Pikëpamje | Ekonomia

Stagnimi i fshehtë i sektorit privat

Nga - 06.06.2019

Ndërmarrjet private po ballafaqohen me vështirësi prapa ‘lehtësisë së biznes-bërjes’ që po lartësohet në Kosovë.

Sektori privat lartësohet dhe turpërohet. Konsiderohet si kurrizi i rritjes ekonomike të Kosovës, ndërsa njëkohësisht është subjekt i kritikave të mëdha, posaçërisht sa i përket kushteve të punës dhe trajtimit të fuqisë punëtore.

Për më tepër, meqë konsiderohet si mundësuesi i rritjes ekonomike, sektori privat pritet të zgjerohet, përkundër sfidave të shumta dhe pengesave me të cilat vet pjesëtarët e sektorit pretendojnë që ballafaqohen. Sektori privat, përveç që promovon zhvillimin, gjithashtu pritet të sjell në mënyrë të drejtpërdrejtë mundësi më të mira dhe më të shumta për punësim.

Megjithatë, mangësitë e ambientit të biznesit, të kombinuara me tregun e kufizuar, dhe problemet në lidhje me sundimin e ligjit, janë pengesa që parandalojnë arritjen e potencialit më të lartë të sektorit privat. Si rrjedhojë e kësaj, sektori privat i Kosovës, ndonëse gjithnjë është në zhvillim e sipër, mbetet nën potencialin e tij. Ky artikull analizon sektorin privat të Kosovës duke përdorur të dhëna të publikuara nga Open Data Kosovo, si dhe raportet nga organizatat lokale dhe ndërkombëtare.

Ambienti i biznesit

Përderisa sektori privat i Kosovës vazhdimisht është ballafaquar me sfida në vitet e fundit, ambienti i biznesit në Kosovë është përmirësuar gjithnjë në renditjet e raporteve dhe analizave të organizatave lokale dhe ndërkombëtare. Vlen të theksohet se Kosova ka bërë hapa të mëdhenj për ta përmirësuar renditjen e saj në listën e Biznes-bërjes të Raportit të Bankës Botërore për Biznes-bërje.

Kosova është përfshirë në këtë raport prej vitit 2011, dhe prej atëherë renditja e saj është përmirësuar, pasi që në fillim renditej në mesin e shteteve në qerekun e ulët, e tani është shteti i 44-të nga 190 shtete të botës që janë përfshirë në raportin e fundit. Ndonëse progresi i Kosovës nuk ishte i mjaftueshëm për t’u shtyer me fqinjtë e rajonit deri në vitin 2017, në vitin 2019, Kosova i kaloi të gjitha përveç Maqedonisë së Veriut.

Sektori privat i Kosovës gjithashtu pengohet nga një gjendje e stagnimit, pasi që nuk është duke u zgjeruar.

Këto përmirësime gjerësisht janë konsideruar si lajme të mira, veçanërisht nga politikëbërësit. Progresi kryesisht i atribuohet lehtësimit të procedurave administrative që lidhet drejtpërdrejt me treguesit në raportin e biznes-bërjes. Lehtësia e hapjes së bizneseve, marrja e lejeve të ndërtimit dhe pagimi i taksave, janë rrjedhojë e përmirësimeve procedurale që nuk reflektojnë domosdoshmërisht përmirësime reale në zbatim.

E qartë është se Raporti i Biznes-bërjes përfaqëson një publikim shumë më të rëndësishëm për politikëbërësit se për pronarët e bizneseve dhe investitorët potencial. Studimet e kryera me shtetet e përfshira në raportin e Biznes-bërjes tregojnë se rreth 85 përqind të politikëbërësve e konsiderojnë raportin dhe renditjen si motiv për reforma, megjithatë, shumica nuk e konsiderojnë si udhërrëfyes për veprime. Ky ndikim rëndohet në shtetet që janë në zhvillim e sipër, ku politikat mund të jenë tepër të fokusuara në përmirësimin e renditjeve në raportet e tilla, se në përmirësimin real të ambientit të biznesit.

