Përgjatë viteve, zgjidhja tipike e shtetit ndaj probleme të shkaktuara nga qentë endacakë ka qenë e thjeshtë: gjuajtja me armë, gjuetia dhe vrasja. U mendua se protestat dhe zgjidhjet alternative si vaksinimi dhe kastrimi e kishin ndryshuar këtë praktikë, por një incident në Podujevë para disa ditësh ka treguar se autoritetet kosovare po vazhdojnë të lejojnë përdorimin e armëve të zjarrit ndaj qenve endacakë.
Të marten (25 prill), qytetarët e Podujevës raportuan se rrugët e qytetit ishin mbushur me gjak, pasi që një shoqatë e gjuetarëve e quajtuar “Llapi” kishte ndërmarrë një aksion gjuajtjesh me armë “për ta vënë nën kontroll rrezikun nga qentë”. Akivistët raportuan se gjuetarët ishin shoqëruar nga Policia e Kosovës.
Raportet që pasuan zbuluan se Komuna e Podujevës ka nënshkruar një kontratë me këtë kompani më 4 prill të këtij viti. Kontrata është për “intervenim ndaj qenve endacakë në rastet urgjente” dhe arrin vlerën prej 7,467.20 eurove. Megjithëse nuk përmendet në kontratë, aktivistët thonë se gjuetarët pritet të vrasin së paku 600 qenë për këtë shuë parash.
Komuna e Podujevës i kishte thënë Klan Kosovës se aksioni ishte në pajtim me kornizën ekzistuese ligjore, meqë ka rreth 2,000 qenë endacakë të cilët e rrezikojnë jetën e qytetarëve dhe si shoqata e gjuetarëve ashtu edhe Komuna e Podujevës kanë deklaruar se ata po i vrasin vetëm ata qenë që paraqesin rrezik. Por, një videoxhirim i bërë nga qytetarët lokalë shfaq këlyshë ndërsa nëna e tyre vritet në gjumë.
Zgjidhja e problemit
Qentë endacakë gjihmonë kanë qenë temë kundërthënëse. Vdekja e një 5-vjeçari e shkaktuar nga një turmë e qenve endacakë në dhjetor të vitit 2014 ka rezultuar me reagime të mëdha në media, megjithëse disa aktivistë të të drejtave të njeriut (duke përfshirë edhe Dafina Pacën për K2.0) kanë pasur përshtypjen se raportet e mediave nuk i kanë përmendur detajet kyçe në lidhje me këtë incident.
Paca theksoi se edhe djali edhe qentë po kërkonin ushqim në kontejnerë, dhe sulmi ishte rezultat i mbrojtjes së burimit të ushqimit nga ana e qenve. Siç tha Paca: “Edhe djali edhe qentë kishin sjellje instinktive të shtyrë nga uria dhe vuajtja, dhe asnjëri prej tyre nuk kishte zë”.
Pavarësisht opinioneve në lidhje me këtë incident të hatashëm, sulmet në njerëz, shikuar në përgjithësi, kanë qenë të pakta; po atë vit, sipas raporteve policore, kishte vetëm 10 raste të incidenteve me qentë endacakë.
Kundërshtimi i vrasjes së qenve endacakë u bë më i theksuar viteve të fundit, ndërsa aktivistë të të drejtave të kafshëve vënë në pah mizorinë dhe mosefikasitetin e kësaj metode. Ata theksojnë se jo gjithmonë qentë vdesin nga gjuajtjet me armë, por përjetojnë vdekje të dhimbshme përmes infeksioneve dhe humbjes së gjakut, derisa numri i përgjithshëm i qenve endacakë nuk duket se po zvogëlohet. Vakuumi i lënë dhe vrasja paraqet mundësi për qentë e tjerë që ta mbushin këtë hendek, si dhe nxit shumim të mëtejmë për shkak të më shumë mjeteve në dispozicion.
Kap, kastro, vaksino, lësho
Alternativë e vrasjes është ‘metoda CNVR’, shkurtesë e gjuhës angleze për fjalët kap, kastro, vaksino, lësho. Kjo është metodë të cilën e preferon StrayCoco-ja, fondacion ndërkombëtar i cili punon për kontrollimin e qenve endacakë përmes bashkëpunimit, dhe është aktive në vendet me numër të madh qensh endacakë, duke përfshirë edhe Kosovën.
