
Memoare dhe memoriale nga periferia
|25.12.2025
|

Mitrovicë: 1944. Një shqiptar pi duhan para një tabele njoftimi. Fotografia: Burim i hapur online.
Në ballë të kësaj fotografie rri një shqiptar i moshës së mesme, i veshur me rroba të arrnuara me lecka e me tjerq galana, pantollona tradicional leshi për burra me ngjyrë të kafenjtë dhe shitira gajtani të zi, teksa me një cigare duhani në dorë, pozon në drejtim të objektivit fotografik. Më shumë sesa te vetë ai, vëmendja shkon mbrapa tij te një tabelë druri në sfond, në të cilën afërsisht i njëjti njoftim paralajmërues është shkruar në gjermanisht, shqip dhe serbisht. Teksti në gjermanisht ka këtë përmbajtje: “Këtu rrihen spekulantët dhe mashtruesit, si dhe fajdexhinjtë që shfrytëzojnë gjendjen e vështirë të njerëzve të varfër për t’u pasuruar”. Poshtë këtij teksti, në dy rreshta me shkronja të mëdha në shqip është shkruar: “Këtu rehën ata njerëz qi bajnë shpekullime dhe mashtërime”.

Qytetarë shqiptarë në një tubim protestues kërkojnë çlirimin e Kosovës dhe Çamërisë si dhe bashkimin e tyre me Shqipërinë. Fotografia: Burim i hapur online.

Popovë, 2021. Një kryq druri që përkujton vendvarrimin e dikurshëm të dy ushtarëve gjermanë. Fotografia: Durim Abdullahu / K2.0

Ekipet e deminimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), bashkë me kolegët e tyre nga KFOR-i, lokalizuan tri predha të prodhimit gjerman. Fotografia: Arkivi i FSK.

Vizitorë pranë armëve të ekspozuara në oborrin e Muzeut të Revolucionit në Prishtinë, vitet ’70. Fotografia: Oral History Kosova.

Fotografia: Durim Abdullahu / K2.0
Sot, nga memoriali i parkut ka mbetur vetëm busti i Ramiz Sadikut, ku deri në mes të vitit 1999, në krahun e tij të djathtë ndodhej edhe busti i Boris Vukmirović, i cili u hoq nga andej dhe u zhduk më 1999, menjëherë pas luftës në Kosovë.
Dyshja Bora dhe Ramizi, u memorializuan edhe në vitin 1963, kur në vendin ku u vranë, u ngrit një obelisk 10 metra i lartë, i dizajnuar nga Miodrag Pecić dhe Svetomir Basara.

Landovicë, monumenti i Boro dhe Ramizit, fotografuar në vitet ’70. Fotografia: Burim i hapur online.

Landovicë, mozaiku i punuar nga Mirjana Barać në monumentin e Boro dhe Ramizit. Fotografia: Burim i hapur online.

Prishtinë, memoriali i dëmtuar i 104 të vrarëve më 23 tetor 1944. Fotografia: Durim Abdullahu / K2.0
Ky monument lidhet me një histori pushkatimi gjatë Luftës së Dytë Botërore. Në gazetën e përjavëshme “Bashkimi i Kombit”, në numrin e datës 24 tetor 1944 shkuhej:
“Natën duke i gdhirë 21 tetori në rrugën e Dibrës u bë një atentat i shëmtuar kundër një automjeti gjerman. Durimi i fuqive të armatosura gjermane mori fund. Masa ndëshkimi: 1. -Lagjja rreth e rrotull vendit të ngjarjes në rrugën e Dibrës, do të shembet. 2. -100 të burgosur komunist prej Tirane e që i përkasin rangut intelektual dhe që ndodhen në fushën e përqendrimit të Prishtinës do të pushkatohen menjëherë për hakmarrje. 3. -80 pjesëtarë të njohur të nacionalçlirimtares në Tiranë do të mbahen peng dhe në rast përsëritje kundër pjesëtarëve të armatës gjermane do të varen. Komanda e Fuqive te Armatosura Gjermane në Shqipëri”.

