, grupit të zjarrtë të tifozëve të Velež. Kutitë elektrike të lyera me ngjyrë të kuqe dhe të bardhë shënojnë terrenin e Ultras, grupit të tifozëve të Zrinjski. Të gjithë e dinë se cili trotuar i përket cilit grup, kush pretendon shtyllën elektrike në të majtë apo kazanët e mbeturinave në të djathtë.
Saša Ibrulj, gazetar, podkaster dhe mbështetës i Velež, beson se gjërat duhet të vihen “në këndvështrimin e duhur”.
“Sot, Velež është ndryshe nga çfarë ka qenë në vitin 1922 ose 1952 ose 1992; ka evoluar bashkë me qytetin dhe shoqërinë në të cilën ekziston”, tha Ibrulj.
Ndarjet gjatë kohës së luftës
Lufta në Mostar, si në pjesën tjetër të Hercegovinës, pati dy faza. Faza e parë filloi në prill të vitit 1992 dhe zgjati rreth një vit, kurse e dyta filloi në maj 1993 dhe zgjati deri në mesin e vitit 1994. Në fazën e parë, forcat ushtarake dhe policore të Republikës Srpska, të mbështetura nga Ushtria Popullore Jugosllave, sulmuan Mostarin dhe Bosnjën. Qyteti u mbrojt me sukses nga banorët e tij.
Megjithatë, në pranverën e vitit 1993, shpërtheu dhuna mes Ushtrisë së Bosnjë dhe Hercegovinës dhe Këshillit Kroat të Mbrojtjes (HVO), ky i fundit gëzonte mbështetjen e Kroacisë. Gjatë këtij konflikti, HVO mbajti nën rrethim anën lindore të Mostarit, përfshirë Qytetin e Vjetër. Rreth 10,000 refugjatë nga ana perëndimore gjetën strehë në lindje pas dëbimit, kurse HVO mbajti më shumë se 1,000 njerëz nëpër kampe përqendrimi.
Ura e Vjetër e qytetit, një nga simbolet e Mostar, u shkatërrua në shtator të vitit 1993 pas disa ditësh granatimesh të vazhdueshme. U rindërtua në vitin 2004 dhe shumë shpejt u bë një hapësirë e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s.
Mostari u bë qytet me dy klube futbolli, njëri, në të cilin shumica ishin boshnjakë dhe tjetri ekskluzivisht me kroatë.
Konflikti përfundoi në vitin 1994 me nënshkrimin e Marrëveshjes së Washingtonit. Marrëveshja njohu ndarjet e kohës së luftës në këtë pjesë të vendit dhe themeloi Federatën e Bosnjë dhe Hercegovinës, të cilën Marrëveshja e Dayton në vitin 1995 do ta njihte si njëri nga dy entitetet që përbëjnë shtetin. Në entitet, detyrat qeverisëse do të ndaheshin në mes të kroatëve etnikë dhe boshnjakëve.
Gjatë luftës, Mostari u bë qytet me dy klube futbolli, njëri, në të cilin shumica ishin boshnjakë dhe tjetri ekskluzivisht me kroatë. Gjersa grupi i tifozëve të Velež përfshin njerëz nga grupe të ndryshme etnike — shumica e të cilëve mbështesin traditat e klasës punëtore antifashiste të klubit — mbështetësit e Zrinjski shpesh karakterizohen me nacionalizëm ekstrem.
Velež në vitin 1939. Shumica e lojtarëve iu bashkuan lëvizjes partizane gjatë Luftës së Dytë Botërore. Fotografia: Arkivi i Velež.
Në vitin 1993, Zrinjski u transferua në “Bijeli Brijeg” që në Mostar njihet si shtëpia e Velež. Meqenëse garoi në ligën e futbollit të Shtetit të Pavarur të Kroacisë (NDH) gjatë Luftës së Dytë Botërore, klubi u ndalua në Jugosllavi. Por udhëheqësit e Herzeg-Bosnia, të dënuar më vonë për krime lufte nga Tribunali i Hagës, e rivendosën Zrinjski si një klub futbolli kroat në vitin 1992. Ky element kombëtar reflekton edhe në himnin e klubit, i cili fillon me fjalët “Zrinjski është emër i lavdishëm kroat”.
Velež nuk luajti fare në mes viteve 1992 dhe 1994. Një numër i lojtarëve u detyruan t’i ndërrojnë fanellat e tyre me uniforma ushtarake, si shumë banorë të tjerë në Mostar.
Një fat i ngjashëm ngjau për Velež dhe Mostar në Luftën e Dytë Botërore. Klubi luajti ndeshjen e fundit të paraluftës në vitin 1940, kur Mostar tashmë ishte pushtuar nga NDH. Në historinë e klubit u shënua si ndeshje kundër Crna Gora të Podgoricës, e cila u pezullua pasi tifozët e Velež filluan të brohorisnin, “Vdekje fashizmit”, “Vdekje imperializmit” dhe “Poshtë të gjithë tiranët — rroftë liria!” Policia e NDH-së hyri në tribuna, arrestoi tifozët dhe dërgoi një numër prej tyre në kampin e përqendrimit të Lepoglava.
Gjatë Luftës së Dytë Botërore, shumë mbështetës të Velež dhe shumica e lojtarëve të tij iu bashkuan partizanëve. Pas luftës, nëntë prej tyre — tetë post-mortem — iu dha Urdhri i Heroit të Popullit.
