Tash e dy muaj, Tirron Mamusha çdo ditë gjendet duke vrapuar i vetëm në stadiumin e Gjakovës. Për shëndetin e tij, më shumë se për ndonjë gjë tjetër. Për Mamushën, ky është stil jetese.
Ai fillimisht ishte bokser, pra bënte vrapime të rregullta stërvitëse. Por shpejt e kuptoi që vrapimi i pëlqente po aq sa boksi. Për më shumë, dukej se kishte pak perspektiva me sportin e tij të parë.
Dhe nëntë vjet më parë ai u bë vrapues i distancave të mesme dhe të gjata. Djaloshi 25 vjeçar deri më sot ka fituar më se 100 medalje dhe trofe. “Secili shpërblim ka emocionin dhe rëndësinë e vet”, thotë ai.
Në rininë e hershme, Tirron Mamusha ishte bokser, por më vonë doli në disiplinën e vrapimit. Foto nga Tirron Mamusha.
Mamusha gjithashtu e përfaqëson Kosovën në nivelin ndërkombëtar. Në shtator, ai ishte pjesë e ekipit kombëtar në Kampionatin Ballkanik të Gjysmëmaratonave në Bosnjë e Hercegovinë, ku doli i dhjeti si pjesë e ekipit kosovar dhe i treti në përgjithësi. Vendi i shtatë në Gjysmëmaratonën e Prishtinës vjet — duke përfunduar shtegun për 1 orë e 13 minuta — e vuri në pozitën më të lartë jo vetëm ndër garuesit kosovarë, por edhe ndër ata evropianë, prapa vrapuesve prej shteteve me arritje të larta sikur Kenia dhe Maroku.
Por tani, sezoni i tij ka përfunduar ende pa filluar.
Për shkak të kufizimeve të vendosura për luftimin e pandemisë së COVID-19, të gjitha garat e tij janë anuluar. Fillimisht, Mamusha bënte stërvitje solo në orarin prej një ore e gjysmë që i lejohej për të dalë jashtë, por së voni, me lehtësimin e masave, ai ka nisur të stërvitet me një fubollist lokal nga Gjakova. Trajneri i tij është nga Kenia dhe i dërgon plane të përjavshme për vrapim.
Mamusha do të vrapojë me ekipin e Gjelbër, të formuar së fundi, pas vrapimit me ekipin Gërmia 555 në vitet e fundit, por ai pret që sigurimi i sponzorimeve të tjera do të jetë i vështirë: “Ky vit do të jetë i vështirë sa i përket sponzorimeve sepse, tash për tash, duke parë se ç’po ndodh, bota është në pushim”, thotë ai.
Të bësh pauzë — apo të shtysh për më vonë
Kur Olimpiada Verore Tokio 2020 u shty zyrtarisht në fund të marsit për vitin 2021 — paçka se nuk u anulua i gjithi — ajo e sinjalizoi goditjen përfundimtare ndaj botës së sportit. Deri tash, thuajse të gjith ligat e futbollit në botë ose janë shtyrë, ose janë anuluar, ndërsa kampionatet e tjera sportive po ashtu janë shtyrë ose janë anuluar dhe garat po ashtu kanë ndërruar datë.
Për tifozët e sportit, ashtu si për atletët, gjithçka ndryshoi pa asnjë shenjë se kur gjërat mund të kthehen në normale.
Në Kosovë është shtyrë Superliga e futbollit. E njëjta ka ndodhur me ligat kryesore të basketbollit dhe hendbollit. Disa sportisë kosovarë humbën mundësinë për të marrë pjesë në Olimpiadë sivjet. Të tjerët nuk i kanë kontratat e sponzorimit që u duhen për të garuar.
Dhe kjo është krahas ndikimit mendor dhe atij fizik të ngujimit që ka vepruar mbi të gjithë ne, por që mund të jetë sidomos i vështirë për sportistët eprorë që varen nga forma e shkëlqyer fizike dhe mendore.
Natyrisht, për disa të tjerë, situata mund të llogaritet si pushim fatlum.
Sportistja më e njohur dhe e suksesshme kosovare, fituesja e medjales së artë olimpike Majlinda Kelmendi, po mëkëmbet prej një lëndimi dhe shtyrja e Tokio 2020 i jep shanse më të mira për të garuar në Olimpiadën e shtyrë për vitin 2021, nëse mbahet. “Për shkak të problemeve të shumta me lëndimet, në njërën anë ndihem më mirë që janë shtyrë Lojërat Olimpike”, ka thënë Kelmendi për Komitetin Olimpik të Kosovës (KOK) në një intervistë në mars.