Më 7 dhjetor, 2016, Oda Veterinare e Kosovës, shoqatë e pavarur e veterinarëve, ka dhënë një deklaratë duke i dhënë mbështetje metodës CNVR si metoda më e mirë për trajtimin e qenve endacakë. Shumë komuna anembanë Kosovës kanë filluar ta përvetësojnë këtë metod, dhe ajo deri tash po përdoret në Prishtinë, Deçan, Gjakovë, Rahovec, Pejë, Prizren, Graçanicë dhe Malishevë.
Blendi Bejdoni është një veterinar i cili së bashku me bashkëshorten e tij drejton një ordinancë veterinare afër Rahovecit. Që nga regjistrimi i saj në vitin 2015, kjo ordinancë ka trajtuar rreth 4,000 qenë nga e gjithë Kosova me metodën CNVR.
“Trajtimi fillon me kapjen e qenëve në habitatin e tyre dhe transportimin e tyre në ordinancën tonë”, shpjegon ai. “Ne i vaksinojmë me vaksinën DHPPi dhe u japim tableta kundër parazitëve të brendshëm. Të nesërmen, qentë i nënshtrohen intervenimit kirurgjik — sterilizohen apo kastrohen, varësisht nga gjinia — dhe njëkohësisht u japim vaksinë kundër tërbimit dhe matrikulimit”.
Qentë pastaj vihen nën vëzhgim për tri deri në pesë ditë, kur edhe lëshohen në habitatin e tyre natyror. Vetëm në rastet kur qentë janë të sëmurë apo agresivë, ordinanca aplikon eutanazi.
Bejdoni thotë se kjo është metoda e vetme e suksesshme për trajtimin dhe reduktimin e numrit të qenëve, dhe hapa të këtillë përdoren anembanë Europës.
Megjithatë, përvetësimi i CNVR-së shumë shpejt mund të marrë formë tjetër kur zbatohet në Kosovë, ku vëmendje më e vogël i kushtohet hapit të fundit të kësaj metode, pra ‘lësho’. Së fundi ka dalur një projekt-rregullore e re e Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë së Kosovës (AUVK). Kjo rregullore parasheh që pasi të kapen kafshët, dhe pasi të vaksionhen e të kastrohen nëpër strehimore, nëse ato nuk adoptohen brenda 30-ditëve, ato duhet të vriten.
OJQ-të e të drejtave të kafshëve i janë përgjigjur furishëm kësaj rregulloreje, dhe kanë gjetur përkrahje për protestat e tyre te Oda Veterinare e Kosovës. Protestuesit e kanë quajtur këtë projekt-rregullore si mizore dhe të kushtueshme, sepse të njëjtit qenë të cilët kapen, vaksinohen dhe kastrohen, në fund edhe eutanizohen.
Janë bërë edhe pretendime se këtu ka përfitime. Strehimoret aktualisht marrin fonde nga komunat për çdo qen të procesuar me metodën CNVR; Qendra Kosovare për Strehim dhe Trajtim të Qenve Endacakë në Harilaq thotë se kjo shumë fillon nga 30 për një qen, varësisht nga lokacioni. Shtoja kësaj nja 25 ditë shtesë të strehimit, fatura të ushqimit dhe koston e eutanazisë, dhe shumat të cilat do t’i marrin strehimoret gjithsesi do të jenë më të mëdha, e aktivistët llogarisin se kjo do të jetë diku rreth 70 euro për qen.
Projekt-rregullorja është e ngjajshme me legjislacionin ekzistues të Shteteve të Bashkuara. Por OJQ-të për të drejtat e kafshëve, të cilët thonë se nuk ishin konsultuar gjatë procesit të hartimit, kanë deklaruar se Kosova nuk ka traditë të njëjtë të adoptimit të qenve e cila ekziston në ShBA, dhe se adoptimi i qenve është gjë e rrallë — fakt të cilin e konfirmuan edhe strehimoret.
Dafina Paca pajtohet dhe gjithashtu thekson se periudha 30-ditëshe e pritjes në ShBA ekziston që qeni të testohet nga biheivoristët për të parë nëse agresioni i tij bazohet në keqtrajtaimin njerëzor, si dhe për të vlerësuar nëse qeni mund të mësohet të ketë sërish besim.