Velež ishte krenaria e Mostar në Jugosllavi. Si një klub i ligës kryesore në një vend ku luhej futboll shumë i mirë, Velež fitoi kupat e Jugosllavisë dhe luante në skenën evropiane në vitet e ’70-ta. Njëri nga lojtarët më të njohur të Velež ishte Vahid Halilhodžić, i cili luajti për Nantes dhe Paris Saint Germain pas qëndrimit të tij në Velež. Në vitet e 80-ta, u shpall lojtari më i mirë në ligën franceze. Një numër i legjendave të tjera të futbollit gjithashtu luajtën për Mostar, përfshirë Sergej Barbarez, Blaž Slišković, Meho Kodro dhe Dušan Bajević.
Mbështetësi, shkrimtari dhe gazetari i pasionuar pas Velež, Marko Tomaš, tha se Velež është njëra nga gjërat e pakta të mbetura që e lidh qytetin me të kaluarën e tij rebele. “Është mirë që shërben si kujtesë e një të kaluare të tillë”, tha ai. “Si një lloj ndërgjegjeje e keqe. Por prapë, kjo do të thotë se, për dallim nga të tjerët, të paktën ne kemi një ndërgjegje”.
Refugjatë në qytetin e tyre
Duke iu referuar klubit të tij të dashur, Muamer Kodrić, redaktori i revistës Forza Velež!, tha se Velež u themelua si “shoqatë sportive e punëtorëve” që bashkoi klasën punëtore dhe atë që quhej “inteligjenca progresive” në Jugosllavi. “Pra, që nga themelimi i tij, me vullnetin e bashkëthemeluesve dhe mbështetësve të tij, Velež ka qenë një klub që si shoqatë sportive vendosi t’i promovojë, le të themi, idetë që konsiderohen progresive shoqërore dhe gjithashtu dobiprurëse për tifozët dhe mbështetësit e tij”, tha Kodrić.
Në vitin 1994, në mes të luftës, Bosnjë dhe Hercegovina themeloi ligën e saj të futbollit dhe Velež luajti në të. Megjithatë, klubi prapë nuk mundi të luajë në stadiumin e vet. Në vitet e pasluftës, drejtuesit e klubit kërkuan ndihmë nga Zyra e Përfaqësueses së Lartë që të mund të ktheheshin në vendin e tyre, por nuk gjetën ndihmë. Edhe sot e kësaj dite mbeten refugjatë në qytetin e tyre.
Velež ka përkrahës në të gjithë territorin e asaj që dikur ishte Jugosllavi.
Dy klubet me vendndodhje në Mostar, Velež dhe Zrinjski, kanë pasur takime derbi në qytet që nga viti 2000 dhe tani janë pjesë e një lige të unifikuar të Bosnjë dhe Hercegovinës. Megjithatë, shumica e këtyre takimeve konsiderohen si ngjarje me rrezikshmëri të lartë, të cilat shpesh shoqërohen me përplasje të tifozëve që përhapen në pjesën tjetër të qytetit. Në ato raste, vija e padukshme ndarëse, Bulevardi, kthehet fushëbetejë ku Ushtria e Kuqe dhe Ultras përfshihen në përleshje të dhunshme.
Velež ka përkrahës në të gjithë territorin e asaj që dikur ishte Jugosllavi, mbështetës që e konsiderojnë klubin si simbol të revolucionit. Ky simbol është njëra nga gjërat që e mban të lidhur Marko Tomaš me Velež. Në vitin 2021, shkroi një ese të shkurtër për klubin, në të cilën tha se Velež ka duruar jo për shkak të strukturës së tij, por për shkak të njerëzve.
“Sa për mua, nuk do të më pengonte nëse Velež nuk fiton asgjë për aq kohë sa mbijeton t’i prishë punë të privilegjuarve dhe horrave nacionalistë me historinë dhe simbolet e tij”, tha Tomaš, duke theksuar se rezistenca dhe sfida kanë shkuar paralelisht me Velež që nga themelimi i tij. “Edhe po të ishim në nivelin më të ulët të futbollit boshnjak, kjo do të ishte e vetmja gjë që do të ishte e rëndësishme për mua”.
Në një pjesë të qytetit ka murale kushtuar Velež, në pjesë të tjera, Zrinjski. Fotografia: Ushtria e Kuqe, Mostar.
Sipas gazetarit, sociologut dhe mbështetësit të Velež, Amer Bahtijar, në Mostar e sotëm, klubi shërben si një testament për mbijetesën dhe si kujtim i periudhës “kur kjo pjesë e botës ishte vërtet multietnike dhe kur u bë përparimi më i madh për shumicën e njerëzve”. Bahtijar shton se është tejet i vetëdijshëm se Velež, siç është sot, pasqyron gjerësisht realitetin e të ashtuquajturit Mostar Lindor, që do të thotë “joekzistencën e tij”, siç e përkufizon situatën ai.
“Sot Velež është sërish një klub i madh dhe pikërisht si klub serioz dhe i mirëorganizuar po kthehet në simbol të triumfit të jetës mbi errësirën”, tha Bahtijar.
Sot, njerëzit në Mostar thonë se Velež është një domosdoshmëri shoqërore. “Velež është disi si në një mes, ku klubi si fenomen është i vetëdijshëm për mjedisin e tij e tanishëm dhe pozicionin e tij brenda këtij mjedisi, por po aq i vetëdijshëm për vlerën e tij si simbol i luftës për ideale gjatë gjithë historisë së historisë së qytetit”, tha Saša Ibrulj, duke shtuar se pa Velež, nuk ka Mostar.
Imazhi i ballinës: Ushtria e Kuqe, Mostar