Në thelb | Ambienti

Smogu mbulon qytetet

Nga - 01.02.2018

Maskat bëhen trendi i ri në Ballkan për shkak të rritjes së nivelit të ndotjes së ajrit.

Duket se maskat janë bërë trendi i ri i modës në rajon. Në rrugët e Prishtinës, Shkupit, Tetovës dhe Tuzllës, njerëzit i kanë vënë maskat si masë parandaluese ndaj niveleve të larta të ndotjes. Në muajt e dimrit ndotja ka arritur nivele të rrezikshme në Ballkan, dhe qytetarët po fillojnë të angazhohen për të mirën e shëndetit të tyre.

Këtë javë është mbajtur një protestë në Prishtinë. Gjithashtu është mbajtur edhe një seancë urgjente parlamentare për të diskutuar për problemin e ndotjes në Kosovë. Pjesa më e madhe e ndotjes së ajrit vjen nga industritë e energjisë elektrike dhe të xeheve, si dhe nga djegia e drunjve dhe e qymyrit për ngrohje. Transporti dhe deponitë e mbeturinave urbane dhe industriale i kontribuojnë këtij problemi edhe më shumë.

Si rrjedhojë e kësaj, në ajër është shtuar shumë prania e grimcave, veçanërisht PM2.5. Këto grimca kanë diametër 2.5 mikrometra apo më pak dhe janë posaçërisht të dëmshme për njerëz, sepse kur hynë në trup nëpërmjet sistemit të frymëmarrjes mund të kalojnë në sistemin kardiovaskular. Një studim i vitit 2013 tregoi se për çdo rritje në vlerë 10 mikrogram të grimcave PM.25 në atmosferë, shkalla e kancerit të mushkërive rritet për 36 për qind.

Në Prishtinë në janar ajri ishte dukshëm i ndotur. Foto: Matko Bulent / K2.0.

Nuk është vetëm Kosova ajo që aktualisht po përballet me këto probleme. Ndotja e ajrit nuk njeh kufij. Shtetet e tjera në rajon gjithashtu përballen me probleme të ngjashme të ndotjes, duke përfshirë këtu Maqedoninë fqinje.

Qytetarët e Shkupit, Tetovës e të Manastirit detyrohen të marrin frymë në ajër të ndotur. Nivelet e ndotjes i tejkaluan kufijtë e caktuar të përqëndrimit të grimcave PM2.5 gjatë 15 ditëve të dhjetorit të vitit të kaluar. Vitin e kaluar Tetova kishte ajrin më të keq në Europë, me mesataren në vlerë prej 81 mikrogram të grimcave PM2.5 për metër kub.

Si në rastin e Prishtinës, qytetarët po bëhen më të vetëdijshem për këto efekte shkatërruese për shëndetin e tyre. Instituti Publik i Shëndetësisë në Maqedoni ka deklaruar publikisht se ndotja e ajrit shkakton kancer të mushkërive, sulm në zemër dhe sëmundje të arterieve koronare. Sidoqoftë, ende nuk janë marrë masa përfundimtare. Ndonëse ka ankesa dhe paralajmërime vit pas viti, shumë pak është bërë për t’i luftuar shkaqet e ndotjes së ajrit.

Trafiku kontribuon me rreth 20 për qind të ndotjes totale të ajrit, por jo shumë njerëz në Shkup – një prej qyteteve më të ndotura në Europë – përdorin biçikleta. Foto: Radovan Vujović.

Një postim që u bë së fundmi në Twitter tregon për shqetësimet gjithnjë e më të mëdha në lidhje me ndotjen e ajrit: Në dritaren e një barnatoreje është shkruar se janë shitur të gjitha maskat që përdoren kundër ndotjes. Maskat po bëhen domosdoshmëri e garderobës. Edhe ambasadorët po i përdorin.

“Ekziston një dilemë: ta përdorësh veturën dhe të kontribuosh në ndotje, apo ta përdorësh biçikletën dhe të marrësh frymë në ajër të ndotur. Sot po e provoj për herë të parë maskën”, shkroi në Twitter Wouter Plomp, ambasadori holandez në Maqedoni. Ky ambasador, i cili vjen nga një shtet ku çiklizmi është mjaft i popullarizuar, beson se zvogëlimi i trafikut është mënyrë e reduktimit të ndotjes së ajrit nga ana e qytetarëve.