Paca është skeptike se ky proces do të zbatohet në Kosovë dhe gjithashtu beson se korrupsioni është motivi prapa kësaj rregulloreje të re. “Në thelb, ky ligj ka të bëjë me fitim të parave nga zyrtarë të korruptuar”, thotë ajo. “Sepse ata nuk janë ekspertë dhe ju mungojnë njohuritë në këtë fushë dhe nuk dëshirojnë të mësojnë sepse kështu humbin para”.
Qentë shtëpiakë në rrugë
Helen Wormser, kryetare e Bordit të organizatës StrayCoCo, nuk beson se edhe CNVR-ja e zbatuar mirë mund të ketë sukses vetvetiu, po që se nuk adresohen edhe disa çështje. Ajo beson se rrënja e problemit qëndron te braktisja e qenve shtëpiakë, të cilët lihen në rrugë.
Ajo nxjerr në pah situatën në Pejë, ku një program i CNVR-së ka trajtuar më shumë se 1,400 qenë. Pasi që programi u ndal për gjashtë muaj, niveli i qenve në rrugë ishte i njëjtë si më parë. Ky shtim dukej qartë se nuk ishte rezultat i shumimit të qenve ekzistues endacakë, sepse shumica e tyre ishin kastruar.
Bejdoni thotë se ordinanca e tij në Rahovec ka trajtuar më shumë se 4,000 qenë endacakë për vetëm dy vjet, derisa Qendra në Harilaq gjithashtu raporton se trajton 700 qenë për çdo gjashtë muaj. Duke u nisur nga numri i tenderëve publikë vetëm për trajtimin, duket se ky kastrim i gjithëpërhapur nuk ka rezultuar me rënie drastike të numrit të qenve endacakë.
Womser e ka të qartë se nga burojnë këta qenë: “Njerëzit, pronarët e qenve, i braktisin gjithandej, në të gjitha komunat”.
Dafina Paca shton se edhe një test i ADN-së i cili u realizua në Mbretërinë e Bashkuar prej qenve të aadoptuar nga Kosova e vërteton këtë pohim, sepse asnjëri prej qenve të testuar nuk ishte në të vërtetë qen i egër. “Qentë e egër në Afrikë janë shumë ndryshe prej qenve në Kosovë”, thotë ajo. “Qentë e rrugëve në Kosovë na dëshmojnë se ata janë qenë racash të përziera. Ata gjenetikisht gjithastu janë me pedigre, si dobermanë, golden retrievers, labradorë, dhe qenë sharri janë shumë të shpeshtë”.
Paca konsideron se qentë e rrugëve në Kosovë nuk burojnë natyrshëm por janë rritur dhe nuk janë në gjendje t’i mbijetojnë botës së egër. “Nëse e marrim Afrikën për shembull, entë e egër kanë evoluuar, duke u shumuar pa pronarë”, thotë ajo. “Ata janë shumë të vegjël me trup, janë bërë të ngjajshëm, dhe kanë karakteristika të ngjajshme. Derisa në Kosovë ka përzierje racash, raca të ndryshme të cilët njerëzit i kanë blerë dhe i kanë braktisur, sepse nuk kanë qenë të përgatitur për krejt procesin apo nuk i kanë kastruar”.
Mbrojtjet ligjore
Rrënjët potenciale të qenve si kafshë shtëpiake kësaj çështjeje i japin një dinamike interesante ligjore. Ligji për Përkujdesjen ndaj Kafshëve i vitit 2001 në lidhje me vrasjen e qenve thotë: “përveç në rastet emergjente të cilat dukshëm tregojnë dhembje ekstreme që mund të pasojnë me ngordhje, vetëm veterinari ose personi tjetër kompetent lejohet të vras kafshën e llojit të zbutur ose çfarëdo kafshe të egër e cila është zbutur”.
Shumë njerëz e kanë kuptuar këtë përshkrim se sugjeron që të gjitha vrasjet selektive të qenve endacakë me gjuetarë e armë janë ilegale, duke përfshirë edhe kritikat sa i përket kostos, efikasitetit dhe mizorisë së kësaj metode.
Zbatimi i Ligjit për Përkujdesjen ndajKafshëve shpesh ka qenë i plogësht. Në vitin 2014 Organizata joqeveritare për mbrojtjen e kafshëve “Kosovo Dog Project 2014 (KDP14)” doli me një zgjidhje të propozuar, për ta fuqizuar edhe ligjin ekzistues edhe zbatimin e tij, me projekt-amendamente të quajtuara: Ligji për Amendamentimin dhe Plotësimin e Ligjit për Përkujdesjen ndaj Kafshëve.