Kjo është e vërtetë edhe për Kosovën. Institucionet qeveritare që janë përgjegjëse për ta drejtuar progresin e arritur në raport i marrin meritat për suksesin. Në anën tjetër, sektori privat ende raporton vështirësi sa i përket biznesbërjes në Kosovë. Pengesat kryesore që po e pengojnë zhvillimin e sektorit privat lidhen me korrupsionin, informalitetin dhe konkurrencën e padrejtë, si dhe tregun e kufizuar.

Ndonëse masat e progresit sa i përket procedurave dhe politikave tregojnë që Kosova është në rrugën e duhur, nevojitet shumë më shumë progres sa i përket përmirësimit të ambientit real të biznesit, posaçërisht në lidhje me luftën kundër korrupsionit dhe informalitetit. Deri sa të tejkalohen këto pengesa, sektori privat i Kosovës mund të bëjë progres të qëndrueshëm, por me gjasë nuk do të jetë një ndër faktorët kryesor që mundësojnë suksesin ekonomik.

Sektori privat i Kosovës

Ndonëse një ambient i zhvilluar i biznesit është kusht i domosdoshëm për rritjen e sektorit privat, sidoqoftë nuk mjafton vetëm ai. Sektori privat i Kosovës gjithashtu pengohet nga një gjendje e stagnimit, pasi që nuk është duke u zgjeruar.

Ndonëse Kosova ka një numër të konsiderueshëm të bizneseve që po operojnë në sektore që janë në zgjerim e sipër, kemi një përqendrim të madh të bizneseve në tregti me shumicë dhe pakicë, ku më shumë se gjysma e bizneseve operojnë në këto sektore, sipas Open Business Database. Sektorët me potencial për rritje, krijim të vendeve të punës dhe eksport, si sektorët e prodhimit, informacionit dhe teknologjisë së komunikimit (ICT), mbesin të nënzhvilluar dhe kanë potencial të nënshfrytëzuar.

Shumë të pakta duken gjasat që sektori privat do të krijojë vende pune që janë të domosdoshme për të ndikuar në rritje të dukshme.

Hyrja në fuqi e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit (MSA) ndërmjet BE-së dhe Kosovës në vitin 2016 u prit ta përmirësojë produktivitetin e ndërmarrjeve kosovare dhe të ketë ndikim pozitiv në rritjen ekonomike, por rezultatet mbesin të shihen. Në mënyrë që MSA-ja të ketë ndikim të dukshëm pozitiv, sektorët që kanë potencial për eksport dhe ato që kanë potencial për t’u përfshirë në zinxhire globale të furnizimit duhet të zhvillohen më tej. E qartë është se sektorët e tregtisë me shumicë dhe pakicë nuk kanë potencial të tillë.

Në përgjithësi, aktivitetet me të cilat merren më së shumti bizneset brenda sektorëve të tyre tregojnë pak përmirësim sa i përket aktiviteteve produktive gjatë viteve. Shumica e bizneseve që operojnë në industrinë e shërbimeve merren me shërbim të produkteve ushqimore. Shumica e bizneseve që operojnë në ndërtimtari janë të përfshira në ndërtimin e ndërtesave të banimit. Bizneset që operojnë në sektorin e tregtisë me shumicë dhe pakicë kryesisht merren me ushqim, pije dhe tesha. Si rrjedhojë e kësaj, me gjithë potencialin që e kanë këta sektorë, bizneset kryesisht janë të përqendruara në aktivitete të konsumimit.

Sipas platformës Open Business, shumica dërrmuese e bizneseve aktive në Kosovë janë mikrondërmarrje dhe ndërmarrje të vogla. Gjegjësisht, 98 përqind e të gjitha ndërmarrjeve në Kosovë janë mikrondërmarrje që i punësojnë një deri në nëntë njerëz. Nga 165,268 biznese aktive në Kosovë, 421 janë ndërmarrje të mesme, që i punësojnë 50-249 njerëz, dhe vetëm 82 janë të listuara si ndërmarrje të mëdha me më shumë se 251 punëtorë.

