
Si e humbi Vučić pushtetin dhe si i fitoi Lista Studentore zgjedhjet në Serbi?
Pas gati dy vitesh protestash kundër korrupsionit dhe mungesës së llogaridhënies, një lëvizje që doli nga universitetet serbe e mposhti Aleksandar Vučić në zgjedhje.
Çka fituan shqiptarët në Serbi?
Qeveria iu përgjigj duke i paraqitur protestat si përpjekje për destabilizimin e Serbisë, të mbështetura nga forca të huaja. Edhe gjatë fushatës, Vučić pretendoi se studentët financoheshin nga agjentë të huaj, akuza që ata i mohuan, duke këmbëngulur se kërkonin zbatimin e ligjit dhe funksionimin e institucioneve. Nën presionin e protestave, Vučić dha dorëheqje nga posti i presidentit në shtator dhe kandidoi për kryeministër në zgjedhjet e parakohshme.
Për vite me radhë, partitë tradicionale opozitare nuk kishin arritur ta përkthenin pakënaqësinë me qeverisjen e Vučić në një alternativë të bashkuar. Lëvizja studentore e ndryshoi këtë dinamikë. Duke e vendosur korrupsionin dhe përgjegjësinë institucionale në qendër të mobilizimit, asaj iu bashkuan edhe qytetarë që nuk identifikoheshin me opozitën. Studentët përshkuan vendin në këmbë dhe me biçikleta, duke arritur edhe në zonat rurale ku SNS gëzonte mbështetje të fortë. Ndërkohë, pjesëmarrja në zgjedhje arriti nivelin më të lartë në më shumë se tri dekada.
Humbja erdhi edhe në një periudhë kur ekonomia serbe po ngadalësohej dhe marrëdhëniet brenda koalicionit qeverisës po ndryshonin. SPS e Ivica Dačićit, aleate shumëvjeçare e SNS, vendosi të garonte veçmas dhe sipas rezultateve preliminare, nuk e kaloi as pragun parlamentar. Megjithatë, nuk është e qartë sa ndikuan këta faktorë në rezultatin përfundimtar.
Kështu, pakënaqësia që për vite kishte mbetur e shpërndarë u përqendrua rreth një force të vetme politike. Zgjedhjet u kthyen kryesisht në një përballje ndërmjet vazhdimit të sistemit të vjetër të ndërtuar nga Vučić dhe një lëvizjeje të re që premtonte ndryshimin e mënyrës se si funksionojnë institucionet. Edhe pasi e pranoi humbjen, Vučić vazhdoi t’ua atribuonte rezultatin ndërhyrjeve të pretenduara të vendeve evropiane dhe të një “shteti të thellë amerikan”, duke e paraqitur fitoren e studentëve si pjesë të një përpjekjeje të jashtme kundër Serbisë.
Si u shndërruan studentët nga protestues në fitues të zgjedhjeve?
Studentët fituan sepse organizimin e tyre e çuan atje ku opozita tradicionale nuk kishte arritur kurrë: te qytetet e vogla dhe në fshatra. Lëvizja nisi brenda universiteteve, përmes bllokadave dhe mbledhjeve plenare studentore, ku vendimet diskutoheshin dhe miratoheshin kolektivisht në vend që të merreshin nga një udhëheqje partiake, dhe ku koordinoheshin protestat, ndaheshin detyrat dhe menaxhohej komunikimi publik.
Prej aty, studentët organizuan marshime disaditore dhe udhëtime me biçikleta ndërmjet qyteteve, si dhe takime me komunitete lokale në ato vendbanime ku opozita e kishte të vështirë të organizohej. Në disa zona, banorët i pritën me ushqim dhe strehim, ndërsa takimet me ta u shndërruan në diskutime jo vetëm për korrupsionin, por edhe për punësimin, bujqësinë dhe mungesën e shërbimeve. Përmes nismave Student u svakom selu (në shqip: Student në çdo fshat) dhe Student zove (në shqip: Studenti telefonon), ata krijuan kontakte të drejtpërdrejta me votuesit dhe zhvilluan fushatë derë më derë, në një vend ku SNS kishte rrjete të fuqishme organizative pikërisht në zonat rurale.
Mënyrën se si u ndërtua ky organizim dhe si u përzgjodhën kandidatët, e shpjegoi revista Vreme gjatë verës së vitit 2026, ku përshkroi procesin e konsultimeve dhe vendimmarrjes studentore. Studentët gjetën mbështetje edhe te mësimdhënës, bujq, punëtorë, pensionistë, artistë dhe profesionistë nga sektorë të ndryshëm.
Kur vendosën të hynin në garë, ata formuan një grup qytetarësh me emrin “Studentska lista – Studenti pobeđuju” (në shqip: Lista Studentore – Studentët fitojnë), në vend të një partie tradicionale. Lista u dorëzua më 14 shtator dhe u regjistrua zyrtarisht më 15 shtator, sipas vendimit të Komisionit Republikan të Zgjedhjeve.