Xhudistet e kampit të trajnerit Driton Kuka në Pejë po vetizolohen dhe po vazhdojnë të stërviten dita-ditës.
Besim Hasani, presidenti i KOK-ut i cili administron të gjitha federatat sportive në Kosovë, pajtohet që ishte e nevojshme të shtyheshin lojërat olimpike. Ai thotë se gjashtë sportistët — pesë xhudistë dhe një mundës — që janë kualifikuar për Olimpiadën e radhës, dhe dhjetë të tjerët që ende po përpiqen të kualifikohen, do të vazhdojnë të mbështeten financiarisht.
“Me shumë gjasë do të ketë më pak para për KOK-un por jo edhe për sportistët”, thotë ai. “Do të zvogëlojmë shumën e parave për sektorët e tjerë por jo për sportistët”.
Edhe pse deri tash asnjë sponzor nuk ka tërhequr mbështetjen për KOK-un, Hasani thotë se nuk do të befasohej nëse do të ndodhte një gjë e tillë, duke e quajtur atë mundësi “të pritshme”.
“Sidoqoftë qeveria jonë ka treguar gatishmëri për ta mbështetur sportin dhe kulturën me ndihma emergjente që shkojnë deri në 5 milionë euro”, thotë ai, duke iu referuar shumës së shpallur nga qeveria në pakon emergjente fiskale,e cila pritet të shpërndahet nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit për organizatat kulturore dhe sportive në vend.
Elvira Dushku, sekretarja e Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK), thotë se federatat ende po presin ta marrin mbështetjen financiare.
“Edhe pse ky vendim është marrë para dy muajsh, ende nuk ka asgjë të re sa i përket kësaj”, thotë ajo. “Federatat sportive po presin për këto para që duhet t’iu kushtohen klubeve që janë në situatë tejet të rënduar për shkak të pandemisë”.
Dushku thotë se deri më sot, asnjë sponzor nuk ka hequr dorë nga mbështetja për FBK-në, porse fondet shtesë që mund t’i marrin do t’i ndihmonin klubet dhe vazhdimësinë e mbështetjes për 11 të punësuarit me orar të plotë në federatë.
Pavarësisht nga mbështetja e premtuar e qeverisë, Hasani prapë beson se shumë sportistë, trajnerë dhe zyrtarë të tjerë të kësaj fushe në Kosovë do të përballen me “sfida të pagës” ndërsa kanalet e tjera të mbështetjes financiare po ngushtohen.
Sportistja e vetmuar
Arbnore Perquku ka luajtur basketboll gjysmëprofesional për 20 vjet. Së pari në Pejë, mandej në Shqipëri, në Turqi, dhe së fundi është kthyer prapë në Kosovë.
Këtë vit, ekipi i saj KB Bashkimi nga Prizreni tashmë kishte fituar kupën e ligës dhe pësoi humbjen e vetme në sezonin e ligës — kundër rivalëve të përhershëm nga Prishtina — para se pandemia ta ndalonte tërë ligën.
“Federata i njoftoi ekipet dhe pastaj ekipi na njoftoi ne”, thotë Perquku. “Nuk dëgjuam më asgjë tjetër nga ekipi a nga Federata, por ne po fitonim dhe do ta kishim fituar gjithë ligën”.
Në fund, federata shpalli këtë javë se do të anulohet liga e sivjetme. “Eh, tash së paku s’mund të humbasim”, thotë ajo.
Arbnore Perquku, e cila luan basketboll tash e dy dekada, po përpiqet ta mbajë motivimin në nivel përmes stërvitjeve me miqtë dhe anëtarët e tjerë të ekipit në Zoom. Foto nga Arbnore Perquku.
Perquku është po ashtu arsimtare e edukatës fizike në Shkollën Britaneze të Kosovës (British School of Kosova) dhe vazhdon të japë mësim onllajn. “Zgjohem dhe nisi punën, por pa basketboll nuk di se ç’të bëj”, thotë ajo.
Pra, ajo po e pret fundit e pandemisë duke ushtruar çdo ditë dhe shpeshherë duke ecur nëpër qytet e vetme. “Nuk kam dëshirë të vrapoj derisa nuk kam një top në dorë”, thotë ajo.
Ajo po ashtu ndan kohë për stërvitje të përbashkëta me miqtë dhe anëtarët e ekipit në Zoom për ta ruajtur motivimin dhe shëndetin trupor: “Kushedi nëse do të kthehemi, dhe kur?”
Arlinda Muqa po ashtu stërvitet çdo ditë dhe pushon vetëm të dielave. Bokserja e re pejane në ngritje ka fatin e të pasurit babanë si trajner, ish-bokserin e famshëm Bekim Muqa, i cili po ashtu është pronar i klubit të boksit “Fighter” në Pejë.
