
Kush po e kërkon çelësin e Prishtinës?
Nga politikanë të vjetër e deri te emra të rinj, këta janë kandidatët që synojnë të fitojnë besimin e kryeqytetasve.
|2025.08.14
|
Edhe pse emri i tij ishte i ri në politikën e Kosovës, Rama i hyri garës për Prishtinën në vitin 2021 me një karrierë të ndërtuar ndërkombëtarisht në botën e arkitekturës dhe dizajnit të brendshëm. Në vitin 1992, si 16-vjeçar, u shpërngul në Britani të Madhe, ku përfundoi studimet Bachelor dhe Master në arkitekturë. Aty hapi biznesin e tij të arkitekturës në vitin 2004, me të cilin ka fituar një numër çmimesh.
Ai u bë i famshëm në Kosovë në vitin 2012 kur përfaqësoi Kosovën në Bienalen e Arkitekturës në Venecia, me një ekspozitë të quajtur “Krijuesi i filigranit”. Vetëm një vit më vonë ai dhe ekipi i tij fituan Çmimin e Parë në Çmimin Vjetor të World Interiors News për dizajnin e brendshëm të Hamam Jazz Bar në Prishtinë, një nga hapësirat më të spikatura të jetës së natës në Prishtinë për disa vite. Rama ishte anëtar dhe nënkryetar i bordit të Manifestas, Bienales Evropiane Nomade, e cila organizohet çdo dy vjet në një qytet të Evropës, ndërsa në Prishtinë u mbajt në verën e vitit 2022. Ai dha dorëheqje nga ky post kur vendosi të garojë për Prishtinën.
Emri i Ramës në titujt vendor bëri bujë veçanërisht në vitin 2019 dhe 2020, ndonëse kësaj radhe ishte i ndërlidhur me polemika. Biznesi i tij kishte projektuar dhe ishte bashkë-investitor në një kompleks banesor prej 17 vilash në brigjet e Liqenit të Badovcit, njërit nga burimet kryesore të ujit të pijshëm të Prishtinës. Ndonëse komuna miratoi planet, projekti nxiti reagime të forta tek një grup i madh banorësh dhe aktivistësh mjedisorë që kishin frikë se ndërtimi mund ta rrezikonte furnizimin me ujë të kryeqytetit.
Projekti përfundimisht u anulua nga kryetari i tanishëm i LDK, Lumir Abdixhiku, i cili ishte ministër i infrastrukturës gjatë qeverisë së parë të Kurtit në vitin 2019. Sipas Abdixhikut vendimi ishte rezultat i synimit të qeverisë për t’i mbrojtur burimet natyrore dhe për t’i dhënë zë aktivizmit qytetar. E megjithatë, në vitin 2021, Ramës iu ofrua mundësia të kandidonte në emër të LDK, pasi Abdixhiku kishte marrë drejtimin e partisë.
Në fushatën për zgjedhjet lokale të vitit 2021, planprogrami i Ramës përqendrohej në tri “P”: Prishtina Praktike, Prishtina e Pastër dhe Prishtina e Përjetimeve. “Prishtina Praktike” synonte ndryshime infrastrukturore që përfshinin arsimin, shëndetësinë, sigurinë rrugore dhe problemet me parkimin, me fokus të veçantë në projektin ambicioz për ridizajnimin e sheshit “Nënë Tereza” dhe shtrirjen e tij në zemër të Prishtinës, duke rritur qasjen më të lehtë për këmbësorët dhe vendosur një hierarki të re të trafikut ku përparësi kanë këmbësorët, pastaj transporti publik dhe në fund veturat. “Prishtina e Pastër”, ndër të tjera, fokusohej në lëvizshmërinë e gjelbër, krijimin e parqeve të gjelbra. “Prishtina e Përjetimeve”, si komponenti kulturor i planprogramit, përfshinte plane infrastrukturore për një orkestër, teatër të ri, galeri arti dhe një sallë moderne për ngjarje të ndryshme kulturore, duke vendosur kulturën në qendër të përvojës urbane.