“Definitivisht mund të përmirësohet më tej, por dua t’i lëvdoj qytetarët e guximshëm të Shkupit, të cilët e përdorin biçikletën si mjet kryesor të transportit”, tha ambasadori Plomp për K2.0.

“Nëse i shohim hulumtimet e fundit, trafiku kontribuon me rreth 20 për qind në ndotjen e përgjithshme, pra kjo është njëra prej fushave në të cilat secili prej nesh mund të bëjë diçka”, tha ambasadori. “Të gjithë duhet të ndërmarrin veprime konkrete për ta zvogëluar ndotjen – qoftë nëpërmjet çiklizmit, reciklimit të mbeturinave, apo duke u bërë presion njerëzve dhe institucioneve përgjegjëse që ata t’i bëjnë ndryshimet e nevojshme”.

Edhe teknologjia po i fuqizon qytetarët me ngritjen e vetëdijes për kushtet e ambientit. Aplikacioni Moj vozduh ka siguruar informata të reja për përhapjen e grimcave helmuese dhe e ka shtuar nivelin e vetëdijësimit të qytetarëve për problemin e ndotjes së ajrit në Maqedoni.

Drita e kuqe në aplikacion i sinjalizon përdoruesit se ndotja e ajrit në ndonjë komunë specifike është e lartë. Gorjan Jovanovski, krijuesi i aplikacioni, shpjegon se aplikacioni përdoret më së shumti gjatë muajve të dimrit, kur niveli i ndotjes së ajrit është i rrezikshëm.

Jovanovski pajtohet me qëndrimet e ambasadorit Plomp, që edhe qytetarët duhet të veprojnë në mënyrë të përgjegjshme sa i përket çështjes së ndotjes së ajrit. “Për qytetarët që jetojnë në Maqedoni dhe shtetet fqinje, rehatia konsiderohet më e rëndësishme se cilësia e ajrit”, thotë ai. “Ata e përdorin arsyetimin që autobusët nuk i çojnë deri te dera e shtëpisë dhe që është e vështirë të sakrifikohet rehatia e të përdoret transporti publik në vend të veturave private për ta zvogëluar ndotjen e ajrit”.

Niveli i ndotjes së ajrit ndonjëherë është aq i lartë saqë ndotja mund të shihet me sy. Foto: Radovan Vujović.

Megjithatë, trafiku është vetëm njëri prej burimeve të ndotjes së ajrit, dhe nxitja e qytetarëve për ta përdorur transportin publik është masë afatshkurtë ndaj rrezikut që po shtohet gjithnjë e më shumë.

Problemet e ndotjes së ajrit nuk mund të zgjidhen ‘brenda natës’

Sipas Bankës Botërore, aktivitetet ekonomike që lirojnë më së shumti grimca PM janë prodhimi i aliazheve të hekurit, i energjisë elektrike dhe i ngrohjes, si dhe djegia e energjisë elektrike në industrinë e metaleve që nuk përmbajnë hekur, shtrimi i rrugëve dhe djegia e drunjve në shtëpi – të gjitha këto aktivitete janë të zakonshme në gjithë rajonin. Edhe veturat e vjetra kontribuojnë në ndotje të ajrit.

“Qytetarët djegin drunj për ngrohje sepse energjia elektrike është e shtrenjtë. Qytetarët më të varfër mund të djegin edhe mbeturina të gomës dhe plastikës për t’u ngrohur gjatë muajve të ftohtë”, shpjegon Arianit Xhaferi nga lëvizja Eco Guerilla, e cila ka orgnizuar protesta dhe fushata publiciteti kundër ndotjes së ajrit në Tetovë.

Ana Colovic-Lesoska, drejtoreshë e OJQ-së Eko-svest, pajtohet me Xhaferin se është e vështirë të zhvillohet ndërgjegjësimi ekologjik te qytetarët.

“Kur ke qytetarë të varfër të cilët mezi i paguajnë faturat e energjisë elektrike, është shumë e vështirë t’i stimulosh ta zhvillojnë ndërgjegjësimin ekologjik. Në Shkup, rreth 45 për qind të shtëpive përdorin drunj për ngrohje”, thekson Colovic-Lesoska. Dihet se ky problem i ka disa shkaktarë dhe nuk ekziston vetëm një zgjidhje për të.

