Sporti i Kosovës ka hyrë në një epokë të re.
Për shumë vite, sporti kosovar u karakterizua me mungesë të njohjes, përplot me rrëfime për federatat kosovare që kërkonin njohje të organizatave drejtuese ndërkombëtare dhe për yjet kosovare që garonin me ngjyrat e shteteve tjera. Rrugëtimi i Kosovës si shtet i cili kërkon njohje u zhvillua vazhdimisht në një mikrokosmos konferencash dhe ngjarjesh sportive në mbarë botën. Kosova donte të luante.
Por, ky rrëfim tani mund të ec tutje. Në vitin 2016 ekipi i Kosovës garoi në ndeshjet kualifikuese të garave ndërkombëtare në hendboll, basketboll dhe futboll. Pastaj erdhën lojërat Olimpike. Kosova e dërgoi një ekip atletësh në Rio 2016 për të marrë pjesë në këto lojëra për herë të parë në historinë e saj. Njëra prej atleteve, Majlinda Kelmendi, u kthye me medalje të artë.
Hapi i para në këtë epokë të re të sportit kosovar duhet të mbahet mend dhe të festohet: ndeshjet e para të Kosovës dhe medaljet e para të Kosovës. Të gjitha këto ishin fitore që u korrën me shumë mund. Për t’i dhënë kontribut këtij festimi, monografia jonë e sportit nis me storien e debutimit të Kosovës në Kampionatin Botëror në futboll; një udhëtim plot emocione në Finlandë, i cili nxori në pah edhe pengesat e mbetura edhe potencialet e hatashme të cilat janë mundësuar të tregohen falë njohjes.
Siç e di çdo sportist i arsyeshëm, festimet nuk mund të zgjasin deri në pafundësi. Duhet ta kthejmë shpejt vëmendjen te loja sepse 1-0 për ne mund të bëhet shpejt 2-1 për ata. Është me rëndësi të vetëvlerësohet dhe të analizohet gjendja aktuale e sportit kosovar.
Deri sot, federatat kosovare nuk ka ngritur edhe aq peshë, duke u angazhuar për Kosovën jashtë vendit, duke kërkuar dëshpërimisht njohje. Tash duhet të ballafaqohen me kritika shtesë. Në storien tonë të dytë: “Korridoret e pushtetit”, Moral Pozhegu i hedh një vështrim drejtuesve të organeve udhëheqëse sportive të Kosovës dhe pyet: sa po i shërbejnë ato sportistëve?.
Pastaj vjen në diskutim infrastruktura — vendet që janë nikoqire të sportit kosovar, vendet ku bëhen kampionët, ku thehen rekordet dhe ku shpërthejnë emocionet e tifozëve. Ato janë shpërfillur për shumë kohë. Eseja jonë me fotografi: “Shtëpitë e sportit kosovar” na ngërthen në këtë botë të sportit kosovar, të historisë dhe të së ardhmes së saj, dhe, ç’është më e rëndësishmja, të së tashmes unike e cila ekziston vetëm në këtë moment. Kjo, për shkak se këto vende po transformohen, kryesisht për shkak të ndryshimit të pas investimeve të shtetit të Kosovës në sport.
Infografika jonë: “Pa lekë, s’ka sport” na ndihmon të kuptojmë se si kanë rrjedhur shpenzimet qeveritare në sport përgjatë 15 viteve të fundit, dhe si do të ndryshojë kjo në periudhën e pas njohjeve.
Përkundër problemeve aktuale, e ardhmja padyshim duket më e ndritshme dhe ky është vetëm fillimi. Derisa djemtë e kanë bërë debutimin e tyre në shtatorin që shkoi, përfaqësuesja e femrave e zhvillon ndeshjen e parë kualifikuese të Kampionatit Botëror muajin që vjen. Ne po ashtu shohim se si mund të nxjerrin frymëzim nga dy lojtaret më të mira evropiane, të dyjat me origjinë nga Kosova, në storien tonë: “Hapave të kampioneve”.
Fryëzim të një pararendëse e saj po gjen edhe Distria Krasniqi, xhudiste 21-vjeçare e cila shpreson ta përsërisë suksesin e Majlinda Kelmendit duke fituar edhe një medalje olimpike për Kosovën në garat e xhudos. Për fat të keq, pengesa kryesore është vetë Majlinda — Distria duhet ta mposhtë heroinën e saj për të dalë para saj. Entuziasti i kahmotshëm i xhudos, Virtyt Gacaferri, na e rrëfen storien unike të Distrias me shkrimin e tij: “Të përballesh me madhështinë”.
Derisa e ardhmja sportive e Kosovës po bëhet gjithnjë e më emocionuese, njohja e Kosovës ka prodhuar qiell me vranësira për vendet tjera të cilat janë mbështetur në mungesën e saj në botën sportive për t’i shfrytëzuar talentet me origjinë nga Kosova.
Fakti që Shqipëria ka humbur disa prej këtyre sportistëve ka shtruar pyetje ekzistenciale te shqiptarët në gjithë Ballkanin dhe më gjerë. Tiranasi Ermal Kuka e shtron pyetjen: “A jemi një?”
Pavarësisht dilemave, njohja i ka kthyer çështjet e sportit të Kosovës aty ku edhe e kanë vendin, në tokën e Kosovës. Ka ardhur koha të marrim atë që na takon. Ka ardhur koha të shtjellojmë e të analizojmë. Por, ç’është më e rëndësishmja, ka ardhur koha të tregojmë ambicie; e ardhmja është më e ndritur se kurrë më parë.
Ka ardhur koha t’i shtendosim muskujt dhe të vrapojmë e të notojmë sa më shpejt që të jetë e mundur, të kërcejmë e të gjuajmë treshe, të provojmë e t’i rrëzojmë njerëzit në shpinë dhe të fitojmë me ippon, të gjuajmë jashtë njëmbëdhjetëmetërshit. Kosovarët tash mund t’ia mësyjnë botës — dhe të fitojnë. Ka ardhur koha të dalim në pah.K
Foto kryesore: Majlinda Hoxha / K2.0.
Kthehu prapa tek Monografia e Sportit