Gratë në Kosovë në përgjithësi nuk trashëgojnë kapital dhe vetëm rreth tetë përqind të grave kanë prona nën pronësinë e tyre.

Për më tepër, më shumë se 80 përqind e bizneseve janë të regjistruara si biznese individuale, që në shumicën e rasteve janë mjete për vetëpunësim, në vend se të bazuara në plane për rritje.

Duke marrë parasysh sektorin e ngopur publik, sektori privat konsiderohet si shtytësi kryesor i rritjes dhe krijuesi më i madh i mundësive të punësimit. Megjithatë, për shkak të madhësisë së vogël të ndërmarrjeve ekzistuese, me trendin e vazhdueshëm të moszgjerimit të stafit, shumë të pakta duken gjasat që sektori privat do të krijojë vende pune që janë të domosdoshme për të ndikuar në rritje të dukshme.

Gratë në sektorin privat të Kosovës

Përderisa sektori privat në përgjithësi është në një pozitë jo fort të dëshirueshme, është edhe më problematik kur analizohet nëpërmjet lentes gjinore. Sipas sondazhit të Institutit Riinvest, vetëm rreth 10 përqind të bizneseve në Kosovë janë nën pronësi të grave. Ato janë pothuajse ekskluzivisht mikrondërmarrje. Sektorët kryesorë në të cilët operojnë bizneset e drejtuara prej grave janë sallonet e ondulimit dhe shërbimet e ngjashme, si dhe bizneset e tregtisë me pakicë, veçanërisht dyqanet ushqimore dhe dyqanet që shesin tesha dhe tekstil.

Siç ndodh gjithandej nëpër botë, gratë kosovare ballafaqohen me sfida më të mëdha se burrat sa i përket nisjes dhe udhëheqjes së bizneseve. Ndërmarrëset gra në Kosovë i theksojnë pengesat në biznesbërje që lidhen me faktorët shoqërorë, si obligimet familjare dhe vështirësitë e qasjes në financa, si dhe pengesat e tregut, që janë të ngjashme me ato që ballafaqohen burrat.

Numri i ulët i grave si pronare të bizneseve në Kosovë ndikohet shumë nga pritjet shoqërore që gratë të jenë amvise apo të punojnë vetëm si punëmarrëse, në vend se t’i udhëheqin vet bizneset. Ky problem përkeqësohet më tej kur konsiderojmë se nevojitet kapital për të nisur dhe operuar një biznes, faktor ky që përbën një pengesë për gratë kosovare.

Shumica e ndërmarrëseve gra në Kosovë i kanë nisur vet bizneset e tyre, të motivuara nga të hyrat shtesë dhe pavarësia ekonomike që ua mundëson pronësia e biznesit.

Gratë në Kosovë në përgjithësi nuk trashëgojnë kapital dhe vetëm rreth tetë përqind të grave kanë prona nën pronësinë e tyre, gjë që përfaqëson një problem për rritjen e biznesit, posaçërisht sa i përket qasjes në financa. Prandaj shumica mbështeten tek bashkëshorti, babai apo vëllezërit për të vënë prona në hipotekë kur kërkojnë kredi.

Qasja në prona dhe mungesa e trashëgimisë konsiderohet pengesë me të cilën nuk ballafaqohen ndërmarrësit burra. Pengesat në biznes-bërje që janë specifike për gjini, të kombinuara me një përqendrim të grave në sektorë më pak produktiv të ekonomisë, përfaqësojnë një perspektivë shqetësuese për ndërmarrëset gra në Kosovë.