Qeveria e re, e zgjedhur në maj të vitit të kaluar, dhe kryetari i ri i Shkupit, Petre Silegov, po përballen me vështirësi për t’i përmbushur premtimet për zvogëlimin e ndotjes së ajrit.

Qeveria mori masa urgjente kundër ndotjes së madhe të ajrit në kryeqytet dhe në Tetovë muajin e kaluar, në bazë të informatave nga stacionet e matjes që treguan se nivelet e larta të ndotjes ishin mbi nivelet e lejuara për dy ditë rradhazi.

Banorët e Shkupit dhe të Tetovës tani kanë mundësi t’i shfrytëzojnë pa pagesë trenat dhe autobusët. Personave që vuajnë nga sëmundjet kronike dhe grave shtatzënë iu dha pushim nga puna, si dhe u ndaluan aktivitetet sportive në ambiente të hapura. Sigurisht këto janë vetëm masa afatshkurta për ta zvogëluar përkohësisht ndotjen.

Colovic-Lesoska mendon se problemi me ndotjen e ajrit nuk mund të zgjidhet ‘brenda natës’. “Nuk është bërë gjë për ta luftuar këtë problem në 10-15 vitet e fundit. Qeveria aktuale ka filluar t’i zbatojë pak a shumë rekomandimet tona”, thotë Colovic-Lesoska.

Një hap përpara mund të bëhet duke i intensifikuar inspektimet dhe monitorimet e firmave që lirojnë materie ndotëse. “Mënyra e vetme për ta luftuar problemin me ndotje të ajrit që shkaktohet nga industritë është përmes inspektimeve më të rrepta”, thotë Colovic-Lesoska.

Aktivistët mbajtën protesta në disa qytete të Maqedonisë për të kërkuar veprime nga Qeveria për ndotjen e ajrit. Foto: Radovan Vujović.

Xhaferi shton se “duhet të merren masa për zvogëlimin e ndotjes së ajrit para se të bëhemi komb i maskave”.

“Qytetarët shfaqin ndërgjegjësimin e tyre kur i fajësojnë ata të cilët janë përgjegjës për shkaktimin e ndotjes së ajrit, por tregohen injorantë kur nuk veprojnë vetë për ta zvogëluar ndotjen e ajrit”, thotë ai.

Problem i gjithë Ballkanit

Ndotja e ajrit është bërë problem në tërë Ballkanin. Raporti për cilësinë e ajrit i publikuar nga Agjencia Europiane e Ambientit në vitin 2017 vlerësoi se ekspozimi ndaj grimcave PM2.5 vret çdo vit 18,310 njerëz në Bosnjë dhe Hercegovinë, Mal të Zi, Serbi dhe Maqedoni.

Termocentralet e linjitit janë të domosdoshme për rrjetin e energjisë elektrike , por janë të dëmshme për shëndetin e qytetarëve. Sot ekzistojnë 16 termocentrale të tilla në rajon. Ato lirojnë 13 herë më shumë dioksid të squfurit dhe 30 herë më shumë PM2.5 për megavat se termocentralet europiane, sipas studimit të fundit.

Një prej tyre është termocentrali Ugljevik afër Tuzllës në Bosnjë. Ky termocentral është rast unik në Europë, sepse liron dioksid të squfurit sa të gjitha termocentralet e Gjermanisë. Në aspektin afatshkurtë, njerëzit në Ballkan kanë nevojë për qasje në energji elektrike, por efektet afatgjatë po dëshmohen të jenë shkatërruese.

Qeveritë në rajon janë pajtuar të fillojnë zvogëlimin e lirimit të materieve ndotëse. Mbetet të shihet se a do të ketë efekte afatgjata presioni që po u bëhet politikanëve nga qytetarët e Prishtinës, apo ky problem mund të zgjidhet vetëm në një nivel të qëndrueshëm rajonal. Sidoqoft, tani për tani njerëzit nëpër qytetet e Ballkanit po detyrohen të përdorin maska për të marrë frymë kur janë në ambiente të hapura.K

Foto kryesore: Radovan Vujović.

KOMENTET

0
KOMENTO

KOMENTO

Kthehu n'fillim

THANKS FOR YOUR COMMENT

AFTER A QUICK CHECK IT WILL BE PUBLISHED HERE. PLEASE BE PATIENT.

THANKS FOR SUBSCRIBING

THANKS FOR YOUR COMMENT

AFTER A QUICK CHECK IT WILL BE PUBLISHED HERE. PLEASE BE PATIENT.