Blogbox | Migrimi

S’ka sen k’tu

Nga - 22.02.2019

Bisedë me një berber mbi zbrazjen e Kosovës.

Është e dielë dhe dielli ka lëshuar rrezet e tij përvëluese, tipike për një ditë gushti. Pasi të dielën jam zakonisht në fshat, e shfrytëzoj çoherë për t’u qethë tek berberi. E marr telefonin dhe e thërras *Edonin tek i cili qethem këto tri vitet e fundit, për të caktu një termin.

“Hej Edon, a je tu punu sot?”.

“Po po, hajde kah ora 2 nëse s’priton”, ma kthen ai me një zë pozitiv dhe mirëpritës.

E diela është ditë pushimi zyrtar për shumëkënd, por për Edonin ajo është ditë pune sikurse çdo ditë tjetër. Ai e hapë lokalin, i cili gjendet në Malishevë, në ora 10 të mëngjesit pasi askush nuk vjen më herët dhe e mbanë të hapur deri në 8 të mbrëmjes.  

Edoni është njeriu më pozitiv nga të gjithë që i njoh. Ai është përherë i buzëqeshun dhe mirëpritës, ta shtrëngon dorën kur të përshëndet, të thërret në emër dhe të pyet se si të ka shku dita dhe tregon ngjarje nga më të ndryshmet. Duke jetu në një qytet të vogël ku zhvillimet janë të parëndësishme, atij i intereson ta dijë se çka po ndodhë në qytetin e madh [Prishtinën].

Unë nuk pritoj me nda tregime apo ngjarje me rëndësi me Edonin. Shumica e tregimeve janë të mërzitshme edhe nga qyteti i madh dhe në secilin muhabet që e nisim përfundojmë në politkë. Vitin që shkoj kisha disa udhëtime jashtë vendit dhe sa herë e takoja Edonin i tregoja se ku kam qenë dhe si kam kalu. Ai gjithmonë më ka dëgju me vëmendje, çdoherë, dhe në fund të tregimeve të mia ai gjithmonë më thoshte se si e ka në plan ta vizitojë Berlinin.

Tregimin për Berlinin, të cilin e dëgjoj gjithmonë kur qethem tek Edoni, më sjellë ndërmend atë që i kisha thënë vetes, që mos me nda tregime udhëtimesh me Edonin, jo pse ato tregime nuk janë me rëndësi, por se gjithmonë ndihem me faj kur unë e përfundoj tregimin dhe ai pastaj më tregon për Berlinin.

“Çoje kryet pak naltë”, më tha ai.   

E çoj kryet ngadalë duke e mënjanu një kontakt të drejtë në pasqyrë me Edonin, dhe ja, fillon tregimi për Berlinin.

“Valla ti u kënaqe”, më tha Edoni.

Kah s’po shkon. E pash një emision pram për murin e Berlinit, shumët t***m nane janë qita gjermant, qysh e bashkun shtetin mas 45 vjete a na këtu ni grusht vend e kemi edhe s’mujtem sen me ba”.

Edhe vazhdon Edoni me tregimin per sheshet e muzetë, për parqet dhe malet, për kompanitë dhe makinat e edhe për qoshet e errëta të Berlinit. Njëherë më pat tregu se si në Berlin paska tunele nëntokësore aq të gjera sa ka qendra tregtare ku mund të bësh shopping dhe se si ato nuk mbyllen deri vonë.

"Hej, qysh me hi ma shpejt bre, diku 16 muaj m'thanë që duhet me prit [për vizë] dej të thirrin?”

“Biles, një shok më ka tregu që ma mirë bohet nëntokë në Berlin se sa mbi tokë”, tha ai. Njëherë tjetër më pat tregu për festivalin e birrës në Berlin dhe se si do shokë të tij kanë pasë eksperiencat më të mira të jetës.

“Nuk kam qenë kurr, s’po di, po hajt se edhe ti shkon”, ia ktheva.   

“Mbaje kryet drejtë”, më tha ai me buzëqeshje.

“Qysh je sot, çka ke ba, qysh janë nga shpia”, i thash unë duke dashtë me ndërru temë. “Mirë mirë janë t’gjithë, unë si zakonisht pe kaloj, qitu mshel, nashta po qelet najhere. Hej, e kam shti vizën nime ma n’fund”.

“Hajde përhajr”, i thash, me një zë të përgjysmuar. “Qysh ndodhi?”