Prishtinë, parku i qytetit. Muri i Nderit me emrat e shqiptarëve që kanë shpëtuar hebrenjë. Fotografia: Durim Abdullahu / K2.0
Ky memorial është ndërtuar dhe inaguruar para vetëm dy vitesh, më 23 gusht 2023, me nismën e Shoqatës për Miqësi Kosovë – Izrael dhe Fondacionit Shqiptaro – Amerikan. I quajtur sipas mbishkrimit dygjuhësh “Muri i Nderit/Wall of Honor”, ky memorial përbëhet nga një pllakë rreth dy metra e gjysmë e lartë, në krah të të cilit është shkruar: “Shpëtimtarët e hebrenjve në Kosovë/Rescuers of Jews in Kosova”.
Në atë pllakë përkujtimore, janë shënuar emrat e 24 shqiptarëve të Kosovës që kanë shpëtuar hebrenjë gjatë luftës.

Beograd – Prishtinë – Tiranë: një itinerar shpëtimi nga Holokausti. Fotografia: Burim i hapur online.
Ky mindil i bardhë me simbolin kombëtar shqiptar, shqiponjën dykrenare, qëndisur bashkë me mbishkrimin “Kujtim nga Shqipnia”, i përkiste një fëmije hebre 7-vjeçar Jasha Altarac, që arriti t’i shpëtonte Holokaustit falë ndihmës të shqiptarëve. Gjatë pushtimit të Jugosllavisë nga trupat gjermane në prill të vitit 1941, një bombë ra në një shtëpi në Sarajevë, ku po strehohej familja hebreje Altarac, të cilët ishin larguar si refugjatë nga Beogradi. Nga shpërthimi mbeti e vrarë gjyshja dhe motra e Jashas, Lea. Pas varrosjes së tyre, prindërit e Jashas, Majer dhe Mimi (Merjana) Altarac u kthyen në Beogradin e pushtuar nga gjermanët.
Majer Altarac ishte një nga arkitektët më të shquar në Beograd para se të shpërthente Lufta e Dytë Botërore, pasi kishte zbuluar disa burime mermeri dhe gurësh të tjerë në gurore nëpër Jugosllavi, të cilët i përdorte për projektet e tij arkitekturore.

Muzeu Memorial i Holokaustit i Shteteve të Bashkuara, arkivi i Jasa & Ester Franses Altarac.

Kamëz, 1944. Familja Altarac e strehuar në pronën e familjes Toptani. Fotografia: Muzeu Memorial i Holokaustit i Shteteve të Bashkuara, arkivi i Jasa & Ester Franses Altarac.

Prishtinë: lagjja Dardania. Një shtyllë me dy emra rrugësh. Fotografia: Durim Abdullahu / K2.0
Përkundër që historitë e pajetëshkruara të tyre nxitin shumë debat në publik dhe pavarësisht natyrës të ndjeshme të rolit dhe politikave si bashkëpunëtorë të fashistëve italianë dhe nazistëve gjermanë, emrat e këtyre personazheve mund të hasen sot në pllakat e rrugëve. Në disa raste, ato shfaqen madje edhe krah për krah, si në lagjen “Dardania” të Prishtinës, ku dy rrugica pranë shkollës “Dardania”, janë pagëzuar me emrin e Rexhep Mitrovicës, kryeministër i Shqipërisë nën pushtimin gjerman nga 4 nëntori 1943 deri më 18 korrik 1944 dhe të Anton Harapit, prift katolik që, me leje të Selisë së Shenjtë, shërbeu si anëtar i Këshillit të Regjencës nga 13 shtatori 1943 deri në fund të vitit 1944, po ashtu nën pushtimin nazist.

Durim Abdullahu
Durim Abdullahu është historian dhe gazetar nga Prishtina. Ai ligjëron histori në Universitetin e Prishtinës që nga viti 2016.
Ky artikull fillimisht është shkruar në shqip.
Dëshironi të mbështetni gazetarinë tonë? Anëtarësohuni në "HIVE" ose konsideroni një donacion.