Që nga 5 korriku Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar janë bërë plotësisht dhe juridikisht operacionale, dhe në çdo çast tash mund të presim të lexojmë për aktakuzat potenciale dhe datat e gjykimeve. Në fillim kishim një start të gabuar, në të cilin Rregullorja e Procedurës dhe e Provave u gjet të mos jetë në përputhje me Kushtetutën, por tani këto rregulla janë rishikuar dhe janë gjetur të jenë në përputhje.
Nuk kanë mbetur shumë gjëra për t’u shkruar sa i përket kornizës ligjore të Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar para fillimit të gjykimeve dhe para ngritjes së aktakuzave. Por para se të fillojnë gjykimet dhe fokusi të marrë kahje tjetër, le t’i hedhim një sy kundërthënies së fundit potenciale në lidhje me ligjin dhe Rregulloren e Procedurës dhe të Provave.
Gjatë gjithë procesit të krijimit të tyre, mbrojtja e dëshmitarëve dhe fokusi në viktimat ka qenë një prej çështjeve kryesore të Dhomave të Specializuara. Këtë pikë përsëri e shtroi Ekaterina Trandafilova, kryetare e Dhomave të Specializuara, javën që shkoi gjatë një interviste për BIRN-in, ku ajo vazhdimisht theksonte se gjykata do t’i mbrojë dëshmitët e saj në mënyrë të duhur — me çka kishin dështuar përpjekjet e mëparshme për ndjekjen e luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ata i kanë mjetet dhe procedurat efektive për ta bërë një gjë të tillë, tha ajo, dhe do të kenë sukses me mbrojtjen e dëshmitarëve.
Megjithatë, përkundër premtimeve ekziston një rregull në Rregulloren e Procedurës dhe të Provave i cili mund t’i pengojë në këtë drejtim — Rregulla 155.
Rregulla, e cili tingëllon e padëmshme, ka të bëjë me pranimin e deklaratave të shkruara të personave që nuk janë në dispozicion dhe të personave që i nënshtrohen ndërhyrjes. Por ai është ajo e ngjashme me rregullën të cilën e përdori Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë — Rregulla 68 — e cila ka shkaktuar probleme në të kaluarën, dhe nëse krahasohen këto dy rregulla, dalin në pah disa çështje potenciale.
Rregulla 155 — çka është ajo?
Sipas kësaj rregulle specifike:
“Mund të pranohen dëshmi në formën e deklaratave me shkrim, të dokumenteve të tjera me shkrim, ose të shprehura ndryshe, të thënieve të një personi, apo transkripti i deklaratës së një personi që ka vdekur, ose që nuk mund të gjendet duke vepruar me zell të arsyeshëm, apo për shkak të dëmtimeve fizike apo mendore nuk është në gjendje të dëshmojë gojarisht, pavarësisht nëse deklarata me shkrim është apo nuk është në formën e përcaktuar në Rregullore, në qoftë se trupi gjykues bindet”.
Në aspektin laik, ajo që kjo rregull parasheh është se deklarata e shkruar e dhënë nga dëshmitari në fillim të hetimit mund të përdoret më vonë gjatë procedimit edhe nëse dëshmitari ka vdekur, nëse nuk mund të gjendet apo nëse nuk është i aftë mendërisht për të dëshmuar — edhe nëse deklarata nuk është në formën siç kërkohet me Rregulloren e Procedurës dhe të Provave.
Kushtet e vetme janë që trupi (gjykues) të jetë i bindur se personi nuk është në dispozicion apo nuk i aftë të dëshmojë gojarisht, dhe se deklarata e tij, dokumenti apo transkripti është prima facie e besueshme, sa i përket rrethanave në të cilat është bërë, është regjistruar apo zhvilluar.
Këto kritere në vetvete janë shumë të gjera dhe mund të çojnë në diskutime dhe përplasje të tejzgjatura kur bëhet fjalë për pranimin e deklaratave me shkrim, meqë trupi gjykues mund ta marrë parasysh çfarëdo prove relevante, duke përfshirë edhe prova me shkrim, për qëllimet e aplikimit të kësaj rregulle.
Si ka funksionuar në praktikë një rregull e ngjashme?
Rregulla e ngjashme, e njohur si Rregulla 68 e Rregullores së Procedurës të GJND-së tashmë është dëshmuar t’i ketë kontribuuar vonesave dhe paqartësive gjatë gjyimeve.
Si në rastin e Rregullës 155 të Dhomave të Specializuarara, Rregulla 68 e GJND-së lejon pranimin e dëshmive të regjisturara paraprakisht të dëshmitarëve në rrethana të caktuara nëse dëshmitari më vonë ka ndërruar jetë apo konsiderohet i vdekur apo nuk është në gjendje të dëshmojë gojarisht; dëshmia e regjistruar gjithashtu mund të pranohet nga personi i është nënshtruar ndërhyrjeve sa i përket interesave fizike, psikologjike, ekonomike apo interesave të tjerë të personit. Kushtet në të cilat Dhomat e GJND-së parashihet ta pranojnë një dëshmi të regjistruar paraprakisht janë që edhe Prokurori edhe mbrojtja ta kenë pasur mundësinë ta marrin në pyetje dëshmitarin gjatë regjistrimit të provës.
Si në rastin e Rregullës 155 të Dhomave të Specializuara, të dy këto kushte janë shumë të përgjithësuara dhe lënë hapësirë për interpretime dhe diskutime.
Pikërisht kjo ndodhi në rastin Ruto dhe Sang të GJND-së, ku Ëilliam Samoei Ruto dhe Joshua Arap Sang ishin akuzuar për krime kundër njerëzimit (vrasje, deportim, dhe bartje të dhunshme dhe përndjekje të popullsisë) të cilat supozohet se ishin kryer në kontekst të dhunës paszgjedhore në Kenia, në vitet 2007-2008. Ky rast në mënyrë specifike ishte përplot pretendimesh për kërcenime të dëshmitarëve për shkak të faktit se një numër i madh dëshmitarësh të Prokurorisë, pas dhënies së dëshmive fillestare, ato ose i ndryshuan ose refuzuan të bashkëpunojnë më tutje.