Ky projekt ka për qëllim të themelojë një zyrë speciale në kuadër të Zyrës së Kryeministrit, të quajtur Autoriteti Implementues i Ligjit për Qen dhe Mace (DCLIA). Pas një periudhe 2-vjeçare, DCLIA-së do t’i jepej autoriteti ta zvogëlojë dukshëm numrin e qenve endacakë duke kërkuar standarde minimale të sjelljes së pronarëve të qenve dhe maceve nëpër komuna. Legjislacioni përcakton kërkesa të rrepta për pronarët e kafshëve shtëpiake si dhe për regjistrimin e kafshëve në emër të pronarëve të tyre.
Wormser beson se regjistrimi i qenve dhe i pronarëve të tyre do të ndihmontë në zvogëlimin e braktisjes së tyre. “[StrayCoco] i regjistron qentë endacakë, por askush nuk i regjistron qentë e pronarëve, dhe pronarët e qenve”, thekson ajo, duke shtuar se një skeme e ngjajshme në Zvicën ndihmon në krijimin e një mjedisi me shumë pak qenë endacakë.
Amendamentet gjithashtu do të kërkonin qe qeveria ta shtonte numrin e strehimoreve ekzistuese — me së paku 20 strehimore të reja dhe 60 familje të reja adoptuese — si dhe ndërtimin e tre ordinancave të pranimit dhe të veterinarisë.
Amendamentet janë kompletuar dhe i janë dorëzuar Kuvendit të Kosovës dhe kanë marrë mbështetjen e 10,933 nënshkrimeve nga qytetarët e Kosovës. Megjithatë, Kuvendi nuk ka ndërmarrë asnjë veprim të mëtejmë.
Udhëheqësit e projektit besojnë se nëse rekomandimet e tyre zbatohen, Kosovës do t’i zvogëlohet në masë të madhe numri i qenve dhe maceve të braktisura brenda një viti, dhe do të ketë zvogëlim drastik në katër vitet e ardhshme. Ata thonë kjo do të jetë ekonomikisht efikase, dhe secilit qytetar do t’i kushtojë 0.60 euro në vit për tri vitet e para, dhe 0.50 euro për vitet në vazhdim.
Për të gjetur shembuj të jashtëm të trajtimit të susesshëm të qenve endacakë, Wormser sugjeron që Kosova ta shikojë Holandën. Në vitin 1990 Organizata Botërore e Shëndetësisë, së bashku me Asociacionin Botëror për Mbrojtjen e Kafshëve, kanë publikuar një raport mbi metodën më efikase të trajtimit të qenve endacakë. Rekomandimet sugjeronin një kumbimin ndërmjet sterilizimit (të së paku 70 të bushtrave), edukimit (për të qenë pronar i përgjegjshëm i qenve, për kontrollim të shumimit, dhe shmangie të braktisjes) dhe regjistrimit (edhe të kafshëve edhe të pronarëve). Holanda e ka adoptuar këtë metodë, dhe sot thuajse nuk ka qenë endacakë.
Në këtë drejtim, Fondacioni StrayCoco gjithashtu ka filluar të punojë në edukim për të ndihmuar të ndryshohet perceptimi ndaj qenve endacakë në përpjekje për ta tejkaluar narrativën ku kafshët shihen si kërcënim dhe bezdi.
Në disa qytete të mëdha anembanë botës prania e qenve endacakë ka fryëzuar vepra letrare dhe ka tërhequr turistë, si në Moskë, ku madje është ngritur një bust i bronztë për qenin e mbytur në një stacion të trenit. Megjithëse një hap i tillë mund të shihet i largët për Kosovën, aktivistët shpresojnë se ndryshimi i qëndrimit mund të ndihmojë që secili qen, një ditë, ta ketë ditën e vet.
Ky artikull është përgjigje ndaj pyetjeve të lexuesve në kuadër të fushatës #PoDuMeDitë lidhur me çështjet e mirëqenies së kafshëve. Fushata #PoDuMeDitë u mbështet nga Ambasada e Holandës në Kosovë.
Fotografija kryesore: Atdhe Mulla / K2.0.