
Zotimet e partive politike për zhvillimin e AI dhe TIK
K2.0 analizon programet zgjedhore.
&|05.02.2025
|
Infrastruktura digjitale
Gjatë mandatit qeverisës, LVV nuk pati ndonjë fokus të veçantë në investime dhe mbështetje në sektorin e TIK, veçanërisht në mbështetjen e sektorit privat.
U përurua një park teknologjik, por ai ishte projekt i nisur nga qeveritë e mëparshme. Në tetor 2023, u përurua Parku për Teknologji Digjitale “Tech Park Prishtina” në Bërnicë, një investim prej 1.2 milionë eurosh nga Qeveria e Kosovës përmes Ministrisë së Ekonomisë. Kjo hapësirë iu dha Shoqatës për Teknologji Informative dhe të Komunikimit të Kosovës (STIKK) për shfrytëzim për një periudhë pesë-vjeçare, me synimin për të nxitur inovacionin dhe ndërmarrësinë në sektorin e teknologjisë.
Ideja prapa parkut teknologjik është krijimi i lidhjeve të bashkëpunimit ndërmjet sektorit privat, shtetit, shoqërisë civile dhe akademisë, duke krijuar mundësi më të mira trajnimi dhe punësimi.
Ndërkohë, nismë nga LVV ishte mbështetja e shkollimit të vajzave dhe grave në fushat e STEM në institucionet publike të arsimit të lartë në Kosovë. Në këtë drejtim, qeveria ndau bursa në vlerë prej 1,000 eurosh për studente të STEM, duke synuar të inkurajojë pjesëmarrjen e tyre në këto fusha.
Ndërkaq, për dallim prej programeve gjatë dy fushatave të fundit për zgjedhjet e përgjithshme, LVV këtë herë ka publikuar një program zgjedhor me më pak hollësi. Në kapitullin “Inovacioni dhe Teknologjia” figurojnë vetëm dy paragrafë, të cilët flasin për krijimin e një valute digjitale dhe mbështetje për industrinë e TIK. Në këtë të fundit, programi i LVV është i fokusuar vetëm në ndërtesa; aty flitet për ideimin dhe ndërtimin e një “ICT Tower” (Kulla TIK) si investim publik në qendër të kryeqytetit, për kompanitë që tregohen të suksesshme në rritjen e punësimit.
Shembuj të tillë të krijimit të hapësirave të dedikuara për të rinjtë/rejat që duan të merren me këtë fushë ka pasur gjithnjë në vendet e rajonit, për shembull Piramida në Tiranë. Në Piramidën e Tiranës u zhvendos qendra e inovacionit TUMO Tirana. Ajo u hap në vitin 2020 nga Bashkia e Tiranës në bashkëpunim me Fondacionin Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim. Tani, qendra TUMO mëson fëmijë të grupmoshës 12 deri në 18 vjeç. Qëllimi i saj është t’u ofrojë fëmijëve mundësinë për të zhvilluar aftësitë e tyre digjitale.
Por mënyra e shfrytëzimit për këtë lloj hapësire në Prishtinë nuk është trajtuar fare në programin zgjedhor të LVV-së, duke ngritur më shumë pyetje se që janë dhënë përgjigje, dhe duke bërë kështu që premtimi të shihet vetëm si ide në letër e patrajtuar si duhet. Po ashtu, është e paqartë, për shembull, se çka do të ketë ndryshe ICT Tower me Parkun e Teknologjisë, të hapur në vitin 2023.
E njëjta gjë vlen edhe për “mbështetje për hapësira e objekte në qytetet kryesore”, fjali e shkruar pas asaj për Kullën TIK, por që sërish mungojnë sqarime për qëllimin dhe mënyrën e funksionimit të këtyre ndërtesave dhe hapësirave.
Krahas premtimit për një Kullë TIK, programi zgjedhor i LVV shpërfill në tërësi qendrat ekzistuese nëpër vend, sidomos në Prishtinë, që veç janë konsoliduar si pika kyçe për të rinjtë/rejat që drejtohen në këtë profesion dhe kompanitë lokale që nuk kanë nevojë për objekte shtesë. Një prej tyre është Qendra e Inovacionit e Kosovës (ICK), e cila prej vitit 2012, ka shërbyer si qendër trajnimi në këto fusha, inkubator i start-ups me bazë në AI, e edhe qendër ndërlidhëse mes të rinjve dhe tregut të punës.
Ndërkaq, në program nuk përmendet askund digjitalizimi i institucioneve arsimore. Në prill të vitit 2023, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kishte njoftuar për ndarjen e një buxheti prej 18 milionë eurosh për një periudhë tre-vjeçare, dedikuar blerjes së pajisjeve digjitale për shkollat. Digjitalizimi i arsimit është identifikuar si një nga pesë objektivat kryesore në Strategjinë e Arsimit 2022-2026.
Strategjia përfshin pesë drejtime kryesore për digjitalizimin e arsimit: krijimin e një platforme digjitale gjithëpërfshirëse dhe të centralizuar për fushën e arsimit, përgatitjen e materialeve mësimore digjitale për të gjitha nivelet, furnizimin e institucioneve arsimore me internet cilësor dhe pajisje teknologjike, kultivimin e kompetencës digjitale te të gjitha palët e përfshira në arsim, dhe krijimin e mekanizmave institucionalë që mundësojnë realizimin e digjitalizimit.
Megjithatë, deri më tani, disa nga këto nisma ende nuk janë zbatuar plotësisht, si për shembull digjitalizimi i shkollave. Ndonëse ka nisur si projekt në vitin 2023, në buxhetin e miratuar për 2025, shihet se shumë mjete financiare për digjitalizimin e shkollave janë bartur nga viti 2024.

Gentiana Paçarizi
Gentiana Paçarizi është redaktore menaxhuese në K2.0. Ajo ka mbaruar studimet master për gazetari dhe komunikim me publikun në Universitetin e Prishtinës ‘Hasan Prishtina’.

Arian Lumezi
Arian Lumezi është gazetar në K2.0. Ka përfunduar studimet master për Gazetari Ndërkombëtare nga Universiteti i Cardiff, të cilin e ka ndjekur përmes bursës “Chevening”.
Ky artikull fillimisht është shkruar në shqip.
Dëshironi të mbështetni gazetarinë tonë? Anëtarësohuni në "HIVE" ose konsideroni një donacion.