Arlinda Muqa kryen tetë runde në ditë me thesin e qepur veçanërisht për të në oborrin e saj. “Kemi shpenzuar shumë kohë për ta bërë”, thotë ajo.
Mandej bën zgjatje dhe ushtrime forcuese, vazhdimisht nën mbikëqyrjen e babait.
Arlinda Muqa është përpjekur ta mbajë formën gjatë ngujimit për ta lehtësuar kthimin në gara kur të vijë koha. Foto nga Arlinda Muqa.
Muqa ka fituar kampionatin e boksit për gra në Kosovë dy herë, duke garuar në peshën e lehtë, dhe ka fituar medalje të argjendta në Queens Cup në Gjermani dhe në kampionatet polake. Deri tash, 21 vjeçja nuk ka pësuar asnjë lëndim dhe ka një të ardhme të gjatë para vetes.
Ajo shpreh dëshirën ta rifillojë boksin gjatë këtij viti nëse ka gara, por është e vetëdijshme se rikthimi pas një mungese të gjatë është sfidë për sportistët.
“Mungesa e stërvitjes është e dëmshme për sportistët, me ç’rast mund të pësojmë lëndime pas disa pushimeve dhe lodhemi më shpejt”, shpjegon Muqa. “Nuk do të jetë problem të kthehem në formë sërish sepse po mbaj balanc të mirë në shtëpi”.
Me shputa përtokë
Për sportistët që merren me sporte edhe më të shtrenjta, të cilat kërkojnë logjistikë dhe udhëtime të gjata, pandemia është shndërruar në katastrofë.
Uta Ibrahimi, një nga sportistet më të njohura në Kosovë, u bë gruaja e parë kosovare dhe shqiptare që ngjiti Majën e Everestit në maj të vitit 2017. Kjo ia rriti profilin jo vetëm në Kosovë, por edhe në botë.
Sezoni i ngjitjes për alpinisten tash është anuluar. Plani i Ibrahimit për këtë vit ishte të ngjitej në malet Anapurna në Nepal dhe K2 në Pakistan, malin e dytë më të lartë në botë.
“Kam shpenzuar 5,000 euro për leje të ngjitjes që shpresoj se mund të përdoren vitin tjetër — tash për tash nuk ka mundësi për ngjitje”, thotë Ibrahimi. “Mbyllja ndodhi një jave para nisjes së planifikuar”.
Uta Ibrahimi është gruaja e parë kosovare dhe shqiptare që ka shkelur majën më të lartë në botë. Foto nga Uta Ibrahimi.
Ajo kishte kaluar një pjesë të trajnimit dimëror për këtë sezonë në Qendrën e Trajnimit Red Bull afër Salcburgut të Austrisë. Tash meqë nuk ka ngjitje tërë vitin, nuk ka as sponzorime. Për më keq, biznesi i saj për udhërrëfime Butterfly Outdoor Adventure, përmes së cilit i shpie turistët në ekskursione nëpër malet e Kosovës, është dashur të mbyllet përkohësisht.
“Kam humbur 20,000 euro prej anulimeve këtë vit”, thotë ajo. “Pra nuk e di se si do të rroj”.
Ibrahimi vrapon çdo ditë. Kur nisi fillimisht ngujimi, ajo thotë se vraponte dy deri në tri orë në ditë, ndonjëherë vetëm e ndonjëherë me miq, gjithmonë duke e mbajtur distancën. Dikur, me shtrëngimin e kufizimeve, ajo kishte mundësi të vraponte vetëm brenda orarit të caktuar të lëvizjes. Natyrisht, ajo stërvitej çdo ditë me të tjerët përmes vrapimit dhe krosfitit.
Ajo pranon se mungesa e lirisë, e lëvizjes fizike dhe e qasjes në ambientin e jashtëm e kanë ndikuar mendërisht.
“Është po aq problem mendor sa është fizik — trupi im s’mund thjesht të ndalet dhe të mos ketë aktivitet”, thotë Ibrahimi. “Ende po stërvitem sikur do të shkoj nesër”.
Për dy javët e para pas vendosjes së ngujimit, ajo thotë se e gënjente veten dhe nuk pajtohej me realitetin.
“Çdo mars, prill dhe maj kam qenë gjetkë. “Më duhet të mbahem dhe të kthehem në realitet”.
Bota e sportit pas koronavirusit
Si pjesë e planit dalës të qeverisë që tashmë ka filluar, faza e tretë — tani për tani e vendosur të nisë më 1 qershor — saktëson që disa sporte do të lejohen të vazhdojnë. Por, cilat sporte nuk tregohet.
