Në fotografi: thirrjet për drejtësi gjinore më 8 mars.
Teksa emrat e grave të vrara nga partnerët e tyre intimë, bashkëshortët apo anëtarët e tjerë të familjes buçitnin nëpër rrugë, protestueset/it marshuan nëpër Prishtinë, të shtunën, më 8 mars, për ta shënuar Ditën Ndërkombëtare të Gruas.
Ato/a kërkuan që “asnjë ma shumë” të mos shtohet në listën në rritje të viktimave të femicidit në Kosovë. Marshimi u mbajt nën togfjalëshin “Marshojmë për njana-tjetrën”, një shprehje solidariteti nga gratë për gratë, në një kontekst ku patriarkia e rrënjosur thellë e bën mbështetjen te njëra-tjetra vendin më të sigurt për gratë.
Kolektivi “Marshojmë s’festojmë” organizoi marshin përmes një procesi pjesëmarrës, ku qytetaret/ët u ftuant’i bashkoheshin për t’u përgatitur gati një muaj para mbajtjes së marshit. Aktivistët/et u mblodhën në pjesë të ndryshme të qytetit, përfshirë qendrën komunitare “Termokiss” dhe Qendrën e Studentëve të Universitetit të Prishtinës, për të mbledhur fonde dhe për t’i punuar mesazhet dhe materialet e marshit.
Disa hapa pas stacionit të policisë, protestueset/it kaluan afër një flamuri të bardhë me shkronja të kuqe, i varur në një ndërtesë të lartë, në të cilin shkruhej “Një e ardhme më e mirë është e mundshme”. Megjithatë, e tashmja mbetet e vrenjtur për gratë në Kosovë.
Femicidi — vrasja e qëllimshme e grave për shkak të gjinisë së tyre — u ka marrë jetën tepër shumë grave në Kosovë. Nga viti 2010 deri në prill 2024,58 gra janë vrarë në Kosovë. Emrat e tyre u lexuan zëshëm gjatë gjithë marshit, duke ua kujtuar të gjithëve/ave se ato s‘duhet harruar.
Protestueset/it dënuan zëshëm mosveprimin dhe bashkëfajësinë e institucioneve, nën brohoritjet: “Gratë vriten, shteti hesht”, “Gjykatat, policia, shteti — i kanë duart me gjakun e grave të vrara”, “Edhe sa thirrje të humbura?”
Ato/a gjithashtu kërkuan politika të mirëqenies sociale, dhe jo “paga për riprodhim”. Kjo erdhi si përgjigje ndaj retorikës së politikanëve gjatë fushatës së fundit zgjedhore në Kosovë. Të gjitha partitë kryesore premtuan forma pagese për gratë pas lindjes së fëmijëve, por dështuan të prezantojnë politika të tjera që sigurojnë mbështetje të vazhdueshme për gratë.
Në Kosovo 2.0, përpiqemi të jemi shtyllë e gazetarisë së pavarur e me cilësi të lartë, në një epokë ku është gjithnjë e më sfiduese t’i mbash këto standarde dhe ta ndjekësh të vërtetën dhe llogaridhënien pa u frikësuar. Për ta siguruar pavarësinë tonë të vazhdueshme, po prezantojmë HIVE, modelin tonë të ri të anëtarësimit, i cili u ofron atyre që e vlerësojnë gazetarinë tonë, mundësinë të kontribuojnë e bëhen pjesë e misionit tonë.
Anëtarësohuni në “HIVE” ose konsideroni një donacion.