Katër vite pas, pak nga projektet e tij u realizuan dhe qeverisja e tij u ballafaqua me kritika të shumta. Një nga akuzat më të shpeshta ndaj tij është mungesa e zbatueshmërisë: shumë projekte mbeten në letër, të cilat fillimisht prezantohen me pompozitet, por pastaj vonohen apo nuk realizohen fare. Arsyetimi kryesor i Ramës lidhet me bllokadën nga niveli qendror, megjithëse ka raste kur edhe projekte që varen drejtpërdrejt nga Komuna nuk janë përmbushur, sikur lidhja e lagjeve “Dardania” dhe “Kalabria”, parkingjet nëntokësore te objekti qendror i Postës së Kosovës në “Dardani” apo funksionalizimi i skiliftit në Gërmi.
Në rikandidimin që i bëri Abdixhiku më 24 korrik, si arritje kryesore të qeverisjes së Ramës dhe synime për mandatin e dytë, u përmendën përfundimi i projekteve kyçe që kanë mbetur në proces gjatë mandatit të tij të parë. Ndër projektet që theksoi ishin: ndërtimi i unazës së brendshme, sheshi “George Bush”, rruga A, si dhe fillimi i implementimit të modelit të mësimit tërëditor.
Mbyllja e sheshit “George Bush” gjatë vitit 2024 ishte njëra nga ndërhyrjet më të debatueshme në kryeqytet. Një rrugë kryesore lidhëse u mbyll për t’ua lënë hapësirën këmbësorëve, megjithatë kjo shkaktoi kaos të madh në qarkullimin urban, pa asnjë studim fizibiliteti të bërë publik për të matur ndikimin e kësaj ndërhyrjeje. Tenderi për transformimin e kësaj rruge në shesh u bllokua nga Inspektorati i Mbrojtjes së Trashëgimisë Kulturore, pasi, sipas tyre, projekti cenonte objekte nën mbrojtje. Kjo ishte hera e tretë që Komuna përballej me këtë institucion për shkak të mosrespektimit të procedurave ligjore përpara nisjes së punimeve. Tenderi, me një vlerë prej mbi 18 milionë eurosh, mbetet faza e vetme konkrete e projektit, ndërsa qyteti vazhdon të përballet me pasojat e një ndërhyrjeje që nisi me shumë zhurmë, por përfundoi në një tollovi urbane.
Përveç tollovisë së papërmbajtshme urbane që kaploi qytetin, për javë të tëra Prishtina mori pamjen e një deponie mbeturinash. Komuna kishte dështuar ta menaxhonte krizën e mbeturinave, duke hyrë në konflikt të drejtpërdrejtë me ndërmarrjen publike “Pastrimi”. Situata përshkallëzoi kur Kuvendi Komunal miratoi një rregullore që përcaktonte që faturat të paguheshin te ndërmarrja “Pastrimi”, e cila do të ishte përgjegjëse për të gjithë procesin. Por më vonë, komuna e kundërshtoi këtë vendim dhe filloi të lëshonte fatura paralelisht me ndërmarrjen, duke e shtuar hutinë administrative tek qytetarët në kryerjen e pagesave të faturave. Ndërkohë, komuna hapi rrugën për operatorë privatë që të pastronin qytetin pas një procesi tenderimi, veprim që hasi në kundërshtimin e hapur të ndërmarrjes “Pastrimi”.