Përtej kësaj, numri i bizneseve që janë nën pronësi të grave nuk tregojnë një trend shumë pozitiv, sipas të dhënave nga platforma Open Business. Analiza e ndërmarrësisë së grave në Kosovë e zhvilluar nga Instituti Riinvest tregon që gratë konsiderojnë mungesën e përvojës së tyre në menaxhim të biznesit dhe mungesën e trajnimit si pengesa në operimin e bizneseve të tyre. Vështirësitë e tilla rrallëherë listohen nga burrat që kanë biznese nën pronësinë e tyre.

Pavarësisht vështirësive në sektorë dhe madhësisë së ndërmarrjeve, gratë dhe burrat dallojnë në qasjen e tyre të punësimit të stafit. Instituti Riinvest gjeti se gratë të cilat kanë nën pronësinë e tyre biznese të vogla përdorin kritere më standarde të punësimit të stafit në krahasim me burrat. Bizneset që janë nën pronësi të grave në Kosovë gjithashtu kanë qarkullim shumë më të ulët se ato të burrave, punësojnë numër më të ulët të punëtorëve, dhe janë të përqendruara në sektorë me vlerë të ulët të shtuar.

Për ta lehtësuar rritjen e sektorit privat, është jetike ta kemi një ambient funksional të biznesit.

Pavarësisht vështirësive, shumica e ndërmarrëseve gra në Kosovë i kanë nisur vet bizneset e tyre, të motivuara nga të hyrat shtesë dhe pavarësia ekonomike që ua mundëson pronësia e biznesit.

Megjithatë, sa i përket pengesave, ndërmarrësit burra dhe gra e konsiderojnë tregun e vogël, normat e tatimit dhe informalitetin si pengesa të mëdha të biznes-bërjes. Këto pengesa reflektojnë gjendjen e ambientit të biznesit, i cili pavarësisht që rënditet mirë në listën e Biznes-bërjes të Bankës Botërore, në realitet është duke u ballafaquar me vështirësi.

Një dallim i madh është intensiteti që ia caktojnë pronarët e bizneseve korrupsionit si pengesë në biznes-bërje, ku gratë e rendisin si pengesë më të vogël, ndërsa burrat si pengesën e dytë më të madhe në biznes-bërje, sipas sondazhit të Riinvest. Një pjesë e këtij dallimi shpjegohet nga fakti se gratë operojnë biznese më të vogla që nuk angazhohen në prokurim publik apo marrëveshje të vlerës së lartë, ku perceptimi i korrupsionit është më dominant. Megjithatë, studimet tregojnë se gratë kanë tendencë t’i japin më shumë peshë pengesave të përvetësuara, si mungesa e përvojës së udhëheqjes së biznesit, dhe më pak peshë faktorëve të jashtëm.

Në përgjithësi, e ardhmja ekonomike e Kosovës mbështetet në rritjen dhe zhvillimin e sektorit privat, si faktor thelbësor për zhvillimin socio-ekonomik të vendit. Megjithatë, për ta lehtësuar rritjen e sektorit privat, është jetike ta kemi një ambient funksional të biznesit. Për ta lehtësuar zhvillimin e qëndrueshëm dhe përfshirës, është jetike të ndërmarrim hapa të mëdhenj për ta përmirësuar sundimin e ligjit dhe luftuar korrupsionin, informalitetin dhe praktikat diskriminuese.

Për Kosovën ka qenë i lehtë modifikimi i strukturës ligjore dhe procedurave administrative për ta përmirësuar sipërfaqësisht ambientin për biznesbërje. Për t’u siguruar që zhvillimi i sektorit privat merr formën e rritjes së qëndrueshme dhe afatgjate, hapat e ardhshëm duhet t’i adresojnë aspektet më përmbajtësore. E vetmja mënyrë për të ndodhur kjo është duke u siguruar që hapat e ardhshëm janë të përshtatur për të çuar deri te rritja përfshirëse dhe pa diskriminim.

Foto kryesore: Faton Selani / K2.0.