“A e din që të kam tregu për atë motrën që asht në Gjermani? Eh burri i saj ma ka lëshu një kontratë pune, e kesh pardje e caktova terminin”, tha ai.

“I kam thanë moti me m’marrë se sen s’ka n’këtë vend, po thojke prit prit e ma në fund u ba. Fort jam gëzu valla. Hej, qysh me hi ma shpejt bre, diku 16 muaj m’thanë që duhet me prit dej të thirrin?”, më pyeti Edoni.

“Hajde përhajr, ma në fund paske me shku në Berlin. Moti ja ke m’sy e shyqyr që koka ba puna me shku”, i ika pyetjes me një buzëqeshje të thyer. Duke e vështru në pasqyrë e vërej se ky nuk është vendim që e ka marrë me dëshirë. “Nuk pata qare vallai se s’ka sen k’tu, edhe krejt shokët më kanë shku”.

“Ani de, tash shkon edhe i sheh”.

“Po valla. K’tu boll u mundova po s’po di çka me ba njeri edhe nuk asht që s’kam mësu, se baba po thotë kanihere se kapshe shkollën, po edhe me kry fakultet apet se apet po duhet me dal prej k’tu se s’ka kurrfarë perspektive”, tha ai, duke shtu se disa shokë të tij që i kanë përfundu studimet, edhe ata kanë ikë jashtë vendit.

“Me këtë lokal që e kam qel as telefon s’po muj me ble. Krejt shokët po vijnë këtu me kerre si t’i bajnë një vit pune atje. A e pe ate ditë njani që erdh me një Mercedes të bardhë? Qaj ka shku para dy vjete me kontratë qishtu edhe tash u kthy me Mercedes fins [ i sapodalë nga fabrika] t’ri”.

Lajmin për aplikimin për vizë, prindërit e Edonit nuk e kishin pritë mirë.

“Nana ka kajtë kur i kam thanë që e kam ndërmend me shti vizën po baba nuk u mërzitke se ka mendu që nuk ma çojnë kurrë e sot kur i kallxova ju mbushën sytë me lotë. Kurrë se kam pa qashtu babën”, tha Edoni. “Nuk m’ka fol as nuk m’ka thirrë gjithë ditën sot”.

Duke e vazhdu qethjen, Edoni më tha se si një 30 vjeçar, nuk po është në gjendje ta mbaj veten.

“Sigurim shëndetësor s’kam që me më kap naj sëmundje, as banesë temen s’muj me ble se s’kam as rrogë me kontratë, e këtë që e kam nuk asht stabile, sen bre s’kam. Hajt kallxom qysh me jetu k’tu. Apet ma mirë edhe për këta me u rahatu unë diku se qishtu veç stres po ju sjelli”.

“Hina në fushë edhe shkova në një qosh edhe qajta me za. Nuk e di pse, por më dilnin lotë pa pushim. Qaty e pash që asnjë shok i jemi nuk kish mbetë".

“Kush është te shpia tash?”, e pyeta unë. “Kërkush valla s’ka me mbet, veq plaku me nanën edhe një vëlla që asht në Prishtinë”, tha ai.

“Edhe ai kredi deri n’fyt asht edhe ka thanë që veç mos gjetë mundësi se pa dal prej k’tu se len as ai”, tha Edoni, duke shtu se prindërit kanë me mbetë vetëm, dhe aty, zëri i ndryshoi dhe sytë iu mbushën me lotë, të cilët i fshiu shpejtë.

“A po luan futboll, se e ke merak”, e pyeta unë në përpjekje për me ndërru temën.

“Vallai pak e hiq”.

“Pse, s’po ki kohë a çka?”, i thash. “Jo more kohë kam boll se në ora 8 po e msheli [lokalin] edhe gjithë në orën 9 e kem pas terminin po s’po kam me kan me lujt!”

“Qysh more s’po ki me kan, plotë komuna me të rinj?”

“Ku?”, ma kthej ai. “Pasha zotin s’ka met kërkush prej qatyne që lujsha”.

Edoni vazhdon të tregojë që e kanë pasë një ekip prej pesë vetave dhe kanë qenë në “top”. “Eh, vitin që shkoj iku Rrezarti për Danimarkë. Pat dalë përmes Kroacisë në të zezën edhe i ka pagu 3000 euro. Nëpër male e borë e ka kalu Kroacinë edhe tana kanë shku me një kombi deri në Itali”, tregon Edoni.