Kur çështja përfundoi në gjykatë, vendimi i dha të drejtë ndërmarrjes publike për të lëshuar faturat. Komuna reagoi në mënyrë të zbehtë në publik, duke njoftuar se do t’i shlyente borxhet ndaj “Pastrimit” dhe se pagesat e bëra më herët në komunë do të transferoheshin. Por në gjithë këtë përplasje institucionale, ishin qytetarët ata që vuajtën pasojat: Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike në Kosovë (IKSHPK) paralajmëroi se keqmenaxhimi i mbeturinave mund të krijojë kushte të favorshme për zhvillimin e baktereve, parazitëve dhe insekteve, duke rritur rrezikun për përhapjen e sëmundjeve infektive. Prokuroria nisi hetimet lidhur me dështimin e menaxhimit të mbeturinave në kryeqytet.
Ndërkohë, Prishtina nisi modelin e mësimit tërëditor në shtator të vitit 2024. Edhe pse aktualisht ky model ka shtrirje të kufizuar dhe përfshin vetëm disa shkolla në rajonin e Prishtinës, synimi është që të zbatohet edhe në shkollat e tjera.
Ndërkaq një probleme tjetër kronik i Prishtinës mbetet menaxhimi i qenve endacakë. Sipas të dhënave nga Qendra Klinike Universitare e Kosovës (QKUK), nga janari deri në shtator të vitit 2024 ishin regjistruar 112 raste të lëndimeve trupore të shkaktuara nga qentë endacakë, duke e bërë edhe më urgjente nevojën për menaxhimin dhe trajtimin e sigurt të tyre përmes politikave institucionale.
Në vitin 2022, Komuna njoftoi për zgjerimin e fushatave të sterilizimit dhe për planet e themelimit të Qendrës së Trajtimit të qenve endacakë. Ndërkohë, në qershor të vitit 2023 nisi një program që ofronte subvencion prej 50 eurosh në muaj për adoptimin e deri në pesë qenve. Megjithatë, këtij projekti i mungoi një mekanizëm efektiv zbatues dhe shumë shpejt dolën në pah abuzimet me projektin dhe vetë qenve. Në vitin 2022, Rama kishte thënë po ashtu se ishin në proces të funksionalizimit të strehimores për qentë endacakë dhe se lokacioni ishte i gatshëm. Megjithatë, kjo strehimore nuk u funksionalizua asnjëherë.
Retorika vizionare e Ramës shpesh perceptohet si e shkëputur nga realiteti i përditshëm i qytetarëve, të cilët vazhdojnë të përballen me probleme bazike si mbeturinat, mungesa e parkingjeve dhe infrastruktura e dobët. Një nga kritikat më të shpeshta ndaj tij lidhet me shkëputjen nga realiteti i përditshëm, siç janë kolonat e gjata në trafik, veçanërisht pas ndryshimeve në sistemin e qarkullimit të brendshëm, që për qytetarët janë reale, por që ai këmbëngul t’i quajë “perceptim”.
Në zgjedhjet lokale të këtij viti, Rama kandidon me sloganin “Prishtina përtej”, siç ka shtuar ai, “të zakonshmes”. Rama nuk e ka publikuar ende programin politik me të cilin synon ta marrë udhëheqjen e Prishtinës edhe për një mandat, ndërsa nuk ka nisur as ndonjë aktivitet elektoral të theksuar, përveç publikimit të punës së tij si kryetar aktual i kryeqytetit.

Gentiana Paçarizi
Gentiana Paçarizi është redaktore menaxhuese në K2.0. Ajo ka mbaruar studimet master për gazetari dhe komunikim me publikun në Universitetin e Prishtinës ‘Hasan Prishtina’.

Uran Haxha
Uran Haxha është gazetar në K2.0 dhe autor i emisionit “Pak ma Drejt” në Paper Radio. Ka punuar në disa prej medieve vendore, ku ka mbuluar temat nga sektori i ekonomisë dhe reportazhe nga qoshet e Kosovës. Ka studiuar për marketing dhe menaxhment.
Ky artikull fillimisht është shkruar në shqip.
Dëshironi të mbështetni gazetarinë tonë? Anëtarësohuni në "HIVE" ose konsideroni një donacion.