K2.0 është përpjekur ta kontaktojë Ministrinë e Shëndetësisë për sqarime por nuk ka marrë përgjigje deri në kohën e botimit.
Në vende të tjera, ku veprohet sipas planeve përkatëse të pandemisë, ka shenja të dukshme që sporti po hapet.
Disa shtete tash po e lejojnë atletikën dhe sportet individuale të vazhdojnë me kontakt të kufizuar. Deri tash, shumica e sporteve kanë rifilluar — sikur Bundesliga Gjermane dhe K-Liga e futbollit në Korenë e Jugut, dhe garat e golfit në Floridë dhe Kore të Jugut — por me dyer të mbyllura, pa shikues.
Në Zelandën e Re, ku ngujimi ka përfunduar dhe virusi shihet kryesisht si nën kontroll, kampionati Super Ragbi i burrave, sporti më i popullarizuar në atë vend, do të rikthehet së shpejti, por nuk ka pasur njoftime rreth vazhdimit të kampionatit për ragbin e grave. Ndeshjet e radhës të burrave janë caktuar të nisin prapa dyerve të mbyllura në mesin e qershorit.
Në Kosovë, ku korniza kohore dhe rrethanat e situatës epidemiologjike janë të veçanta, po ashtu po ngrihen dhe po diskutohen pyetje lidhur me rifillimin e aktiviteteve sportive.
Më 6 maj, KOK-u dhe disa federata të zgjedhura sportive mbajtën një takim për ta diskutuar kthimin me Ministren e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi. Takimi kishte për qëllim theksimin e nevojave të caktuara të sportit për t’u rikthyer si i tërë, si dhe disa kërkesa të veçanta për secilin sport. KOK-u paraprakisht kishte mbajtur një takim virtual me të gjitha federatat e sportit për t’i marrë pikëvështrimet e tyre.
Të hënën (më 18 maj), Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike njoftuan që do t’i lejojnë stërvitjet për Superligën e burrave deri më 11 qershor, ndërsa futbolli i grave dhe ai i komunitetit është ende në pritje.
Stërvitjet e Superligës së burrave do të duhet t’i ndjekin disa rregulla themelore, përfshirë distancimin fizik dhe masat e dezinfektimit. Pas 11 qershorit situata do të rishikohet, por Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) tashmë ka shpallur se sezoni i Superligës do të nisë prapa dyerve të mbyllura më 7 qershor, dhe ndeshjet e para të gjysmëfinales së kupës do të mbahen më 2 dhe 3 qershor.
Sekretari i përgjithshëm i FFK-së, Eroll Salihu, thotë se ende nuk është marrë një vendim për garën e grave, por që i gjithë futbolli junior do të shtyhet së paku deri në Shtator dhe të gjitha shkollat e futbollit po ashtu do të mbyllen deri në shtator. “Nuk duam të rrezikojmë”, thotë ai.
Lojtarët e huaj që kthehen në Kosovë duhet të bëjnë teste para se të hyjnë dhe pastaj duhet të karantinohen, thotë Salihu.
Në ndërkohë, Federata e Basketbollit e Kosovës (FBK) ka vendosur të martën (më 19 maj) t’i anulojë pesë liga seniore, mirëpo ende nuk ka marrë vendim për 11 ligat juniore të saj.
Elvira Dushku, sekretarja e FBK-së, thotë se Federata do të këshillohet me autoritetet kombëtare dhe ndërkombëtare dhe do t’i ndjek të gjitha udhëzimet shëndetësore para se të vendosë rreth “organizimit të mundshëm të garave gjatë verës ose para fillimit të sezonit të ri”.
Tani për tani, FBK-ja ka 200 klube të regjistruara dhe 2,000 lojtarë, porse të gjithë sportistët e huaj janë kthyer në shtetet përkatëse në mars.
“Kemi pasur rreth 70 lojtarë nga jashtë në Federatë”, thotë Duraku. Ata tashmë janë kthyer në shtëpi dhe kontratat e tyre kanë përfunduar para kohe për shkak të pandemisë dhe anulimit të garave”.
Dushku thotë se Federata tash po bie në kontakt me klubet për t’i parë dhe për t’i vlerësuar nevojat e tyre. FBK-ja po ashtu po përgatit një udhëzues për klubet dhe për lojtarët rreth asaj se si të kthehen në lojë. Një rekomandim kyç, thotë Dushku, do të jetë ai që lojtarët t’iu kthehen sporteve në vende të hapura e jo në salla të mbyllura.
Tekembramja, gjithçka dhe çdo vendim do të varet nga situata. “Është vështirë të planifikosh diçka në këtë kohë”, thotë Dushku.K
Imazhi i ballinës nga Arlinda Muqa.