“Në itali ka dal vëllau e ka marrë edhe e ka qu në Danimarkë. Ai asht kanë mbrojtës, por e zëvendësum. Kah mesi i vitit tana iku edhe Albani në Slloveni përmes një vize të punës kishe, e tana shkoj te vëllau në Gjermani e nuk u kthy ma”, tregon Edoni për shokët e tij të cilët e kanë marrë rrugën e migrimit.

“Tash [Albani] ish tu fol me një qikë që po jetojke në Gjermani për me i ba letrat. E gjetëm një zëvendësim edhe për Albanin edhe apet lujshim diqysh. Para dy muajve shkoj edhe Taulanti me Besnikun në Itali. Masnej nuk kemi lujt ma”, tha Edoni, i cili edhe pse pa shokët e tij kishte shku prapë një ditë në fushë.

“I thirra do qishtu që ju kam marr numrin kur vishin mi hjek flokët po nuk erdh asnjani. Thash hajt po shkoj në fushë e mos po më merr najkush aty. Kur shkova në fushë mu dridhën kambët”, tha Edoni, duke shpërthy në lotë më në fund.

“Hina në fushë edhe shkova në një qosh edhe qajta me za. Nuk e di pse, por më dilnin lotë pa pushim. Qaty e pash që asnjë shok i jemi nuk kish mbetë, qaty e mora vesh që krejt kanë ik pa u ba tamam një vit”.

Për një moment, Edoni u ndal. Sytë me lotë mu mbushën edhe mua. Personi më pozitiv që njoh papritmas shpërtheu në vaj, e më kapi një ndjenjë faji dhe përgjegjësie për gjendjen e tij. Mu duk vetja sikur unë jam përgjegjës pse ai po qan dhe që ai nuk mund të qëndrojë në vendin e tij, tek nëna dhe babi, të luaj me shokët e tij dhe të krijojë një familje në vendin e tij.

"A pe kupton që s’ka mbetë k’tu kurgja, as me dal nuk ki ku del”.

“A e di që lokali ‘Daylight’ ku dilshim me shokë ka mbetë thatë”, më tha duke i fshi lotët. “Pronari tha se ndoshta duhet me mshel ma herët se s’po ka llogari me mbajtë qel. A pe kupton që s’ka mbetë k’tu kurgja, as me dal nuk ki ku del”.

Më tej, Edoni vazhdoi të më tregojë për një rast të çuditshëm që i kishte ndodhë.

“A e di çka më ndodhi pardje?”

“Çka”, e pyeta.

“Ken dy të rinj, diku ka 19 vjet i kishin pas. I kishin pas rritë flokët kogja shumë edhe erdhën mi hjek. Ju thash hajdeni me ren, po ata i nxjerrën dy pasaporta. Kur po e shoh ishin kan pasaporta të Serbisë. Thash, eu kush kokan këta”, tha Edoni.

“‘A mundesh me na i hjek flokët identik sikur në foto. Kemi me kalu kufirin nëpër Hungari me qito pasaporta se i kemi marr prej dy serbëve. Na dokemi kogja shumë sikur këta ama edhe flokët me i pre qishtu kurr s’na njohin’”, i kishin thënë Edonit dy djemtë e rinj.

“Paramendo ku ju ka shku mendja. S’ka kurgja këtu jo”, tha Edoni dhe qethja mbaroi.

Kjo ngjarje ka ndodhë para 17 muajsh dhe sot Edoni është në Gjermani. Unë kam gjetë një berber tjetër i cili është duke e prit vizën për Gjermani dhe ka me e marrë këtë vit, pastaj do të kërkoj një tjetër, pastaj një tjetër, pastaj një tjetër derisa të ikim të gjithë dhe Kosovën t’ua lëmë atyre që e vodhën të ardhmen e Edonit.

Foto kryesore: Atdhe Mulla / K2.0.

*Shënim redaktorial: Emri Edon është një pseudonim, pasi që berberi ka kërkuar të mos i përdoret emri i vërtetë.

KOMENTET

0
KOMENTO

KOMENTO

Kthehu n'fillim

THANKS FOR YOUR COMMENT

AFTER A QUICK CHECK IT WILL BE PUBLISHED HERE. PLEASE BE PATIENT.

THANKS FOR SUBSCRIBING

THANKS FOR YOUR COMMENT

AFTER A QUICK CHECK IT WILL BE PUBLISHED HERE. PLEASE BE PATIENT.