Tash që Kosova po e feston 10-vjetorin e pavarësisë së saj, është kohë e mirë të bëhet një vlerësim i përgjithshëm dhe të rishqyrtohen politikat e bashkësisë ndërkombëtare. Organizatat ndërkombëatre kanë luajtur rol të madh në përpjekjet për ndërtimin e shtetit të Kosovës, si dhe për zbutjen e tensioneve ndërmjet grupeve të ndryshme etnike në vend, për zbatimin e sundimit të ligjit, për zhvillimin e ekonomisë dhe për të ndihmuar rreth integrimit të Kosovës në BE. Por a ka qenë gjithmonë korrekte dhe e suksesshme qasja e tyre?
Ndërtimi i shtetit
Institucionet shtetërore të Kosovës rregullisht përshkruhen si të dobëta në dokumentet e BE-së për zgjerim. Por shtetet e BE-së, SHBA-të dhe shtetet anëtare të OKB-së të cilat ishin të përfshira në procesin e ndërtimit të shtetit të Kosovës nëpërmjet UNMIK-ut (Misioni Organizatës së Kombeve të Bashkuara në Kosovë, 1999-2008), ICO-së (Zyra Civile Ndërkombëtare, 2008-2013) dhe EULEX-it (Misioni i Bashkimit Europian për Sundim të Ligjit, 2008-), ndajnë përgjegjësi për këtë.
Në studimin tim për ndërtimin e institucioneve të pasluftës në Kosovë gjeta se institucionet bëhen më efektive kur mbikëqyrësit ndërkombëtarë përdorin fuqinë e tyre për t’i veçuar ato institucione nga rrjetet socio-politike. Ky veçim ka garantuar një nivel më të lartë të meritokracisë dhe profesionalizmit duke kufizuar praktikat patriarkale dhe neotrashëgimore të punësimit – gjegjësisht ato që janë të bazuara në klientelizëm apo rrjete politike, sociale, personale, familjare e regjionale.
Është turp që ‘ndërtuesit ndërkombëtarë të shtetit’ nuk i përfshinë të gjitha, apo të paktën shumicën e institucioneve publike të administrimit në këtë proces të veçimit, por e rezervoi atë vetëm për një numër të vogël të tyre, veçanërisht Doganën dhe Policinë.
Ky fokus në një numër të vogël të institucioneve publike për rritjen e nivelit të efektshmërisë nuk është e vetmja e metë në procesin e ndërtimit të shtetit. Një tjetër veçori kyçe e procesit të ndërtimit të institucioneve është fokusi i tepërt në institucionet politike (Parlamenti, ekzekutivi) në dëm të institucioneve burokratike dhe shërbimeve publike.
Përveç kësaj, pati theks të madh në garantimin e mbipërfaqësimit të minoriteteve etnike në këto institucione politike (një kohë serbët e Kosovës iishin mbi 18 për qind të ulëseve në Parlament, përderisa përbënin 4 për qind të popullsisë), në dëm të aspekteve të tjera të demokratizimit dhe modernizimit. Për shkak të kësaj u shpërfillën ndarjet e tjera shoqërore të cilat mund të themi se janë më të rëndësishme (rural-urban, klasat), si dhe minoriteti rom, i cili është në disavantazh në shoqëri.
Marrëdhëniet ndëretnike
U lejua acarimi i ndarjeve etnike ndërmjet komunitetit shumicë të shqiptarëve të Kosovës dhe komunitetit pakicë të serbëve të Kosovës. Gjithashtu, Serbia u lejua t’i ruajë institucionet e saj paralele brenda Kosovës, që ishte shkelje e qartë e Rezolutës 1255 të Këshilit të Sigurimit të OKB-së. Pavarësisht kësaj, u zhvillua një kohortë e liderëve të pavarur politikë të serbëve të Kosovës.
Por së fundmi ata kanë mbetur të paktë në numër në krahasim me politikanët e Listës Serbe e cila kontrollohet nga Beogradi. Punët me serbët e Kosovës i janë transferuar Beogradit nëpërmjet dialogut Kosovë-Serbi që sposorizohet nga BE-ja. Pra, nuk ishin të befasishme akuzat e serbëve të Kosovës ndaj Beogradit për vrasjen e liderit serb të Kosovës, Oliver Ivanoviq, partia e të cilit është rivale e Listës Serbe.
