
Mulaj: Kotësia qëndron në aktet që i kryejmë përditë
Liridon Mulaj flet për qasjen ekzistencialiste në procesin e të shkruarit.
|05.02.2026
|
Shoqëria është fragmentarizuar dhe ndoshta kjo ndarje, është edhe shkaku pse ne sot jemi aq të ngjashëm në rutinën dhe në shijet tona estetike, kolektive.

Kuptimin e jetës unë e kam gjetur vetëm te letërsia, te të shkruarit, dhe më vonë te bashkëshortja ime, e cila m’u bashkua në këtë udhëtim në kohën time më të errët, për të mos ma lëshuar dorën deri më sot, ku sipas meje, kemi dalë në cekëtinë. Kuptimësinë e kam gjetur edhe tek im bir, që përbën tashmë bërthamën e jetës sime dhe dikton gjithçka që unë dua dhe synoj.
Por kotësia vazhdon e ngre krye shpesh, që te çasti kur hap laptopin për të shkruar dhe mendoj se kujt dreqin i hynë në punë romanet e mi në një botë që rend drejt luftës, e deri te procesi i daljes në dritë të librit, momenti kur ne përballemi me mungesën e lexuesit apo edhe të interesimit nga institucionet shtetërore. Në këtë pikë, secili libër shpesh i ngjan një mesazhi në shishe që nuk ka për t’u hapur ndonjëherë, por që endet nëpër detërat e botës pa adresë. Një përmasë kotësie është edhe kjo, në formën e saj më të pastër.

Në jetën e vrullshme që kam unë, me detyrime prindërore, bashkëshortore, por edhe ekonomike, nuk e kam luksin të mos i ruaj ato copëza që krijoj në mendje. Madje shpesh përdor edhe telefonin për të regjistruar një fragment që vjen natyrshëm. Shkruaj rrallë, por nëse ulem, mund të shkruaj disa kapituj njëkohësisht, sepse e di që punën më të madhe mandej e merr sistemimi dhe redaktimi që vjen i fundit. Kam edhe unë fragmente të cilat i kam shkruar thuajse në gjendje hipnoze dhe mendoj që është kulmi i secilit roman që kam shkruar.
Kam botuar pesë libra në 10 vite, një kohë e mirë sipas meje, brenda së cilës kam menduar edhe për cilësinë e dorëshkrimit, por edhe për lexuesin, i cili në gjithë këtë kakofoni bombardimesh me libra dhe shkrimtarë, duhet ta ketë njëfarë malli për mua, pra t’i mungoj mbase.
Në fund të fundit ajo që shkruan veç tjerash duhet edhe të të argëtojë, të të gëzojë, jo për thelbin dhe kumtin, por për mënyrën sesi e përjeton procesin.
Tirana tek unë tashmë ekziston vetëm si burim letërsie. Por si qytet i jetueshëm, me kohë e ka humbur sensin, e po ashtu edhe dashurinë time.

Arian Lumezi
Arian Lumezi është gazetar në K2.0. Ka përfunduar studimet master për Gazetari Ndërkombëtare nga Universiteti i Cardiff, të cilin e ka ndjekur përmes bursës “Chevening”.
Ky artikull fillimisht është shkruar në shqip.