Kush është brenda Listës Studentore?
Pavarësisht emrit, shumica e kandidatëve të Listës Studentore nuk janë studentë, por profesionistë, aktivistë dhe figura publike të propozuar dhe të mbështetur nga lëvizja. Listës me 250 kandidatë i prin Ilija Srdanović, kardiolog dhe profesor në Fakultetin e Mjekësisë në Novi Sad, i cili i kishte mbështetur protestat që nga fillimi.
Lista zyrtare e kandidatëve përfshin gjithashtu mjekën specialiste Katarina Stanković, si e dyta në listë, profesoren e gjuhës angleze Katarina Šćepanović dhe shkencëtaren Dragana Đorđević. Mes figurave të tjera janë dramaturgu Željko Hubač, aktori Tihomir Stanić, bujku dhe aktivisti mjedisor Zlatko Kokanović, i njohur për kundërshtimin e minierës së litiumit në luginën e Jadarit, ish-basketbollisti Dejan Bodiroga, ekonomisti Dejan Šoškić, ish-guvernator i Bankës Kombëtare të Serbisë dhe fizikani e gazetari shkencor Slobodan Bubnjević, i angazhuar në nisma qytetare në Pančevo.
Në faqen zyrtare të Listës Studentore, organizimi përshkruhet si grup qytetarësh dhe jo si parti politike, me një program të hartuar nga ekspertë dhe studentë, pikat kryesore të të cilit u diskutuan dhe u miratuan në mbledhjet plenare studentore.
Kjo shumëllojshmëri ishte përparësi gjatë fushatës, sepse u lejoi njerëzve me bindje të ndryshme të bashkoheshin rreth kërkesës për ndërrimin e pushtetit pa pasur nevojë të pajtoheshin për çdo politikë. Në qeverisje, e njëjta shumëllojshmëri mund të bëhet burim mospajtimesh, pasi dallimet për ekonominë, çështjet shoqërore, identitetin kombëtar dhe politikën e jashtme do të bëhen të dukshme kur lista të fillojë të marrë vendime.
Çka premtohet në programin e saj?
Lista Studentore e paraqet programin e saj si përpjekje për të ndryshuar jo vetëm njerëzit në pushtet, por edhe mënyrën se si funksionojnë institucionet që mundësuan koncentrimin e pushtetit. Programi u hartua nga ekspertë dhe studentë gjatë më shumë se një viti, ndërsa pikat kryesore u diskutuan dhe u miratuan në mbledhjet plenare studentore.
Versioni i shkurtuar i programit përmban 11 pika, të organizuara në tri shtylla. E para, “Serbia ose mafia”, përqendrohet te lufta kundër korrupsionit dhe çlirimi i institucioneve nga ndikimi partiak. Ajo parasheh një gjyqësor dhe prokurori të pavarur, krijimin e një njësie të specializuar policore kundër korrupsionit, kontrollin dhe konfiskimin e pasurisë së fituar në mënyrë të paligjshme, si dhe publikimin dhe auditimin e kontratave shtetërore. Në kuadër të programit parashihet edhe lustrimi i zyrtarëve që kanë abuzuar me pushtetin dhe reforma në media, përfshirë depolitizimin e rregullatorit të mediave elektronike (REM) dhe të transmetuesit publik RTS.
Shtylla e dytë, “Dija është fuqi”, synon t’i japë fund punësimeve partiake në sektorin publik përmes konkurseve dhe emërimit të profesionistëve në drejtimin e institucioneve. Në arsim, lista premton tekste shkollore falas, kurrikula që nxisin mendimin kritik, si dhe mbrojtjen e autonomisë universitare. Në ekonomi, propozon mbështetje për sipërmarrësit vendorë, inovacionin dhe bujqësinë, duke synuar të largohet nga modeli ekonomik që mbështetet te fuqia punëtore e lirë.
Shtylla e tretë, “Serbia rritet me ne”, përmban masa më të drejtpërdrejta sociale: kufizimin e kontratave të punës me afat të caktuar nga 24 në 12 muaj, masa kundër monopoleve që ndikojnë në çmimet e produkteve, banim më të përballueshëm për të rinjtë dhe punëtorët e arsimit e shëndetësisë, si dhe përmirësimin e shërbimeve shëndetësore në zonat rurale.

Dafina Halili
Dafina Halili është gazetare e lartë në K2.0, e cila mbulon kryesisht çështje të drejtësisë sociale dhe të drejtave të njeriut. Dafina ka kryer studimet master në drejtimin e diversitetit dhe mediave në Universitetin e Westminster në Londër, Mbretëria e Bashkuar.