Sundimi i ligjit
Ngjashëm ka pësuar edhe sundimi i ligjit, sepse asnjëherë nuk kemi parë përpjekje serioze nga “ndërtuesit ndërkombëtarë të shtetit” për ta ndërtuar një sistem gjyqësor i cili është i pavarur nga ndikimi i rrjeteve politike. Kjo ka bërë që të themelohet EULEX-i, Misioni i BE-së për Sundimin e Ligji. Edhe ky projekt ka dështuar sa i përket progresit të sundimit të ligjit.
Dështimi i tij është një prej arsyeve për themelimin e Dhomave të Specializuara për hetimin e krimeve që pretendohet të jenë kryer nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës kundër serbëve dhe shqiptarëve të Kosovës. Në bazë të performancave të EULEX-it dhe Tribunalit të Hagës, kjo nismë me gjasë nuk do të arrijë të sjellë drejtësi për viktimat, kryesisht për shkak të qasjes që e ka ndaj ballafaqimit me të kaluarën, qasje kjo e cila fokusohet në ndjekjen e një numri të vogël liderësh të nivelit të lartë.
Ekonomia
Në hulumtimin tim për institucionet e Kosovës gjeta se arsyet kyçe për ndikimin e madh të rrjeteve klienteliste politike është fakti se vendet e punës në sektorin publik janë shumë të dëshirueshme. Kjo është kryesisht për shkak të faktit se ekziston një numër shumë i vogël i vendeve të punës në sektorin privat.
Ekonomia nuk ka arritur të krijojë vende të mjaftueshme të punës për shkak të politikave të dobëta të privatizimit masiv – të cilat shkaktuan shkatërrimin e kapacitetit të prodhimit për shkak se makineritë e privatizuara u shitën për pjesë dhe fabrikat u shndërruan në depo – si dhe për shkak të mungesës së përpjekjeve për ndërtimin e bazës lokale industriale.
Vendet ekzistuese të punës në sektorin privat janë shumë të pasigurta, nuk ofrojnë stabilitet dhe janë me orare të gjata. Përveç migrimit, vendet e punës në sektorin privat janë e vetmja mënyrë për ta siguruar një jetë relativisht të mirë për pjesën më të madhe të njerëzve.
Integrimi në BE
Së fundmi Kosova u godit nga BE-ja kur u publikua strategjia e saj e zgjerimit në shkurt të vitit 2018. Në të nuk u ofrua një rrugë e qartë për anëtarësimin e Kosovës. Kjo është e rëndësishme për shkak se e gjithë kultura politike, duke përfshirë këtu disa marrëveshje në lidhje me autonominë e serbëve të Kosovës, është e bazuar në supozimin se Kosova do të integrohet në BE në të ardhmen.
Pa atë mundësi, mund të kemi pengesa drejt zhvillimit institucional, veçanërisht sa u përket marrëveshjeve për autonominë e minoriteteve, si për shembull autonominë e komunitetit serb, për të cilin u arrit marrëveshja ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në negociatat e sponsorizuara nga BE-ja. Po ashtu, për liderët me mendësi trashëgimore, marrëdhëniet më të afërta me ‘burrështetasin’ e Turqisë, Erdogan – i cili po përpiqet ta rrisë nivelin e ndikimit të Turqisë në Ballkan – mund të duken më joshëse tash që po përballen me bllokadat e BE-së.
Mund të na kenë ikur disa mundësi për ta përmiërsuar zhvillimin institucional të Kosovës. Ka ardhur koha që palët relevante të interesit në komunitetin ndërkombëtar ta rimendojnë qasjen e tyre ndaj Kosovës. Kemi nevojë për përpjekje për ta shtuar efektshmërinë institucionale, dhe këto përpjekje duhet të jenë në përputhje me krijimin e bazës lokale industriale që të krijohen vende të reja të punës.
Foto kryesore: Besnik Bajrami / K2.0